Ballina Aktualitet Gjyqi për vulën e PD-së, VOA: Apeli riktheu çështjen për rigjykim. Kompromisi...

Gjyqi për vulën e PD-së, VOA: Apeli riktheu çështjen për rigjykim. Kompromisi mes dy grupeve i pamundur

Në Shqipëri, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendoi sot të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së parë, çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike. Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga zoti Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen.

Kryetar i komanduar në atë kohë u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD, dhe ka të drejtën që brenda ditës së hënë të rregjistrojë këtë forcë politike në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, për garën e pushtetit vendor më 14 maj. Ish kryeministri Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra, pak pas shpalljes së vendimit. Ai foli për një akt, që sipas tij “synon, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga zoti Lulzim Basha. Po atë ditë, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij morën kontrollin e selisë së partisë, pasi kishin dështuar më 8 janar të 2022, kur udhëhoqën një sulm të dhunshëm ndaj godinës, ku qëndronte zoti Basha e përkrahësit e tij.

Vendimi i Gjykatës së Tiranë, u ankimua menjëherë nga zoti Alibeaj, dhe vetëm sot pas gati një viti, çështja u mor në shqyrtim. Përfaqësuesit e zotit Berisha kërkuan nga gjykata e Apelit, mospranimin e ankimit per shkak se sipas tyre zoti Alibeaj nuk legjitimohet për një akt të tillë, ose në alternativë, të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e zotit Alibeaj kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhe pushimin e çështjes ose në alternativë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili ishte në sallën e gjyqit, deklaroi menjëherë pas vendimit se sipas tij bëhej fjalë për “një vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet, nuk ka asnjë interpretim tjetër. Eshtë një vendim, i cili haptazi ka thyer çdo rregull që deri më sot ka vendosur jo vetëm legjislatori por dhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një pale e cila nuk përbën as minorancë në PD, por i ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe vetëm një qëllimi, përpjekjes së Edi Ramës që të mos ketë përballë opozitën e vërtetë”.

Pas tij nga selia e Partisë zoti Berisha po ashtu tha se “tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës”. Duke akuzuar trupën gjykuese, zoti Berisha u shpreh se grupimi tjetër e kishte pranuar në sallë se nuk kishte qenë palë në proces. “Çdo gjykatës me integritetin minimal, kur pala tjetër deklaronte se nuk ishte palë në këtë proces, mbyllte procesin dhe nuk vazhdonte më tutje, por ata kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike”, u shreh ai.

Zoti Berisha iu drejtua më pas me një thirrje “anëtarëve dhe simpatizantë të PD-së të ngrihen në lartësinë e tyre të misionit historik, misionit të shpëtimi të pluralizmit, demokracisë, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë. Çdo shqiptar, sot më shumë se kurrë pret nga guximi ynë, qëndrimi ynë realizimin e këtij misioni”, deklaroi ai duke njoftuar se në ditët e ardhshme do të mblidhen forumet e partisë dhe “mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”.

Por përveç reagimit, zoti Berisha do të duhet të mendojë se si do të mund të angazhohet në zgjedhjet e 14 majit. Mundësi e gjetjes së një kompromisi me grupimin e zotit Alibeaj duket e pamundur. Ndërsa variant i përdorur në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar, kur kandidatët e tij garuan nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” i rregjistruar nga LSI-PDK, mund të ishte sërish një zgjidhje.

Ish presidenti Ilir Meta, i cili drejton Partnë e Lirisë (ish LSI) reagoi në linjë me zotin Berisha. “Akti i paralajmëruar i Edi Ramës përmes gjykatës së kapur nuk e ndryshon dot fatin e tij”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se “Edi Rama ky frikacak i tmerruar nga zgjedhjet do ta ketë opozitën fitimtare përballë tij në 14 maj shumë më të motivuar dhe shumë më të organizuar se kurrë më parë”.

Nga ana e tij, zoti Alibeaj foli për “një ogur të mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë”. Ai lëshoi sinjale pajtimi kur në postimin e tij në Facebook u shpreh se “kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për tu përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare. Ftojmë të gjithë demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve”, shkroi ai.

Ashtu si zoti Berisha, që ka përzgjedhur me kohë kandidatët e tij përmes një gare brenda partisë, edhe zoti Alibeaj ka prezantuar shumë nga kandidatët për kryetar bashkie. Por ai do të duhet të zgjidhë ndërkohë dhe një problem juridik. Zoti Basha rezulton të jetë ende kryetar i Partisë Demokratike, duke qenë se dorëheqja e tij nuk u formalizuar në gjykatë. Dhe me gjasë do të duhet të jetë ai që të firmosë dhe kërkesën për rregjistrim në zgjedhjet vendore. Firma e kryetarit të Partisë është e domosdoshme veçanërisht në rregjistrimin e listës së kandidatëve. Përfaqësuesi ligjor i zotit Alibeaj, tha pas vendimit të Apelit se do t’i drejtohen menjëherë gjykatës, për të rregjistruar dorëheqjen e zotit Basha si kryetar i Partisë.

Vendimi i zbardhur i Apelit për vulën e PD-së

Vendimi i Gjykatës së Apelit për vulën e PD:

Në vijim të informacioneve të dhëna më herët dhe në respekt të së drejtës së publikut për tu informuar mbi çështjet me interes publik dhe posaçërisht proceset mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë sa më poshtë :

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me trup gjykues të përbërë nga gjyqtar Agron Zhukri, me vendimin nr.3, të datës 25.03.2022, ka vendosur:

“1.Pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të P.D.SH.

2.Depozitimin e vendimit te Kuvendit Kombetar te PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatëse në regjistrin e partive politike:

Vendimin nr 1, dt.11.12.2021 me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë.

Vendimin nr 2, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 3, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 4, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 5, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 6, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 7, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim sipas ligjit.

Në datë 04.04.2022, kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me të cilin është kërkuar :

“Prishja e Vendimit Nr. 1346/222 Akti Nr. 3 Vendimi, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese”.

Ne lidhje me ankimin e mësipërm është shqyrtuar në Gjykatën e Shkallës të Parë “Disponimi i ankimit” dhe me vendimin nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjyqtare Blerina Muça ka vendosur:

“- Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në datë 16.05.2022, u depozituan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë :

(i) Apel kundërshtues në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, me të cilin është kërkuar mospranimi i ankimit të bërë nga Z. Enkelejd Alibeaj datë 04.04.2022;

(ii) Ankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, kundër vendimit nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin kërkohet prishja e këtij vendimi, duke vendosur mospranimin e ankimit të palës ankuese Partia Demokratike e Shqipërisë, të përfaqësuar nga nënkryetari Z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Çështja në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, u shqyrtua sot më datë 03.03.2023 ora 11:00. Trupi gjykues përbëhet nga : Relatore Gjyqtare znj. Elona Mihali dhe anëtarë z. Astrit Kalaja dhe znj. Irida Kacerja, trup gjykues i caktuar me shortin elektronik të datës 03.02.2023.

Që në fillim të seancës gjyqësore, pala kërkuese përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit parashtroi si kërkese paraprake kërkesën për mopranimin e ankimit të paraqitur nga PDSH, përfaqësuar nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj me Autorizim, ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shkak mungese legjitimimi në paraqitjen e ankimit. Sipas kësaj kërkese të palës krkuese, ankuesi PDSH , përfaqësuar nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj me Autorizim, nuk ka të drejtë për të bërë ankim dhe për të qënë pjesë e procesit gjyqësor.

Kundrejt këtij pretendimi, përfaqësuesi i ankuesit PDSH, përfaqësuar nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj me Autorizim u shpreh se tërheq të drejta në këtë proces gjyqësor dhe i takon të bëjë ankim ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Sipas nenit 15 të Ligjit ‘Për partitë politike”.

Trupa gjykuese u tërhoq për të marrë vendim të ndërmjetëm dhe pas konsultimit, u vendos që në lidhje me këtë kërkesë, Gjykata do të shprehej pasi të shqyrtonte ankimin dhe apelin kundërshtues.

Në vijim të seancës, pati debat gjyqësor duke paraqitur parashtrime shtesë me shkrim dhe realizuar pyetje palët ndaj njëra-tjetrës.

Pala kërkuese e këtij gjykimi PDSH përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit kishte ushtruar njëkohësisht apel kundërshtues dhe gjithashtu ankim ndaj vendimit për disponimin e ankimit nr. 508 Regj.Them, datë 22.04.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.Në përfundim pala kërkuese kërkoi: Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr. 3, të datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ose rrëzimin e ankimit.

Pala ankuese PDSH përfaqësuar nga Nënkryetari Enkelejd Alibeaj me autorizim kërkoi: Prishjen e vendimit nr. 3, të datës 25.03.2022 dhe pushimin e gjykimit ose në alternativë, prishjen e vendimit nr. 3, të datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore znj. Elona Mihali dhe anëtarë z.Astrit Kalaja dhe znj. Irida Kacerja, me unanimitet, me vendimin nr. 44, datw 03.03.2023, vendosi:

Mospranimin e ankimit të ankuesit Partia Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, të ushtruar ndaj vendimit nr. 508 rregj them, datë vendimi 22.04.2022 me objekt “Disponim ankimi” të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim ndaj të cilit nuk lejohet ankim.
Prishjen e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dergimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, 03.03.2023

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Berisha zbulon lëvizjen e radhës pas vendimit të Apelit për vulën e PD

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të mbledhë këto ditë forumet e saj.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se do të merren të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin kundër kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, ka ndikuar në vendmin e Apelit.

“Unë kam besim të madh, se siç kapërcyem në mënyrën më legjitime, më të vendosur të gjitha kurthet, përpjekjet për asgjësimin tonë, ne do të kapërcejmë çdo pengesë dhe vështirësi. Opozita është mision i lartë moral. Të mendosh, të diktosh me tre gjykatës të cilët i gjen dhe urdhëron të lexojnë një vendim të parapërgatitur në zyrat e tua, mban të gjithë përgjegjësinë dhe dëshmon se je njëlloj si baba yt biologjik, daja yt biologjik, një xhelat i të vërtetave, normave demokratike, lirisë, dhe meriton çdo ndëshkim.

PD-ja është sot një parti më e fuqishme se kurrë, ajo do të mbledhë këto ditë forumet e saj dhe mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”, theksoi ai.

@tn.lajmelokale
@tetovanews