Lideri i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e quan tentativë të qëllimshme të Ali Ahmetit për të prodhuar krizë ndëretnike me qëllim kthimi në pushtet.
“Kujdes!
Ali Ahmeti është në kërkim të kurbaneve për t’u kthyer në pushtet
Pasi që dështoi skenari për të prodhuar incident ndëretnik nga ndeshja e basketbollit, për çka nuk ndihmuan as telallët e ndryshëm gjithandej, sepse kjo qeveri jo vetëm që e dënoi ngjarjen, siç nuk ndodhte në 22 vjetët e fundit, por tashmë autorët e thirrjeve antishqiptare janë vënë nën hetime, Ali Ahmeti – i dëshpëruar – kërkon një rast tjetër që të inskenojë një incident ndëretnik, krejt kjo me qëllim që të mund të shkaktojë një krizë e cila atë dhe Nongrata Grubin i kthen në pushtet.
Prandaj dua t’u bëj thirrje të rinjve shqiptarë që të mos bien viktima të pasionit të Soravisë për pushtet dhe të kenë kujdes, sepse atij nuk i dhimbset nëna shqiptare që do ta qajë djalin e saj nëse ai dhe Nongrata Grubi kthehen në pushtet. Këtë e ka dëshmuar disa herë dhe nuk kemi nevojë për asnjë provë më shumë. E mbajmë mend mirë se kur nënat shqiptare vajtonin, ministrat e Soravisë luanin futboll në qeveri.
Kujdes!”, ka shkruar Ibrahimi.















