Ballina Aktualitet PAGUAJNË PËR TERR! Qytetarët reagojnë për ndriçimin publik në Tetovë

PAGUAJNË PËR TERR! Qytetarët reagojnë për ndriçimin publik në Tetovë

Disa herë, qytetarët në rrjetet sociale dhe jo vetëm, janë ankuar se ndërprerja e ndriçimit publik u shkakton shumë telashe, sidomos me qentë endacak, por edhe në një periudhë kur gjatë orëve të mbrëmjes ka mjegull të dendur dhe shkaktohet ndjenjë e pasigurisë

Urim HASIPI

Tetovë, 10 janar – Çdo amvisëri, çdo biznes, në faturën e tyre të rrymës elektrike paguajnë edhe taksën rreth 185 denarë për ndriçimin publik, kurse harxhimin për ndriçimin publik në nivel mujor e paguan komuna. Pas rritjes enorme të çmimit të rrymës elektrike, qeveria u rekomandoi komunave por edhe institucioneve tjera që të kursejnë energjinë elektrike. Prandaj, gati se dy muaj, edhe banorët e qytetit të Tetovës por edhe komunave tjera, përballen me ndërprerje të këtij shërbimi, pra të ndriçimit publik edhe pse paguajnë. Për këtë problematikë u drejtuam tek Komuna e Tetovës, dhe atje na sqaruan se fatura mujore për ndriçimin publik muajve të fundit është më e lartë se inkasimi i mjeteve nga taksa, prandaj edhe ka qenë e domosdoshme që të ketë restrikcione të ndriçimit publik.

“Këshilli i Komunës së Tetovës sikurse edhe këshillat nëpër komunat tjera kanë sjellë vendim në bazë të rekomandimeve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që të kursehet energjia elektrike. Ky vendim është marrë para dy muajve, poashtu edhe ndriçimi publik të shkurtohet me orare të caktuara. Ne kemi vepruar në suaza të këtij vendimi njëjtë sikurse qytetet tjera, kurse sa i përket pagesës së taksës së ndriçimit publik, edhe qytetarët e komunës së Tetovës e kanë një taksë të tillë. Dhe në bazë të informacioneve që kam nga sektori i financave i komunës së Tetovës të hyrat që inkasohen nga qytetarët për këtë qëllim brenda një muaji janë rreth 6 milion denarë, ndërsa komuna e Tetovës vetëm dy muajt e fundit për ndriçimin publik ka paguar diku rreth 14 milion denarë dhe kjo është s’përputhje mes asaj se sa harxhohet duhet të paguhet”, tha Besar Durmishi, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Por, nga komuna e Tetovës thonë se qeveria nuk lejoi themelimin e ndërmarrjes publike për prodhim të energjisë elektrike, shitje të energjisë elektrike, ekonomizim, vendosje dhe mirëmbajtje të ndriçimit publik me ç`rast do të kishte një menaxhim më të mirë në këtë drejtim.

“Tash me kursimet që kemi bërë muajve të fundit rreth 5 milionë e 900 mijë denarë ka arritur fatura nga EVN-ja për ndriçimin publik, kurse të hyrat janë rreth 6 milionë denarë. Pra, me kursimet e fundit që kemi bërë tentojmë të kemi një saldo të barabartë mes asaj që na faturohet si harxhim dhe sa mjete inkasohen. Kjo situatë është pas lëvizjes së çmimeve të rrymës elektrike kohës së fundit. Fatura e janarit me siguri do të jetë 10 ose 11 milionë denarë për ndriçimin publik kurse inkasimi do të jetë i njëjtë, dhe diferencën do të duhet ta paguajë komuna e Tetovës me buxhetin vetanak”, tha Durmishi. Disa herë, qytetarët në rrjetet sociale dhe jo vetëm, janë ankuar se ndërprerja e ndriçimit publik u shkakton shumë telashe, sidomos me qentë endacak, por edhe në një periudhë kur gjatë orëve të mbrëmjes ka mjegull të dendur dhe shkaktohet ndjenjë e pasigurisë. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews