E joshur nga postimet në rrjetet sociale dhe kostoja e ulët që premtohej, ajo bëri zgjedhjen e gabuar.
Një grua nga Anglia, Leanne, udhëtoi në Turqi në maj të vitit 2024 për të vendosur implante dentare.
Ajo zgjodhi të operohej pa anestezi të përgjithshme për të kursyer para, duke duruar dhimbje torturuese për katër orë.
Një muaj pas vendosjes, implantet e përkohshme nisën t’i binin dhe trupi i saj po i refuzonte, duke i shkaktuar flluska dhe deformim në fytyrë.
Një vit më vonë, Leanne ende nuk i ka vendosur implantet përfundimtare dhe merr antibiotikë për menaxhimin e dhimbjes dhe infeksionit.
Pamjet që duken sikur janë nxjerrë nga një film horror janë ato që ka ndarë një nënë nga Anglia, e cila shkoi në Turqi për të rregulluar dhëmbët. Në fund, ajo që e priste ishte një makth.
Leanne shkoi në Turqi majin e kaluar për të hequr dhëmbët dhe për t’i vendosur implante dentare, me qëllim që të përmirësonte buzëqeshjen e saj, siç raporton Daily Mail.
Nëna kishte qenë edhe më parë në Turqi, në vitin 2009. Atëherë jetonte atje dhe kishte kryer disa ndërhyrje dentare, të cilat e dinte se nuk do të zgjasnin përgjithmonë.
Kur dhëmbët që kishte rregulluar atëherë filluan t’i binin, ajo i ngjiste me ngjitës thonjsh derisa të mund të kursente paratë e nevojshme për një ndërhyrje të përhershme.
Pas një periudhe të gjatë kërkimesh për atë që mund të bënte me dhëmbët e saj, Leanne mori vendimin e guximshëm për të vendosur implante dentare në Turqi.

E joshur nga reklamat në rrjetet sociale dhe kostoja e ulët, ajo bëri zgjedhjen e gabuar.
Më 8 maj 2024, ajo hyri në një klinikë në Turqi për të hequr dhëmbët dhe për t’i vendosur vidat e implanteve. Pas një radiografie, dentisti e paralajmëroi se procedura do të ishte shumë më e ndërlikuar nga sa kishte menduar.
Ajo e dokumentoi hap pas hapi procesin dhe e ndau me ndjekësit e saj në internet.
“Nesër do të më nxjerrin të gjithë dhëmbët dhe pastaj do t’i qepin të gjitha. Më pas, mendoj se do të vendosin vidat”, dëgjohet duke thënë ajo.
Por nuk ishte aq e thjeshtë sa “të hysh e të dalësh, të largohesh duke buzëqeshur dhe e lumtur”, siç kishte menduar.
Ajo u informua se do t’i duheshin më shumë vida dhe transplant kockor që implantet të mund të vendoseshin.
Gjithashtu, duhej të kryente edhe një ndërhyrje tjetër kirurgjikale, që përfshinte vendosjen e transplantit kockor midis nofullës së sipërme dhe membranës që ndodhet më afër dhëmbëve të pasmë.
Edhe pse konsiderohet procedurë e thjeshtë, shumë pacientë dhe mjekë zgjedhin anestezinë e përgjithshme për të minimizuar dhimbjen.
Megjithatë, për të kursyer para, Leanne zgjodhi të mos i nënshtrohej anestezisë së përgjithshme, e cila do të kushtonte më shumë, dhe qëndroi zgjuar gjatë gjithë procedurës.
Ajo bëri gjithsej 25 injeksione, si dhe një në ijë, por dhimbja ishte “torturuese. Zgjati 4 orë. U ndjeva si njeriu nga filmi ‘Jaws’”.
Pavarësisht dhimbjes nga procedura, e cila i la mavijosje të mëdha, Leanne në fillim ishte e kënaqur me rezultatet e implanteve të përkohshme dhe nisi të ndihej sërish “e bukur” vetëm dy javë pas kësaj sprove.
Por vetëm një muaj pas vendosjes së implanteve, ajo filloi të kishte probleme me implantet e përkohshme, të cilat më pas do t’i shkaktonin flluska të dhimbshme në hundë, duke ia lënë fytyrën të deformuar.

Dhëmbët e përkohshëm që kishte vendosur vetëm një muaj më parë nisën t’i binin, duke zbuluar vidat që dukeshin si kapëse. Më pas, pllaka që mbante implantin në vend u thye.
Trupi i saj kishte filluar t’i refuzonte implantet.
“Kam dhimbjet më të këqija të kokës dhe gjakderdhje nga hunda që nuk ndalen”, dëgjohet duke thënë Leanne. Në një moment tjetër shton: “Dukem aq keq sa mund të qaj. Dentisti im në Mbretërinë e Bashkuar nuk pranon të më vizitojë. E urrej atë që kam bërë dhe nuk mund të bëj asgjë për këtë”.
“Mos besoni gjithçka që shihni ose dëgjoni”, i paralajmëroi ajo ndjekësit e saj.
Implanti i përkohshëm supozohej të qëndronte vetëm katër deri në pesë muaj, por mjekët e këshilluan Leanne të mos kthehej për vendosjen e dhëmbëve përfundimtarë derisa t’i ulej ënjtja në fytyrë.

Një vit më vonë, ajo ende nuk i ka vendosur implantet përfundimtare dhe merr vazhdimisht antibiotikë për të përballuar dhimbjen.
Leanne tani pret që infeksioni të qetësohet para se të marrë trajtim të mëtejshëm, por shpreson se ndarja e historisë së saj do t’i nxisë të tjerët të operohen në Mbretërinë e Bashkuar, në vend që të shkojnë jashtë vendit.















