Nga Ben Berkowitz
Republikanë dhe demokratë të lartë dënuan të shtunën vendimin e presidentit Trump për të pezulluar zbatimin e sanksioneve të fundit ndaj Rusisë, duke e cilësuar atë si «të papërgjegjshëm» dhe «një pakt me djallin».
Pse ka rëndësi: Trump tashmë përballet me një nismë dypartiake për të zhbërë marrëveshjen e tij për naftën dizel ruse, kur Kongresi të rikthehet pas zgjedhjeve.
- Tani mund t’i duhet të përballet me një valë edhe më të gjerë zemërimi për pezullimin e sanksioneve që Kongresi i miratoi vetëm një muaj më parë.
Zhvillimi kryesor: Të premten vonë në mbrëmje, Trump nxori një urdhër ekzekutiv që pezullon zbatimin e Ligjit «Lindsey O. Graham» për Sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, të cilin e kishte nënshkruar në shtator.
- Ligji parashikonte vendosjen e sanksioneve të gjera jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj vendeve të tjera që blejnë naftën e saj.
Çfarë thonë: Demokratët e kritikuan ashpër vendimin e Trumpit.
- «Duke e mbajtur artificialisht në jetë ekonominë ruse, pakti i Trumpit me djallin po bëhet gjithnjë e më i ndyrë», shkroi udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, demokrat nga Nju-Jorku.
- «Dorëzimi më i fundit i Trumpit përballë Putinit i tradhton sërish partnerët tanë ukrainas dhe shpërfill qëllimin e qartë të Kongresit në miratimin e legjislacionit të hartuar për ta ndëshkuar Rusinë për luftën e saj të paligjshme të agresionit», shkroi në X kongresmeni Don Beyer, demokrat nga Virxhinia.
- «Këto përjashtime nga zbatimi i sanksioneve nuk kanë të bëjnë aspak me sigurinë tonë kombëtare dhe kanë të bëjnë tërësisht me servilizmin ndaj Vladimir Putinit. Shpresoj që kolegët e mi republikanë të bashkohen me mua për ta dënuar këtë veprim të ulët e frikacak», deklaroi në X senatori Richard Blumenthal, demokrat nga Konektikati.
Republikanët ishin po aq të ashpër.
- «Duhet ta shtojmë trysninë ekonomike ndaj Rusisë, jo ta lehtësojmë. Duhet të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion, përfshirë zbatimin e plotë të sanksioneve të Grahamit dhe të ligjit tim REPO, për ta shtrënguar Putinin derisa t’i japë fund luftës së tij të paligjshme dhe barbare në Ukrainë», shkroi kongresmeni French Hill, republikan nga Arkanzasi. «Kam kërkuar një seancë informimi të klasifikuar për arsyet e këtij vendimi».
- «Më shumë se i papërgjegjshëm. Çfarë nuk kuptojnë presidenti dhe këshilltarët e tij te zbatimi i një ligji të miratuar në Senat me 86 vota pro dhe 11 kundër?», shkroi në X senatori Thom Tillis, republikan nga Karolina e Veriut. «Është e papranueshme që kjo administratë po i dorëzohet një diktatori rus, i cili pushtoi në mënyrë të paligjshme Ukrainën dhe masakron civilë të pafajshëm çdo ditë».
- Senatori John Cornyn, republikan nga Teksasi, shkroi thjesht: «Lindsey do të ishte i tmerruar».
Një kongresmen që së shpejti largohet nga detyra, republikani Don Bacon nga Nebraska, la të kuptohej se me çfarë vështirësish mund të përballet Trump kur Kongresi të rikthehet.
- «Kongresi ka një sesion paszgjedhor, përpara marrjes së detyrës nga përbërja e re. Presidenti ka një agjendë: financime shtesë, pajtim buxhetor, salla e ballove e kështu me radhë… Mendoj se kjo agjendë ka marrë fund. Shumë prej nesh nuk do t’i financojnë këto gjëra, duke e ditur se ai po mbështet pushtimin e ndërmarrë nga një diktator dhe po sakrifikon një aleat», shkroi Bacon.
Për saktësi: Shtëpia e Bardhë e mbrojti vendimin e Trumpit.
- «Presidenti Trump e ka bërë të qartë se dëshiron që kjo luftë brutale të marrë fund. Ndërsa bisedimet vazhdojnë, ky ligj i jep presidentit kompetenca shtesë për të ndjekur një zgjidhje paqësore», tha zëdhënësja Taylor Rogers në një deklaratë.
- «Zbatimi tani i dispozitave për sanksionet do të pengonte përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të negociuar një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse mes Ukrainës dhe Rusisë. Presidenti ruan mundësinë për t’i ushtruar këto kompetenca në çdo kohë, nëse vlerëson se kjo do t’u shërbente interesave kombëtare».
Çfarë duhet ndjekur: Pyetja tani është se sa fuqishëm do ta kundërshtojë Kongresi këtë vendim kur të rikthehet pas disa javësh. (Axios)















