Protestë e shoqatave të dala nga lufta kundër gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë apo protestë politike e BDI-së? Përkundër paralajmërimeve për mos politizim të protestës, nga ana e vet organizatorëve, konferenca e sotme e thirrur për protestën u gllabërua nga shumë zyrtarë të BDI-së.
Ashtu siç edhe shihet në pamje, shumica e pjesëmarrësve në konferencën e sotme ishin funksionarë partiak të BDI-së, në mesin e të cilëve edhe ish-deputetët Rafis Haliti, Ejup Halimi, Berat Ajdari e Mirvan Xhemaili.
Bujar Dardhishta, në cilësinë e organizatorit tha se për mbajtjen e protestës kanë kërkuar leje nga Qyteti i Shkupit por ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Konform ligjit për vetëqeverisje lokale për sheshet dhe bulevardet, kompetent është Qyteti i Shkupit. Kemi bërë kërkesë para tre jave në Qytet të Shkupit. Të njëjtën kërkesë të dytë e kemi adresuar para një jave, kemi marrë një konkluzion për ta paguar taksën komunale gjë që e kemi bërë dhe presim në proces e sipër të na japin lejen. Normalisht nuk mendoj që duhet të ketë ndonjë pengesë për arsye se kjo është e drejtë kushtetuese e çdo qytetari në vendin tonë”, u shpreh Bujar Dardhishta – Këshilli organizativ i protestës.
Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të dëshmorëve të UÇK-së tha se qëllimi është që përmes protestës të kërkohet drejtësi për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Qëllimi jonë i vetëm është të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe gjithë të tjerët që padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë…. Protesta jonë e shprehim si këshill organizues bashkë me veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve të gjitha luftërave çlirimtare por edhe gjithë ata që e kuptojnë shqetësimin tonë i ftojmë të jenë prezent dhe të shprehim mllefin tonë sepse po goditet lufta e drejtë dhe e pastër”, deklaroi Xhavit Jashari – Kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.
Tubimi protestues do të mbahet ditën e shtunë më 13 dhjetor në ora 13 tek sheshi Skënderbeu. /Alsat.mk















