Shkencëtarët Karl Deisseroth, Peter Hegemann dhe Georg Nagel kanë fituar Çmimin Nobel në Mjekësi për vitin 2026 për «zbulimet e tyre lidhur me kanalet jonike të ndjeshme ndaj dritës dhe optogjenetikën», njoftoi të hënën, më 5 tetor, institucioni që jep çmimet.
Karl Deisseroth, amerikan 54-vjeçar, Peter Hegemann, gjerman 71-vjeçar, dhe Georg Nagel, gjerman 73-vjeçar, u përzgjodhën nga Asambleja Nobel e Institutit Karolinska të Suedisë. Ata marrin një çmim prej 12 milionë koronash suedeze (1,2 milionë dollarë), shumë që ndahet mes laureatëve kur ka më shumë se një fitues.
«Optogjenetika mundëson aktivizimin ose çaktivizimin e veprimtarisë së qelizave nervore individuale në një tru të gjallë», deklaroi Thomas Perlmann, sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Nobel në Institutin Karolinska.
Në kuadër të provave klinike, këta studiues arrijnë t’ua rikthejnë shikimin personave që janë verbuar nga një sëmundje e quajtur retinit pigmentoz, duke futur në retinë një proteinë të ndjeshme ndaj dritës. Studiuesit shpresojnë gjithashtu se optogjenetika do të mund të përmirësojë implantet kokleare, duke mundësuar stimulim më të saktë të nervit dëgjimor sesa pajisjet elektrike të tanishme.
Çmimi Nobel në Mjekësi tradicionalisht çel serinë e çmimeve Nobel që jepen çdo vit. Çmimet në Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi shpallen në ditët pasuese.
BREAKING NEWS
The 2026 #NobelPrize in Physiology or Medicine has been awarded to Karl Deisseroth, Peter Hegemann and Georg Nagel “for their discoveries concerning light-gated ion channels and optogenetics.” https://t.co/pkDDEBWtkz— The Nobel Prize (@NobelPrize) October 5, 2026
Çmimi në Mjekësi ka nderuar disa prej zbulimeve shkencore më me ndikim të shekullit të kaluar, përfshirë punën e Alexander Flemingut mbi penicilinën, të vlerësuar në vitin 1945, dhe atë të Karl Landsteinerit, i cili e fitoi çmimin në vitin 1930 për zbulimin e grupeve të gjakut te njerëzit. Vitin e kaluar, shkencëtarët amerikanë Mary Brunkow dhe Fred Ramsdell, si dhe japonezi Shimon Sakaguchi, e fituan çmimin për punën e tyre që mundësoi të kuptohej më mirë se si sistemi imunitar i kursen qelizat e shëndetshme, duke hapur kështu rrugën për trajtime të reja të mundshme kundër sëmundjeve si kanceri./L’Express









![Polakët kanë frikë nga inteligjenca artificiale. Sondazhi tregon përmasat [SONDAZH]](https://tetovanews.info/wp-content/uploads/2026/10/bfhk9kpTURBXy84NGQ2OTZiMGU2N2Q5OTQxZTI1YWMxZjI2ZmQxZmQ2MS5qcGeSlQMAAM0HgM0EOJMFzQVkzQKy3gACoTAGoTEB-300x160.avif)





