Ballina Argëtim Jetë & Stil A na lindin idetë tona më të mira gjatë stërvitjes fizike?

A na lindin idetë tona më të mira gjatë stërvitjes fizike?

“Ushtrimi çliron endorfinën në trupin tuaj, dhe kjo e fundit ju bën të lumtur. Njerëzit e lumtur thjesht nuk i qëllojnë bashkëshortët e tyre”. Shkencëtarët e kanë vërtetuar se kjo batutë e thënë nga aktorja Riz Uitherspun kur luan rolin e Ela Uds në filmin e vitit 2001 “Legally Blonde” (Ligjërisht bjonde) është e vërtetë.

Por për pjesën që hormoni endorfinë e bën njeriun të lumtur, dhe jo për pjesën e të shtënës më armë. Për dekada të tëra, studiuesit kanë studiuar vazhdimisht lidhjen midis ushtrimeve fizike dhe përmirësimit të humorit tek njerëzit.

Por deri vonë, studiuesit nuk ishin në gjendje të gjenin prova të forta, që lidhin ushtrimet fizike me përmirësimin e mendimit krijues. Ndërsa ka prova anekdotike se tipat krijues “zhbllokohen” kur ngrihen dhe lëvizin, një studim i ri nga “Scientific Reports”, pretendon se ushtrimet fizike sjellin përmirësim të humorit dhe përmirësim të kreativitetit.

Dhe më e rëndësishmja:ata funksionojnë të pavarur nga njëri-tjetri. Pra nuk ka asnjë shkak dhe pasojë lineare, ku lëvizja e trupit e rrit humorin, dhe ky i fundit rrit kreativitetin tek një person. Studimi u përpoq që të zbulonte, nëse dhe si përputhen kreativiteti dhe lëvizja, dhe si ndikojnë ato tek lumturia e njeriut.

Studiuesit në Universitetin e Gracit në Austri, vëzhguan aktivitetet normale të 79 të rriturve, dhe më pas i testuan ata për nivelin e kreativitetit gjatë një periudhe 5-ditore. Ata u vendosën pjesëmarrësve në trup një gjurmues aktivitetesh, dhe i kërkuan të kryenin teste kreativiteti në laborator.

Pjesëmarrësit shpikën përdorime të reja për sendet e përditshme si çadrat dhe gomat, plotësuan vizatime të papërfunduara, si edhe plotësuan pyetësorë rreth gjendjes së tyre psikologjike. Studimi zbuloi se sa më i madh që ishte niveli i aktivitetit fizik, vrapimi ose angazhimi në një sporti konkurrues, në krahasim me një shëtitje të ngadaltë, aq më shumë njerëzit prireshin të ishin më të lumtur.

Po ashtu, studiuesit analizuan veçmas se si lidhen midis tyre aktiviteti fizik dhe gjendja shpirtërore. Dhe zbuluan se ndërsa aktiviteti fizik e rrit kreativitetin e një personi, ai nuk rrit gjithmonë humorin e tij. Për më tepër, një humor pozitiv nuk ishte një element i domosdoshëm për rritjen e kreativitetit, pas aktivitetit fizik.

Ky rezultat i ri, i ndihmoi studiuesit të arrinin në përfundimin se rritja e krijimtarisë nuk vjen nga një përparim i përvojave (aktiviteti çon në përmirësimin e humorit, dhe ky i fundit në rritjen e kreativitetit), por ata panë një lidhje të drejtpërdrejtë midis lëvizjes dhe krijimtarisë.

Ndërsa studimi bëri një lidhje midis imagjinatës aktive dhe jetës aktive, studiuesit pranuan se nuk mund të vërtetojnë nëse është aktiviteti, ai që shkakton kreativitet. Dhe vetë studimi nuk vërtetoi, se si aktiviteti fizik e nxit kreativitetin.

Prandaj nëse synoni të nxisni krijimtarinë tuaj, dilni për vrap në natyrë ose ngjituni me biçikletë në një kodër të madhe. Mund të mos ju bëjë domosdoshmërisht të lumtur, por mund t’ju japë nxitjen krijuese që po kërkoni.

@tn.lajmelokale
@tetovanews