Ballina Aktualitet KKZ Tetovë: Zgjedhjet po zhvillohen në rregull, pati disa probleme të vogla...

KKZ Tetovë: Zgjedhjet po zhvillohen në rregull, pati disa probleme të vogla teknike (VIDEO)

Vijon procesi zgjedhor për këshillin komunal në Komunën e Tetovës. Nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve njoftojnë se procesi po zhvillohet në rregull, ndërsa janë paraqitur disa parregullsi teknike në lidhje me pajisjet biometrike për identifikimin e votuesve, mirëpo siç thonë pas intervenimit nga ana e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) dhe personave përgjegjës të cilët janë caktuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për mënjanim të këtyre parregullsive, Këto probleme u mënjanuan dhe procesi i votimit zhvillohet siç duhet, shkruan Portalb.mk.

Nazmi Dauti nga KKZ Tetovë informoi se kanë pasur edhe disa ankesa në lidhje me disa materiale të ngjitura nëpër disa vendvotime që janë vetëm në gjuhën shqipe.

“Kjo nuk ka qenë e qëllimshme nga ana e Komisionit Komunal Zgjedhor, pasi që të gjitha materialet tjera informative që janë dorëzuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve janë në dy gjuhë ndërsa kjo ishte një lëshim teknik nga ana e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve dhe këtë lëshim teknik tani në terren do ta përmirësojmë ose fundja nëse nuk arrijmë ti përmirësojmë do ti tërheqim edhe ato në gjuhën shqipe. Pasi qytetarët e dinë më se në cilin vendvotim votojnë, ata ishin një material informativ që prej cilës shkronjë deri në cilën shkronjë votohet në atë vendvotim. Në qoftë se nuk arrijmë që në të gjitha 117 vendvotimet ti dërgojmë këta edhe në gjuhën maqedonase atëherë do ti tërheqim edhe në gjuhën shqipe, do të mbeten vetëm materialet tjera propaganduese që janë në dy gjuhë”, tha Nazmi Dauti.

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve informoi se deri në orën 13:00 kanë votuar 7.635 votues, gjegjësisht 9%. Për krahasim, në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, deri në këtë orë kanë votuar 13.128 votues, gjegjësisht 15.36%.

Gjatë paradites, vizituam edhe disa vendvotime ku nga atje thanë se procesi zgjedhor nuk po has në pengesa.

Ishim në vendvotimin 1979, ku ka përafërsisht 675 votues, nga atje na njoftuan se vendvotimi është hapur në ora 7 dhe nuk ka pasur probleme teknike, por theksuan se dalja ishte e vogël.

Ishim edhe te vendvotimi, 1980 te shkolla Liria.

“Votimi ka shkuar mirë deri tani, por nuk kemi pasur shumë votues, deri tani rreth 57 votues kanë ardhur- rreth 8%. Numri i votuesve është 637. Nuk ka pasur pengesa, çdo gjë ka shkuar mirë qetë. Aparatet funksionojnë, pak me njerëzit e moshuar pak më problem, nuk i identifikon me gjurmë gishtërinjsh por pastaj me letërnjoftim çdo gjë është në rregull”, njoftuan nga ky vendvotim.

Komuna e Tetovës në këto zgjedhje numëron gjithsej 84.072 votues të shpërndarë në 117 vendvotime. Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2021 gjithsej votuan 38.350 votues apo 44.81% nga numri i përgjithshëm. 36.842 fletëvotime ishin të vlefshme, ndërkaq 1.508 të pavlefshme.

Këshilli i Komunës së Tetovës sot mban zgjedhe për këshilltarët komunal pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews