Ballina Aktualitet Mbërrin në Kosovë gazetarja e parë ukrainase, Kurti e pret me lule

Mbërrin në Kosovë gazetarja e parë ukrainase, Kurti e pret me lule

Ka mbërritur në Kosovë gazetarja e parë ukrainase. Kryeministri Albin Kurti e ka pritur atë në zyrë me një buqetë me lule, duke i uruar në këtë mënyrë mirëseardhjen.

Kurti thekson edhe njëherë se Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në vendin tonë, znj. Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina. Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus.

Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme.

Falënderojmë Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionin Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për bashkëpunimin në programin Gazetarët në Rezidencë (Journalists in Residence) në Kosovë.

Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ne mbesim të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Do të kujdesemi që znj. Makey dhe kolegët e saj që do t’i mirëpresim, të kenë kushte të përshtatshme për punë dhe jetesë”, shkruan Kurti.

Disa javë më parë Kurti deklaroi se do të strehojnë gazetarët ukrainas që detyrohen të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews