Ballina Aktualitet Tetovari në Asamblenë e Cyrihut/ Intervistë me Gadaf Muharemin, i cili kërkon...

Tetovari në Asamblenë e Cyrihut/ Intervistë me Gadaf Muharemin, i cili kërkon votën për mandatin e dytë (VIDEO)

VIDEO

MODERATORJA:
Të nderuar shikues, rikthehemi në studio me “Personalitetin e ditës”. Sot do të flasim për një temë që lidhet me politikën: për një shqiptar që rikandidon në Asamblenë e Cyrihut. Do të flasim për zgjedhjet atje, për integrimin e shqiptarëve dhe tema të tjera.

Është nder dhe kënaqësi që në studion tonë të na nderojë me praninë e tij Gadaf Muharemi, kandidat për Asamblenë e Cyrihut. Mirë se erdhët!

GADAF MUHAREMI:
Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit për mundësinë e tretë që po ma jepni në emisionin tuaj. Faleminderit shumë!

MODERATORJA:
Faleminderit juve. Herën e parë ishit për kandidimin e parë, herën e dytë folëm më shumë për çështjen e zgjedhjeve këtu në Maqedoni, ndërsa tani për rikandidimin tuaj. Ju njëherë keni kandiduar dhe e keni fituar mandatin në Asamblenë e Cyrihut. Tani synoni mandatin e dytë, apo jo?

GADAF MUHAREMI:
Po, e saktë. Para katër viteve ishte kandidimi im i parë, ose përpjekja ime e parë për t’u bërë pjesë e Asamblesë së qytetit të Cyrihut. Fatmirësisht arrita t’i marr votat e nevojshme dhe u bëra pjesë e Asamblesë. Koha kaloi shumë më shpejt sesa kisha menduar. Tash, katër vite më pas, jemi në momentin ku flasim për atë çfarë ka ndodhur dhe çfarë na pret në të ardhmen.

Çfarë keni bërë konkretisht gjatë mandatit?

MODERATORJA:
Çfarë konkretisht keni bërë për shqiptarët gjatë mandatit të kaluar? A ka ndonjë shembull të caktuar ku keni ndikuar për të mirat e shqiptarëve në Zvicër?

GADAF MUHAREMI:
Po, realisht ka. Natyrisht, ne shqiptarët që jetojmë atje dhe angazhohemi aktiv në politikë – qoftë në nivel lokal apo nacional – nuk e kemi si primare vetëm komunitetin tonë. Por, pa dyshim, komuniteti ynë luan rol të rëndësishëm dhe ne duhet ta përfaqësojmë si duhet brenda institucioneve ku jemi prezentë.

Nëse flasim vetëm për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët, ka pasur disa. Do t’i përmend vetëm dy, që i konsideroj shumë të rëndësishme.

Së pari: në Zvicër mbahet një ndër festivalet më të mëdha të komuniteteve që jetojnë atje – festivali i komunitetit shqiptar. Në fillimet e tij, organizatorët kishin probleme me vendin ku do të mbahej festivali. Çdo vit duhej të shkonin në komunë për leje: një herë komuna përgjigjej pozitivisht, një herë negativisht.

Vlen të përmendet se në Asamblenë komunale të qytetit të Cyrihut nuk jam vetëm unë – jemi tre shqiptarë. Ne të tre u bëmë bashkë dhe morëm iniciativën që, përmes një rregulloreje, çështja e vendit të festivalit të rregullohej nga komuna përkatëse. Si rezultat, arritëm t’i bindim jo vetëm partitë e tjera, por edhe asambleistët e tjerë. Sot, vendi është i caktuar dhe i garantuar – dhe organizatorët nuk kanë më stresin e përvitshëm: “a do ta marrim lejen apo jo?”.

Kjo është një shembull i qartë i punës që bëjmë brenda komunës, për komunitetin që i takojmë – në këtë rast, për shqiptarët.

Bashkëpunimi me Prishtinën: kamionët për mbeturina

GADAF MUHAREMI (vazhdon):
Shembulli i dytë lidhet jo drejtpërdrejt vetëm me shqiptarët në Zvicër, por edhe me rolin tonë si “urë” mes politikës zvicerane dhe politikave në shtetet nga vijmë (Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e të tjerat).

Para dy viteve, nëse s’gaboj, ishim me një grup asambleistësh të qytetit të Cyrihut në Prishtinë – shqiptarë, zviceranë dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që janë pjesë e Asamblesë. Patëm disa takime, përfshirë edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, ku bëmë shkëmbime idesh.

Një nga problematikat kryesore të Prishtinës ishte çështja e kamionëve për mbeturina: kishin pak dhe nuk arrinin, për shkak të buxhetit, të siguronin më shumë.

Gjatë diskutimeve atje nuk ramë dakord për diçka konkrete. Por kur u kthyem në Zvicër, u ulëm bashkë – pavarësisht partive politike – dhe përpiluam një propozim, të cilin e hodhëm në votim në Asamblenë e qytetit: çdo kamion për mbeturina që del jashtë përdorimit në Cyrih, por që është ende i përdorshëm, t’i jepet falas qytetit të Prishtinës. Kjo tashmë është në implementim: para disa muajsh ishim atje për të filluar dërgimin e këtyre kamionëve.

Kjo tregon pse përfaqësimi është i rëndësishëm – dhe çfarë mund të bëjmë edhe për shqiptarët, ndërkohë që angazhohemi natyrisht edhe për politikën zvicerane, sepse aty jetojmë.

Pse ju dhe jo një kandidat tjetër?

MODERATORJA:
Megjithatë, Cyrihu është metropol. Çfarë mund t’u ofroni më shumë ju si asambleist, ndryshe nga kandidatët e tjerë? Pse duhet të votojnë ju dhe jo dikë tjetër?

GADAF MUHAREMI:
Pyetje shumë me vend – zakonisht kjo është pyetja kryesore: pse ju e jo dikush tjetër?

Do mundohem shkurtimisht. Gjatë gjithë angazhimit tim – edhe para se të isha asambleist, por edhe gjatë mandatit – jam munduar të jem zëri i atyre që më së paku merren parasysh nga politika. Fatkeqësisht, edhe në shtetet perëndimore politika shpesh e ka “kalkulimin e numrave”: cilit grup i kushtohet më shumë vëmendje, ku ka më shumë votues, ku ka më shumë “lobim”. Kjo më ka shtyrë të mendoj vazhdimisht: pse njerëzit që janë më pak të zëshëm nuk përfaqësohen?

Si rezultat, jam marrë më shumë me politika sociale dhe jam munduar t’u hap zë atyre që nuk kanë pasur zë brenda Asamblesë.

Një shembull: kam vërejtur që komuniteti i personave me autizëm ka qenë shumë pak i përfaqësuar dhe shumë pak në fokus të politikës. Kjo u bë një temë për të cilën jam angazhuar gjatë gjithë kohës.

Së fundmi, në seancën e fundit para pushimeve në Cyrih, kishte edhe një propozim nga një parti tjetër për fëmijët që janë rëndë të sëmurë – dhe ata nuk kishin mundësi të mjaftueshme për trajtime ose përkujdesje. Unë e mbështeta bindshëm këtë ide dhe arrita të bind edhe brenda partisë ku veproj që ta votojmë si propozim.

Në fund, unë s’e kam parë veten si “politikan” klasik, por më shumë si aktivist me një mision brenda politikës. Pse duhet të më votojnë? Sepse dua të vazhdoj t’u jap zë atyre njerëzve që dëgjohen pak, përfaqësohen pak dhe janë pak në fokus. Prandaj besoj se e meritoj edhe një mandat tjetër, por në fund vendosin votuesit nëse kanë qenë të kënaqur me punën time.

Si bëhet fushata në Zvicër?

MODERATORJA:
Si është forma e fushatës ose promovimit të kandidatit? Dallon nga fushatat këtu te ne?

GADAF MUHAREMI:
Po, dallon. Këtu shpesh bëhen tubime të mëdha ku thirren njerëzit – sa më shumë njerëz, aq më mirë duket. Në Zvicër kjo formë zakonisht nuk preferohet dhe nuk përdoret si mjet i fushatës.

Atje fushata është shumë më direkte: me popullin, me njerëzit. Ne kemi vende të caktuara në qytet apo në zonat ku kandidojmë. Dalim aty, flasim me njerëzit, shpërndajmë idetë tona, tregojmë për çfarë angazhohemi. Pra komunikim direkt, pa “masa” të mëdha. Natyrisht, fushata bëhet edhe në emisione, si ky, ku ftohen kandidatët.

Sa vota duhen dhe kush ka të drejtë vote?

MODERATORJA:
Sa është numri i votave që duhet të arrini për ta fituar mandatin e radhës?

GADAF MUHAREMI:
Edhe në Zvicër ka ndarje në zona. Unë i takoj zonës 12 të qytetit. Është një zonë më e vogël dhe nuk ka shumë votues, prandaj numri i votave ndryshon nga zona në zonë. Natyrisht varet edhe nga përqindja që merr partia në fund.

Nëse bëjmë një llogaritje të përafërt, diku 1600 deri në 1700 vota më duhen për t’u rizgjedhur.

MODERATORJA:
Cilat janë kushtet që votuesit duhet t’i plotësojnë për të votuar?

GADAF MUHAREMI:
Është e thjeshtë: duhet të jesh shtetas i Zvicrës. Nëse nuk e ke nënshtetësinë zvicerane, nuk mund të votosh.

Ata që kanë të drejtë vote e marrin fletëvotimin me postë në shtëpi. Kush nuk e merr, nuk ka të drejtë vote.

Integrimi i shqiptarëve në Zvicër

MODERATORJA:
Ju vini nga partia social-demokrate, apo jo? Të flasim pak për integrimin e shqiptarëve në Zvicër. A mund të themi se integrimi është një temë e mbyllur?

GADAF MUHAREMI:
Nuk do të thosha se është temë e mbyllur, por është shumë i avancuar – këtë e them me bindje. Sot është e vështirë të imagjinosh një profesion apo edhe një pozicion politik në Zvicër ku të mos ketë shqiptarë.

Sidomos gjenerata e dytë dhe e tretë janë integruar mirë: kanë arritur pozita të ndryshme dhe janë punëtorë të mirë në profesionet e tyre. Por integrimi duhet të vazhdojë – pa u kthyer në asimilim. Duhet të integrohemi si duhet. Në krahasim me para 5–10 viteve, jemi avancuar shumë.

MODERATORJA:
Kam përshtypjen që shqiptarët në Zvicër janë më të integruar se në shumë vende të tjera europiane. Pse ndodh kjo?

GADAF MUHAREMI:
Edhe unë jam munduar ta shoh pse ndodh kjo. Sistemi demokratik zviceran të jep më shumë mundësi sesa shumë sisteme të tjera. Nga ana tjetër, Zvicra njihet si shtet me ligje të rrepta ndaj të huajve, por demokracia e saj – demokracia direkte – të jep mundësinë të integrohesh sipas rregullave që ajo ka.

Faktor tjetër është edhe partia ku kandidoj – Social-Demokracia – e cila në nivel nacional është ndër partitë më të mëdha dhe ka bërë gjithmonë fushatë shumë të fortë për integrimin e të huajve. Kur një parti e madhe angazhohet seriozisht për integrimin e komuniteteve, automatikisht krijon edhe mundësi më të mirë për integrim në shtet. Rruga nga asambleisti deri në qeverinë zvicerane është e gjatë, por jo e pamundur.

Ambicie për nivel më të lartë?

MODERATORJA:
Keni ambicie për në ekzekutiv?

GADAF MUHAREMI:
Pyetje interesante. Nëse e ndajmë: a është e mundur apo jo – po, është e mundur. Ka raste konkrete.

E kemi shembullin e një kolegu tim, i cili më parë ishte në Asamblenë ku jam edhe unë, dhe para dy viteve kandidoi në nivel nacional dhe u zgjodh deputet nacional. Është Islam Aliaj nga Gjakova. Kjo tregon se është e mundur.

Por duhet angazhim, punë, përpjekje. Gara nuk është e lehtë. Duhet të konkurosh njëjtë si të gjithë të tjerët. Nuk është se vetëm pse je nga një komunitet i caktuar, të jepet përparësi. Duhet të jesh po aq i aftë sa të tjerët.

Për veten time: ende nuk jam i sigurt. Nuk mund të them “jo”, por as “po” të qartë, sepse jam i fokusuar te angazhimi për Asamblenë, e më tutje shohim çfarë sjell koha.

Bashkëpunimi mes shqiptarëve në politikën zvicerane

MODERATORJA:
Ka shqiptarë të inkuadruar në jetën politike në Zvicër. Si është komunikimi dhe bashkëpunimi mes jush?

GADAF MUHAREMI:
Ka shumë shqiptarë. Për shkak të kantoneve dhe decentralizimit, ka shqiptarë në shumë vende. Shembull: në Lucern ka një ministre (nëse s’gaboj, për çështje të brendshme/policisë), Ilfrte Fanaj po ashtu nga partia ku jam unë.

Ka shqiptarë edhe në parti të tjera. Te liberalët, p.sh., kemi Përparim Avdilin, kandidat edhe për kryetar komune në Cyrih në këto zgjedhje të 8 marsit.

Ne kemi komunikim shumë të mirë mes vete. Edhe pse ideologjikisht nuk pajtohemi në shumë tema, komunikimi ekziston dhe kjo është e mirë: ndihmojmë njëri-tjetrin për avancim në fusha të ndryshme, edhe në politikë.

Unë çdo të mërkurë i kemi seancat e Asamblesë. Në pauza ose pas seancave takohemi me të tjerë nga parti të ndryshme dhe flasim – është krejt normale.

Referendumet dhe rrymat e djathta

MODERATORJA:
A ekzistojnë në Zvicër rryma djathtiste që përmes referendumeve tentojnë të minojnë të drejtat e të huajve? Çfarë u thoni këtyre forcave?

GADAF MUHAREMI:
Ka një parti që është shumë e djathtë dhe nëpërmjet referendumeve ka pasur tentativa për të minuar të drejtat e komuniteteve.

Por përgjigjja më e mirë ndaj tyre është puna jonë: sa të jemi të avancuar, sa të angazhohemi e të punojmë për vendin ku jetojmë. Nuk kemi nevojë të futemi në debate të kota. Me integrim dhe angazhim u japim përgjigjen më të mirë.

Shpesh partitë që shkojnë në ekstreme – qoftë djathtas apo majtas – janë më shumë populiste sesa të fokusuar në temat reale që i preokupojnë njerëzit. Prandaj, përgjigjja ime është: integrimi dhe puna për vendin dhe për njerëzit që i përfaqësojmë.

Pse politikanët zviceranë nuk janë “globalisht” të njohur?

MODERATORJA:
Pse politikanët në Zvicër, edhe në poste drejtuese, nuk janë të njohur globalisht? Çfarë e bën të veçantë politikën zvicerane?

GADAF MUHAREMI:
Zvicra njihet si shtet neutral (edhe pse unë personalisht nuk besoj shumë në këtë pjesë), por nga jashtë shihet kështu.

Arsyeja pse politikanët nuk janë shumë të njohur globalisht është se ata angazhohen rreth temave konkrete, jo rreth “çështjeve të mëdha” për t’u dukur. Janë të fokusuar te ajo se cila temë është e rëndësishme dhe pozitive për shtetin. Kur punon mbi tema e jo për imazh, je pak “nën hije”.

Zvicra është shtet i vogël dhe nuk ka rol gjigant botëror, por është shumë e avancuar dhe stabile ekonomikisht. Madje së fundmi ka dalë lista e qyteteve më të përparuara, më të avancuara dhe më të shtrenjta në botë – ku gjashtë prej tyre janë qytete të Zvicrës, duke filluar nga Cyrihu.

Megjithatë, ndikimi i Zvicrës nuk është i vogël: sidomos kur vjen puna te konfliktet e mëdha, shpesh jep kontribut të mirë për paqe dhe përmirësim situate.

Biografia dhe rruga personale

MODERATORJA:
Meqë rikandidoheni, kemi folur në emisionin e kaluar për veprimtarinë tuaj, por në pika të shkurtra: biografia juaj. Një shqiptar që kandidon në Asamblenë e Cyrihut është krenari për shqiptarët. Çfarë biografie keni?

GADAF MUHAREMI:
Siç e kemi përmendur edhe më herët: në moshën 14-vjeçare vij nga një fshat i rrethit të Tetovës, Pallçisht, dhe emigrova duke iu bashkuar prindërve të mi që jetonin atje.

Fillimet ishin të rënda. Në 14 vjeç nuk është e lehtë të adaptohesh me rregulla dhe mentalitet tjetër. Vështirësi ishte edhe gjuha, sepse nuk e njihja.

Por falë prindërve të mi që nuk u dorëzuan, pata mundësi të vazhdoj shkollimin, të përfundoj shkencat politike dhe të angazhohem në fusha të ndryshme. Kjo është, në pika të shkurtra, biografia ime. Po të më kishin pyetur para 20 viteve nëse do isha këtu ku jam sot, as nuk do ta kisha menduar.

Pse u përfshitë në politikë?

MODERATORJA:
Sigurisht që keni edhe profesionin tuaj, krahas politikës. Çfarë ju shtyu të merreni me politikë në Zvicër?

GADAF MUHAREMI:
Janë dy çështje: e para, angazhimi im dhe studimet në shkenca politike – me automatizëm bëhesh pjesë e çështjeve politike.

E dyta: para se të futesha aktiv në politikë, kam qenë pjesë e organizatave joqeveritare dhe humanitare. Aty e prek politikën drejtpërdrejt, sepse për t’i avancuar temat, duhet të komunikosh me institucione dhe vendimmarrje.

Pastaj është edhe pak çështje fati – sepse në politikë, te votimi, ka gjithmonë edhe fat, por duhet patjetër angazhim.

Profesioni dhe rikthimi në vendlindje

MODERATORJA:
Çfarë punoni jashtë politikës?

GADAF MUHAREMI:
Përveç se kam përfunduar shkencat politike, punoj në transportin publik të qytetit, në një detyrë udhëheqëse, ku udhëheq një grup punonjësish. Po ashtu jap mësim në një fushë që lidhet me transportin publik. Pra, profesioni im është i fokusuar te transporti publik.

MODERATORJA:
A mendoni ndonjëherë të riktheheni në vendlindje dhe të kontribuoni këtu, me përvojën nga Zvicra?

GADAF MUHAREMI:
Është pyetje që shpesh e kam menduar. Ndonjëherë rrethanat të imponojnë vendime. Nuk mund të them “jo”, por nuk mund të them as “po” të sigurt.

Ajo që mund të them është se shpesh mendoj që një ditë të angazhohem edhe në vendlindje, ndoshta jo 100% menjëherë, por me faza – p.sh. të kontribuosh 10% si fillim. Nëse do ta ndaja në përqindje, jam diku 60% “po” dhe 40% “jo”.

Mesazhi final dhe datat e zgjedhjeve

MODERATORJA:
Cila do të ishte porosia juaj për fund – sidomos për shqiptarët: pse duhet t’ju votojnë, dhe kur janë zgjedhjet në Zvicër?

GADAF MUHAREMI:
Zgjedhjet janë me 8 mars – 8 mars është dita e fundit. Por në Zvicër ka formë tjetër votimi: votimi me postë.

Nga e hëna (diku data 9 deri 11) fletëvotimet u vijnë me postë atyre që kanë të drejtë vote. Nga ai moment kanë tre javë kohë të votojnë. Nëse nuk votojnë brenda tre javëve, atëherë duhet të shkojnë fizikisht në vendvotim më 8 mars.

Unë i lus të gjithë shqiptarët, sidomos ata që kanë të drejtë vote, të dalin masivisht në votim dhe të votojnë shqiptarët. Natyrisht kërkoj edhe votën për mua, por ata mund të votojnë edhe mua edhe të tjerët – kanë të drejtë të votojnë disa kandidatë.

Nëse kanë dilemë mes meje dhe një shqiptari tjetër, le t’i votojnë të dy ose të tre. E rëndësishmja është të dalin në votim.

Dhe nëse duan që zëri i tyre të dëgjohet më shumë, atëherë edhe më mirë është të votojnë shqiptarët. Por nëse ka nga ata që e duan përfaqësimin e atyre zërave që dëgjohen pak dhe janë pak në fokus të politikës, atëherë le të më votojnë mua. Do isha shumë i gëzuar nëse më japin edhe një herë mundësinë të jem pjesë e Asamblesë së Cyrihut dhe të kontribuoj.

Mbyllja

MODERATORJA:
Ju falënderoj shumë që ndatë kohë për të qenë me ne. Ju uroj suksese dhe jam e bindur që do të jeni sërish në Asamblenë e Cyrihut. Faleminderit edhe njëherë!

GADAF MUHAREMI:
Faleminderit edhe juve për mundësinë.

MODERATORJA:
Të nderuar shikues, kjo ishte rubrika “Personaliteti i ditës”. Kaq për këtë të premte. Ne shihemi të hënën; ndërkaq, ju uroj një fundjavë të bukur. Mirupafshim!

VIDEO