Ballina Shëndeti Mungesa e mjekëve pediatër mbingarkon qendrat shëndetësore në Maqedoninë e Veriut

Mungesa e mjekëve pediatër mbingarkon qendrat shëndetësore në Maqedoninë e Veriut

Sezoni i gripit dhe veçanërisht ndotja e ajrit kanë bërë që shumë fëmijë të kenë probleme me sistemin respirator dhe të kërkojnë ndihmë në shtëpitë e shëndetit.

Fëmijët me simptoma më të rënda, nga mjekët amë drejtohen në Repartet e Pediatrisë në qendrat spitalore të vendit, gjë që ka bërë të dalë në sipërfaqe problemi me mungesën e mjekëve pediatër.

“Te të gjithë qytetarët ka ndikuar ndryshimi i klimës, pasi e dimë se tani duhej të kishim borë,… po ja që s’ka, këtë s’mund ta rregullojë dora e njeriut. Të njëjtën kohë për disa ditë kishim mjegull, këtu është dhe ndotja e ajrit që rrit numrin e pacientëve me infeksione të ndryshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bekim Ismaili, mjek amë.

Daniella F. Nga Shkupi, nënë e një vajze pesë vjeçe thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita te mjeku pediatër është sfidë më vete pasi duhet të presë me orë për të arritur te pediatri.

“Më duhet të pranoj se shkuarja te mjeku pediatër është problem i madh pasi duhet pritur me orë për të bërë një kontroll që do të definojë se duhet të shtrihet ose jo në spital. Vajza është me shëndet të ligë dhe infeksioni më i vogël i shkakton ndezje në mushkëri veçanërisht gjatë ditëve me ndotje të lartë të ajrit”, thotë Daniella.

Për mjekimin e fëmijëve në mungesë të mjekëve pediatër kujdesen mjekët amë (mjekët familjarë) edhe në rastet me komplikime më të rënda.

Mjeku Lubço Serafimovski thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë dhjetë vjetëve të fundit në institucionet shëndetësore të vendit nuk është punësuar as edhe një mjek pediatër.

“Fakt është se në gjithë vendin mungojnë mjekët pediatër. Numri i mjekëve pediatër në Maqedoninë e Veriut është tepër i vogël. Problemi qëndron në atë se mjekët pediatër kur shkojnë në pension, s’ka kush i zëvendëson. Po sjell rastin e poliklinikës ‘Jane Sandanski’ (mjekësia sekondare) në Komunën Aerodrom të Shkupit, e cila është një nga komunat me numrin më të madh të banorëve (mbi 78 mijë banorë) dhe mbeti pa asnjë pediatër pasi edhe mjeku i fundit në këtë shtëpi shëndeti shkoi në pension nga një janari i këtij viti. Kështu, mbeti pa asnjë pediatër, pasi s’ka mjek të specializuar për ta zëvendësuar”, thotë Stefanovski.

Mungesa e mjekëve pediatër mbingarkon qendrat shëndetësore

Pjesa më e madhe e qendrave spitalore në Maqedoninë e Veriut punojnë me numër të reduktuar të mjekëve pediatër, si ai në Ohër, Dibër dhe Resnjë dhe kjo pamundëson hospitalizimin e fëmijëve me pasqyrë të komplikuar. Kështu qëm, ata pacientë orientohen në spitalet e komunave fqinje, në këtë rast atë të Strugës.

Kjo ka bërë që Qendra Spitalore e Strugës të jetë e mbingarkuar. Korridoret e kësaj shtëpie shëndeti janë të mbushura me fëmijë të sëmurë, të cilët me orë presin për t’u kontrolluar.

“Brenda një dite të vetme gjatë javës, nga e hëna deri të premten ne kemi për vizitë mbi 70 pacientë. Ndërkohë, që gjatë ditëve të vikendit ky numër është dyfish më i madh. Sa për ilustrim, gjatë tri ditëve të para të këtij viti në Qendrën Spitalore në Strugë, në Repartin e Pediatrisë kishim mbi 500 pacientë për vizitë, një pjesë e të cilëve me simptoma më të rënda dhe i kemi hospitalizuar”, bën të ditur Vllatko Mickoski, përgjegjës për Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Strugës.

Ai thotë se në këtë spital punojnë pesë mjekë pediatër, edhe pse për të funksionuar normalisht ky repart, nevojiten së paku shtatë mjekë pediatër pa llogaritur trysninë nga komunat fqinje.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë zotohet se do të gjendet zgjidhje me mungesën e mjekëve pediatër në shtëpitë e shëndetit publik. Nga ky dikaster për Radion Evropa e Lirë bëjnë të ditur se tashmë janë miratuar më shumë se 50 kërkesa për specializimin e mjekëve të rinj në pediatri për të punuar në klinikat ku mungojnë mjekët pediatër.

Nga kjo Ministri arsyetohen se shumë qendra spitalore kanë mbetur pa pediatër për shkak të largimit të mjekëve pediatër nga vendi, megjithëse theksojnë se nuk kanë të dhëna të sakta se sa është numri i tyre.

Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Ohrit që funksionon me vetëm dy pediatër për kontrolle ditore por pa mundësi hospitalizomi, do të vihet në funksion posa ta kryejnë specializimin dy mjekë të rinj dhe dy të tjerë, për të cilët tashmë është miratuar kërkesa për specializim, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. /REL/

@tn.lajmelokale
@tetovanews