Ballina Aktualitet Talat Xhaferi: Lajmi për atentat ndaj Kurtit s’ka të bëjë me realitetin,...

Talat Xhaferi: Lajmi për atentat ndaj Kurtit s’ka të bëjë me realitetin, për të ardhur keq që u dha nga RTK

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, ka thënë se sipas informacioneve që ka e që janë të konfirmuara, lajmi që ka dalë kinse për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti s’ka të bëjë me realitetin, trasnmeton Gazeta Express.

“Çështja e informacionit është kompetencë e institucioneve përkatëse shteterorë që merren me sigurinë shtetërore përfshirë edhe sigurisë së bartëseve funksioneve më të larta në shtetet përkatëse. Çështja ishte për të ardhur keq sepse përmes mediumit publik shtetëror jepet informacion gjoja për përgatitje, inskenim të një atentati të mundshëm. Sipas të dhënave që kam, që janë të verifikuara, s’ka të bëjë me realitetin.

Derisa ka qenë në rrjedhë Këshilli i Sigurimit të OKB, në rrjete sociale, që gati se për çdo ditë ndodhin, individë të caktuar kanë postime të asaj natyre të kanosjes. Edhe në faqen time kam porosi të tilla. Ato janë çështje që merren institucionet përkatëse”, ka thënë Xhaferi.

Ai tutje ka treguar se ka pasur komunikim paraprak përgatitor në mes të agjencive të inteligjencës së Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, si rregull i parapërgatitjes sa herë që ka vizita të nivelit të lartë shtetëror.

“Informacionet e mia flasin se ka pasë korrespodencë në mes të AKI-së dhe Shërbimeve përkatëse në Maqedoni të Veriut. Ka pasur komunikim përgatitor, që është protokoll i funksionimit të institucioneve përkatëse për përgatitje të paralajmëruar se kryeministri do të qëndrojë për event të organizuar në Shkup dhe sipas rregullave merren të gjithat masat”, ka thënë Xhaferi.

Xhaferi ka thënë se çështja në fjalë më shumë i ka bërë dëm Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës sa i përket besueshmërisë në shkëmbim të informatave dhe komunikim në të ardhmen.

“Që nga përgatitje, shërbimet kanë bërë komunikim për marrjen e masave të duhura. Dhe unë kam thënë edhe në paraqitje paraprake, kjo çështje më shumë dëm i ka shkaktuar AKI-së për besueshmërinë e shkëmbimit të informatave dhe komunikimit në të ardhmen”, ka thënë Xhaferi./GazetaExpress/

@tn.lajmelokale
@tetovanews