Ballina Aktualitet Maqedonia dhe SHBA-ja më 7 prill në Uashington do të zhvillojnë dialog...

Maqedonia dhe SHBA-ja më 7 prill në Uashington do të zhvillojnë dialog strategjik – paralajmëron Mucunski

Ministri informoi se delegacioni që do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të udhëhiqet nga ai, ndërsa në të do të përfshihen edhe ministrat e Punëve të Brendshme (Pançe Toshkovski), të Mbrojtjes (Vlado Misajllovski), të Transformimit Digjital (Stefan Andonovski) dhe të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (Sanja Bozhinovska). Mikpritësi i tyre do të jetë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.

I pyetur nëse pret që me dialogun strategjik të vijë deri te heqja e vizave për qytetarët maqedonas ose së paku rikthimi i vizave emigruese, lëshimin e të cilave SHBA-ja e ndaloi në janar për vendin, Mucunski tha se pritet të ketë diskutim për çështjet që lidhen me politikën e vizave, të cilat janë në kuadër të prioriteteve tona.

Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 7 prill në Uashington do të mbajnë një sesion të dialogut strategjik mes dy shteteve, paralajmëroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në paraqitjen e tij të mbrëmshme në emisionin “Top Tema” në Televizionin Telma.

Siç tha Mucunski, me këtë ne do të jemi vendi i parë nga Evropa që, në mandatin e administratës aktuale të SHBA-së, do të ketë dialog strategjik në Uashington me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Ministri informoi se delegacioni që do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të udhëhiqet nga ai, ndërsa në të do të përfshihen edhe ministrat e Punëve të Brendshme (Pançe Topkovski), të Mbrojtjes (Vlado Misajllovski), të Transformimit Digjital (Stefan Andonovski) dhe të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (Sanja Bozhinovska).

“Nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikpritësi ynë do të jetë zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së, z. (Christopher) Landau. Po ashtu, është me rëndësi të theksohet se unë, si ministër i Punëve të Jashtme, jam ndër të rrallët që për më pak se një vit do të kem tre takime bilaterale, krahas shumë të tjerëve, me udhëheqjen më të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit – majin e kaluar me z. (Marco) Rubio, këtë vjeshtë, në kuadër të takimit ministror me z. Landau, dhe tani sërish me z. Landau”,tha Mucunski.

Ai theksoi se përmes këtij dialogu strategjik qytetarët maqedonas do të shohin efekte shumë të mëdha, si në pjesën e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, ashtu edhe në raport me shumë çështje të tjera që do të bëhen publike pas përfundimit të takimit.

“Sigurisht, opinioni do të informohet për gjithçka që kemi rënë dakord dhe çfarë ndryshimesh në marrëdhëniet bilaterale, në kuptim pozitiv, kemi arritur të harmonizojmë në periudhën e fundit”,

tha kreu i diplomacisë maqedonase.

I pyetur nëse pret që me dialogun strategjik të vijë deri te heqja e vizave për qytetarët maqedonas për në SHBA ose së paku rikthimi i vizave emigruese, lëshimin e të cilave SHBA-ja e ndaloi në janar për vendin, Mucunski tha se pritet të ketë diskutim për çështjet që lidhen me politikën e vizave, të cilat janë prioriteti ynë.

“Unë e kam thënë publikisht se prioriteti ynë në politikën e vizave me SHBA-në është i orientuar drejt asaj që ne e kemi si interes, e kjo është biznesi, arsimi, shkenca, turizmi… Në pjesën e politikës për hyrje të lehtësuar në SHBA ka një temë që diskutohet në Uashington dhe sigurisht shpresoj që përmes atij dialogu të sjellim një sërë lajmesh pozitive, një pjesë për çështje që lidhen me përcaktimet tona strategjike, këtu flas për sigurinë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe për çështje të tilla që qytetarët i ndiejnë drejtpërdrejt”,tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Ndryshe, Mucunski e bëri publike informacionin për sesionin e dialogut strategjik me SHBA-në më 7 prill pasi u pyet nëse me mbështetjen pa rezervë që qeveria maqedonase i dha Uashingtonit pas fillimit të operacionit ushtarak në Iran, vendi po largohet nga Evropa, përkatësisht nga Bashkimi Evropian, prej nga kishin ardhur tone kritike lidhur me këto zhvillime.

Kreu i diplomacisë nuk u pajtua me këtë tezë, duke theksuar se disa nga aleatët tanë në NATO kishin qëndrim identik me Maqedoninë.

“Nuk e ndaj qëndrimin se ka pasur një formë të tillë reagimesh, veçanërisht nga shtetet më të mëdha evropiane. Së pari do të përmend disa nga aleatët tanë në NATO që kishin, unë do të thosha, pikërisht të njëjtin qëndrim si ne – Kanadaja është një aleat i tillë, Shqipëria është një aleat i tillë… Gjermania dhe Britania e Madhe, si dhe disa vende të tjera evropiane, kishin një qëndrim të lidhur me mënyrën se si e shohin udhëheqjen aktuale në shtetin e Iranit”, tha Mucunski.

I pyetur nëse jemi të përgatitur teknikisht dhe me personel për të marrë pjesë në rast të një pushtimi tokësor eventual të Iranit, kreu i diplomacisë tha se bëhet fjalë për një pyetje hipotetike, e cila nuk është logjike, sepse, siç tha ai, nga ajo që mund të dëgjohet nga Uashingtoni, qëllimi i SHBA-së aspak nuk është të hyjë me trupa në Iran.

“Nesër ne mund të shtrojmë pyetjen nëse SHBA-ja planifikon të hyjë me trupa në Jemen, e pastaj nëse ne do t’i bashkoheshim edhe atje. Kjo është një pyetje hipotetike, por sipas zhvillimit të gjendjes aktuale në Iran dhe asaj që paralajmërohet nga Uashingtoni zyrtar, ne nuk presim që diçka e tillë të ndodhë, që të vihemi në situatë të përgjigjemi nëse planifikojmë ose jo. Vendimi për pjesëmarrjen e trupave tona në veprime ushtarake është një vendim kompleks që merret në shumë shkallë vendimmarrjeje në shtet. Ne megjithatë jemi edhe pjesë e NATO-s, kështu që mendoj se do të ishte shumë e papërgjegjshme të hipotetizoja në një situatë të tillë, veçanërisht pas qëllimeve të shprehura publikisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ato aspak nuk kanë synim të kenë trupa në territorin e Iranit në këtë moment”,deklaroi Mucunski.