Faza e dytë dhe e fundit për ndërtimin e dy bulevardeve Bato dhe Boris Kidriç në Tetovë do të nisë pas 15 gushtit, kur edhe mërgimtarët do të përfundojnë pushimet në vendlindje.
“Edhe pse u duk se u la në gjysmë, nga komuna e Tetovës thonë se projekti i këtij bulevardi është ndërprerë, që të mos krijohet tollovi me ardhjen e mërgimtarëve. Nga data 15 kur edhe pritet kthimi i mërgimtarëve, do të fillohet intensivisht për përfundimin e fazës së dytë të këtij projekti”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Menjëherë pas shkuarjes së mërgimtarëve do fillohet me rregullimin e shëtitores, vendosjes së pllakave dhe pjesën e gjelbërimit si dhe pjesët tjera, duke përfshirë edhe shtresën e dytë të asfaltit. Momentalisht tek VS Bato po punohet tek kanalizimi fekal, ndërsa tenderimi është çështje kohe dhe besoj se shpejtë do kryhet dhe do nisin punët që të lidhet me fshatin Poroj”, tha Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Nga Sektori i Financave thonë se mjetet nuk mungojnë dhe komuna ka ndarë paratë për përfundimin e dy bulevardeve.
“Me rebalancin, komuna ndau mjete për dy bulevardet, Boris Kidriç dhe V.S.Bato, ku komuna e Tetovës për fazën e dytë për Boris Kidriç, komuna e tetovës ka ndarë 18 milion denarë dhe me këtë do përmbyllet komplet projekti që është paraparë për këtë bulevard. Ndërsa për V.S.Bato, janë ndarë 71 milion denarë dhe i njëjti do lidh bulevardin me magjistralen Tetovë – Jazhincë”, theksoi Nuriman Deari, shef i sektorit të financave komuna e Tetovës.
Pas rishikimit të buxhetit, si pasojë e shtimit të pagesave të TVSH-së nga banorët dhe firmat, komuna rriti buxhetin për mbi 4 milion euro, me ç’rast janë parashikuar ndërtimet e rrugëve dhe kanalizimeve në Reçicë dhe në Xhepisht./ Alsat.mk















