Një ngjarje e rëndë ndodhi të shtunën në mbrëmje në ambientet e një supermarketi Walmart në Traverse City, Michigan, ku një person sulmoi me thikë disa klientë, duke shkaktuar panik dhe frikë në mes të blerësve dhe punonjësve të dyqanit.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, kur një 42-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, nisi të godasë në mënyrë të rastësishme qytetarë të pranishëm në pika të ndryshme të supermarketit. Deri më tani raportohet për të paktën 11 persona të plagosur.
“Bazuar në të dhënat paraprake, sulmet kanë qenë krejtësisht të rastësishme,” deklaroi shefi i sheriftit të Qarkut Grand Traverse, Michael Shea, gjatë një konference për shtyp.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, pasi raste të tilla janë të rralla për zonën. “Një sulm i tillë me thikë është shumë i pazakontë për Traverse City,” shtoi Shea.
Ndërkohë, një qytetar i armatosur, që ndodhej rastësisht në dyqan, ndërhyri me guxim dhe ndihmoi forcat e rendit në ndalimin e autorit, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa të plagosurit po marrin trajtimin e nevojshëm në spitalet e zonës.















