Ballina Aktualitet Lajme Policia ka identifikuar personin i cili vrau me armë gjuetie qentë në...

Policia ka identifikuar personin i cili vrau me armë gjuetie qentë në Strugë

Policia ka identifikuar një të dyshuar për vrasjen e disa qeneve endacakë me armë zjarri në Strugë. Në rrjetet sociale u bënë virale pamjet e një personi me pushkë i cili qëllonte qentë nëpër qytet, për këtë rast pati reagim të madh nga qytetarët dhe aktivistët por asnjë reagim nga Komuna e Strugës, shkruan Portalb.mk.

Gjendja me qentë endacakë në qytetin e Strugës është alarmante, qytetarët çdo ditë raportojnë se janë sulmuar apo janë kafshuar nga tufë qenesh endacakë të cilët vërtiten në qendër të qytetit. Mungesa e një zgjidhje efektive të këtij problemi nga autoritet përkatëse bëri që dje në rrjetet sociale të raportohet një rast i çuditshëm në Strugë. Në internet u bënë virale pamjet e një personi me pushkë i cili vret qentë nëpër rrugët në qendër të Strugës.

Raportime të qytetarëve në rrjetet sociale, burimi: Anima Mundi- Shoqata për mbrojtjen e kafshëve

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Ohër bënë të ditur sot se policia e ka identifikuar të dyshuarin i cili një ditë më parë me pushkë ka vrarë disa qenë endacak në rrugët e qytetit të Strugës.

“Me datë 10.01.2023 në ora 17:15 në Zyrën e jashtme për punë kriminalistike në Strugë është zhvilluar intervistë zyrtare me M.Z.(62) nga fshati Livadhi i Strugës . Ai dyshohet se në periudhën nga ora 06:45 deri në ora 07:15 në rrugën “Vllado Maleski” në Strugë, me armë gjuetie ka vrarë shtatë qen endacakë. Nga ai është marrë një pushkë gjuetie kalibrit 16 mm Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet padi e duhur”, deklaroi Merlina Islami, zëdhënëse e SPB Ohër.

Rasti në fjalë për opinion u bë i njohur nga reagimi i Shoqatës për mbrojtjen e kafshëve Anima Mundi. Në profilin e kësaj shoqate u publikuan fotografi dhe video nga aksioni i shëmtuar në Strugë dhe u kërkua përgjegjësi nga autoritetet.

“Një shtet pa ligj, një shoqëri primitive e qeverisur nga sherifët vendas – rezultati është ky brutalitet i dëshmuar sot nga banorët e qytetit të Strugës. Një maniak, një person që nuk mund të quhet njeri i inkurajuar nga institucionet jofunksionale dhe prishja e sistemit në këtë vend, ka vendosur mëngjesin e sotëm t’u marrë jetën me pushkë dhjetëra kafshëve shtëpiake shtëpiake. Askush nuk ka të drejtë t’i marrë jetën dikujt, askush nuk ka të drejtë të derdhë gjak të pafajshëm me armë në dorë, të vrasë pa mëshirë dhe të mbetet i pandëshkuar”, thuhet mes tjerash në reagimin e Anima Mundi.

Lidhur me këtë rast nuk ka asnjë reagim nga Komuna e Strugës. Redaksia jonë kërkoi një qëndrim nga Komuna e Strugës dhe hapa konkretë që ky institucion parashikon në zgjidhjen e një problemi serioz për qytetarët, megjithatë përgjigje nuk morëm. Nga ana tjetër i lartë ka qenë numri i qytetarëve dhe aktivistëve të cilët e kanë kanë dënuar këtë akt të shëmtuar. Edhe pse qentë endacakë cenojnë sigurinë e struganëve ato shprehen se vrasja e krijesave të gjalla nuk është zgjidhja që ata duan.

“Kafshët e pastreha janë vrarë me armë zjarri. Punonjësit e NP “Komunalno” Strugë i ngarkuan kufomat me gjak në traktor për t’i hedhur në një deponi. Ngjarja në polici është raportuar nga qytetarët, në vend të punonjësve të NP “Komunalno” Strugë. Komuna e Strugës prej vitesh nuk ka as program, as strehimore dhe as operator të angazhuar për zbatimin e programit “kap-sterilizoj-kthehu”. Për këtë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë asnjëherë nuk u ka shqiptuar dënime”, shkruhet në reagimin e një qytetareje.

Qytetarët struganë ka një kohë të gjatë që përballen me problemin e qenve endacakë. Megjithatë, edhe përkundër ankesave të shumta dhe revoltës së popullit assesi nuk është arritur një zgjidhje efektive. Rreth një javë më parë nga Komuna e Strugës njoftuan se buxheti për vitin 2023, ka paraparë mjete financiare për trajtimin e qeneve endacakë dhe se në terren do të fillojnë menjëherë aksionet.

“Puna e parë që do të bëhet do të jetë kapja e qenëve femra (bushtrrave), më pas sterilizimi i tyre, që do të ndikojë ndjeshëm në lindshmërinë për së paku 16 herë më pak. Aktiviteti i radhës do të jetë kastrimi i qenëve mashkullorë dhe vendosja e vathëve apo çipave për t’i shenjuar si të tillë, disa prej atyre qenëve do të mbeten të izoluar derisa agresviteti i tyre të zvogëlohet ose humbet fare, kurse një pjesë e numrit të përgjithshëm të qenëve endacakë do të trajtohet sipas ligjeve aktuala në fuqi”, njoftuan nga Komuna e Strugës.

Zgjidhja e vetme efektive për menaxhimin e qenve endacakë është ndërtimi i një qendre strehimore rajonale. Në fakt, qeveria ka ndarë 380.000 euro për ndërtimin e një stacionari në Komunën e Kërçovës megjithatë akoma nuk ka rezultat konkret nga ky projekt.

@tn.lajmelokale
@tetovanews