Ballina Aktualitet Pas takimit me Kurtin Vuçiq: Bisedimet pa sukses, nuk pranoi propozimin e...

Pas takimit me Kurtin\ Vuçiq: Bisedimet pa sukses, nuk pranoi propozimin e BE për kompromis

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiç gazetarëve.

I pyetur nga gazetarë se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, tha Vuçiç

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrell në platformën X, e njohur më herët si Twitter.

Sipas një njoftimi të mëhershëm të BE-së, temë e takimit trepalësh ka qenë zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiç në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiç, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, kanë diskutuar edhe për “çështjet aktuale”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre. \rel\

@tn.lajmelokale
@tetovanews