Ballina Bota A po përgatitet Marco Rubio për Shtëpinë e Bardhë? Videoja që ka...

A po përgatitet Marco Rubio për Shtëpinë e Bardhë? Videoja që ka ndezur spekulimet për zgjedhjet presidenciale të 2028-ës

A po përgatitet Marco Rubio për Shtëpinë e Bardhë?

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ka nxitur spekulimet për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 në SHBA. Kjo, pasi publikoi një video që për nga stili ngjante me një spot fushate elektorale, ku Rubio artikulon një vizion optimist për Amerikën.

Videoja 1-minutëshe përfshin imazhe të Rubios, Donald Trump, avionëve që fluturojnë mbi Shtëpinë e Bardhë, amerikanëve të racave të ndryshme, ish-presidentit Ronald Reagan dhe flamurit amerikan që ngrihet nën një qiell blu.

Kolona zanore është marrë nga një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, e mbajtur më herët gjatë kësaj jave, ku Rubio zëvendësoi përkohësisht zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila ndodhet në leje lindjeje.

Gjatë konferencës, një gazetar e pyeti Rubion: “Duhet t’ju pyes, çfarë shprese keni për Amerikën në një kohë si kjo?”

Sekretari u përgjigj: “Shpresa ime për Amerikën është ajo që ka qenë gjithmonë. Besoj se është shpresa që shpresoj se ndajmë të gjithë. Ne duam që Amerika të vazhdojë të jetë vendi ku cilido, nga çdo vend i botës, mund të arrijë gjithçka; vendi ku nuk kufizohesh nga rrethanat në të cilat ke lindur, ngjyra e lëkurës, apo nga përkatësia etnike, por sinqershit, është një vend ku je në gjendje të kapërcesh sfidat dhe të realizosh potencialin tënd të plotë.

“Mendoj se ky duhet të jetë qëllimi i çdo shteti, por besoj se në SHBA, ne nuk jemi perfektë në këtë drejtim. Historia jonë nuk është një histori perfeksioni, por gjithsesi është më e mirë se historia e shumë shteteve të tjera. Dhe historia jonë është një histori përmirësimi të vazhdueshëm. Çdo brez i ka lënë brezit pasardhës të amerikanëve një vend më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt, dhe ky është gjithashtu qëllimi ynë.”

Rubio shtoi: “Por është një vend unik dhe i jashtëzakonshëm dhe, ndërsa afrohemi drejt 250-vjetorit tonë, mendoj se kemi shumë për të mësuar dhe për të qenë krenarë në historinë tonë. Është një histori përmirësimi të përhershëm dhe të vazhdueshëm, ku çdo brez ka bërë pjesën e vet për të na afruar më pranë realizimit të vizionit që themeluesit e këtij vendi kishin në momentin e krijimit të tij.”

Komentet, të cilat ranë në sy për tonin më optimist krahasuar me Trump apo zëvendëspresidentin JD Vance, u bënë virale në rrjetet sociale, ku disa përdorues i interpretuan si nisja jozyrtare e fushatës presidenciale të Rubios.

Laura Loomer, aktiviste e djathtë pranë presidentit, shkroi në X: “Uau! Kjo duket sikur mund të ishte videoja e nisjes së një fushate presidenciale. Cilësi dhe atmosferë fantastike produksioni.”

Elon Musk, miliarderi i teknologjisë që drejtoi vitin e kaluar nismën kontroverse të Trump për efikasitetin qeveritar, publikoi një fragment të deklaratës së Rubios në platformën e tij X pa koment. Aktori dhe komediani Rob Schneider iu përgjigj: “KY duhet të jetë Presidenti TJETËR i Shteteve të Bashkuara.”

Influencuesi Kaizen D Asiedu shkroi në X: “Marco Rubio po duket çdo ditë e më presidencial.” Neil Stone, mjek i sëmundjeve infektive, komentoi: “Marco Rubio është jashtëzakonisht elokuent. Mendoj se ai do të jetë Presidenti i ardhshëm. JD Vance nuk është në të njëjtin nivel.” Kevin Sorbo, aktor, regjisor dhe producent, shkroi: “Është kaq freskuese të dëgjosh një politikan që ka shpresë për të ardhmen tonë.”

Edhe disa skeptikë të Trump mbetën të impresionuar. Ashish Jha, mjek dhe akademik që shërbeu si koordinator i përgjigjes ndaj Covid-19 në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Joe Biden, shkroi në X: “Një përgjigje e jashtëzakonshme nga @SecRubio. Kjo duhet të jetë shpresa dhe vizioni i secilit për Amerikën.”

Rubio, ish-senator nga Florida, kandidoi për president në vitin 2016, vetëm për t’u poshtëruar nga Trump me nofkën përçmuese “Little Marco”. Por ylli i tij është ngritur gjatë dekadës së fundit dhe tashmë ai shihet si një nga pretendentët kryesorë për të pasuar presidentin.

Në mars, një sondazh informal mes pjesëmarrësve në Konferencën Konservatore të Veprimit Politik (CPAC) në Grapevine, Texas, për zgjedhjet paraprake republikane presidenciale të vitit 2028, e rendiste Vance me 53% dhe Rubion me 35%. Por Vance tani gjendet mes besnikërisë ndaj Trump dhe dyshimeve të tij për luftën në Iran, për të cilën ai ndërmori një mision diplomatik të pasuksesshëm në Islamabad.

Ndërkohë, Rubio ka fituar status memesh për shkak të roleve të shumta që mban në administratë. Të enjten ai ishte sërish në veprim, duke takuar Papa Leon në Vatikan për të zbutur tensionet pas sulmeve të përsëritura të Trump ndaj liderit katolik për luftën në Iran.

Megjithatë, kritikët nuk mbetën të impresionuar nga monologu i tij plot shpresë gjatë konferencës për shtyp. Joe Ëalsh, ish-kongresmen republikan, shkroi në X: “Rubio e shiti shpirtin e tij për të mbështetur dhe punuar për një President që është antiteza absolute e gjithçkaje që Rubio shpreh kaq ‘elokuent’ këtu. Amerika e Trump është e kundërta e saktë e asaj që Rubio thotë këtu. Çfarë thotë kjo për Rubion?”

Garry Kasparov, aktivist pro demokracisë dhe mjeshtër i shahut, pranoi se Rubio “është profesionist”, por shtoi se “të qenit i vetmi anëtar i administratës Trump që mund të çojë deri në fund një mendim apo të thotë një fjali të plotë, vetëm sa e thekson rënien e tij. Administrata të cilës ai i shërben ka sulmuar ligjet, normat dhe ëndrrat për Amerikën që Rubio i shpreh me aq elokuencë.” /The Guardian