Ballina Aktualitet VIDEO: Kurti nxjerr pamjet, ushtria serbe pranë kufirit me Kosovën: Afrimi i...

VIDEO: Kurti nxjerr pamjet, ushtria serbe pranë kufirit me Kosovën: Afrimi i tyre nuk është normal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Kurti ka publikuar një video dhe ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes nese këto forca do të përpiqen ta kalojnë kufirin dhe shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”, tha Kurti.

Reagimi i Kurtit:

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

Kurti i ka bërë thirrje Britanisë së Madhe që të dërgojë më shumë trupa për të mbrojtur vendin pasi ai thotë se Serbia është përgatitur për sulm. Albin Kurti i tha The Telgraph në një intervistë në zyrën e tij në Prishtinë, kryeqytetin e vendit, se prania “simbolike” e NATO-s në Kosovë nuk ishte e mjaftueshme për të penguar Beogradin nga pushtimi.

Këtë javë, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç la të kuptohet se ai dëshiron të rimarrë Kosovën, duke pretenduar se qeveria e tij do të “priste momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do të shfrytëzojmë mundësinë tonë”. Kurti tha se Britania e Madhe, si anëtare e NATO-s, ka përgjegjësi për të ndihmuar Kosovën.

“Mbretëria e Bashkuar është pjesë e NATO-s dhe ata veprojnë dhe veprojnë në atë mënyrë. Unë besoj se duhet të ketë më shumë trupa të NATO-s në Kosovë”, tha ai.

Deklarata e Vuçiç ka nxitur reagime brenda dhe jashtë Kosovës. Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, në një reagim në platformën “X”, ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e Vuçiç për Kosovën.

“Hej, Joseph Borrel, Miroslav Lajçak dhe Oliver Varhelyi. A e dëgjuat këtë me zë të lartë dhe qartë? Si mund të vazhdoni të pretendoni se “problemi” është kryeministri Kurti? Ju pretendoni se ndiqni “stabilitetin”, por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës! Vonderleyen ju duhet të ndryshoni kursin e BE-së! Tani!”, ka shkruar ai.

Po ashtu kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së Vuçiç.

“Presidenti Vuçiç keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Nuk ka gjë të tillë si “ose Kosova ose Bashkimi Evropian”. Por, Vuçiç ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”, ka thënë Roth.

Si kundërpërgjigje ndaj tendencës ë Vuçiç, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga këto deklarata. Ai ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.

“SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”, tha Hovenier.

Alarmi i Kurtit për afrimin e ushtrisë në kufirin e Kosovës, reagon Serbia

Serbia ka reaguar lidhur me videon që kryeministri i Kosovës Albin Kurti publikoi mbrëmë në Facebook.

Kurti publikoi një videopërmes së cilës pretendon se ushtarët serbë ndodhen në kufi me veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Sipas kryeministrit, Forcat e Armatosura të Serbisë po kryejnë stërvitje të rregullta në kufi me qëllimin e vetëm për të shkaktuar provokime.

Lidhur me këtë Nemanja Staroviç, Sekretar Shteti i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, pretendon se ky është një “pushtim imagjinar”, ndërsa vazhdon me retorikën dhe pretekstet e Vuçiç se me këtë, Kurti po mbulon ngacmimet ndaj serbëve të Kosovës.

“Për ta thënë edhe njëherë më qartë, ushtria e Serbisë nuk ka hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe kurrë nuk do ta bëjë, derisa kjo të lejohet nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Kjo video e veçantë e shpërndarë nga Kurti në fakt përfaqëson një patrullë të rregullt të kryer nga forcat tona përgjatë kufirit administrativ, të koordinuar ngushtë me KFOR-in, siç ndodh gjithmonë”., shkruan zyrtari serb në një status në X./vizionplus.tv/

@tn.lajmelokale
@tetovanews