Veshkat punojnë pa pushim për të filtruar gjakun. Por dobësimi i funksionit të tyre shpesh mbetet i fshehur derisa të jetë tepër vonë. Analizat e synuara mund t’i zbulojnë rreziqet në një fazë të hershme.
Ato janë, në njëfarë mënyre, ëndrra e mishëruar e çdo punëdhënësi: jashtëzakonisht punëtore dhe në heshtje të plotë, arrijnë rezultate rekord. Në fund të fundit, çdo ditë nëpër veshkat tona kalojnë 3.000 deri në 4.000 litra gjak. Në fakt, veshkat do të meritonin një vend në rreshtin e parë të vëmendjes publike. Teorikisht. Praktikisht, pothuajse askush nuk është i vetëdijshëm për rolin kyç të këtyre dy organeve. Pikërisht sepse ato nuk bëjnë shumë zhurmë për punën e tyre dhe, edhe kur lindin probleme, mbeten për një kohë tepër të gjatë pa dhënë shenja, shpjegon Thimoteus Speer. Shkencëtari i vlerësuar me disa çmime dhe specialisti i veshkave drejton Departamentin e Nefrologjisë në Spitalin Universitar të Frankfurtit, si dhe Qendrën Else-Kröner-Fresenius për Kërkime Nefrologjike. “Dhjetë për qind e popullsisë kanë një sëmundje kronike të veshkave. Por vetëm te tre për qind – në raport me popullsinë e përgjithshme – ajo është diagnostikuar.” Kjo sepse sëmundja për një kohë të gjatë zhvillohet pa simptoma.
Nuk ndien asgjë edhe kur veshkat prej kohësh nuk e filtrojnë më gjakun në mënyrë të mjaftueshme. Kur në trup grumbullohen produkte toksike të metabolizmit, ujë i tepërt dhe kripëra. Me pasoja të gjera, si anemia, humbja e masës kockore, dëmtimet e zemrës dhe të enëve të gjakut. Deri te helmimi gradual i organizmit (uremia) dhe problemet kardiovaskulare që mund të rrezikojnë jetën. Po, kjo është tinëzare. Dhe do të prekë gjithnjë e më shumë njerëz. Meqenëse “me çdo vit të jetës humbasim një pjesë të funksionit të veshkave”, siç thotë Speer, në një shoqëri që plaket rritet natyrshëm edhe numri i njerëzve me sëmundje të veshkave. Aq më tepër që faktorët kryesorë të rrezikut për dëmtimin e funksionit renal lidhen si me moshën, ashtu edhe me mënyrën e jetesës: “Diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut”. Edhe këto janë të ashtuquajtur “vrasës të heshtur”, sëmundje që në fillim po ashtu nuk japin shumë shenja. Thimoteus Speer: “Ekzistojnë përllogaritje për vitet e jetës të humbura si pasojë e sëmundjeve të ndryshme. Aktualisht, sëmundjet kronike të veshkave renditen në vendin e 16-të. Deri në vitin 2040 – sipas parashikimit – do të ngjiten në vendin e pestë.”
Mes veshkave dhe zemrës ekziston një lidhje e ngushtë
Kjo lidhet edhe me marrëdhënien shumë të ngushtë mes zemrës dhe veshkave. Në kërkimet e tij, Speer merret veçanërisht me “komplikimet kardiovaskulare te pacientët me sëmundje të veshkave” dhe thotë: “Sëmundjet kronike të veshkave janë faktori më i fuqishëm i rrezikut për ngjarje kardiovaskulare, si goditja në tru, çrregullimet e ritmit të zemrës apo infarkti. Madje më i fuqishëm se pirja e duhanit, diabeti ose nivelet e larta të yndyrave në gjak.” Para se të arrihet te dializa, shumica e pacientëve tashmë kanë vdekur nga “ngjarje” të tilla. Po, ky është një alarm mjaft i madh, i cili megjithatë vazhdon të mos pasqyrohet siç duhet në masat parandaluese. Në analizat e gjakut matet edhe kreatinina, çka mundëson një vlerësim të funksionit të veshkave.
“Por një tjetër parametër vendimtar është nxjerrja e proteinave në urinë dhe kjo duhet të përcaktohet në mënyrë specifike”, shpjegon nefrologu. I ashtuquajturi test i albuminës është shumë më i saktë se analizat që mbulohen nga sigurimet shëndetësore publike. Këto të fundit japin sinjale vetëm kur veshkat tashmë janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme dhe mund të jenë shfaqur simptoma si lodhje, kruajtje, vështirësi në përqendrim dhe të përziera. Megjithatë, sigurimet shëndetësore i mbulojnë kostot e testeve laboratorike më të reja kur ekziston një dyshim i arsyetuar për sëmundje – si, për shembull, në rastin e tensionit të lartë të gjakut dhe/ose diabetit. Sipas nefrologut, kjo ia vlen. “Sot mund ta frenojmë shumë mirë humbjen e funksionit të veshkave me ilaçe.”
Çfarë janë në gjendje të bëjnë veshkat
Ajo që kryejnë këto dy organe binjake është mbresëlënëse: ato ndajnë me shumë saktësi substancat për të cilat trupi ynë ka nevojë nga ato që, së bashku me lëngjet e tepërta, mund të nxirren nëpërmjet urinës. Kjo është detyra e të ashtuquajturave nefrone, prej të cilave secila veshkë ka rreth një milion. Ato e pastrojnë gjakun në dy hapa: glomeruli – një tufëz e vogël enësh gjaku – filtron produktet e mbetjeve dhe ujin, ndërsa tubuli – një gypth – merr nga filtrati lëndët ushqyese të rëndësishme dhe i rikthen ato në qarkullimin e gjakut. Veshkat rregullojnë formimin e gjakut dhe kontrollojnë ekuilibrin e lëngjeve dhe elektroliteve, si edhe ekuilibrin acido-bazik në organizëm. Në veshka zhvillohet metabolizmi i vitaminës D, i cili, së bashku me rregullimin e kalciumit dhe fosfatit, ndihmon në ruajtjen e kockave të forta. Po këtu prodhohet edhe eritropoetina, një hormon që stimulon formimin e gjakut dhe që, si substancë dopingu për rritjen e performancës, është bërë herë pas here lajm edhe në Tour de France.
Veshkat mund të mbështeten në punën e tyre të palodhur. Jo, për këtë nuk është e nevojshme të “pastrohet organizmi nga toksinat”. Nga pikëpamja shkencore, nuk nevojitet asnjë “detoksifikim” përmes kurave detox. Një organizëm i shëndetshëm njerëzor pastrohet vetë. Substancat e padëshiruara nxirren përmes mëlçisë, veshkave, zorrëve, lëkurës dhe frymëmarrjes. Por nuk duhet përdorur shumë kripë kuzhine, sepse ajo “mund ta neutralizojë plotësisht efektin e barnave që mbrojnë veshkat”. Duhet pasur kujdes edhe me kaliumin, sepse insuficienca renale shpesh çon në nivele të larta të kaliumit. Kjo, nga ana tjetër, mund të shkaktojë çrregullime të ritmit të zemrës, shpjegon Thimoteus Speer.
Përveç kripës, në këto raste duhen konsumuar me kujdes edhe ushqime si patatet ose bishtajoret. Përveç kësaj, edhe barnat duhet të kontrollohen për ndikimin e tyre mbi veshkat. “Qetësuesit e dhimbjeve si ibuprofeni apo edhe diklofenaku mund t’i dëmtojnë veshkat nëse merren për një kohë të gjatë, veçanërisht kur ato tashmë janë të dëmtuara.” Shumë barna, thotë eksperti, duhet të përshtaten në dozë, sepse produktet e metabolizmit të tyre nxirren gjithashtu përmes veshkave dhe, kur ato nuk funksionojnë më siç duhet, këto substanca mund të grumbullohen në organizëm.
Dializa është alternativa e parafundit
Aktiviteti fizik rekomandohet. Gjithçka që i bën mirë tensionit të gjakut dhe zemrës u bën mirë edhe veshkave. Dhe, natyrisht, është një ide e mirë të pihet mjaftueshëm. Sepse nuk kërcënon vetëm dehidratimi dhe, bashkë me të, stresi për veshkat. Në afat të gjatë mund të krijohen edhe gurë në veshka, të cilët mund të shkaktojnë kolika shumë të dhimbshme. Ata formohen kur substanca të tretura në urinë, si kalciumi, oksalati ose acidi urik, përqendrohen shumë. Shkaqet kryesore janë marrja e pamjaftueshme e lëngjeve dhe një ushqyerje e pabalancuar me shumë proteina shtazore, kripë dhe sheqer.
Ndikojnë edhe mbipesha, predispozita trashëguese dhe çrregullimet metabolike. Pra, rreth dy litra lëngje në ditë do të ishte mirë të konsumoheshin. Megjithatë, më shumë nuk do të thotë domosdoshmërisht më mirë. Përkundrazi. Pirja e tepërt e lëngjeve i ngarkon veshkat, veçanërisht kur ato tashmë janë të dëmtuara. Ato nuk mund ta nxjerrin ujin e tepërt. Për këtë arsye, kufizimi i lëngjeve – në konsultim me mjekun – mund të jetë i arsyeshëm, sidomos kur ekziston edhe dobësi e zemrës (insuficiencë kardiake). Te pacientët që kryejnë dializë, ky kufizim është madje drastik. Sepse gjithçka që hyn në organizëm duhet më pas – mekanikisht – të filtrohet dhe të nxirret përsëri.
Dializa është alternativa e parafundit kur veshkat nuk funksionojnë më fare. Atëherë pacienti kalon tri herë në javë nga katër orë në “pastrimin e gjakut”, për shembull në një nga 21 vendet e dializës në klinikën universitare. Mirë që dializa ekziston. Por shumë më mirë është të mos kesh fare nevojë për të. Sepse është një procedurë e rëndë dhe vetëm një zgjidhje e përkohshme për të kapërcyer kohën derisa të bëhet e disponueshme veshka e një dhuruesi të vdekur. Megjithatë, kjo mund të zgjasë. “Sot koha e pritjes është dhjetë deri në dymbëdhjetë vjet”, thotë Speer. Gjatë kësaj kohe, gjendja e pacientëve shpesh përkeqësohet aq shumë, saqë ata vdesin ende gjatë pritjes ose bëhen tepër të sëmurë për t’iu nënshtruar ndërhyrjes.
Klinika Universitare e Frankfurtit është qendra më e madhe e transplantimeve në Hessen
Një alternativë është dhurimi nga një person i gjallë. Sipas ligjit gjerman për transplantimet, lejohet dhurimi i veshkës nga të afërmit e shkallës së parë ose të dytë. Përveç kësaj, janë të mundshme dhurimet nga persona “që kanë një lidhje personale dhe emocionale me marrësin, si bashkëshortët ose miqtë e ngushtë prej shumë vitesh”. Sipas ekspertit, nuk kontrollohet rreptësisht vetëm përputhshmëria fiziologjike. “Si dhuruesi, ashtu edhe marrësi vlerësohen psikologjikisht në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.” Kjo bëhet edhe për të parandaluar që njerëzit të marrin një vendim kaq të rëndësishëm nga ndjenja se kjo pritet prej tyre. Në fund zhvillohet gjithmonë edhe një bisedë para komisionit të etikës të Odës së Mjekëve.
Transplantimi i veshkave është një tjetër fushë kryesore e punës së Thimoteus Speer. Spitali Universitar i Frankfurtit është qendra më e madhe e transplantimeve në landin e Hessenit dhe aktualisht po i afrohet transplantimit të 3.000-të të veshkës. Bëhet fjalë për një ndërhyrje tashmë të konsoliduar, me shkallë të lartë suksesi, pas së cilës është e mundur një jetë pothuajse normale dhe aktive. Megjithatë, kjo kërkon marrjen gjatë gjithë jetës të imunosupresantëve – barnave që parandalojnë refuzimin e organit – të cilat e bëjnë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve, si edhe shumë kujdes, përfshirë disiplinën në ushqyerje.
Kjo është e rëndësishme edhe për ta zgjatur sa më shumë jetëgjatësinë e veshkës së dhuruar – mesatarisht rreth 20 vjet. Por në fund, synimi është të bëhet gjithçka që të mos arrihet fare deri në këtë pikë dhe veshkat të mbështeten që më herët në punën e tyre të jashtëzakonshme. T’u kushtohet vëmendja që meritojnë. Të kontrollohen po aq rregullisht sa tensioni i gjakut dhe sheqeri në gjak. Dhe, mbi të gjitha, të jemi të vetëdijshëm se qetësia me të cilën ato i kryejnë detyrat e tyre mund të jetë gjithashtu paralajmërim për një stuhi të madhe./F.A.Z.















