Ballina Kronika Vrasja e Rexhep Ismailit në Sarandë, zbardhet dinamika e plotë e atentatit...

Vrasja e Rexhep Ismailit në Sarandë, zbardhet dinamika e plotë e atentatit në Qafë Gjashtë: Konflikti për pronën, shkëmbimi i zjarrit dhe arratisja me dy “Audi”

Mbrëmja e 7 majit u përgjak në Qafë Gjashtë të Sarandë, ku mbeti i vrarë biznesmeni 66-vjeçar Rexhep Ismaili, pronar i lokalit “Vëllezërit Ismaili”, një karburanti në zonë dhe bashkëpronar i plazhit “Pema e Thatë” në Ksamil. Viktima ishte gjithashtu drejtues i Shoqatës “Çamëria”, dega Sarandë.

Sipas të dhënave të deritanishme hetimore dhe dëshmive të mbledhura nga policia, ngjarja nisi rreth orës 21:28, kur një grup prej 5 deri në 10 personash mbërriti në lokalin e Ismailit me dy automjete tip Audi Q8 dhe automjete të tjera tip Audi. Dyshohet se personat kishin konflikt të mëparshëm me një banor të fshatit Gjashtë për çështje pronësie dhe kishin shkuar në lokal për t’u “sqaruar” me të.

Në momentin e mbërritjes së grupit, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në verandën e lokalit, ulur në tavolinë bashkë me Rexhep Ismailin dhe disa persona të tjerë. Fillimisht pati debat verbal mes palëve, por situata degradoi shumë shpejt në përplasje fizike me sende të forta.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Rexhep Ismaili tentoi të ndërhynte për të shuar konfliktin dhe për të larguar personat nga ambientet e biznesit të tij. Në disa nga versionet e hetimit dyshohet se 66-vjeçari ka tentuar të mbrojë personin që po sulmohej nga grupi i të rinjve.

Sipas dinamikës paraprake, pas përplasjes fizike Ismaili është futur në pjesën e brendshme të lokalit dhe ka dalë me një armë automatike tip kallashnikov ose AK-47, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit me të cilin ishte konfliktuar.

Kundërpërgjigjja nga pala tjetër ka qenë e menjëhershme. Sipas hetimeve, autori i dyshuar i vrasjes është Lulzim Tabaku, i cili dyshohet se ka qëlluar me pistoletë drejt 66-vjeçarit. Një plumb e goditi Rexhep Ismailin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.

Policia dyshon se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe një person tjetër që shoqëronte Lulzim Tabakun, por deri tani askush me plagë arme nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Për këtë arsye, uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private për identifikimin e të plagosurit.

Pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi nga zona. Hetimet tregojnë se grupi kishte ardhur me dy automjete Audi, por u largua vetëm me njërin prej tyre, ndërsa makina tjetër mbeti e braktisur përballë biznesit të viktimës. Automjeti është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Uniformat blu kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së lokalit, ku janë fiksuar momentet e konfliktit dhe lëvizjet e personave të përfshirë. Nga pamjet filmike është identifikuar edhe personi që dyshohet se mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Pas ngjarjes, policia ngriti pika kontrolli në Qafë Gjashtë dhe në të gjitha hyrje-daljet e Sarandë për lokalizimin e Lulzim Tabakut dhe personave të tjerë që ndodheshin me të. Deri tani janë shoqëruar të paktën pesë persona që po merren në pyetje lidhur me konfliktin dhe rrethanat e atentatit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e motiveve që çuan në përplasjen fatale me armë në lokalin e biznesmenit Rexhep Ismaili.