GJYKIMI HYR NË FAZË KYÇE: Autopsitë do të zbulojnë si humbën jetën 63 persona në “Puls”
Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën, po hyn në fazën e paraqitjes së provave materiale. Prokuroria, në një takim informues me mediat dje, njoftoi se sot pritet që në sallën e gjyqit në “Idrizovë” të nisë paraqitja e gjetjeve mjeko-ligjore të autopsisë për shkaqet e vdekjes së viktimave në zjarr.
Nga Prokuroria theksojnë se pas paraqitjes së gjetjeve të autopsisë dhe asaj që është konstatuar, do të thirret eksperti përkatës, i cili do të përgjigjet për gjithçka që nuk ka marrë përgjigje ose që ka hapur pyetje në opinionin publik.
“Fillimisht po nisim me procesverbalet e autopsisë, ku do t’i dëgjoni pasojat, por edhe shkaqet që kanë kontribuar, sepse nuk po flasim vetëm për zjarrin dhe shkëndijën e zjarrit, por edhe për shumë veprime të tjera të ndërlidhura të personave të tjerë që ne po i vërtetojmë. Nuk është vetëm zjarri, por edhe gazrat… i gjithë ambienti dhe se në çfarë konsiston shkaku i vdekjes”, u theksua në brifingun e sotëm me ekipin e prokurorëve që përfaqësojnë aktakuzën.
Kjo vepër, siç u theksua, nuk është zjarri në vetvete, por pasoja, e cila ka ardhur nga ndërveprimi i përgjithshëm i të gjithë faktorëve kyç, si ambienti, mbipopullimi i diskotekës, materialet e instaluara, emetimi i gazrave dhe vetë pamundësia për evakuim.
“Vlerësojmë se nëse e veçojmë vetëm një faktor, nuk mund ta marrim tablonë e plotë dhe të themi se pikërisht për këtë shkak ndodhi pasoja, dhe për këtë arsye kjo aktakuzë merret me të gjithë faktorët, ndërsa lidhja kyçe është përmes shkakut të vdekjes”, sqarojnë nga Prokuroria.
Lidhur me pyetjen për cianidin dhe çfarë kishte në gjakun e viktimave, nga Prokuroria theksojnë se gjithçka është analizuar dhe do të paraqitet në sallën e gjyqit nga ekspertët.
“Kjo është përfshirë në urdhrin fillestar, gjithçka është ekzaminuar dhe do të paraqitet në sallën e gjyqit nga eksperti”, theksojnë nga Prokuroria, duke shtuar se kjo çështje ka qenë prioritet mbi të gjitha prioritetet, edhe nga aspekti i përcaktimit të asaj që kishin thithur të mbijetuarit, në mënyrë që autoritetet shëndetësore të dërgonin me kohë informacionin e duhur në të gjitha qendrat ku ata ishin dërguar për trajtim.
Nga Prokuroria nuk mund të thonë sa seanca do të nevojiten për paraqitjen e provave materiale dhe kjo, siç u tha, varet edhe nga mbrojtja dhe nëse e sa pengesa do të ketë, por kjo është çështje për të cilën gjykata duhet të kujdeset, me qëllim ekonomicitetin dhe efikasitetin e procedurës.
Për materialet video që janë propozuar si prova, në brifingun e sotëm u tha se ato nuk do të shfaqen tërësisht në sallën e gjyqit, sepse disa pjesë të tyre nuk janë të rëndësishme për aktakuzën.
“Duam që ato të paraqiten në mënyrë sekuenciale, të mos shihen të plota, por vetëm ajo që është e rëndësishme për këtë aktakuzë”, sqaroi Prokuroria.
Përjashtimi i publikut, siç theksoi Prokuroria, do të kërkohet varësisht nga mënyra e paraqitjes së provave dhe sa thellë do të lejohet të shkohet në paraqitjen e tyre.
Prokuroria njoftoi se kanë mbetur edhe tre-katër dëshmitarë që duhet të dëgjohen në seancën e nesërme, ata që për arsye psikike nuk mund të dëgjohen dhe një tjetër që ndodhet jashtë vendit, për të cilët ekziston mundësia që, nëse nuk janë të qasshëm, të kërkohet leximi i deklaratave të tyre dhe të nisë paraqitja e provave materiale.
Procesi gjyqësor nisi më 19 nëntor të vitit të kaluar, pas së cilës në sallën e gjyqit në KPBU “Idrizovë” në Shkup janë dëgjuar prindërit, të mbijetuarit, mysafirët në klub, inspektorët, përfaqësuesit e institucioneve dhe të komunës së Koçanit, si dhe anëtarët e bendit që performonte atë natë.
Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruveska Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe përfaqëson një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. Në të humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën./TetovaNews















