Ballina Aktualitet Maratona e Ramës në TV/ E vërteta ime për aferën “McGonigal” (VIDEO)

Maratona e Ramës në TV/ E vërteta ime për aferën “McGonigal” (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e shmangu përballjen në parlament për lidhjet e tij me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal duke ia deleguar këtë Elisa Spiropalit. Për të dhënë sqarime ai bëri diçka të pandodhur më parë duke u shfaqur brenda një nate në 3 ekrane televizive, në 3 emisione të ndryshme në lidhje skype nga zyra e tij. Lapsi.al raportoi më herët se zyra e tij e shtypit kishte kërkuar që Rama të dilte edhe në ndonjë TV tjetër, por mesa duket ishte kujtuar vonë.

Lapsi.al këqyri me vëmendje intervistat e kreut të qeverisë për Grida Dumën në Top Channel, Erla Mëhillin në Euronews Albania dhe në fund për Ylli Rakipin në MCN TV. Në të gjitha rastet nuk pranoi pyetje nga të ftuarit në studio duke komunikuar vetëm me moderatorët. Strategjia që kishte vendosur të ndiqte kreu i qeverisë për korruptimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së ishte e qartë: “Moho gjithçka”. Fillimisht Rama u përpoq të sqaronte se përse nuk kishte shkuar në parlament duke fajësuar për këtë opozitën e përçarë.

“Unë nuk u shfaqa në parkun zoologjik në të cilin u kthye Kuvendi i Shqipërisë nga krijesat që përfaqësojnë opozitat, por sot ishin krijesa zoologjike” – tha ai në MCN.

“Sot refuzova dhe do të refuzoj në mënyrë të vazhdueshme, jo për çështje konkrete por në tërësi të jem në sallë të kuvendit apo të përfshihem me një opozitë që është në një nivel etik të frikshëm dhe që më ka tërhequr edhe mua në atë nivel, por ja vlen me qetësi dhe faleminderit për mundësinë të shpjegoj gjëra që mund ti shpjegoj” – i tha Rama Grida Dumës.

Më pas Rama ndoqi linjën se takimin me McGonigal e kishte kërkuar zyrtari i lartë amerikan dhe se me të nuk kishte folur për çështjet e brendshme.

“Atë e kam takuar me kërkesë të tij, e kam pritur në zyrë kemi pasur bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshëm, më ka treguar se puna e tij ka në fokus influencën ruse, kemi folur për rajonin dhe influencën ruse dhe pastaj takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat i pranisë së tij këtu ose pranisë time Në SHBA dhe më ka ftuar në zyrat e FBI-së në New York. Nuk shof asgjë të jashtëzakonshme përveç një marrëdhënie normale” – tha Rama.

Rama e mohoi edhe nëse ka ndikuar tek zyrtari i FBI për hapjen e hetimeve të lobimit rus në Partinë Demokratike.

“Dua t’iu them këtë me plot gojën unë skandalin e parave ruse të PD-së e kam marrë vesh kur ka dal nga BIRN-i. Nuk kam pasur në asnjë rast, as unë, as në këtë godinë, ndonjë dokument që të lidhej me këtë çështje, po të kisha pasur do t’ia kisha dhënë zyrtarit të lartë të FBI-së” – tha Rama në studion e Erla Mëhillit.

Edhe pse në aktpadinë e drejtësisë amerikane thuhet se McGonigal ka marrë të dhëna nga qeveria shqiptare, Rama sërish e mohoi.

“Ne, në këtë godinë nuk kemi pasur asnjë lloj dokumenti që të mos ishte në media. Unë, skandalin e parave ruse të PD, e kam marrë vesh nga BIRN për herë të parë. Nëse do të kisha ndonjë info tjetër me vlerë për atë skandal do t’ja kisha dhënë pa asnjë hezitim, atij apo FBI-së në tërësi, apo nëse do të më thoshte nuk merrem unë, do ti thosha kush merret.

Ai është skandal, jo i krijuar nga unë apo zyra ime, por skandal i krijuar nga vetë autorët e skandalit që dihen, kryetari në hije dhe kryetari në dritë. Nuk kemi patur asgjë tjetër. Po ta kishim do ta nxirrnim edhe në publik” – i tha kreu i qeverisë gazetarit Ylli Rakipi.

Rama nuk u doli vetëm në “Opinion” në Tv Klan edhe pse aty ndodhej Sali Berisha që e sfidoi publikisht.

“Hajde 5 minuta të të tregoj sa të vlen lëkura” – ishte “hedhja e dorashkës” nga kreu i PD-së, por që Rama e ka shmangur edhe këtë herë. ©LAPSI.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews