Ballina Aktualitet Ndarja me parmakë e bulevardit “Industrial” në Tetovë është paraparë për këtë...

Ndarja me parmakë e bulevardit “Industrial” në Tetovë është paraparë për këtë vit, pohon Komuna e Tetovës (Video)

Bulevardi “Vidoe Smileski Bato” i njohur ndryshe si ai “Industrial” në Tetovë mbetet një nga rrugët në të cilën shpesh ndodhin aksidente dhe nuk respektohen rregullat e komunikacionit. Ky bulevard nuk ka ndarje fizike të theksuar midis dy drejtimeve, dhe kjo mundëson që vozitësit e pandërgjegjshëm, të kalojnë nga njëri drejtim në tjetrin midis bulevardit. Edhe pse në të kaluarën ka pasur nismë për këtë, në teren nuk është ndërmarrë asgjë deri më tani, shkruan Portalb.mk.

Kalimi i veturave nga njëri drejtim në tjetrin përmes bulevardit, duke shkelur rregullat e komunikacionit shkaktojnë rrezik shtesë në trafik.

Portalb në disa raste ka qenë dëshmitar për këtë dhe në videon më poshtë të incizuar në nëntor të vitit të kaluar mund të shihet se si ndodh kjo në praktikë.

Ndarje fizike mes bulevardeve ka në atë të “Bllagoja Toskës” dhe “Ilindenit” ku ky fenomen nuk shihet aty.

Komuna e Tetovës, e pyetur nga Portalb se a kanë në plan të bëjnë ndarjen fizike midis dy drejtimeve të bulevardit duke mos dhënë detaje tjera thanë:

“Në program për vitin 2023 është paraparë me projekt ndarja fizike midis dy kahjeve për bulevardit V.S. Bato me parmakë”.

Videoja më poshtë tregon e vitit 2021 tregon se si një motoçikletë dhe dy vetura kalojnë përmes bulevardit dhe ilustrim se si do duhej të bëhej ndarja me parmakë.

Komuna e Tetovës vitin e kaluar në këtë aks rrugor vendosi pengesat vibruese, vendet për kalimin e këmbësorëve dhe semaforin nën shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”.

Click to view slideshow.
Ndërkaq, Komuna në gusht të vitit 2022 për Portalb njoftoi se shqyrtojnë masa shtesë dhe se në plan është hapja e një nënkalimi për këmbësorët.

Të pyetur për të këtë, nga Komuna duke mos dhënë më tepër detaje thanë:

“Për nënkalimin për këmbësor në bulevardin V.S. Bato është duke u punuar projekti.”

Në një rast tjetër, gazetari i Portalb.mk një ditë gjatë punës në terren duke kaluar vizat e bardha në këtë rrugë nën shkollën “Kirili dhe Metodi” për pak sa nuk u shtyp nga një shofer që voziste me shpejtësi maksimale dhe nuk respektoi semaforin.

Kjo rrugë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmet ku aksidentet ndodhin shpesh.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë informoi se gjatë vitit 2022 në rajonin e Tetovës kanë ndodhur gjithsej 805 aksidente trafiku, ku ka pasur 8 viktima. Numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur në rrugët e Tetovës, ku përfshihet edhe bulevardi “Industrial”.

“Edhe këtë vit, ndër shkaqet më të shpeshta të aksidenteve në komunikacion është shpejtësia e papërshtatur sipas kushteve të rrugës dhe veprimet e gabuara dhe të kundërligjshme në rrugë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ndërkaq aksidenti i fundit i ndodhur po në këtë bulevard ishte të hënën (6 shkurt).

Kujtojmë që kanë kaluar dy vite nga protestat e banorëve të lagjes “Industriale” si rezultat i aksidentit tragjik ku humbi jetën një vajzë 6 vjeçare në po këtë rrugë.

Nga Komuna e Tetovës, kur asokohohe kryetare ishte Teuta Arifi i pranuan të gjitha kërkesat e tyre, kështu duke ju premtuar se për një afat të shkurtër do të fillojnë punët, por sot kërkesa më e rëndësishme e protestuesve vazhdon të mbetet e papërmbushur, e cila është ndarja fizike mes dy drejtimeve të qarkullimit, gjë që është çështja më e rëndësishme për sa i takon rrugës “Industriale”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews