Nga Rexhep Qosja
Të gjithë njerëzit lindin si provincialistë, sepse lindin në një provincë të caktuar, por shumica prej tyre bëhen dikur të vetëdijshëm se rastësisht do të mund të kishin parë dritën për herë të parë edhe në ndonjë provincë tjetër. Të gjithë njerëzit i kalojnë vitet e fëmijërisë si provincialistë, por shumica prej tyre vdesin me iluzionin fisnik se nuk kanë mbetur vetëm bij të provincës së tyre.
Është fare e kuptueshme dhe e natyrshme që fëmija i moshës parashkollore të mendojë se krejt botën e përbëjnë nëna, baba, vëllazërit, motrat, oborri i shtëpisë dhe mahalla, në të cilën luajnë me moshatarët e tyre ashtu siç është fare e kuptueshme dhe e natyrshme që fëmija i moshës shkollore të mendojë se krejt botën e përmbajnë nëna, baba, vëllezërit, motrat, shokët dhe shoqet e shkollës, mësuesit, mahalla, fshati, qyteza apo qyteti, nëpër të cilët dalin me prindërit apo moshatarët. Më vonë, kur në pasqyrë të kërkojnë provën e personalitetit të vet, djali apo vasha do të mësojnë se bota është diçka më e madhe se vendlindja dhe me buzëqeshjen e habisë e përkujtojnë naivitetin e miturisë së tyre.
Me formimin e bindjeve etike, morale, ideologjike, politike dhe filosofike njeriu mëson, njëkohësisht, se të gjithë njerëzit e gjakut dhe të gjuhës së tij i ka vëllezër e motra dhe bindet se ka arësye t’i dashurojë në të njëjtën masë si edhe njerëzit e vendlindjes, me të cilët është takuar aq shpesh në fëmijëri dhe rini. Ekziston, ndërkaq, edhe një shkallë më e lartë në të cilën do të ngritet njeriu i zhvilluar normalisht në pikëpamje morale dhe intelektuale: kjo është shkalla, në të cilën ai kupton se këtë botë të rrumbullakët e përbëjnë njerëz të ngjyrave, etnopsikologjive, zakoneve, bindjeve, ideologjive dhe filosofive të veçanta, që ndryshojnë mes vete, por që, prapë, kanë diçka të përbashkët dhe që është: natyre universale njerëzore që i shtyn të vuajnë dhe të gëzohen, të dashurojnë dhe të urrejnë, të lindin dhe të vdesin.
Pavarësisht pse do të ketë më tepër simpati për njerëzit e një etike, ideologjie apo filosofie të caktuar, ai do të jetë i vetëdijshëm, më në fund, se është pjesëtar i morisë së madhe të njerëzve të kohës së tij, që sot qarkullojnë nëpër hapësirën e paskajshme të tokës, por që pas ndonjë minute, ore, dite, muaji, viti apo decenie nuk do të jenë më dhe ky mendim do ta pikëllojë, por edhe ta ngushëllojë pse s’është i vetëm dhe vetëm me bashkëprovincialistët e tij, as në ceremoninë e lindjes, as në ceremoninë e vdekjes.
Janë, ndërkaq, disa njerëz që në asnjë mënyrë nuk duan dhe nuk mund të kuptojnë se bota është diçka më e madhe se vendlindja e tyre dhe se vendlindja e tyre, me të gjithë njerëzit që jetojnë në të, është vetëm një toponim në radhën e toponimeve të vendlindjeve të njerëzve të gjakut dhe të gjuhës së tyre. Aq më vështirë e kanë të kuptojnë ata se vendlindja e tyre e vogël s’shënohet fare në hartat gjeografike të toponimeve të tjera të kësaj bote.
Megjithëse mund të jenë takuar me shumë individë, që flasin gjuhën e tyre, por që kanë lindur në vendlindje të tjera, megjithëse mund të kenë shëtitur nëpër vise të ndryshme të botës ata, prapë, janë të disponuar të mendojnë se vendlindja e tyre është boshti rreth të cilit duhet të sillen të gjithë të tjerët që flasin të njëjtën gjuhë me ta apo, në qoftë se nuk sillen sot, rreth së cilës duhet të sillen nesër. Dhe, e keqja më e madhe nuk qëndron aty pse këtafarë njerëzish janë të dënuar ta shikojnë ashtu botën përmes një frengjie, por pse janë të gatshëm t’ia fusin krahët e vet të vegjël krejt hapësirës, në të cilën banojnë sivëllezërit e tyre, që të sillen rreth atij boshti, pavarësisht a do t’ju mirren mendtë apo jo.
Njerëzit e këtillë, me të cilët natyra e ka dhuruar secilin popull, quhen provincialistë ose lokalpatriotë, kurse filosofia e tyre e jetës dhe vdekjes quhet provincializëm.
Si mund t’i dallojmë provincialistët në morinë e madhe të njerëzve, që nën lëkurën e luanit fshehin çakallin apo nën lëkurën e shqiponjës fshehin trumcakun? Natyrisht jo aq lehtë për shkak se edhe provincialisti kujdeset ta maskojë provincializmin, që mund të ketë forma dhe ngjyra të ndryshme.
Si edhe demagogu, snobi, hipokriti apo pacifisti, ashtu edhe provincialisti ka njëfarë filosofie, njëfarë etike dhe njëfarë shije estetike të vetën. Kështu, fjala vjen, filosofia e provincialistit do të mund të quhej mençuri banale, shkurtparëse, miope, prakticiste për shkak se provincialisti nuk mund të shohë kurrë përmbi pullazin e kasollës, vilës apo të soliterit të tij. Ajo është mençuri e formuar në një mjedis të ngushtë dhe e kufizuar prej paragjykimesh të ndryshme, të trashëguara shekuj me radhë dhe të sedimentuara, ndërmjet horizonteve të ngushta të vendlindjes.
Provincialisti, prandaj, mund të jetë vetëm njeri praktik, por jo edhe njeri meditativ, njeri i shkathët e dinamik, po jo edhe njeri i mençur në kuptimin filosofik të kësaj fjale. E ngushtë si filosofia është edhe etika e provincialistit. Provincialisti, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, ju reziston normave morale që ndryshojnë pakashumë prej normave morale që vlejnë në vendlindjen e tij.
Paragjykimet e trashëguara aq sa edhe kufizimet intelektuale e kushtëzojnë kështu edhe moralin shoqëror, social apo politik të provincialistit, dhe ai vetvetiu është i dënuar të jetë vazhdimisht në opozitë ndaj normave, që s’janë prerë sipas masës së tij apo të njerëzve të vendlindjes së tij.
Në qoftë se filosofia dhe etika e provincialistit për të tjerët janë tragjike, shija e tij estetike mund të quhet qesharake. Provincialistit do t’i duket e bukur vetëm ajo që vlen si e bukur për njerëzit e provincës së tij dhe e shëmtuar ajo që mund të vlejë si e bukur për njerëzit e provincave të tjera. Provincialisti gjithsesi hyn në radhën e njerëzve me shijen estetike më të ngushtë, më qesharake, sepse atij i del shumë shpesh e bukura e shëmtuar dhe e shëmtuara e bukur.
Vrojtimi dhe përjetimi i së bukurës kërkon, më tepër se ndonjë fenomen tjetër, subtilitet shpirtëror, gjerësi e hollësi ndjenje dhe mendimi, kurse provincialisti është i zhveshur pikërisht prej këtyre virtyteve emocionale-intelektuale. Jo rastësisht, prandaj provincialisti e shikon si të shëmtuar, banale, dekadente, qesharake çdo gjë të ardhur, të huaj, të pranuar dhe, madje, të re. Dhe, të tillë çfarë e ka filosofinë, etikën dhe shijën estetike, të tillë do ta ketë provincialisti edhe zemrën e vet: të ngushtë, të vogël, të ndrojtur, tamam zemër trumcaku, në të cilën ka vend vetëm për të afërmit e tij.
Ekziston një cilësi e përbashkët e të gjithë provincialistëve pavarësisht a janë të shkathët apo të plogësht: shpirtngushtësia. Provincialisti është provincialist në radhë të parë pse gjithë ndjenjat e tij “pozitive” mbështeten në parimin e njohur biblik: duaje të afërmin tënd!
Provincialisti më ekstrem dhe më taravol, natyrisht, këtë parim do ta deformojë, duke e plotësuar edhe me parimin tjetër modern: duaje të afërmin tënd, por kujdesu ta kafshosh të huajin!
Do të ishte naivitet të besohet se provincialisti, vërtet, i dashuron sinqerisht dhe gjithmonë të afërmit e tij, do të thotë njerëzit e tjerë të provincës së tij. Psikologët e kohës së re kanë mundur të konstatojnë se në shumë mjedise përpjekjet e parreshtura të disa individëve që të shkëlqejnë në rrethin e tyre në pikëpamje të standardit jetësor i detyrohen konkurrencës ndërmjet fqinjve, mentalitetit provincial më tepër se nevojës për atë standard.
Provincialisti i dashuron të gjithë pjesëtarët e provincës së tij dhe i dashuron gjithmonë vetëm në sytë e të tjerëve dhe, sidomos kur me ta gjendet jashtë provincës së vet. Në këso rastesh, provincialisti bën çmos t’i përkrahë dhe t’i vejë në plan të parë të gjithë ata me të cilët ka pirë ujin e të njëjtit pus, të njëjtit burim apo të njëjtit lumë; të gjithë ata me të cilët ka bredhur nëpër të njëjtat rrugica; të gjithë ata me të cilët ka shutuar të njëjtin top të arrnuar prej leckash; të gjithë ata me të cilët ka vjedhur nëpër të njëjtat vreshta; të gjithë ata me të cilët ka shikuar të njëjtat horizonte.
Provincialisti, shpesh, demaskohet posa ta hapë gojën që të flasë apo të shkruajë për vendlindjen apo bashkëvendasit për arësye se gjuhën e tij e ngjyros stilistikisht kryesisht hiperbola.
Vendlindja e provincialistit, që mund të ketë gjezdisur edhe nëpër provinca të tjera, në të cilat flitet gjuha kombëtare, është më e bukura e të gjitha vendlindjeve të tjera: pozita e saj gjeografike është posaçërisht atraktive; qielli i saj është gjithmonë i kaltër; lumi i saj është gjithmonë i kthjellët; urat e këtij lumi janë raritete kulturore dhe turistike; xhamitë dhe kishat e saj janë monumente të shtrenjta historike; historia e saj është e lashtë dhe gjithmonë heroike.
Kjo vendlindje ose, ta quajmë ndryshe, provincë, që shquhet ndër të gjitha vendlindjet ose provincat e tjera, doemos duhet të pjellë edhe njerëz të posaçëm, me prirje, aftësi, kualitete, virtyte apo vese të posaçme, që nuk i kanë njerëzit e asnjë province tjetër.
Bashkëvendësit e provincialistit janë talentë të rrallë për çdo gjë, janë më të squar se gjithë provincialistët e provincave të tjera, janë më trima se të gjithë të tjerët, që flasin të njëjtën gjuhë; bashkëvendëset e provincialistit, ndërkaq, janë të bukura si nimfat e Homerit, janë nikoqire si Penelopa e Odiseut, janë subtile si Natasha e Tolstojt.
Nuk është e çuditshme pse prej kësaj province, në të cilën jetojnë asi meshkujsh dhe aso grashë, të kenë dalë shëmbëlltyra të rralla të kulturës dhe të historisë, që kanë nderuar krejt provincën, krejt provincat e tjera dhe krejt kombin.
Çfarë nënëteksti ka hiperbola në fjalorin e varfër por agresiv të provincialistit? Me të provincialisti don të thotë se të gjitha përparësitë shoqërore, kulturore, artistike, shkencore, politike dhe sidomos historike, e të tjera, duhet t’u takojnë bashkëvendësve të tij, alias atij.
Në jetën e përditshme mund të gjenden mjaft shembëlla të demonstrimit të provincializmit më grotesk, që njerëzit ndonjëherë e cilësojnë si snobizëm. Po mentaliteti provincialist demonstrohet po aq shpesh edhe në krijimtarinë artistike dhe, posaçërisht, letrare.
Nuk është i vogël numri i vjershëtarëve ose poetëve që i kushtojnë vargje qoftë vetë vendlindjes, qoftë ndonjërit prej atyre individëve të merituar të vendlindjes, qoftë ndonjërit prej shokëve të miturisë apo të rinisë.
Dhe, mund të pohohet se është plotësisht e natyrshme që lirikët, të cilët frymëzohen prej situatave të caktuara duke reaguar ashtu emocionalisht ndaj tyre në një moment të caktuar të jetës, të këngëtojnë qoftë vendlindjen, qoftë dikend prej vendlindjes së tyre, ndaj të cilit kanë konsiderata të veçanta për shkak të meritave të tij kulturore, historike, e të tjera.
Nuk duhet kujdes i posaçëm, ndërkaq, për të vërejtur se në shumicën e rasteve, vjershat e këtilla janë të përshkuara prej mentalitetit provincialist dhe të frymëzuara në gurrën banale të ndjenjës provincialiste.
Po më tepër se krijimtaria letrare, panair i vërtetë ku demonstrohet mentaliteti provincial, janë jeta shkencore, kulturore dhe politiko-shoqërore.
Kështu, fjala vjen, në jetën shkencore dhe arësimore provincialistët e afirmuar e dëshmojnë provincializmin e tyre duke ua çelur dyert dhe dritaret e ngritjes njerëzve të vendlindjes, ilakave, miqve dhe njerëzve të tjerë të zemrës së vet të vogël, pavarësisht prej prirjeve dhe aftësive të tyre; provincialistët e publicistikës e dëshmojnë provincializmin e tyre me shkrim duke i glorifikuar kalemxhinjtë, apo brushaxhinjtë e provincës së vet duke ua injoruar apo heshtur prirjen dhe rezultatet e punës të tjerëve që s’janë prej provincës së tyre; provincialistët e politikës, në anën tjetër, e dëshmojnë provincializmin e tyre duke i shtyrë përpjetë ose duke i mbajtur me shtylla në pozita të ndryshme ata individë, të cilët nuk kanë tjetër meritë, përpos pse rastësisht kanë lindur në të njëjtën provincë me bëmirësit e vet apo pse janë rreshkur me ta nën të njëjtat rreze të diellit.
Kjo do të ishte njëra faqe e provincialistëve dhe e provincializmit dhe kjo faqe, ndoshta, nuk do të ishte aq e zezë sikur provincialistët dhe provincializmi mos ta kishin edhe faqen tjetër akoma më të zezë.
Duke e mbështetur mendimin e vet mbi hiperbola, në njërën anë, provincialisti doemos shtrëngohet ta deformojë logjikën objektive në anën tjetër. Në të vërtetë ai nuk ka kritere, por vetëm ndjenja, kurse edhe ndjenjat e tij janë të rrejshme. Ai nuk e njeh kriterin e prirjes, aftësisë, meritës, punës, por vetëm kriterin e afrisë.
Platforma e ngushtë dhe vetëm emocionalisht e arësyetuar e gjykimit dhe veprimit të provincialistit në fund të fundit mbështetet në interesat vetiake; ta çoj përpara, ta glorifikoj timin, ilakanë, mikun, sepse edhe ai do të ma kthej në të njëjtën mënyrë.
Duke e analizuar kështu, qoftë edhe në vija të përgjithshme, anatomine e provincializmit mund të dëshmohet një e vërtetë; e vërteta se provincialisti është intelektualisht dhe moralisht gjithnjë i dyshimtë.
Dritarja intelektuale nëpër të cilën e sheh botën provincialisti është aq e vogël, aq e ngushtë, saqë përmes saj ai mund të shohë vetëm një hapësirë të kufizuar toke dhe vetëm një numër të kufizuar njerëzish.
Vetëdija morale e provincialistit, po ashtu, është e ngushtë për shkak se provincialisti është në gjendje ta ndezë shtëpinë e tjetrit vetëm e vetëm që të ngrohet më mirë vetë dhe t’i ngrohë më mirë të vetët.
Provincialisti i squar është i ndërgjegjshëm se provincializmi është një mëkatë, një verbësi, një ligësi njerëzore. Nuk është e çuditshme, prandaj pse provincialisti nuk e pranon provincializmin e vet sikundër nuk e pranojnë: demagogu demagogjinë, snobi snobizmin apo hipokriti hipokrizinë.
Në realitet, provincialisti pakashumë i shkathët do ta mohojë provincializmin sikundër mohon kodoshi se i shkon ujë për goje pas çdo fustani të shkurtër, sikundër mohon gënjeshtari se rren, sikundër mohon hipokriti se ka shumë fytyra.
Dhe, nuk mund të gjendet ndonjë provincialist, që ka dy gram tru në kokë, që do të thonte: unë jam provincialist dhe nuk duroj askend përpos provincialistëve të mi, ashtu siç nuk mund të gjendet ndonjë kobash që do të thontë: unë e vjedh shoqërinë dhe hajde më dënoni!
Jo! Të gjithë provincialistët e squar kujdesen ta identifikojnë provincializmin me patriotizmin dhe i gjejnë njëmijë e njëqind e një arësyetim përkushtimit të tyre të verbër ndaj njerëzve të vendlindjes së tyre.
Po, meqenëse njeriu nuk çmohet sipas asaj që thotë, por sipas asaj që bën, edhe provincialistin e shikojnë me përbuzje njerëzit e horizonteve më të gjera intelektuale dhe nën maskën e patriotizmit të tij dallojnë një hor që me parullën e patriotizmit në gojë vetëm mbron kënaqësitë e barkut.
Çfarë lloj provincialistësh mund të ketë?
Mund të vërehet se ka provincialistë të ndërgjegjshëm se janë provincialistë dhe provincialistë të pandërgjegjshëm se janë provincialistë. Si të parët, ashtu edhe të dytët, ndërkaq, janë njësoj të kufizuar.
Provincialistë ka pasur gjithmonë, në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe në të gjitha shtresat shoqërore, megjithëse në radhët e shtresave të paarësimuara më shumë se në radhët e shtresave të arësimuara shoqërore.
Provincialistë ka pasur në kohën e Homerit dhe të Aristotelit, të Shën Augustinit dhe të Dantes, të Kampanellës dhe të Shekspirit, të Volterit dhe të Robespjerit, të Marksit dhe të Leninit, ashtu sikundër ka edhe sot, në kohën e Albert Shvajcerit dhe të Sartrit.
Provincialistë ka pasur, njëkohësisht, edhe në radhët e atyre që mirren me filosofinë, shkencën, artet, politikën, por mund të pohohet se asnjë filosof, asnjë shkencëtar dhe asnjë krijues artistik i vërtetë, i prirur dhe i qytetëruar, nuk mund të jetë provincialist, sepse provincializmi është e kundërta e diturisë, e prirjes, e kulturës, e humanizmit.
A mund t’i imagjinojë kush Danten, apo Servantesin, apo Dekartin, apo Pushkinin, apo Kantin, apo Dostojevskin, apo Balzakun, apo Marksin, apo Leninin, apo Tomas Manin, apo Albert Kamynë si provincialistë? A mund t’i imagjinojë kush De Radën, Naimin apo Migjenin si provincialistë?! Besoj se jo, pos ndofta, vetë provincialistët.
Ata ishin aq të ditur, të prirur dhe të vetëdijshëm moralisht sa mund të flitnin vetëm me gjuhën e kombit në tërësi, apo të gjithë njerëzimit. Injoranca dhe gjymtia morale janë nëna më pjellore e provincializmit.
Provincialistë ka pasur, ka dhe do të ketë, mjerisht, edhe në radhët e burrave shtetërorë dhe provincialistët e nivelit shtetëror janë politikanxhinj e jo politikanë.
Dhe, është e sigurtë se forma më e rrezikshme e provincializmit është provincializmi politik për shkakun e thjeshtë se më tepër se asnjë formë tjetër e aktivitetit njerëzor politika i përcakton dhe, së paku, për një kohë i orienton marrëdhënjet mes njerëzve.
Mund të pohohet se shovinizmi dhe nazizmi janë format më ekstreme të provincializmit, kurse Hitleri dhe Musolini më parë duhet të kenë qenë provincialistë të gjorë e pastaj janë bërë nazistë të verbër.
Që të vlerësohet më mirë dhe më objektivisht, provincializmi duhet të shikohet, pra, prej tri aspektesh: prej aspektit etik, prej aspektit ideologjik dhe prej aspektit kulturor.
I shikuar prej aspektit të parë, etik, provincializmi është një mëkatë, sepse është pengesë në rrugën e afrimit të njerëzve, të mirëkuptimit dhe të humanizimit të marrëdhënjeve ndërmjet tyre.
I shikuar prej aspektit të dytë, ideologjik, provincializmi është reaksionar, sepse provincialistët vetëvetiu janë të qëruar prej vetëdijes klasore dhe i fusin në një thes shtypësin dhe të shtypurin.
I shikuar prej aspektit të tretë, kulturor, provincializmi është dëshmi e prapambeturisë, injorancës, sepse provincialistët janë njerëz të varfër, të gjorë shpirtërisht dhe intelektualisht.
Intelektuali e, sidomos, krijuesi që nuk mund të ngritet mbi provincën ku ka lindur apo ku jeton dhe në zemrën e vet t’u bëjë vend emocional të gjithë njerëzve të gjakut dhe të gjuhës së tij, mund të jetë vetëm i dëmshëm për popullin që ka pasur fatkeqësinë ta sjellë në këtë botë të ndërlikuar.
Intelektuali e, sidomos, krijuesi që nuk mund të ngritet edhe më lart dhe me shikimin e vet t’i përfshijë brengat e gjithë njerëzve që në një mënyrë apo tjetër janë të shkelur dhe të privuar të drejtash, pavarësisht prej ngjyrës, racës dhe përkatësisë nacionale doemos është i mëngët moralisht dhe ideologjikisht.
Shkrimtarët evropianë e, posaçërisht, francezë e rusë janë marrë shpesh me dukurinë e provincializmit dhe janë kujdesur të na lënë trashëgim tipe të llojllojshme provincialistësh.
Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë, ndërkaq, janë treguar më shpesh vetë provincialistë në shkrimet e tyre se ç’janë marrë me provincializmin dhe krijimin e tipeve të provincialistëve.
Duket se është koha që prozatorët tanë, më në fund, t’ja heqin maskën provincializmit në jetën tonë dhe t’ja heqin për hir të ngritjes kulturore të njeriut tonë dhe të përparimit të përgjithshëm shoqëror.
Megjithëse nuk është i vogël numri i intelektualëve, qoftë edhe akademikë, që nuk e çmojnë drejt krijimtarinë letrare, nuk i përfillin shkrimtarët dhe s’i lexojnë kurrë shkrimet e tyre, besoj ngulmërisht se shkrimtarët akoma janë prisit e vërtetë shpirtërorë të popullit të vet që, përpos tjerash, duhet t’i flasin atij edhe për kurrizorin e quajtur provincialist.
Ju uroj, prandaj, kolegëve të mi frymëzime në gurrën e pashterrshme të injorancës dhe të provincializmit tonë.
1972
Marrë nga libri PANTEONI I RRALLUAR, Rexhep Qosja















