Ballina Aktualitet Të shtëna me armë dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve në veri...

Të shtëna me armë dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve në veri të Kosovës, Vuçiç urdhëron ushtrinë të jetë në gatishmëri (VIDEO)

Situatë e tensionuar raportohet nga veriu i Kosovës, ku janë dëgjuar të shtëna armësh.

Mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve serbë që janë mbledhur para ndërtesës së Komunës së Zveçanit ka pasur përplasje. Për të shpërndarë turmën, efektivët kanë përdorur edhe gaz lotsjellës. Disa makinave të policisë u është vënë flaka nga protestuesit.

Struktura ilegale kanë lëshuar alarmin në orën 12:00 dhe aty janë mbledhur dhjetëra serbë për të penguar policinë, që po ndihmon kryetarin e ri të hyjë në Komunë.
Tensione ka dhe në komunat e tjera, të cilat tani drejtohen nga kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.

https://youtu.be/2HBUxt6vlN8

 

Një ditë pasi bëri betimin, kryetari i komunës Zubin Potok ka tentuar të hyjë në godinë, por qytetarët serbë nuk e kanë lënë. Aty janë parë edhe ish-zyrtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Gjithashtu, raportohet se është lëshuar alarmi në qendër të qytetit të Mitrovicës së Veriut, ku ndodhet komuna dhe stacioni policor.

Ndërkohë, sipas mediave serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar Forcat e Armatosura të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë.

Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç konfirmon se Vuçiç ka nënshkruar urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake, duke u shprehur se situata në Kosovë është dramatike.

“Ajo që presidenti Vuçiç paralajmëroi me ditë dhe javë të tëra se Prishtina po nxiton më tej në përshkallëzimin dhe kryerjen e terrorit kundër komunitetit serb, kryesisht në veri të Kosovës dhe tërhoqi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, për fat të keq doli të jetë e vërtetë”, tha Vuçeviç për TV Pink.

@tn.lajmelokale
@tetovanews