Ballina Kronika Raportime për shantazh dhe shumë para në shtëpi – pronari i DokazM...

Raportime për shantazh dhe shumë para në shtëpi – pronari i DokazM është denoncuar nga priftërinj, gazetarë dhe televizione

Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore Publike Shkup, në bazë të urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, mbrëmë është kontrolluar në shtëpinë e pronarit të DokazM, Marjan Stamenkovski, ku është kryer kontroll i ssitemit kompjuterik dhe të dhënave kompjuterike. Kundër të dyshuarit po zhvillohet procedurë në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, sepse ekziston dyshimi i bazuar se përmes një ueb portali që ka në posedim, si mjet për ekzekutim ka kryer disa vepra penale: dy vepra penale – Përhapje e racizmit dhe material ksenofobik nëpërmjet një sistemi kompjuterik nga neni .394-g. paragrafi 1 i Kodit Penal, një vepër penale – Shantazh nga neni 259 paragrafi 1 në nenin 19 të Kodit Penal, një vepër penale – Pirateria e veprës audiovizive nga neni 157-b paragrafi 2 në paragrafin 1 të KP dhe vepër penale – Keqpërdorim i të dhënave personale nga neni 149 paragrafi 1 i KP, njofton prokuroria, transmeton Portalb.mk.

Kundër Stankovskit është ngritur një rast qysh vitin e kaluar pasi janë paraqitur kallëzime penale nga disa viktima gjatë vitit 2022 dhe nga fillimi i vitit 2023, në lidhje me përmbajtjet e publikuara në ueb portalin në pronësi të tij. Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Shkup gjatë gjithë periudhës së përmendur ka ndërmarrë veprime intensive hetimore me të cilat janë siguruar prova të mjaftueshme që japin dyshime të arsyeshme se i akuzuari ka kryer veprat penale.

Në mesin e atyre që e raportuan ishte një televizion nga i cili i ka shkarkuar në protal pa miratim të veprës audiovizive.

Ndryshe, pas kallëzimit penal të dorëzuar nga një televizion nga 11.02.2022, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka urdhëruar veprime dhe kontrolle, në bazë të të cilave Departamenti për krime kompjuterike dhe forenzikë digjitale ka ofruar materiale dëshmuese se i dyshuari ka kryer vepër penale – Pirateria e një vepre audiovizive nga neni 157-b paragrafi 2 paragrafi 1 i KP. Që nga fillimi i shkurtit 2022, pa miratimin e distributorit të autorizuar të cilit producenti i filmit ia ka bartur të drejtën e veprës audiovizive, i dyshuari e ka vënë veprën e mbrojtur audiovizuele në dispozicion të publikut në ueb portal. Me këtë i ka shkaktuar dëm subjektit juridik të dëmtuar – televizionit, i cili sipas Marrëveshjes për Licencimin e Programeve televizive kishte të drejta ekskluzive autoriale për transmetimin e përmbajtjes.

Ai është denoncuar edhe nga priftërinjtë për të cilët ka shpërndarë informacione se ishin bashkëpunëtorë të shërbimit sekret.

Me datën 18.05.2022, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër të dyshuarit është parashtruar kallëzim penal nga dy viktima të veprës penale – Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik nga neni 394, për shkak se në ueb-portal janë publikuar një sërë tekstesh me të cilin në disa raste ka përhapur urrejtje dhe intolerancë ndaj ankuesve – priftërinjve të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit. Në tekstet e publikuara, i dyshuari pretendonte drejtpërdrejt se priftërinjtë e përmendur ishin të lidhur me shërbime sekrete vendase dhe të huaja, për të shkaktuar revoltë dhe urrejtje ndaj tyre. Tekstet përveç fjalëve fyese, sharjeve dhe shpifjeve përmbajnë edhe fjalë kërcënuese që nxisin njerëzit të vijnë dhe të dëbojnë priftërinjtë nga manastiri ku shërbejnë. I dyshuari i ka shpërndarë edhe tekstet në profilin e tij në një rrjet social, ku ka nxitur polemika të ashpra, komente fyese dhe gjuhë urrejtjeje për shkak të besimeve fetare.

Kundër Stamnkovskit, ankesa kanë paraqitur edhe dy gazetare.

Me datën 19.05.2022 kundër të njëjtit është parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup nga dy gazetare, të cilat kanë raportuar se në ueb portalin që nga fillimi i vitit 2022 janë publikuar tekste fyese me fotografitë e tyre dhe qëllimi përfundimtar ishte që ata të frikësohen dhe të pengohen të botojnë artikuj në të përjavshmen në të cilën punojnë. Gjatë procedurës, viktimat kanë dhënë deklaratat e tyre para prokurorit publik kompetent në të cilat kanë argumentuar dyshimet e tyre se sfondi i postimeve në ueb portal ka qenë për t’u bërë presion dhe censurë. OSBE dhe Shoqata e gazetarëve dolën me dënim të njoftimeve të tilla në ueb portal në periudhën e theksuar. Po ashtu, në një bisedë telefonike me bashkëshortin e njërës prej gazetareve, i dyshuari ka kërcënuar drejtpërdrejt atë dhe familjen e saj. Provat e siguruara gjatë procedurës vërtetuan dyshimin e bazuar për veprën penale – Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik nga neni 394. Paragrafi 1 i KP.

Sipas Prokurorisë, Stamenkovski e ka shantazhuar për para, në të kundërtën e ka kërcënuar se do të zbulojë informacione konfidenciale.

Një i dëmtuar ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, sipas të cilit në periudhën prej 10.01.2023 deri më 02.02.2023, i dyshuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ka kërcënuar se do të zbulojë diçka që mund t’i dëmtonte reputacionin dhe nderin e tij dhe u përpoq ta detyronte të dëmtuarin të bënte diçka në dëm të pasurisë së tij. Përmes rrjetit social, i dyshuari ka kontaktuar viktimën dhe e ka ftuar në takim për ta shantazhuar që të publikojë foto private dhe informacione për të në ueb portal. Pasi viktima refuzoi takimin, në portalin e internetit janë publikuar disa tekste për të, me të cilat i dyshuari ka dëmtuar reputacionin dhe nderin e viktimës. Lidhur me këtë ngjarje, prokurori publik kompetent ka ndërmarrë veprime për dokumentimin e pretendimeve të raportuara dhe sigurimin e provave elektronike që vërtetojnë dyshimin e bazuar për vepër penale – Shantazh nga neni 259 paragrafi 1 c.v. Neni 19 i KP.

Në periudhën e përmendur, përderisa procedura ndaj të dyshuarit ishte duke u zhvilluar në prokurori, ka shfrytëzuar njohjen personale me një person të punësuar si hetues në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, kështu që përmes komunikimit në Viber ka tentuar të marrë informata nga ajo pa autorizim për veprimet hetimore të ndërmarra në disa lëndë penalo-juridike, përfshi edhe rastin ndaj tij. Duke tentuar të ndikojë në procedurën ndaj tij, nga komunikimi privat me hetuesin, pa pëlqim ka përdorur dhe ka publikuar të dhënat personale dhe fotografitë e katër hetuesve në Prokurorinë Publike Shkup, të cilët kanë parashtruar kallëzim penal për – Keqpërdorim të të dhënave personale nga neni 149. paragrafi 1 i KP . Hetuesja që ndau të dhëna me të dyshuarin nuk është më e punësuar në Qendrën hetimore të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe kundër saj do të fillojë procedura në Departamentin për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale në MPB.

Në shtëpinë e Stamenkovskit është gjetur një shumë e madhe parash, e cila dyshohet se ka ardhur nga vepra të tjera penale.

Përveç veprave të përmendura penale, urdhër bastisja është dhënë edhe për shkak se ekziston dyshimi se tek i dyshuari mund të gjenden prova për vepra të tjera. Gjatë kontrollit, pranë tij u zbuluan dokumentacion, pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen ekspertizës, si dhe një shumë e madhe parash që dyshohet se vijnë nga vepra të tjera.

@tn.lajmelokale
@tetovanews