Ballina Top Lajm Zemërim në Niger/ Shitet në ankand për 4.3 milionë $ guri i...

Zemërim në Niger/ Shitet në ankand për 4.3 milionë $ guri i ardhur nga Marsi

“Është e paturpshme! E paturpshme!” thotë Profesor Paul Sereno në një telefonatë për BBC nga Çikago. Ai e shpreh hapur zemërimin e tij që një meteorit i rrallë i ardhur nga Marsi i zbuluar dy vjet më parë në Niger, një vend i Afrikës Perëndimore, përfundoi në ankand në Nju Jork muajin e kaluar duke u shitur te një blerës i paidentifikuar.

Paleontologu, i cili ka lidhje të ngushta me vendin afrikan thotë se do të kthehet në Niger. Kjo copë miliona vjeçare e Planetit të Kuq, më e madhja e gjetur ndonjëherë në Tokë, u shit për 4.3 milionë dollarë në Sotheby’s. Ashtu si blerësi, edhe shitësi u mbajt anonim. Por është e paqartë nëse ndonjë pjesë nga këto para shkoi në Niger.

Fragmente të materialit jashtëtokësor që kanë arritur në Tokë kanë frymëzuar prej kohësh njerëzit. Disa prej tyre kanë përfunduar si objekte fetare, të tjera si kuriozitete për t’u ekspozuar. Kohët e fundit, shumë prej tyre janë bërë objekt studimi shkencor. Tregtia e meteoritëve është krahasuar me tregun e artit, ku estetika dhe rrallësia ndikojnë në çmim.

Në fillim, pati një ndjenjë habie rreth shfaqjes publike të këtij zbulimi të jashtëzakonshëm marsian – më pak se 400 nga 50,000 meteoritët e zbuluar kanë treguar se vijnë nga fqinji ynë planetar. Fotografitë e bëra në Sotheby’s të gurit 24.7 kg – që shfaqej në dritat duke shkëlqyer me ngjyra argjendi dhe të kuqe – e përkeqësonin këtë ndjesi. Por më pas disa njerëz filluan të bënin pyetje se si përfundoi nën çekiçin e ankandit.

Jo më pak e rëndësishme ishte vetë qeveria e Nigerit, e cila, në një deklaratë , “shprehu dyshime në lidhje me ligjshmërinë e eksportit të tij, duke ngritur shqetësime në lidhje me trafikimin e mundshëm të paligjshëm ndërkombëtar”.

Tetova News në YouTube:

Meteori udhëtoi rreth 225 milionë kilometra përpara se të binte në Tokë. Sotheby’s e kundërshton me forcë këtë, duke thënë se janë ndjekur procedurat e sakta, por Nigeri tani ka nisur një hetim mbi rrethanat e zbulimit dhe shitjes së meteoritit, të cilit i është dhënë emri shkencor dhe jo romantik NWA 16788.

Pak është bërë publike se si ai përfundoi në një shtëpi ankandi me famë botërore në SHBA. Një artikull akademik italian i botuar vitin e kaluar tha se ai u gjet më 16 nëntor 2023 në shkretëtirën e Saharasë në rajonin Agadez të Nigerit, 90 km në perëndim të Oazës Chirfa, nga “një gjuetar meteoritësh, identiteti i të cilit mbeti i pazbuluar”.

Meteoritët mund të bien kudo në Tokë, por për shkak të klimës së favorshme për ruajtje dhe mungesës së ndërhyrjes njerëzore, Saharaja është bërë një vend kryesor për zbulimin e tyre. Njerëzit kërkojnë peizazhin e pafavorshëm që shtrihet në disa vende me shpresën për të gjetur një për të shitur.

Sipas artikullit italian, NWA 16788 u “shit nga komuniteti vendas te një tregtar ndërkombëtar” dhe më pas u transferua në një galeri private në qytetin italian të Arezzos. Revista e Universitetit të Firences e përshkroi personin si “një pronar të rëndësishëm galerie italiane”.

Një ekip shkencëtarësh të udhëhequr nga Giovanni Pratesi, profesor i mineralogjisë në universitet, arriti ta shqyrtonte atë për të mësuar më shumë rreth strukturës së tij dhe prejardhjes së tij. Meteori u ekspozua shkurtimisht vitin e kaluar në Itali, përfshirë Agjencinë Italiane Hapësinore në Romë.

Sotheby’s tha se NËA 16788 u “eksportua nga Nigeri dhe u transportua në përputhje me të gjitha procedurat përkatëse ndërkombëtare”. “Ashtu si me çdo gjë që shesim, i gjithë dokumentacioni përkatës ishte në rregull në çdo fazë të udhëtimit të tij, në përputhje me praktikat më të mira dhe kërkesat e vendeve të përfshira” – thuhej në deklaratë.

Një zëdhënës shtoi se Sotheby’s ishte në dijeni të raporteve se Nigeri po heton eksportin e meteoritit dhe “ne po shqyrtojmë informacionin që kemi në dispozicion në dritën e pyetjes së ngritur”. Profesor Sereno, i cili themeloi organizatën NigerHeritage një dekadë më parë, është i bindur se ligjet e Nigerisë janë shkelur.

Akademiku i Universitetit të Çikagos, i cili ka kaluar vite duke zbuluar depozitat e mëdha të eshtrave të dinosaurëve në Sahara, bën fushatë për të rikthyer trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Nigerit – përfshirë çdo gjë që ka rënë nga hapësira. Një muze mahnitës në një ishull në lumin Niger që kalon nëpër kryeqytetin, Niamey, po planifikohet për të strehuar këto objekte.

“E drejta ndërkombëtare thotë se nuk mund të nxjerrësh jashtë vendit diçka që është e rëndësishme për trashëgiminë e një vendi – qoftë një send kulturor, një send fizik, një send natyror, një send jashtëtokësor. E dini, ne kemi lënë pas kohën koloniale kur e gjithë kjo ishte në rregull”, – thotë Prof. Sereno.

Një sërë marrëveshjesh globale, përfshirë ato nën organizatën kulturore të OKB-së, UNESCO, janë përpjekur të rregullojnë tregtinë e këtyre objekteve. Por, sipas një studimi të vitit 2019 nga eksperti i së drejtës ndërkombëtare Max Gounelle, kur bëhet fjalë për meteoritët, nëse ata mund të përfshihen, mbetet njëfarë paqartësie nëse ato mbulohen nga këto marrëveshje. U lihet shteteve individuale të sqarojnë pozicionin.

Nigeri miratoi ligjin e vet në vitin 1997 që synonte mbrojtjen e trashëgimisë së tij. Prof. Sereno tregon një seksion me një listë të detajuar të të gjitha kategorive të përfshira. “Mostrat mineralogjike” përmenden midis veprave të artit, arkitekturës dhe gjetjeve arkeologjike, por meteoritët nuk emërtohen konkretisht.

Në deklaratën e saj mbi shitjen në Sotheby’s, Nigeri pranoi se “ende nuk ka legjislacion specifik për meteoritët” – një frazë që e theksoi edhe shtëpia e ankandeve. Por mbetet e paqartë se si dikush arriti të nxirrte një artefakt kaq të rëndë dhe të dukshëm nga vendi pa e vënë re autoritetet.

Maroku është përballur me një problem të ngjashëm me numrin e madh të meteoritëve – më shumë se 1,000 – të gjetur brenda kufijve të tij, të cilët përfshijnë një pjesë të Saharasë.

Më shumë se dy dekada më parë, vendi përjetoi atë që autorja Helen Gordon e përshkroi si një “nxitim ari në Sahara”, i nxitur pjesërisht nga rregullore më të buta dhe një mjedis politik më i qëndrueshëm sesa disa nga fqinjët e saj.

Në librin e saj të fundit “Meteoritët”, ajo shkroi se Maroku ishte “një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të shkëmbinjve hapësinorë”. Prof. Hasnaa Chennaoui Aoudjehane ka kaluar pjesën më të madhe të 25 viteve të fundit duke u përpjekur të ruajë disa nga ato materiale jashtëtokësore për vendin e saj.

“Është pjesë e jona, është pjesë e trashëgimisë sonë… është pjesë e identitetit tonë dhe është e rëndësishme të jemi krenarë për pasurinë e vendit”, i thotë gjeologia BBC-së.
Profesoresha nuk është kundër tregtisë së meteoritëve, por ka luajtur një rol të rëndësishëm në futjen e masave që synojnë rregullimin e biznesit. Megjithatë, ajo pranon se rregullat e reja nuk kanë qenë plotësisht të suksesshme në ndalimin e rrjedhës së meteoritëve.

Në vitin 2011, Prof. Chennaoui ishte përgjegjës për mbledhjen e materialit në shkretëtirë nga një rënie meteori e vëzhguar që rezultoi të ishte nga Marsi. I quajtur më vonë meteori Tissint, ai peshonte gjithsej 7 kg, por tani ajo thotë se vetëm 30 g kanë mbetur në Marok. Një pjesë e pjesës tjetër ndodhet në muze anembanë botës, me pjesën më të madhe të ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Londrës.

Duke reflektuar mbi fatin e meteoritit marsian të Nigerit, ajo thotë se nuk u habit pasi është “diçka me të cilën kam jetuar për 25 vjet. Është për të ardhur keq, nuk mund të jemi të lumtur me këtë, por është e njëjta gjendje në të gjitha vendet tona”.

Prof. Sereno shpreson që shitja e Sotheby’s do të jetë një pikë kthese – së pari duke motivuar autoritetet nigeriane të veprojnë dhe së dyti “nëse ndonjëherë sheh dritën e ditës në një muze publik, do të duhet të merret me faktin se Nigeri po e konteston hapur atë”. ©BBC, LAPSI.al