Ballina Aktualitet Ngërçi për zgjedhjen e presidentit/ Kurti tregon prapaskenat e negociatave dhe akuzon...

Ngërçi për zgjedhjen e presidentit/ Kurti tregon prapaskenat e negociatave dhe akuzon opozitën për bllokadë: Ne propozime, ata refuzime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për mediat sa i përket procesit zgjedhor të presidentit të ri të Kosovës.

Ai i kërkoi edhe njëherë opozitës që të paraqitet në seancë dhe të paraqesë listën me tre kandidatë dhe që Kosova të ketë një president të ri, përndryshe vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.

“Nëse sillni propozimet, sonte Kosova bëhet me president ose presidente të re. Varet kush fiton.

Së fundmi, duhet të theksojmë që pikërisht kjo është arsyeja që unë kam kërkuar që PDK dhe LDK t’i sjellin tre kandidatë, se bashkë me ne i kalojmë numrin prej 90 nënshkrimeve dhe e kemi të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri. U refuzua një gjë e tillë dhe ja ku jemi.

I lutem kryetarit të PDK-së dhe LDK-së, edhe grupet e tyre parlamentare të vijnë në Kuvend, se aty e kanë vendin. Dikur kanë qenë shumicë ata, tani jo më. Por nuk mund të thuash që po e mbroj shtetin duke bllokuar procese dhe duke bojkotuar seancën.

Sot është afati i fundit, nuk ishte mbrëmë. Shumica dërrmuese mendojnë se e kemi dhe sot. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim. Por unë e di që rreth orës 21:00 i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së dhe të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje.

Mendojeni kur isha unë në opozitë të më shkruanin mua kështu kryeministrat dhe presidentët, kurrë. Unë kisha pas policinë. Ata kurrë nuk kanë pasur interes të komunikonin me mua. Tani shteti është demokratik dhe në të njëjtën kohë, nuk ka më përndjekje si dikur, keni një kryeministër që vazhdimisht kërkon takime me opozitën, dhe ata nuk pranojnë dhe nuk përgjigjen në mesazhe”, tha Kurti.

Konferencë për shtyp e kryeministrit Albin Kurti

Të dashur qytetarë,
të nderuara media dhe gazetarë të pranishëm,

Konsideroj se tashmë është bërë mjaftueshëm e qartë se opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përveç bllokimit. Prej kohësh, sjelljet e kësaj opozite janë kryekëput joshtetërore dhe anti-institucionale. Ajo është e interesuar vetëm për një gjë: bllokimin e qeverisjes sonë, e cila në këtë mandat ka arritur rezultat historik.

Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë opozitare përmes bojkotit të seancave plenare nuk mund të quhet ndryshe veçse mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe e vullnetit popullor, të shprehur qartë më 28 dhjetor të vitit që lamë pas, si asnjëherë më parë, me 51.1 për qind për Lëvizjen Vetëvendosje.

Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër: për ta kundërshtuar Pakon Ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit për ballafaqim me inflacionin 2.0, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe; ndërsa për president nuk po vijnë as në sallë.

Me bindjen e thellë se Kosovës nuk i duhen bllokadat e atyre 10 muajve të vitit të shkuar; me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duke qenë se kemi mbajtur mjaftueshëm të tilla në vitin 2025 dhe rezultati ka qenë i qartë si asnjëherë më parë; ndërkohë që vendit do t’i humbeshin të paktën mbi 10 milionë euro vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa përmendur dhjetëra milionë të tjerë që humben për shkak se nuk mund të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare siç duam; duke pasur parasysh edhe rrethanat e rënduara globale, i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi ynë të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme.

Përpjekjet tona për konsensus

U përpoqëm për një kandidat konsensual, por kjo ishte e pamundur. I ftova disa herë në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ndonëse ata në vazhdimësi nuk ofruan asnjë propozim. Jam unë ai që kam ofruar propozime, madje edhe me emra konkretë, patjetër edhe me funksione për ta, por morëm vetëm refuzime. Ne propozime, ata refuzime.

Të shtunën bëmë edhe një hap më tutje: kërkuam nga PDK-ja dhe LDK-ja që së bashku të sillnin tre emra, ku përveç nënshkrimeve, njërin do ta votonim. Ju e dini se as PDK-ja dhe as LDK-ja nuk kanë deputetë të mjaftueshëm për t’i propozuar kandidatët e tyre. LDK-ja mund të propozojë gjysmë kandidati, sepse ka 15 deputetë, ndërsa nevojiten 30. PDK-ja mund të propozojë dy të tretat e një kandidati, sepse ka 22 deputetë. Por ato të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat. Ne u thamë: po bëhemi edhe ne bashkë me ju, le t’i propozojmë tre kandidatë. Të gjitha propozimet tuaja, ju propozoni emra, ne ua japim mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim. E shtymë afatin për t’ju dhënë kohë shtesë, por kot, sepse sërish pati refuzim.

Dje ftuam debat parlamentar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ju e dini se, para se të arrija t’i takoja, ata filluan të refuzonin takimet me mua. Atëherë thamë: le të bëjmë debat parlamentar për situatën në të cilën ndodhemi. As në debat nuk erdhën. Ne propozime, ata refuzime. Dy kandidatët, Glauk Konjufca dhe Fatmir Mulhaxha-Kollçaku, i hapën rrugë procesit duke u tërhequr nga kandidatura. Edhe një hap tjetër u bë. Por as kësaj radhe nuk pati përgjigje: sërish refuzim.

Propozimi i fundit – dy kandidate konsensuale

Me qëllim që vendit t’i japim president të ri, që institucionet të mos kenë nevojë për rilegjitimim përmes një procesi të ri zgjedhor, nga i cili kemi dalë vetëm pak muaj më parë, ofruam edhe dy propozime të tjera, ku të paktën për njërën prej tyre ka konsensus shoqëror. Si kandidate propozuam dy gra: profesoreshën Hatixhe Hoxha dhe doktoreshën Feride Rushiti.

Pikërisht kur zonja Feride Rushiti nderohej dhe nominohej për çmime prestigjioze ndërkombëtare, shumë deputetë opozitarë mburreshin me të përmes postimeve në rrjete sociale — e sigurisht që i keni parë — duke e lavdëruar. Për shembull, postime si ato të ish-shefes së grupit parlamentar, zonjës Hykmete Bajrami, apo të nënkryetares së Kuvendit nga PDK-ja, Vjosa Qidaku. PDK-ja, jo vetëm që nuk u mjaftua me refuzimin e pozitës së kryeparlamentarit, të cilën ia ofruam ne, por sot doli pikërisht përmes Vjosa Qidakut duke kërkuar tërheqjen e zonjës Rushiti nga kandidimi.

Merreni parasysh: ua kemi ofruar kryeparlamentarin, kanë thënë jo. E kanë lavdëruar zonjën Rushiti, por kur e propozuam për presidente, ata kërkojnë tërheqjen e kandidaturës. Si është e mundur që dje i kushtonin vargje zonjës Rushiti, ndërsa sot nuk marrin mundimin të vijnë në sallë, por struken nëpër zyrat e grupeve të tyre parlamentare? Refuzim për të marrë përgjegjësi pushteti dhe thirrje të tjerëve për bojkotim të institucioneve, madje duke dërguar edhe kërcënime ndaj një gruaje që gjithë jetën e ka kaluar në mbrojtje të viktimave. Kjo vërtet është e turpshme.

Falënderimi për Feride Rushitin

Unë dua ta falënderoj doktoreshën Feride Rushiti për gatishmërinë e saj që ta nxjerrë vendin nga ky ngërç, nga kjo krizë, dhe që Kosova të mos shkojë sërish në zgjedhje. Por kjo duket e pamundur me subjekte politike dhe liderë partish që kanë humbur arsyen dhe kanë vendosur inat — jo vetëm me ne, por edhe me vetë popullin e Kosovës, i cili nuk po i voton më shumë, por po i voton gjithnjë e më pak.

Më lejoni që shkurtimisht t’i numëroj disa fakte nga biografia e zonjës Feride Rushiti, të cilën ende kemi mundësi ta kemi presidente dhe me të cilën, padyshim, do të ishim të nderuar si institucion dhe si shtet.

Ajo ka lindur më 12 shtator 1970. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ndërsa specializimin në gastroenterologji.

Është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2025.

Përfaqëson një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Është nderuar me çmimin “Evropianja e Vitit” nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Gjatë luftës ka shërbyer si mjeke në kampet e refugjatëve në Shqipëri, duke trajtuar të mbijetuarit e dhunës dhe traumës.

Puna e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 18 mijë përfituesve, përfshirë mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, një nga kategoritë më të stigmatizuara.

Ajo ka ndarë përvojën e Kosovës si model për vendet që përballen me pasojat e konflikteve, përfshirë Irakun, Ukrainën dhe Kolumbinë.

Është vlerësuar me çmimin prestigjioz “International Women of Courage Award” në vitin 2018 nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.

Pra, në këto rrethana, vështirë të gjendet një kandidate më jopartiake, më përfaqësuese, më konsensuale, më e përgatitur profesionalisht dhe kombëtarisht, me kauzë fisnike dhe me emër të njohur ndërkombëtarisht sesa Feride Rushiti.

Thirrja e fundit për opozitën

Para se t’ua jap fjalën për pyetje, edhe një herë e kam këtë thirrje për opozitën: të vijnë në Kuvend, sepse Kuvendi është shtëpia e deputetëve; të ofrojnë zgjidhje, sepse këto bllokime nuk çojnë askund; dhe të marrin pjesë, siç kanë votuar qytetarët që përfaqësohen prej tyre. Sepse me bojkot e bllokim nuk u ndihmojnë institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

Edhe një herë: në seancën e orës 19:00 presim që, në këtë vazhdim, të kemi edhe deputetët e opozitës, të cilët e kanë vendin në Kuvend.

Faleminderit.

Pyetje dhe përgjigje

Valmir Gallopeni, Radio Dukagjini:
Zoti Kurti, emri i Vjosa Osmanit si kandidate për presidente është përmendur këto ditë. LDK-ja tha se i ka 15 nënshkrimet e saj, madje ka pasur deklarime edhe nga AAK-ja se do ta bënin kuorumin për të. A është ky një opsion që mund të shqyrtohet tani? Dhe pyetja e dytë: keni emëruar një kryenegociator për çështje teknike. A do të thotë kjo se tani kemi dy kryenegociatorë, apo zoti Konjufca është liruar nga përgjegjësia për dialogun?

Kryeministri Albin Kurti:
Së pari, ju jeni dëshmitarë se kryetarin e LDK-së e kam takuar disa herë, por asnjëherë nuk ka pasur ndonjë propozim — vetëm refuzime. Sa i përket paraqitjes së djeshme në orët e vona, ata dolën pas seancës. Para seancës nuk dhanë asnjë propozim, gjë që flet qartë për qëllimin.

Së dyti, letra me 15 nënshkrime do të mund t’i ofrohej Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë institucionale, ose shefes së grupit tonë parlamentar, Arbëreshë Gaxhi, ose mua si kryetar i subjektit. Rreth orës 11:00 të natës, pasi u ndërpre seanca, dolën me një listë ku ishin emrat e tyre, por, shumë interesant, aty nuk shkruante se për çfarë janë ata emra. Askush nuk ishte aty përveç 15 deputetëve. Dukej sikur ishte ndonjë listë për debat parlamentar për energjinë apo për diçka tjetër. Nuk thuhej se ata emra janë për një kandidat.

Të nderuar gazetarë, ju pajtoheni me mua se ata emra duhet të vijnë tek unë, jo tek ju. Nëse kanë 15 nënshkrime, pra gjysmën e aplikimit për kandidat, duhet të vijnë tek unë. Po ashtu, letra duhet ta ketë datën e sotme, jo të pardjeshme. Mbrëmë duhej ta kishte datën 27 prill, ndërsa ajo kishte 25 prill. Sot do të duhej ta kishte datën 28 prill. Nuk ka as letër, as datë. Pra, duhet qëllimi i qartë dhe data e sotme. Presidenti nuk votohet në Shoqatën e Gazetarëve, por në seancë plenare të Kuvendit.

Po ta kishim emrin e qartë të LDK-së se për kë bëhet fjalë, unë do të takoja kandidaten, në këtë rast Hatixhe Hoxhën, për t’i kërkuar tërheqjen dhe për t’i shtuar edhe 15 nënshkrimet e tjera. Por, edhe një herë: ato nënshkrime duhet të na sillen neve, sepse votohen në Kuvend. Përndryshe, ajo listë me 15 veta tregon vetëm se deputetët e LDK-së janë bashkë, por për çfarë, nuk e dimë. Pesëmbëdhjetë deputetë mund të kualifikohen për gjysmë kandidati, por me gjysmë kandidati në Kuvend nuk shkohet. Ne jemi të gatshëm t’ua bëjmë kandidatin e plotë. Prandaj kam kërkuar që PDK-ja dhe LDK-ja t’i sjellin tre kandidatë, sepse bashkë me ne e kalojmë sigurt numrin prej 90 nënshkrimeve — ne jemi 103 veta. Por ata refuzuan.

Edhe një herë i ftoj kryetarët Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku: ejani në Kuvend, aty është vendi juaj. Nuk mund të thuhet se po e mbron shtetin duke bllokuar procese dhe duke bojkotuar seancën.

Sa i përket pyetjes së dytë, kryenegociator kam emëruar Agron Bajramin, ambasadorin tonë në Bruksel. Ai ka qenë koleg i juaji, prandaj e njihni më mirë se unë. Më herët kryenegociator ka qenë Besnik Bislimi, jo Glauk Konjufca. Glauk Konjufca është zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, por ai nuk është kryenegociator. Për negociatat teknike, Beogradi cakton homologun e vet dhe tani homologu ynë nuk është më Besnik Bislimi, por Agron Bajrami.

Leonita, Top Channel:
Kryeministër, ju përmendët 15 nënshkrimet e LDK-së. Abdixhiku ka thënë se i ka ato nënshkrime, por kërkon nga ju që të keni 66 deputetë në sallë për ta votuar kandidaten e tyre, Vjosa Osmanin. A i keni ju 66 vota të sigurta nëse LDK-ja e sjell me shkrim Vjosa Osmanin? Dhe, pyetja e dytë: si pritet të vazhdojë seanca për zgjedhjen e presidentit, duke qenë se maksimumi 64 deputetë janë në sallë dhe votimi i mbrëmshëm konsiderohet antikushtetues, pasi duhen 80 vota për kuorum?

Kryeministri Albin Kurti:
Kryetari i LDK-së nuk tregon se për kë i ka 15 nënshkrimet, por thotë: “A m’i garanton ti 66 vota në kuti?”. Votimi është i fshehtë. Pra, 15 nënshkrime pa emër të veçuar sipër, me datë të pardjeshme, ua tregon juve, jo mua, dhe pastaj kërkon që unë t’i garantoj 66 vota në kuti. Kjo është plotësisht e palogjikshme dhe joserioze. Unë jam kryeministër serioz.

Kush dëshiron të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, duhet ta sjellë listën me 15 nënshkrime dhe emrin e kandidatit të LDK-së për president. Pastaj, pasi unë të flas me profesoreshën Hatixhe Hoxha, ne ua shtojmë edhe 15 nënshkrimet tona. Nëse dëshiron edhe PDK-ja, mund të vijë edhe ajo. Prandaj ne thamë: tre kandidatë.

LDK-ja le të mbajë mbledhje, le të tregojë se për çfarë janë këto 15 nënshkrime, le t’ia vendosë datën e sotme, jo të pardjeshme, dhe le ta ketë të qartë se për kë bëhet fjalë. Ne pastaj ia bashkëngjisim edhe nënshkrimet e tjera dhe vijmë në seancën e orës 19:00. Unë nuk përcaktoj se kush do të jetë kandidati i LDK-së. Ju lutem, mos ma kërkoni edhe këtë gjë.

Faleminderit.