Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka shprehur synimin për t’i sjellë në një tryezë të përbashkët presidentët e Ukrainës dhe Rusisë, deklaroi sot se brenda dy javësh do të jetë më e qartë nëse ka shanse reale për paqe.
“Do të thosha se brenda dy javëve të ardhshme do ta dimë, në një mënyrë apo tjetër. Nëse jo, mund të na duhet të ndjekim një qasje tjetër,” u shpreh Trump gjatë një interviste telefonike për gazetarin konservator Todd Starnes.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje të mëtejshme mbi planet e tij apo përmbajtjen e bisedimeve.
Trump zhvilloi takime të ndara me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë të premten dhe me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington të hënën. Ai njoftoi menjëherë se po planifikon një takim dypalësh mes dy liderëve dhe më pas një takim trepalësh me pjesëmarrjen e tij, por ende nuk është caktuar as vendi, as data për këto takime.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Zelensky deklaroi se “sinjalet që po dërgon Rusia” tregojnë se Moska po përpiqet të shmangë takimin me të.
Në të njëjtën kohë, ushtria ukrainase raportoi se Moska kreu një tjetër sulm masiv gjatë natës, me 574 dronë dhe 40 raketa, duke përshkallëzuar situatën në terren.
Pavarësisht sulmeve, përpjekjet diplomatike për një zgjidhje të konfliktit duket se kanë hyrë në një fazë të re, me Trump që kërkon të luajë rolin e ndërmjetësit mes dy palëve.















