Dje, në rrugën “Panajot Ginovski” në Gjorçe Petrov të Shkupit, nga zyrtarë policorë të Njësisë Mobile për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë Sektorit për Punë të Komunikacionit në MPB, është privuar nga liria shoferi i një autobusi të markës “Mercedes” me targa të Shkupit, i cili kryente transport publik të udhëtarëve pa poseduar patentë shoferi të vlefshme, njoftoi mbrëmë MPB.
“Kundër shoferit Z.S. (54) nga Shkupi dhe pronarit të automjetit, një subjekt juridik nga Shkupi, janë ndërmarrë masat përkatëse dhe ata do të përballen me sanksionet e parashikuara me ligj. Kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në territorin e gjithë shtetit, me qëllim sanksionimin e kryerësve, rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në komunikacion. U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, thonë nga policia./TetovaNews















