
Një shtetas ukrainas dyshohet se ka mbledhur informacione me rëndësi ushtarake për një shërbim inteligjent rus. Prokuroria Federale gjermane e dyshon për veprimtari agjenturore në shërbim të një fuqie të huaj.
Në Brandenburg të Gjermanisë është arrestuar të enjten një person i dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë. Shtetasi ukrainas Vadym Y. dyshohet se ka mbledhur informacione me rëndësi ushtarake për një shërbim inteligjent rus, duke shfrytëzuar, ndër të tjera, kontaktet e tij në industrinë evropiane të mbrojtjes. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme Federale gjermane e dyshon atë për veprimtari agjenturore në shërbim të një fuqie të huaj.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë Federale, zyrtarë të Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) e arrestuan të enjten në qarkun Oder-Spree. Ai pritet të paraqitet të premten para gjyqtarit të hetimeve të Gjykatës Federale të Drejtësisë në Karlsruhe, i cili do të vendosë nëse do të caktohet masa e paraburgimit. Hetimet janë mbështetur në informacione të siguruara nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë Federale, të paktën që nga korriku i vitit 2025, i dyshuari ka qenë në kontakt me një shërbim inteligjent rus përmes një ndërmjetësi. Informacionet që dyshohet se ka mbledhur përfshijnë të dhëna për prodhimin e tankeve, municioneve dhe lëndëve plasëse, si dhe për personelin dhe objektet ushtarake në vendndodhje që lidhen me sigurimin e krahut lindor të NATO-s.
Sipas Prokurorisë Federale, një pjesë e këtyre informacioneve ishte e disponueshme publikisht. “Për informacione të tjera, i dyshuari ka marrë në mënyrë të qëllimshme të dhëna nga persona që punojnë në industrinë evropiane të mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Kancelari gjerman Merz: “Do të shohim më shpesh raste të tilla”
Kancelari gjerman Friedrich Merz komentoi rastin gjatë një vizite në Mal të Zi. “Kjo nuk më befason”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp në Sveti Stefan, duke iu referuar arrestimit.
“Me gjasë, gjatë muajve dhe viteve të ardhshme do të shohim më shpesh raste të tilla.”
Merz theksoi se Gjermania është “objektiv i një veprimtarie intensive spiunazhi”. Sipas tij, arrestimi përbën një sukses për autoritetet gjermane.
“Por të mos krijojmë iluzione: aktivitetet e shërbimeve inteligjente ruse në Gjermani vazhdojnë të mbeten në nivele të larta”, paralajmëroi kancelari.
Disa arrestime të tjera për spiunazh të dyshuar në favor të Rusisë
Vetëm gjatë këtij viti, në Gjermani janë arrestuar disa persona të dyshuar për veprimtari spiunazhi në shërbim të agjentëve të inteligjencës ruse.
Në janar, me urdhër të Prokurorisë Federale, në Berlin u arrestua një grua e dyshuar se kishte siguruar informacione për një punonjës të shërbimit inteligjent rus, i cili vepronte në ambasadën e Rusisë, si dhe se e kishte ndihmuar atë në krijimin e kontakteve.
Ndaj shtetases me shtetësi gjermane dhe ukrainase ndërkohë është ngritur aktakuzë pranë Gjykatës së Lartë Rajonale të Berlinit (Kammergericht).
Gjatë gjysmës së parë të vitit pasuan disa arrestime të tjera të personave të dyshuar për veprimtari agjenturore në favor të Rusisë. Sipas autoriteteve hetimore, ata dyshohet se kishin mbledhur kryesisht informacione që lidheshin me luftën në Ukrainë.
Sipas Prokurorisë Federale, një shtetase rumune dhe një shtetas ukrainas dyshohet se kishin mbledhur në mënyrë të fshehtë informacione për një person që furnizonte Ukrainën nga Gjermania me dronë dhe pjesë përbërëse të tyre.
Një tjetër person dyshohet se kishte mbledhur informacione për një ish-pjesëtar të forcave të armatosura ukrainase që jetonte në Gjermani.
Prokurori i Përgjithshëm Federal, Jens Rommel, kishte theksuar në qershor se veprimtaria e agjentëve rusë nuk kufizohet vetëm në mbledhjen e informacioneve.
“Përkundrazi, veprime të tilla, si rregull, mund të shërbejnë për përgatitjen e operacioneve të mëtejshme të shërbimeve inteligjente, veçanërisht akteve të sabotimit ose, ndoshta, edhe sulmeve ndaj personave që kanë qenë objekt i mbledhjes së fshehtë të informacioneve”, kishte deklaruar Rommel.
Sipas tij, qëllimi i këtyre veprimtarive shpesh duket se është dobësimi i mbështetjes që Gjermania i jep Ukrainës.
Edhe shërbimet inteligjente të shteteve të tjera veprojnë në Gjermani
Gjermania nuk është objektiv vetëm i shërbimeve inteligjente ruse.
Në maj, me urdhër të Prokurorisë Federale, u arrestua një çift i dyshuar se kishte kryer veprimtari spiunazhi në institucionet gjermane të arsimit të lartë për llogari të shërbimit inteligjent kinez.
Pak më vonë, Prokuroria Federale ngriti aktakuzë ndaj një personi që kishte kryer veprimtari spiunazhi për Iranin. Ai kishte mbledhur në mënyrë të fshehtë informacione për persona hebrenj dhe mbështetës të Izraelit, të cilët mund të bëheshin objektiva të atentateve dhe sulmeve me zjarrvënie. Personi në fjalë u dënua së fundmi në Hamburg me disa vite burgim.
Vëmendje të veçantë publike ka shkaktuar edhe arrestimi i kohëve të fundit i ish-presidentit të Shërbimit Federal të Inteligjencës gjermane (BND), August Hanning. Prokuroria Federale e dyshon edhe atë, ndër të tjera, për veprimtari agjenturore në shërbim të një fuqie të huaj.
Hanning dyshohet se ka përdorur informacione të klasifikuara të BND-së gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij si konsulent.
Në një rast, sipas dyshimeve të Prokurorisë Federale, ai i ka shfrytëzuar këto informacione për të hartuar një analizë për një punonjës të strukturave të sigurisë dhe inteligjencës së një shteti të huaj.
Hanning ndodhet në paraburgim, ashtu si edhe ish-drejtuesi i zyrës së tij, i cili është gjithashtu i dyshuar në të njëjtin procedim penal.
(Die Presse, APA, dpa)














