Ballina Aktualitet Analizë: Abdixhiku dhe Osmani hapin fushatën e LDK-së me mesazh bashkimi, rikthimi...

Analizë: Abdixhiku dhe Osmani hapin fushatën e LDK-së me mesazh bashkimi, rikthimi dhe shtetndërtimi

Tubimi i hapjes së fushatës tëi Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit u konceptua si më shumë se një hapje e zakonshme fushate. Ai u paraqit si moment politik i rikthimit, i bashkimit dhe i ripërkufizimit të LDK-së si forcë shtetformuese, institucionale dhe pro-perëndimore. Në qendër të këtij tubimi qëndruan dy fjalime: ai i Lumir Abdixhikut, si kandidat për kryeministër, dhe ai i Vjosa Osmanit, si bartëse e listës dhe figurë qendrore e ofertës politike të LDK-së.

Fjalimi i Abdixhikut ishte ndërtuar mbi tri shtylla: rikthimin e LDK-së si forcë e madhe popullore, kritikën ndaj gjendjes së Kosovës dhe paraqitjen e një vizioni zhvillimor. Ai e nisi me madhështinë e tubimit, duke e përdorur sallën e mbushur si dëshmi të mobilizimit dhe ringritjes së LDK-së. Mesazhi “LDK njëherë, LDK gjithnjë” synonte të prekte elektoratin tradicional, por edhe të prodhonte ndjesinë e vazhdimësisë historike të kësaj partie.

Në aspektin retorik, Abdixhiku e vendosi LDK-në në pozitën e forcës që “ka qëndruar drejt” në çdo kohë dhe që ka mbajtur gjallë idealin e “Kosovës së lirë, demokratike dhe republikë”. Kjo ishte përpjekje për ta lidhur fushatën aktuale me kujtesën politike të viteve ’90, me trashëgiminë rugoviste dhe me rolin historik të LDK-së në shtetformimin e Kosovës.

Pjesa më e fortë politike e fjalimit të Abdixhikut ishte kundërvënia mes dy modeleve: modelit të krizës, përçarjes dhe propagandës, dhe modelit të zhvillimit, sigurisë e dinjitetit. Ai e përshkroi Kosovën si vend me potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, por të lodhur nga politika e vogël, nga krizat dhe nga mungesa e shpresës. Në këtë mënyrë, Abdixhiku synoi ta zhvendosë debatin nga konflikti partiak te pyetja themelore: a po jetojnë qytetarët më mirë dhe a ka Kosova drejtim të qartë?

Fjalimi i tij pati edhe karakter programor. Ai foli për mbështetje për familjen, për shtesa për fëmijët, për rritje pensionesh, për vende të reja pune, për paga më të larta, për investime kapitale, për energji, shëndetësi, çerdhe dhe mësim tërëditor. Kjo pjesë synonte ta paraqiste LDK-në jo vetëm si parti të kujtesës historike, por si alternativë qeverisëse me program konkret.

Në mbyllje, Abdixhiku e ngriti garën elektorale në nivel misioni historik. Ai tha se qëllimi është që Kosova të bëhet jo vetëm shtet i pavarur, por shtet i fortë; jo vetëm shtet i njohur, por shtet i respektuar; jo vetëm vend ku mbijetohet, por vend ku jetohet me dinjitet. Kjo formulë retorike ishte kulmi emocional i fjalimit, sepse e ktheu votën nga akt partiak në akt përgjegjësie kombëtare.

Nga ana tjetër, fjalimi i Vjosa Osmanit ishte më ideologjik, më simbolik dhe më i fokusuar te rikthimi i rugovizmit si model politik. Ajo e ndërtoi fjalimin mbi idenë se Kosova duhet të udhëhiqet pa urrejtje, pa përçarje dhe pa frikë, duke e paraqitur LDK-në si shtëpinë politike ku mund të ribashkohet elektorati institucional, pro-perëndimor dhe shtetformues.

Osmani e përdori fuqishëm figurën e Ibrahim Rugovës. Ajo e paraqiti rugovizmin jo si kujtim të së kaluarës, por si ide politike moderne për të ardhmen. Sipas saj, shteti nuk mbahet me zhurmë e kaos, por me dije, aleatë, institucione dhe dinjitet. Kjo ishte një ndër pjesët më domethënëse të fjalimit, sepse krijoi kontrast të qartë mes politikës së qetësisë institucionale dhe politikës së polarizimit.

Në fjalimin e Osmanit, LDK u paraqit si vendi ku Kosova kthehet sa herë ka nevojë për urtësi, orientim, dinjitet shtetëror dhe bashkim. Kjo është retorikë e fortë rikthimi: ideja se pas një periudhe trazirash, vendi duhet të kthehet te burimi i tij politik, te LDK-ja dhe te vizioni rugovist.

Ndryshe nga Abdixhiku, i cili u përqendrua më shumë te programi dhe qeverisja, Osmani u fokusua te morali politik, shtetësia dhe identiteti institucional. Ajo e vendosi garën si zgjedhje mes kaosit dhe maturisë, mes konfliktit dhe ndërtimit, mes politikës që përçan dhe asaj që bashkon.

Fjalimet e Abdixhikut dhe Osmanit ishin të koordinuara në mesazh. Të dy përdorën të njëjtën bosht politik: bashkim, dinjitet, shtet, aleatë, rugovizëm, zhvillim dhe shpresë. Abdixhiku foli si kandidati që kërkon të marrë përgjegjësinë ekzekutive për qeverisjen, ndërsa Osmani foli si figura që i jep legjitimitet politik, moral dhe simbolik projektit të LDK-së.

Një element i rëndësishëm ishte edhe pozicionimi pro-perëndimor. Abdixhiku theksoi orientimin euroatlantik, miqësinë me SHBA-në dhe synimin për NATO e Bashkim Evropian. Osmani, po ashtu, e lidhi vizionin rugovist me aleancën e pathyeshme me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike. Kjo e vendos LDK-në në fushatë si parti të stabilitetit ndërkombëtar dhe të partneritetit strategjik.

Në aspektin elektoral, tubimi synoi disa audienca njëkohësisht: votuesin tradicional të LDK-së, të zhgënjyerit që mund të jenë larguar nga partia, votuesit e qendrës, mërgatën, të rinjtë dhe qytetarët e lodhur nga polarizimi. Mesazhi “Bashkohu” ishte i ndërtuar pikërisht për këtë: të mos tingëllojë vetëm si thirrje partiake, por si ftesë për një rigrupim më të gjerë shoqëror dhe politik.

Në përfundim, tubimi hapës i LDK-së ishte një përpjekje për të ndërtuar narrativën e një rikthimi të madh. Abdixhiku u paraqit si kandidati i zhvillimit, qeverisjes dhe transformimit ekonomik; Osmani si figura e besimit, dinjitetit dhe vazhdimësisë rugoviste. Bashkë, ata synuan të krijojnë përshtypjen se LDK nuk po kërkon vetëm votë për pushtet, por mandat për ta rikthyer Kosovën në një kurs më institucional, më të bashkuar dhe më pro-perëndimor.

Ky tubim, në thelb, ishte fushatë e shpresës kundër frikës, e bashkimit kundër përçarjes dhe e shtetit funksional kundër krizës së përhershme. Mesazhi final ishte i qartë: LDK kërkon ta paraqesë 7 qershorin jo si një datë të zakonshme zgjedhore, por si moment kthimi për Kosovën.

TUBIMI I LDK-SË: “BASHKOHU PËR KOSOVËN” – FJALIMET E LUMIR ABDIXHIKUT DHE VJOSA OSMANIT

Prishtinë, Salla “1 Tetori” – Në një atmosferë madhështore dhe me një numër të madh mbështetësish nga e gjithë Kosova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin qendror para zgjedhjeve. Në skenë u prezantuan kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, dhe presidente e vendit, **Vjosa Osmani Sadriu**, e cila në këto zgjedhje është bartëse e listës së LDK-së.


FJALIMI I LUMIR ABDIXHIKUT
(Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat për kryeministër)

Mirëmbrëma. Mirëmbrëma Prishtinë, mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma njerëz të Republikës sonë.

Sa madhështore kjo pamje sonte. Sa e bukur duket Salla “1 Tetori” sonte. Sa e madhe është kjo frymë. Kjo frymë që po ndizet gjithandej Kosovës sonë. Sa e madhe është Lidhja Demokratike e Kosovës.

E madhe sepse ka zemër të madhe popullore. E madhe sepse çdo kohë, kur ka qenë lehtë e kur ka qenë vështirë, kjo shtëpi politike ka qëndruar drejt dhe ka ditur të mbajë gjallë një ideal të shenjtë: Kosovën e lirë, Kosovën demokratike, Kosovën Republikë.

E madhe është LDK sepse e ka mbështetjen e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, të familjeve, të punëtorëve, të rinjve, të grave e burrave që Kosovën e duan gjithmonë me zemër. E madhe sepse ka njerëz si ju këtu; i ka përherë në bindje, në mendje, në sjellje, i ka në krah nga dhjetori i vitit 1989 deri më sot.

Kohrat ndërrojnë, akterët vijnë e shkojnë. Një gjë nuk ndryshon asnjëherë: LDK njëherë, LDK gjithnjë.

Dhe sonte, nga kjo sallë e mbushur plot si asnjëherë më parë, me gjithë këtë mbështetje, me gjithë këtë madhështi, le t’ia tregojmë gjithë Kosovës se lidhja jonë është ngritur në këmbë, është bashkuar fort, është gati për secilën sfidë që na vjen përpara. Na shikoni mirë: s’ka gjë që na rrëzon, s’ka gjë që na trazon, s’ka gjë që na thyen. Sot jemi bashkë.

Jemi mbledhur në LDK nga të gjitha anët e Kosovës: nga Peja – lulja e Dukagjinit, nga Istogu – burimi i djathtizmit, nga Deçani, Juniku, Klina.

Jemi mbledhur nga Anamorava – nga Gjilani, Vitia, Artana, Kamenica.

Jemi mbledhur nga Mitrovica, Vushtrria, Obiliqi e Drenica.

Nga Gjakova, Prizreni, Suhareka e Dragashi.

Nga Ferizaj, Shtimja, Malisheva, Rahoveci, nga Lipjani, Fushë Kosova, Llapi i Madh, Prishtina e krejt Kosova.

Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës. Sonte krejt Kosova është LDK.

Jemi mbledhur sonte këtu jo vetëm si pjesëtarë të një lidhjeje të fortë, por si një shtëpi e bashkuar e njerëzve që nderojnë Republikën tonë, për të ardhmen tonë, të ardhmen e një vendi që duhet të qëndrojë krenar, i fortë, prijatar.

Dhe sonte, mu sonte, shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Republikën tonë. Sonte, mu sonte, shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë. Sonte, mu sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës.

Dhe në këtë kryengritje të djathtë, le t’i kujtojmë vetes se kush jemi ne.

Jemi pasardhësit e qëndresës. Jemi pasardhësit e rezistencës. Jemi pasardhësit politik të shqiptarit më të madh të kohërave – jemi pasardhësit politik të doktor Ibrahim Rugovës.

Dhe para vetes kemi një kushtrim, kemi një detyrë, një obligim: të ndryshojmë shumë, të luftojmë fort, të fitojmë me dinjitet për Republikën tonë.

Zonja e zotërinj, sonte jam para jush jo vetëm si kryetar i katërt i Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo vetëm si kandidat për kryeministër i lëvizjes më të madhe kombëtare.

Sonte jam para jush si një djalë i kësaj toke, si një prind me ëndrra të mëdha për fëmijët e tij dhe fëmijët e Kosovës.

Mbi të gjitha, sonte jam para jush si qytetar që refuzon ta pranojë zymtësinë e vendit tim si normalitet të kohës, ta pranojë ndarjen si vlerë e përçarjen si mjet politik.

Nuk jemi rritur kështu.

Nuk i rrisim as fëmijët tanë kështu. Dhe nuk duam as të fitojmë kështu. Duam të jemi të vërtetë.

Dhe e vërteta që na dhemb është se Kosova e sotme është një vend kontrastesh të mëdha, një republikë e bekuar me njerëz të jashtëzakonshëm, por e lodhur nga politika e vogël e një mendjeje të vogël që dëshiron të kapë gjithçka në këtë vend.

Jemi në një vend me rini shumë të mençur, të aftë dhe plot dije e energji, por të papunë, të pashpresë, të humbur e në kërkim të atdheut të dytë.

Jemi një tokë që dha gjithçka për këtë liri, por që sot po kërkon me ankth një arsye të re për të besuar sërish.

Sot kemi një Kosovë ku familjet punojnë më shumë se kurrë, por jetojnë me më shumë pasiguri se kurrë. Ku prindërit sakrifikojnë çdo ditë, por në mbrëmje ende pyesin veten nëse do t’ia dalin muajin tjetër.

Ku pensionisti numëron centët e tij për barnat.

Ku i riu diplomon me ëndrra, por përballet me pyetjen më të padrejtë që mund t’i bëhet një brezi:

“A duhet të rrish këtu apo do të ikësh nga këtu?”

Dhe kjo është plagë. Është plagë kombëtare.

Sepse një vend nuk humbet vetëm kur është i varfër. Një vend humbet kur vdes besimi. Kur njerëzit fillojnë të mendojnë se asgjë nuk ndryshon më.

Kur shpresa zëvendësohet me cinizëm.

Kur propaganda bëhet më e fortë se puna.

Kur zhurma bëhet më e madhe se rezultati.

Kur përçarja shitet si patriotizëm e kriza si mjet ekzistence.

Një vend humbet kur mësohet me pak.

Ne nuk duam të mësohemi me pak.

Një vend humbet kur një populli krenar i kërkohet t’i ulë pritjet.

Kur qytetarëve u kërkohet të kënaqen me ndihma të përkohshme 100-eurëshe në vend të mundësive të përhershme.

Kur ambicia për zhvillim zëvendësohet me menaxhim të varfërisë.

Kur rinia jonë largohet e na thuhet se kjo është zgjidhje personale.

Kur familjet shtrëngohen çdo muaj e na thuhet se ekonomia po lulëzon.

Bizneset luftojnë për të mbijetuar.

Na thuhet se kurrë më mirë s’kemi qenë.

Kjo është Kosova e propagandës. Jo Kosova e qytetarëve të Kosovës. Kjo është Kosova e tyre. Jo Kosova e vërtetë.

Kosovën e vërtetë e gjejmë mes njerëzve të Kosovës, mes popullit tonë.

E kam parë në sytë e një vajze të vogël që më thotë se dëshiron të bëhet shkencëtare këtu në vendin e saj, jo larg, jo diku tjetër, por këtu në Kosovë – në vendin më të bukur në botë.

E kam parë te djali i ri që stërvitej çdo ditë në borë e në shi, me një ëndërr të madhe para vetes: që një ditë, në hapat e Donit e Vedatit, ta përfaqësojë Kosovën tonë në arenat më të mëdha të botës me flamurin e Republikës në gjoks.

Me atë flamur që për të nuk është objekt, por identiteti i tij, sakrifica e prindërve të tij, nderi për të ardhmen e tij.

E kam parë te ndërmarrësit që nuk dorëzohen edhe kur pengohen secilën ditë.

Te fermerët që zgjohen para agimit pa e humbur besimin se toka e Kosovës ende mund dhe duhet të japë më shumë.

Te mësuesi që vazhdon të edukojë me përkushtim edhe kur nuk e gjen vlerësimin që meriton.

Te mjeku që qëndron deri vonë në spital sepse ai e di se dikush ka nevojë për të.

E kam parë edhe te mërgimtarët tanë që, pas gjithë atyre viteve larg, ende e quajnë Kosovën shtëpi e veten me qëndrim të përkohshëm në Evropë.

Te nëna që e pret kthimin e fëmijës së saj me mall që nuk shuhet kurrë.

Te babai që punon gjithë jetën me vetëm një ëndërr: që fëmijët e tij ta kenë më mirë se ai.

Dhe mbi të gjitha, e kam parë te secili qytetar i zakonshëm i këtij vendi që, pavarësisht gënjimeve, ende zgjohet çdo mëngjes me dinjitet, me punë, me besim.

Sepse ky popull nuk mund të lodhet.

Mund të zhgënjehet, por nuk pushon kurrë së ëndërruari për një Kosovë më të mirë.

Kosova e ka popullin më të mirë në botë.

Le t’i japim udhëheqjen që e meriton.

Jo mashtrues.

Jo përçarës.

Jo autokratë të vegjël që pushtetin e shohin si pronë e qytetarin si turmë.

Prandaj sonte, të dashur qytetarë, nuk qëndroj para jush për të numëruar vështirësitë.

I dini ato. I jetoni ato çdo ditë.

Dhe nuk qëndroj para jush as për t’ju ftuar në dorëzim e ankesa.

Sepse ky popull nuk është popull i dorëzimit.

Ky popull ka ditur të qëndrojë edhe atëherë kur gjithçka dukej e pamundur.

Populli që ka ngritur shtetin e vet me besim, sakrificë e këmbëngulje.

Jeni krenarë për këtë.

Askush sikur ju. Asnjëherë më sikur ju.

Punën e madhe tuaj si popull, arritjen tuaj si gjeneratë, po ua ofendojnë çdo ditë politikanë komedianë.

Kosovën e lirë e të pavarur, të rindërtuar e rikrijuar me polici e me ushtri të djemve e vajzave tona plot trimëri, po e trajtojnë si një bodrum me ujë.

Problemi nuk është bodrumi.

Problemi është syri i atij që nuk arrin ta ngrejë shikimin lart.

Sepse po të shikonte lart, do ta kuptonte një të vërtetë të thjeshtë:

Shqiponjat nuk jetojnë në bodrume.

Shqiponjat jetojnë lart në lartësi.

Shikojnë larg.

Fluturojnë mbi stuhi.

Dhe ky popull, populli i Kosovës, kurrë nuk ka qenë popull i bodrumeve.

Ky popull ka qenë popull i shqiponjave, me plot krenari.

Dhe pikërisht për këtë arsye sonte vijmë para jush me një plan për të nesërmen.

Një plan që e nxjerr Kosovën nga fundi i trishtë në një vend me dinjitet, siguri, zhvillim e integrim euroatlantik.

Sepse shteti nuk matet me fjalë të thata.

Matet me sigurinë që i jep familjes së tij.

Matet me mundësinë që ua krijon të rinjve të tij.

Matet me dinjitetin që ua garanton njerëzve të tij.

Dhe ne kemi vendosur të nisim pikërisht aty ku dhemb më së shumti – te familja kosovare.

Sepse nuk ka republikë të fortë me familje të pasigurta.

Nuk ka ekonomi të zhvilluar kur prindi zgjohet çdo mëngjes me ankthin e muajit tjetër apo pret lëmoshë nga një politikan para zgjedhjeve.

Nuk ka shpresë për të ardhmen kur nëna e re ndihet se është vetëm, kur pensionisti ndihet barrë, kur fëmija rritet pa mbështetjen që i takon.

Prandaj ne do ta bëjmë shtetin krah të familjes.

Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur për plot një vit.

Ky është zotimi ynë i parë në këtë fushatë.

Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16-vjeçare, me mbështetje të drejtpërdrejtë për prindërit kujdestarë.

Dhe me dyfishim të pensioneve, pa asnjë pension në Kosovë nën 300 euro, sepse një republikë serioze nuk e lë askënd prapa.

Shtesat, përfitimet, beneficionet nuk do të jenë më lëmoshë elektorale.

Jo.

Ato nuk do të ndalen.

Do të jepen, madje do të rriten dhe do të garantohen me ligj si siguri e përhershme, jo si blerje elektorale.

Por ne e kemi edhe një të vërtetë tjetër:

Nuk ka dinjitet pa punë.

Nuk ka siguri pa ekonomi të fortë.

Nuk ka mbijetesë pa investim.

Prandaj ne nuk vijmë me ekonomi propagande e ekonomi sociale.

Vijmë me ekonomi pune.

Me ekonomi prodhimi.

Me ekonomi që krijon vende pune e jo vetëm numra.

Do ta bëjmë Republikën tonë vend të investimeve të mëdha.

Do të sjellim investitorë strategjikë në teknologji e industri që do të krijojnë mbi 40.000 vende të reja pune brenda një mandati katërvjeçar.

Dhe për secilin të ri që diplomohet, shteti nuk do të jetë spektator.

Shteti do të bëhet partner.

Me punësim të garantuar për së paku gjashtë muaj, me 500 euro mbështetje, do të sigurojmë punësim për secilin të sapodiplomuar në Kosovë.

Sepse nuk mund të kërkosh besim nga rinia nëse nuk i jep asnjë arsye për të besuar kësaj rinie.

Do ta ngrisim edhe dinjitetin e punës.

Mësuesi i Kosovës do të ketë pagë 1.000 euro në qeverisjen tonë.

Polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë paga bazë prej 900 euro në muaj.

Koeficienti 150 për 80.000 punëtorë publikë mbetet premtimi ynë.

Por, zonja e zotërinj, një Kosovë e re nuk ndërtohet me ambicie të vogla.

Prandaj ne vijmë me programin më ambicioz zhvillimor që ka parë ndonjëherë Republika e Kosovës.

5 miliardë euro investime kapitale në vetëm katër vjet.

Në rrugë.

Në hekurudha.

Në ujë e kanalizim.

Në infrastrukturë moderne që lidh çdo anë të Republikës.

Anamoravës i zotohemi përfundimin e menjëhershëm të autostradës në Gjilan.

Autostradën “Ibrahim Rugova” deri në Merdar.

Dukagjinit – autostradën e Dukagjinit, të mohuar ndër dekada.

Mitrovicës e Gjakovës – magjistrale të shpejta, të lëna tashmë pa asnjë dorë pune.

Do të investojmë po ashtu në centralin e ri me gaz amerikan, që të mos i djegim më miliarda euro duke importuar energji.

Që Kosova të mos jetojë më me krizë artificiale energjetike, por me siguri energjetike.

Dhe këtu më lejoni të zotohem edhe njëherë:

Çmimet e rrymës nuk do të rriten në mandatin tonë as edhe një cent.

Moratorium i plotë.

Do ta ndërtojmë spitalin e ri të Kosovës.

Sepse qytetarët tanë nuk duhet të presin me muaj për trajtim e as të detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Do të investojmë mbi 1 miliard euro në çerdhe dhe në mësim tërëditor, sepse shteti i fortë fillon nga fëmija, fillon te dija, fillon te shkolla.

Në çdo komunë të Kosovës do ta bëjmë mësimin tërëditor prioritet nacional.

Ky është vizioni ynë.

Jo shtet që e menaxhon varfërinë, por shtet që krijon mirëqenie.

Jo shtet që udhëhiqet me krizë, por shtet që ndërton siguri.

Jo shtet që ia ul pritjet qytetarit, por shtet që krijon mirëqenie e pasuri.

Jo shtet që i harxhon 20 miliardë euro e nuk lë as edhe një shenjë.

Shtet që investon, investon dhe investon secilën ditë në vendin e vet.

Sepse ne nuk kemi ardhur për ta administruar Kosovën.

Ne po kërkojmë votën tuaj për ta zhvilluar Kosovën.

Për ta bërë këtë ëndërr të mundshme, rreth vetes kam një ekip të shkëlqyeshëm.

Një ekip me integritet personal.

Burra e gra që kanë ngritur standardin e punës në nivele që ju bëjnë vërtet krenarë.

Ata kanë jo vetëm përvojën e jashtëzakonshme të tyre, por mbajnë para së gjithash me vete idealin e madh të bërjes së ëndrrës realitet.

Prandaj më lejoni t’ju ftoj për një duartrokitje të madhe për të gjithë 109 kandidatët tjerë në këto zgjedhje që me vete bartin pishtarin e madh të ëndrrës kosovare.

Zonja e zotërinj, para se ta mbyll sonte, më lejoni të flas për diçka shumë më të madhe sesa një garë politike.

Më e madhe se një cikël.

Më e madhe se një mandat.

Të flas për bashkimin e së djathtës brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kosova dhe LDK kanë kaluar shumë kohë në ndarje.

Shumë kohë në zhurmë.

Shumë kohë në beteja të vogla.

Ndërkohë që përpara nesh kanë qëndruar sfida të mëdha.

E një vend i vogël si yni nuk e ka luksin më të humbë energjinë duke u grindur me vetveten.

Një Republikë si Kosova ka nevojë për qetësi politike.

Për siguri shtetërore.

Për një drejtim të qartë.

Për njerëz që, edhe kur mendojnë ndryshe, dinë të bashkohen për interesin e vendit.

Dhe pikërisht këtë po e bëjmë.

Dhe sonte.

Do ta bëjmë edhe nesër.

Dhe shumë gjatë në kohë.

Sot, në një kohë të re, ne po e bartim po të njëjtin mision politik si gjithherë:

Ta bashkojmë Kosovën rreth një ideje më të madhe sesa vetja.

Rreth një Republike që nuk ndahet në “tanët” e “të tyre”.

Rreth një shteti që u përket të gjithëve.

Rreth një të ardhmeje që ndërtohet bashkarisht.

Me krenari e me bindje të plotë dua të flas edhe për një grua të fortë, të drejtë e me plot vullnet.

Dua të flas për kandidaten tonë për presidente, presidenten e gjashtë, Vjosa Osmani Sadriu.

E kam parë nga afër përkushtimin e saj ndaj Republikës.

E kam parë këmbënguljen e saj për ta mbrojtur Kosovën.

E kam parë vendosmërinë e saj për ta mbajtur Kosovën gjithmonë në anën e duhur të historisë, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E ka bërë këtë jo me ndonjë interes, por me bindje.

Sepse vizioni i saj është dhe vizioni ynë është vizion rugovist i Republikës së Kosovës.

Prandaj e them me plot mburrje, me plot krenari, me plot zemër e mendje:

Vjosa Osmani si presidente e Kosovës është zgjidhja e vetme për Republikën tonë.

Dhe për fund, o burra e gra, vajza e djem, njerëz të mirë të kësaj Republike:

Ky rrugëtim nuk është vetëm politik.

Është mision historik.

Mision për ta përmbyllur atë që brezat para nesh e nisën me sakrificë.

Mision për ta bërë Kosovën jo vetëm shtet të pavarur, por shtet të fortë.

Jo vetëm shtet të njohur, por shtet të respektuar.

Jo vetëm vend ku mbijetohet, por vend ku jetohet me dinjitet.

Ju ftoj për diçka të madhe.

Shumë më të madhe sesa një votë.

Ju ftoj për një zotim.

Zotim se do ta konfirmojmë orientimin tonë perëndimor e euroatlantik.

Se do ta mbrojmë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Se do ta çojmë Kosovën në NATO e në Bashkimin Evropian.

Dhe se bashkë do ta bëjmë këtë Republikë jo vetëm vendin që e duam, por vendin që e meritojnë fëmijët tanë.

Unë jam Lumir Abdixhiku.

LDK është shtëpia ime.

Republika e Kosovës është ëndrra që kam.

Një ëndërr për një Kosovë më të bashkuar.

Më të drejtë.

Më të zhvilluar.

Më të pasur.

Më krenare.

Një Kosovë që ecën me aleatët e saj.

Që beson në vetvete.

Dhe që nuk e ul kurrë kokën para askujt.

Prandaj sonte, le të bashkohemi.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Ju faleminderit shumë.

FJALIMI I VJOSA OSMANIT SADRIU
(Presidente e Republikës së Kosovës dhe bartëse e listës së LDK-së)

Faleminderit shumë. Faleminderit shumë. Faleminderit nga zemra.

Më të dashur qytetarë të vendit tim, të dashur përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtu në këtë sallë, anë e mbanë Kosovës e në mërgatën tonë.

Mërgatë e dashur që sytë dhe zemrën i keni gjithmonë me Kosovën.

Të rinj e të reja që votoni për herë të parë.

Gra e nëna që zgjoheni çdo ditë me frikën që fëmijët tuaj mund të marrin rrugën e mërgimit.

Rugovistë të përbetuar.

Familje nga e gjithë Kosova.

Popull i dashur i Republikës së Kosovës.

Po e rinisim këtë rrugë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë.

Me besim të pathyeshëm në Zot.

Me besim në shtet.

E me besim në familje.

Po e nisim duke e lidhur besën me njëri-tjetrin dhe duke u betuar para popullit e para Zotit se këtë shtet që e kemi amanet të Rugovës e të dëshmorëve, nuk do ta lëmë të shkatërrohet nga përçarjet.

Por do ta ndërtojmë edhe më shumë.

Do ta zhvillojmë edhe më shumë.

Do ta integrojmë edhe më shumë.

E do ta mbrojmë edhe më shumë.

Po e rinisim këtë rrugë.

Po e rinisim këtë rrugë të gjithë së bashku në këtë shtëpi të madhe – shtëpinë tonë të përbashkët.

Ku rëndon mbi supe trashëgimia më e çmuar politike, e cila ka trasuar rrugën e mbijetesës sonë kombëtare dhe të krijimit të shtetit më të ri të Evropës – Republikës së Kosovës.

Dhe e vazhdojmë këtë rrugë pikërisht aty ku kishte nisur:

Me tre postulatet e shenjta: liri, pavarësi, demokraci.

Dua qysh në fillim t’ju them faleminderit.

Faleminderit të gjithëve për përzemërsinë.

Për gjithë mbështetjen dhe dashurinë që na dhatë në këtë rrugëtim të bashkimit tonë.

Faleminderit që nga veprimtarët dhe aktivistët tanë në çdo fshat, në çdo qytet e në çdo lagje e deri te kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për përkrahjen e madhe që ma dhatë.

Me Lumirin, kandidatin tonë për kryeministër, dhe me secilin prej jush, jemi bashkë në misionin tonë për një Kosovë më të fortë e më të pathyeshme.

Kosovën që ecën përpara me rininë e saj.

Kosovën që askush nuk do të mund t’ia ndalë hapin.

Kosovën që na e lanë amanet ata që e bënë të mundur që ne të qëndrojmë sot këtu pa frikë – në një Republikë të lirë e demokratike.

Prandaj kushtrimin tuaj:

“Kthehu në shtëpi”

e kam kuptuar si imperativ politik e moral për rikthim te vizioni i Kosovës që nuk u ndërtua mbi përçarje.

Por mbi shtetformim.

Mbi dinjitet.

Dhe mbi aleancën e pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me botën demokratike.

Prandaj sot e themi para jush se jemi bërë bashkë në këtë shtëpi politike për të vazhduar një mision i cili nuk është përfunduar akoma.

Duke u bashkuar rreth trashëgimisë së presidentit historik Ibrahim Rugova.

E duke riafirmuar se Kosova nuk mund të jetë asnjëherë instrument i kalkulimeve të ngushta politike.

Sepse është projekt i sakrificës dhe i besimit.

Prandaj edhe e kam pranuar këtë përgjegjësi me vendosmëri dhe me vetëdijen e plotë se pikërisht ky është momenti për ta kthyer Kosovën në rrugën e saj të natyrshme.

Të fortë brenda.

E të respektuar jashtë.

Të bashkuar përbrenda.

E të palëkundur në miqësinë me aleatët tanë.

Sepse vetëm kështu Kosova e mban premtimin e saj historik.

Dhe vetëm kështu i mbetet besnike sakrificës së dëshmorëve e martirëve, të cilëve u jemi për jetë mirënjohës.

Motra e vëllezër,

Ka njerëz që thonë se rugovizmi është vetëm histori.

Ka njerëz që thonë se rugovizmi i takon vetëm të kaluarës.

Por unë ju them sonte:

Rugovizmi nuk është relikt i së kaluarës.

Rugovizmi është ideja më moderne që ka njohur populli shqiptar në historinë e ekzistencës së vet.

Prandaj rugovizmi i takon së ardhmes.

Sepse Rugova kuptoi shumë herët diçka që të tjerët ende nuk e kanë kuptuar:

Shteti nuk mbahet me zhurmë.

Me kaos.

Shteti mbahet me dije.

Me aleatë.

Me institucione.

Dhe me dinjitet.

Kur të tjerët mendonin vetëm për pushtet, Rugova mendonte për Kosovën në Evropë dhe për miqësinë e përhershme me Amerikën.

Kur të tjerët mbillnin frikë, Rugova mbillte shpresë.

Kur të tjerët shanin e përqanin, ai ndërtonte miqësi me botën demokratike.

Kur të tjerët e përqeshnin e kërcënonin, ai i ofronte, i bashkonte dhe i bënte pjesë të institucioneve.

Dhe sot, në një kohë përçarjesh dhe arrogance politike, a nuk duket rugovizmi më aktual se kurrë?

Unë them: po. Po e madhe!

Sepse rugovizmi është politikë me moral.

Rugovizmi është shtet me dinjitet.

Rugovizmi është Kosovë perëndimore, demokratike dhe krenare.

Rugova asnjëherë nuk ndërtoi kult force.

Ai ndërtoi kulturë shteti.

Në kohën e propagandës, manipulimeve e polarizimit, është pikërisht rugovizmi që mbetet ideja më e avancuar politike shqiptare që e mbron interesin tonë kombëtar.

Prandaj le të vijnë e t’ju dëgjojnë juve.

Le ta shohin se rugovizmi jeton fuqishëm.

Sepse ndërton shtet të fortë pa e humbur njerëzoren.

Dhe demokraci të fortë pa e humbur tolerancën.

Sepse Rugova nuk na la thjesht një shtet për ta mbrojtur.

Por na la edhe një mënyrë për ta udhëhequr atë.

Sepse sa herë Kosova ka nevojë për urtësi – kthehet te Rugova.

Sa herë Kosova ka nevojë për orientim – kthehet te Rugova.

Sa herë Kosova ka nevojë për dinjitet shtetëror – kthehet te Rugova.

Dhe sa herë Kosova ka nevojë për bashkim –

kthehet te Lidhja Demokratike e Kosovës.

Prandaj ngrihuni me krenarinë më të madhe në jetë.

Ngrihuni me krenari.

Bashkohuni për Kosovën që nuk përkulet dhe nuk nënshtrohet kurrë.

Kjo është e ardhmja.

E tani më lejoni t’ju tregoj se çfarë do t’i takojë të kaluarës.

Të kaluarës do t’i takojë politika që nxit vetëm përçarje e urrejtje mes shqiptarëve.

Të kaluarës do t’i takojë politika që ndjell frikën e ndërton armiq imagjinarë.

Të kaluarës do t’i takojë politika që kërkon nënshtrim e jo mendim të lirë.

Politika që nuk ngopet kurrë nga kontrolli total mbi çdo gjë.

Politika që kundërshtarin e sheh si armik e qytetarin thjesht si vegël.

Prandaj ne do t’ia lëmë së kaluarës politikën që linçon e shan edhe ata që krejt familjen, deri edhe fëmijët në djep, ia dhanë lirisë së Kosovës.

Politikën që fyen nënat shqiptare.

Politikën që fyen gratë heroina.

Politikën që fyen aleatët tanë të lirisë.

Politikën që ndëshkon secilin që mendon ndryshe.

Kjo është e kaluara.

Ne zgjedhim të ardhmen.

Dhe e ardhmja është bashkimi.

E ardhmja është shteti.

E ardhmja është dinjiteti.

E ardhmja është Kosova krenare, demokratike, perëndimore dhe e fortë.

Prandaj sonte, bashkohuni.

Bashkohuni për Kosovën.

Bashkohuni për familjet tona.

Bashkohuni për Republikën tonë.

Sepse kemi vetëm një Kosovë.

Kemi vetëm një atdhe.

Le t’i dalim Zot!

Sot dua të flas me ju që e votuat LDK-në në çdo palë zgjedhje që nga vitet ’90 dhe që prisni udhëheqje shteti që e nderon këtë trashëgimi.

Por dua të flas edhe me ju që mund të jeni zhgënjyer gjatë rrugës dhe mund ta keni humbur besimin.

Dua të flas me ju që ndoshta nuk e keni votuar kurrë LDK-në.

Me ju që nuk besoni më në politikë.

Me ju që ndiheni të lodhur.

Të zhgënjyer.

Madje edhe të lënë anash.

Sonte kam një mesazh për secilin prej jush:

Kosova ka nevojë për ju.

Sepse shteti nuk ndërtohet vetëm nga një parti.

Shteti nuk mbahet vetëm nga një lider.

Shteti mbahet nga njerëzit që besojnë.

Nga njerëzit që punojnë.

Nga njerëzit që nuk dorëzohen.

Prandaj sonte rikthyem një besim:

Se Kosova mund të udhëhiqet pa urrejtje.

Pa përçarje.

Pa frikë.

Besimin se shteti ndërtohet me dije, me dinjitet dhe me aleatë.

Se politika duhet t’i bashkojë njerëzit, jo t’i ndajë ata.

Se e ardhmja nuk fitohet duke prodhuar kriza, por duke ndërtuar shpresë.

Prandaj sonte ju ftoj:

Bashkohuni me këtë besim.

Bashkohuni për Kosovën.

Bashkohuni për shtetin tonë.

Për familjet tona.

Për Republikën tonë.

Sepse kemi vetëm një Kosovë.

Kemi vetëm një atdhe.

Dhe bashkë mund ta bëjmë më të fortë.

Më të zhvilluar.

Më të drejtë.

Më krenare.

Një Kosovë që ecën përpara.

Një Kosovë që nuk përkulet.

Një Kosovë që nuk harron sakrificën e brezave.

Një Kosovë që nuk i humb aleatët.

Një Kosovë që nuk e humb shpresën.

Prandaj sonte, me zemër plot besim dhe me përgjegjësi të plotë para qytetarëve tanë, para dëshmorëve tanë dhe para brezave që do të vijnë:

Le të bashkohemi.

Për Kosovën tonë.

Për Republikën tonë.

Për të ardhmen tonë.

Ju faleminderit nga zemra.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës.