Ballina Kultura DRAMA DHE PENGJET E MITRUSH KUTELIT

DRAMA DHE PENGJET E MITRUSH KUTELIT

Nga Nasho Jorgaqi

1

– TANI JAM SHKRIMTAR I HARRUAR. Nuk më lexon pothuaj njeri. Brezi i ri nuk më një fare …

Këto fjalë hynë papritmas dhe pa lidhje me bisedën që po bënim. I tha ato me pezëm dhe i menduar, me atë vetëpërmbajtje, që unë ia njihja mirë dhe që ai e thyente, qoftë dhe në raste të rralla, sa herë që guxonte të dilte nga vetja. Nuk ma kish thënë ndonjëherë kaq haptazi e të formuluar aq saktë, atë që unë ia kuptoja ose më mirë ia ndjeja herë pas here.

Ishte drama e Mitrushit, drama e artistit, që faktorë jashtë tij e jashtë artisti ia kishin ndërprerë dhunshëm procesin e krijimtarisë. Ai tanimë prej vitesh ishte kryesisht përkthyes, pra, këndonte këngë të huaja me zënë e tij, por jo të vetat. Të vetat i zienin përbrenda dhe hovet e tyre, e gjithë ajo pasuri shpirtërore e përvojë artistike, derdhëj në veprat që shqipëronte. Kish kohë që kish pushuar së qeni autor. Ai tani siç e shqiptonte me një theks të veçantë, ishte “shqipëronjës”. Vërtetë kjo që një punë fisnike, jo jashtë sferës së artisti të fjalës, por prapë e pamjaftueshme për të. Ai e ndijente veten në radhë të parë shkrimtar dhe jo shkrimtar dosido. Ishte i bindur për vlerat që kish krijuar. Kur kish nisur këtë punë, fill pas vdekjes civile të burgut, e kish pranuar si të keqen më të vogël, por tani, me kalimin e kohës e me pjekurinë e moshës, pozicioni që kish, me sa dukej filloi ta shqetësonte. Ai ishte i ndërgjegjshëm për peshën e tij si shkrimtar. Pavarësisht nga rrethanat historike e politike, që kishin sjellë përmbysje të thella dhe kishin vendosur një hierarki tjetër vlerash, prapë gjykimi objektiv s’mund të mohonte se krijimtaria e tij përfaqësonte një zë krejt të veçantë, nga më të fuqishmit e më origjinalët e letërsisë shqipe. Por këtë të vërtetë askush nuk ia thoshte me zë të lartë, veç ndonjë prej shokëve të brezit të tij a ndonjë letrar i ri entuziast. Kurse për mendimin zyrtar as që bëhej fjalë. Vetëm heshitje dhe ndonjë stigmatizim i tërthortë politik. Ndodhte paradoksi i dhimbshëm: në qënien e tij bashkëjetonin shkrimtari “i vdekur” me qytetarin e gjallë, Mitrush Kuteli me Dhimitër Paskon. Këtë dyzim ai e përjetonte thellë brenda vetes, bile, në raste të caktuara, dramatikisht. Ishte drama e tij, që në këto raste unë ia lexoja në sy, e dalloja nga brenga e fytyrës, ia kapja në nervozizëm e sipër, ia shquaja nga ironia dhe nga ndonjë romuz që hidhte. E ndjeja qartë veçanërisht nga heshtja që e mbërthente, kur flitej apo diskutohej për letërsinë e ditës. I vetmi shqetësim që shfaqte haptazi e pa droje, ishte ai për gjuhën. Në këtë rast ai merrte zjarr. Si mund të bësh letërsi pa njohur dhe pa ditur të përdorësh gjuhën?! Gjuha shqipe ishte toka e tij e shenjtë, toka që ai e lëvronte me aq përkushtim, ndaj askush nuk mund ta ndalonte të fliste, ta mbronte e t’i dilte zot. Në qoftë se nuk kish në dorë të ndikonte në fatin e Shqipërisë, kish talentin e madh t’i shërben te asaj, si mjeshtëri gjuhës shqipe, duke zbritur në thellësitë e saj e duke nxjerrë në dritë forcën, bukurinë, pasurinë, muzikën. Ai fliste për të larg çdo retorike dhe ndodhte, kur e dëgjoje në raste të veçanta, sikur shqiptonte ndonjë rit fetar, thua se fliste me vete. Po kush e dëgjonte, kush e përfillte publikisht, veç nesh që kishim fatin të punonim me të në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Fliste mjeshtri, një nga mjeshtrit e gjallë klasikë të letërsisë shqipe dhe zëri i tij thuajse binte në zbrazetirë. Ai nuk depërtonte përtej mureve të Shtëpisë Botuese. Ato që dëgjonim prej tij, qenë mendime e shqetësime, vërejtje e këshilla kryesisht në lëmë të përkthimeve. që kishin të bënin me gjuhën shqipe, me pasurinë dhe bukurinë, me aftësitë e saj shprehëse, marrë e trajtuar sidomos në plan krahasues, me gjuhët nga përkithente. Kurse për letërsinë origjinale, atë që krijohej në kohën e tij ose atë ç’kish krijuar vetë, rrallë e tek fliste. Edhe kur binte fjala, tregohej i vetëpërmbajtur ose fliste si për diçka të largët. Unë e kuptoja pezmin e tij, që vinte nga sedra e lënduar dhe nga shpërfillja, nga fakti që ai e ndjente veten të përjashtuar padrejtësisht nga vatra e shkrimtarëve. Por thellë tij krijuesi nuk kish vdekur dhe kjo dukej qartë jo vetëm në përkthime, të cilat ai i quante “rikrijime”.

Një ditë më solli dorëshkrimin e një vepre origjinale në vargje,
poemën “Pylli i gështenjave”. U habita, por dhe u gëzova. Ishte krejt e papritur, sepse asnjëherë deri atëherë nuk më kish thënë që kish rinisur të krijonte. Një poemë për fëmijë, që rrefente për vendlindjen plot mall dhe nostalgji, shkruar në frymën e këngëve popullore, me një thjeshtësi sugjestionuese e, mbi të gjitha, me një gjuhë të mrekullueshme. “E shkrova për fëmijët e mi, – më tha, – por thashë pse të mos e lexojnë dhe fëmijët e tjerë”. Në këto fjalë ai i shprehte të gjitha, gjë që do të thoshte se, më në fund, bëra dhe unë diçka, diçka për fëmijë, që s’besoj të sjellë ndonjë zarar. Poema u mirëprit në redaksinë tonë dhe u botua pa asnjë hezitim, po jehona ishte thuajse e vakët. Shtypi nuk shkroi ndonjë gjë, veç u pëlqye e u çmua nga miqtë e vjetër të letërsisë. Emri i tij si shkrimtar që dikur bartte aq zulmë e famë, tani tingëllonte krejt i panjohur. U provua ajo që ai më kish thënë se ishte vërtetë një shkrimtar i harruar. Megjithatë, botimi i poemës “Pylli i gështenjave”do të qe për të një sprovë e dyfishtë, sprovë me veten dhe sprovë me lexuesin, që ai e kish kaluar me sukses dhe që i kish dhënë një gëzim, sado që një gëzim të trazuar. Nuk ishte një ngjarje, po një episod i zakonshëm dhe këtë pozitë ai e përjetonte disi tristueshëm. E kuptova apo, më mirë, e ndjeva gjithë sa ndodhte me të, kur ato ditë që kish dalë libri “Pylli
i gështenjave”, në dedikimin që më bënte, do të shkruante këto fjalë:

“Ish-shkrimtari plak me të fala shkrimtarit të ri Nasho Jorgaqi”. Mbaj mend që, kur e lexova, e mora më shumë si një shaka të hidhur, por në vitet që erdhën e sidomos tani kur e lexoj, më duket tronditëse. Megjithëse ishte në lulen e burrërisë, vetëm 51 vjeç, e ndijente veten të plakur e, ç’ishte më e dhimbshme, e kish nxjerrë veten nga radhët e shkrimtarëve. Ka në këto fjalë aq trishtim, po dhe aq ironi, që buron nga gjykimi paradoksal për vetveten, sa çdo koment është i tepërt. Gjithsesi, tek kthej tani kokën prapa dhe mundohem të evokoj situatat që përcollën “Pyllin e gështenjave” pesëdhjetë vjet të shkuara, më kujtohet fytyra e Mitrushit në çastin kur erdhi në zyrë dhe më dhuroi librin. Një fytyrë pa atë gëzimin e natyrshëm, që zgjon një rast i tillë, aq më tepër kur, jo njëherë, kisha dëgjuar prej tij të thoshte se “botimi i një libri është festë shpirtërore”. Tek ia kujtoj fytyrën e atij çasti, sepse më shumë sesa gëzimin më dukej se lexoja mendimin e millefosur se “ja, dhe unë, e nxora një librushkë për fëmijë pas afro 15 vjetësh”. Që do të thoshte “ja dëshmia ime se mund të këndoj”. E pra, të këndonte veç për të vegjilt, gjë që s’e kish bërë ndonjëherë më parë. Këngët e tij kishin qenë epike, këngë burrash, të shprehura me akorde madhore në rrëfimet e rrëfenjat, të cilat tanimë kishin vendin e tyre të nderuar në letërsinë shqipe. Por, për këto këngë, koha që kish ardhur, me sa dukej, nuk ia kish nevojën, po dhe ai s’ishte në gjendje të vepronte ndryshe. Jo, tani ai nuk mund të kapërcente përtej pyllit të gështenjave të vendlindjes. Brenda këtij sinori mund të rrëfente e të këndonte për fëmijë, një terren me lule, pa gjemba, një botë krejt e pafajshme dhe e çiltër, larg rreziqeve të ditës. Fëminia për të, si për gjithë të tjerët, ishte parajsa e humbur. Pse mos t’i kthehej asaj? Gjithë këto arsyetime unë do t’i merrja me mend, pasi ai asnjëherë nuk do t’i shprehte drejtpërdrejtë, veç pas botimit të “Pyllit të gështenjave”, ai i kish hapur vetes shtegun e krijimtarisë dhe kish rigjetur qoftë dhe përkohësisht vetveten si shkrimtar. Të vazhdonte të shkruante më tej për fëmijë, t’i kthehej fëminisë, të lidhej me botën e saj përmes përrallave, që i kishte aq për zemër e i njihje aq mirë. Ishin përballat e gjyshes e të nënës, të plakave të mëhallës e të burrave të moçëm. Një minierë e tërë, nga e cila ai do të nxirrte lëndën për një vepër të re. Zgjodhi temat e motivet, personazhet e mjediset fantastike dhe iu vu punës për të rrëfyer, ashtu siç ia kishin treguar, por të shprehura me zërin e tij origjinal, në nivelin e shkrimtarit. Dhe kjo nuk qe një punë e lehtë, kur detyra si përkthyes i kryeveprave të letërsisë botërore i merrte energjitë dhe kohën më të mirë. Por përballat që do të shkruante në intervalet e punës përkthimore, jo vetëm do ta çonin në planetin e fëminisë, por do t’i jepnin dhe kënaqësinë e krijuesit, që aq shumë ia lypte shpirti. Punoi kështu në heshtje për afro tre vjet dhe, kur veç një ditë, pa u ndjerë, e paraqiti për botim dorëshkrimin. Ishte përmbledhja me përralla “Xinxifillua”, një vepër krejt e veçantë, ku përballa, në pendën e një rëfimtari të madh si Kuteli, ish shndërruar në një krijimtari të mirëfilltë letrare. Lënda folklorike aty ishte gatuar e plazmuar me kritere estetike, përmes një pasurie gjuhësore të jashtëzakonshme dhe stili magjepsës, ku ndjehej bukuria dhe forca e fjalës shqipe, muzika e saj burimore. Falë këtyre vlerave mjeshtri kish ndërtuar një botë të tërë, me personazhe dhe situata nga më të natyrshmet e nga më të jashtëzakonshmet, kryesisht me kafshë e shpendë, që flasin e veprojnë si njerëz. Një transplantim i botës njerëzore në botën e tyre. Thua ishte kjo metafora e Kutelit, që, në kushtet në të cilat ndodhej, të komunikonte me kohën e tij dhe të përcillte mesazhet e veta? Fakti është se libri i drejtohej “këndonjësve” në përgjithësi dhe jo vetëm fëmijëve.

Botimi i “Xinxifillos” u ndje më shumë se vepra e parë dhe pati një pritje më të gjerë. Shkroi madje dhe shtypi, sado shkarazi. Ç’është e vërteta, Mitrushi mori zemër e iu zgjuaj “malli i stampës”. Sado në periferi, ai ishte paraqitur me një vepër tjetër si shkrimtar, që do të thoshte se qe kthyer në identitetin e tij të vërtetë. Në botën e mugët të Mitrushit krijues kish hyrë një rreze drite. Në këtë mes, më shumë sesa kënaqësia e botimit të veprës, më e rëndësishme ishte rigjetja e vetvetes në fushën e krijimtarisë, një fushë, ndonëse dytësore, pa telashe e pa rreziqe, larg tensioneve dhe presioneve të ditës. Ku kish gjë më të mirë se të jetojë në botën e përrallave!

Botimi i librit të dytë i dha zemër. Filloi të mendojë për një vepër tjetër, më të gjerë e më pretenduese, gjithnjë nga e njëjta sferë. Më kujtohet kur një ditë më tregoi projektin e një libri, të cilin po përgatitje ta shkruante. Mbaj mend që më tha se folklori kish qenë tërë jetën ushqimi i tij shpirtëror dhe se, kur studionte në Rumani, kish ndjekur dhe një kurs shkencor për mbledhjen dhe studimin e folklorit. Madje shtoi se fryt i kësaj përgatitjeje shkencore dhe i pasionit të madh që kish për letërsinë gojore kish qenë dhe botimi i librit “Këngë e britma nga qytet i djegur” si dhe mbledhja e 80 e ca përrallave, të mbetura në dorëshkrim. Nga ana tjetër, unë e dija, por ai s’ma përmendi asnjëherë se, më 1946, kur u hap Instituti Pedagogjik, e para shkollë e lartë në Shqipëri, drejtori i tij, Dhimitër Shuteriqi, e kish ngarkuar të jepte lëndën e folklorit, por e kishin arrestuar tamam në kohën kur përgatiste leksionet e para. Që atëherë kishte rrjedhur shumë ujë. Ndoshta nuk i kish shkuar ndërmend se një ditë do t’i kthehej rishtazi folklorit, siç po i kthehej tani, jo për ta mbledhur e studiuar, por si të vetmen alternativë të punës së tij krijuese, e pra; për ta ritreguar nga pozita e shkrimtarit. Pas provës së suksesshme të “Xinxifillos”, kësaj here ai nuk do t’i drejtohej përrallave të vendlindjes, por disa prej krijimeve madhore të epikës legjendarë, të lindura në malësitë e veriut dhe mjediset arbëreshe. Mori përsipër t’u ritregojë brezave të rinj për legjendën e Rozafës dhe besën e Kostandinit, për heronjtë mitikë, si Halil Garria dhe Gjergj Elez Alia, për vajet e Ajkunës dhe mrekullitë e zanave, por dhe legjenda më të reja, si ato për Skënderbeun, Pjetër Shinin apo Dedë Skurën. Ishin këto balada e rapsodi në vargje, të cilave ai iu qas me ndjeshmërinë dhe synimet e krijuesit dhe i shndërroi ato në tregime. Një punë kjo jo e lehtë, që lëndën poetike ta kthente në prozë, që me majanë poetike të poezisë epike të rikrijonte një vepër të mirëfilltë estetike. Të arrinte, siç e arriti, në fakt, që, nga figurat e ngjarjet legjendar, të përfitonte personazhe e situata, që t’u flisnin kohëve të reja, duke përcjellë mesazhe atdhetarie, humane dhe edukative. Në këtë punë të vështirë mjeshtrit nuk do t’i ndahej meraku, që legjendat në vargje të transplantuara në truallin e poezisë, të humbisnin sa më pak nga bukuria dhe freskia e origjinalit. Ai ishte i ndërgjegjshëm se ato do të humbisnin ngjyrat dhe endjen magjepsëse të poezisë, duke mbetur skeleti dhe zhvillimi i ngjarjeve. “Sepse të përpiqesh ta kthesh këngën në tregim është pothuaj e njëjta gjë sikur të përpiqesh ta futësh qiellin e kalter në një kuvli të errët apo ta ngjeshësh tërë pranverën brenda në trastë”. Megjithatë, edhe pse ndodhte kjo firo, Kuteli do t’ia dilte mbanë kësaj detyre fisnike, me bindjen se vepra e tij “do ta nxisë pak brezin e ri, që të shuajë etjen e njohjes së drejtpërdrejtë nga burimi i artit popullor”.

Kish lindur kështu libri i mrekullueshëm “Tregime të moçme shqiptare”, sprova e parë e këtij lloji në letërsinë tonë, që njohu një pritje jo të zakontë, aq sa më pas u fut dhe në shkolla si lexim jashtë klase. Ishte vërtetë një ngjarje në jetën e tij krijuese dhe kjo sikur e bëri të çelet pak më shumë, të rifitojë disi besimin në vetvete. I që afruar tërësisht rrëfimit, paçka se kish punuar me një lëndë të huazuar. Po a thua do t’i kthehej prozës së tij tregimtare? Askush nuk mund të jepte një përgjigje të saktë, bile as ai vetë.

Megjithëse më pas unë u largova nga Shtëpia Botuese “Naim Frasheri”, prapë do ta ruanim miqësinë. Kështu, një ditë, kur u takuam, më tregoi se nga rrëfimet e dikurshme të librave të Paraçlirimit, kish zgjedhur disa prej tyre, që i dukeshin se i qëndronin kohës dhe po i ripunonte. I thashë të mos vinte shumë dorë, se ishin pjellë e një kohe që s’përsëritej. “Sigurisht, – reagoi ai menjëherë, – vetëm vende-vende do t’i prek stilistikisht, do të shqipëroj ndonjë toponim, ndonjë prapashtesë sllave, si xha Brahua i Shkumbanicës, do ta bëj të Shkumbanores. “Kuptova se, në këtë gjë që po bënte, po guxonte dhe kjo s’ishte pak për të. Sinqerisht u gëzova. Ah, sikur Mitrushit t’i kthehej rishtazi letërsisë së tij, profilit të tij të papërsëritshëm! Por thellë vetes sepse kisha një lloj skepticizmi apo parandjenje jo fort të këndshme.

Kaluan ca kohë, kur, një pasdreke, shkova në shtëpi te miku im Sterjo Spasse dhe e gjeta të mërzitur. “Ç’ke kështu? – e pyeta i shqetësuar. “Kisha Mitrushin këtu, – m’u përgjigj. – Tani sapo iku. Ishte pik’ e vrerë”.

Dhe më tregoi se ç’kish ndodhur. Kish ardhur, si zakonisht, por kësaj here, sapo kish hyrë në sallon, pa e përshëndetur e pa u shpjeguar, i kish hedhur te këmbët dosjen e një dorëshkrimi, fletët e së cilës qenë shpërndarë gjithandej.

“Mbeta, – më tregoi Sterjo. – Dridhej i tërri dhe, tek e shikoja të ndezur flakë, kisha frikë se mos pësonte gjë nga zemra dhe mora ta qetësoja duke e ulur në kolltuk. Vetëm si e mori veten, zuri të shpjegohej, me një nervozizëm e revoltë që s’kish të ndalur.

Kish ardhur drejt e nga Shtëpia Botuese, ku kish marrë përgjigj- jen për vëllimin me rrëfime të ripunuara, që i kish paraqitur për botim. Shefi i redaksisë, pasi i kish shqyrtuar, ia kish kthyer me vërejtje. “Duhen përpunuar më thellë”, i kish thënë, që do të thoshte se, rrëfimet e shkruara në kohë të kaluara, t’i përshtateshin kohës së re!

Më erdhi vërtetë shumë keq nga kjo që kish ndodhur. Ishte një padrejtësi e fyerje që i bëhej, për më tepër në një kohë, kur ai sapo e kish marrë veten dhe po guxonte të “rihynte” në letërsi. Me këto mendime shkova pas disa ditëve dhe e takova shefin e redaksisë, të cilin e kisha pasur koleg, po që e dija se nuk ishte për atë punë. Frikacak dhe dogmatik, më shumë se letërsia i dhimbëj vetja. Pasi debatuam, ai më pyeti: “Ti do t’i botoje?” “Po, – iu përgjigja, duke u përpjekur të sjell argumente që nga tematika sociale, fryma popullore, notat antifeudale e deri te stili dhe pasuria gjuhësore.

“E, po, unë nuk i botoj, – ma ktheu, – se kam fëmijë”.
Ishte e kotë të arsyetoje më tej, kur e dija mirë se ai, pas çdo vepre me vlera, dyshonte për rreziqe të pritshme e aq më shumë për një autor problematik si Mitrushi, që “i kish shkrepur të nxirrte nga sirtarët rrëfimet e vjetra! “Jo, – tha ai gjithë triumf, – nuk e ha baba atë koqe ullini”.

Një histori e hidhur, që, sa herë do ta kujtoja, do të më lëndonte. E merrja me mend se drama e Kutelit në këtë rast kish arritur kulmin. Po ç’mund të bëja unë kur s’kisha gjë në dorë! Dhe kështu, kur u takuam, as unë, as ai nuk e hapëm atë muhabet. Mitrushi, i mësuar tanimë me padrejtësitë, nuk desh ta tregonte veten dhe kësaj here. Ishte tepër dinjitoz, madje sedërli. Nuk di të kish trokitur ndonjëherë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ata ia nihnin vlerat dhe, ndonëse flitej nën zë për të, askush nuk mori guximin t’i zgjaste dorën, siç ishte vepruar kohë të shkuara me miqtë e tij S. Spasse, N. Bulka, V. Kokona e ndonjë tjetër. Vetë Mitrushi kish një rreth të ngushtë intelektual: të deklasuar apo ish-të burgosur, nga të cilët do të përmendja shkrimtarin M. Gërblleshi, botuesin Ismail Mal’Osmani, prof. S. Papakriston, helenist, përkthyes i letërsisë antike greke, një plak i urtë, që qëndronte në hije. Me kolegët e Shtëpisë Botuese mbante kryesisht lidhje pune, ndërsa me Lasghshin nuk kish më miqësinë e parë. I vetmi vend, ku shkonte me qejf, ishte shtëpia e S. Spasses, e kthyer në një si lloj klubi të vogël, ku mblidheshin herë pas here miq të brezit të tij, jo vetëm Nonda, po dhe E. Çabej, M. Domi, N. Hakiu, M. Gërblleshi, I. Mal’Osmani, Z. Cikuli e ndonjë tjetër. Këtë shoqëri herë pas here e bënte më të këndshme Merushja ose Rusha, e shoqja e M. Gërblleshit, një grua e bukur dhe e zgjuar, po dhe etnografja erudite Andromaqi Gjergji. Edhe unë shumë herë kisha pasur rastin të gjendesha në këtë shoqëri intelektuale, që ndryshonte disi nga ato jashtë saj dhe ruaj kujtime të bukura. Më kanë mbetur në mend sytë e Mitrushi, që në këtë mjedis merrnin një shkëlqim gazmor dhe ai ndjehej i çlirët.

Vështirë të thuash për praninë e Mitrushit në mjediset publike të Tiranës së viteve 50-60. Qendra më e rrahur nga intelektualët e asaj kohe ishte Klubi i Shkrimtarëve, në krah të Teatrit Popullor. Atë e frekuentonin dhe shkrimtarë të brezit të vjetër, si Lasgushi, M.S. Gurra, A. Asllani etj., po rrallë ma kish zënë syri Mitrushin. Kjo tërheqje vinte, me sa duket, nga që ai s’e gjente veten aty, po dhe nga fakti se ai, siç më thosh, s’i kish pasur qef klubet e kafenetë. Ishte njeri i kabinetit, sidomos pas halleve që e kishin zënë, që duhej të punonte me kohë e pa kohë për të mbajtur familjen e për të rritur katër fëmijët. E pra, kuptimin e jetës e gjente në tavolinën e punës, përmes betejave të përditshme e të përnatshme, që zhvillonte me fjalën, duke mbajtur “mbi kokë, siç thoshte, mallkimin e madh të paqetësisë”. Drama e tij e mundimshme mbetej gjithnjë mungesa e kohës për t’u marrë me krijimtari. Në vend të saj, atij i duhej detyrimisht të merrej me përkthime, një punë padyshim me shumë vlerë dhe tepër e dobishme për kulturën shqiptare, e dëshmuar kjo nga gjerdani i veprave që kish shqipëruar. Veç ai e vuante faktin që kriteret zyrtare të përzgjedhjes, dhe veçanërisht norma gati skllavëruese, e kishin kthyer punën e përkthimit në punë me mëditje. Duke qenë për vite me rádhë shefi redaksisë së letërsisë së huaj, unë do të isha dëshmitar i ankesave të vazhdueshme të përkthyesve, veçanërisht të Mitrushit, që, në varësi me vështirësitë e teksteve, kërkonte uljen e normës. Veç ta shikojë se sa i shqetësuar dhe i vendosur tregohej, kur vinte e paraqiste argumentet. Ishte fjala për disa nga kryeveprat e mjeshtërve të mëdhenj të letërsisë botërore, për Gogolin apo Turgeneivin, për Eluarin apo Nerudën, fryma dhe stili i të cilëve duhej të gjente ekuivalencën në gjuhën shqipe. Dhe kjo për përkthyesin ishte një punë tepër e rëndë. E, pra, me një detyrë të tillë fisnike, por tepër të vështirë do të përballëj Mitrushi, e cila i thithe gjithë energjitë shpirtërore, krijuese, intelektuale dhe fizike. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, për të siguruar të ardhura të tjera që të mbante familjen, ai do të përketente nga rusheshtja materiale të rëndomta për përdorim të brendshëm mbi përvojën sovjetike, që porosisnin dikasteret. Një punë e tillë bëhej në kurriz të përkthimeve artistike, të kohës së lirë e mbi të gjitha të shëndetit. Por, megjithatë, edhe në këto kushte, brenda Mitrushit rinte zgjuar shkrimtari, vetja e tij e vërtetë, që, sa e gëzonte se nuk kish vdekur, aq dhe e bënte të vuante që nuk e realizonte dot për mungesë hapësirash. Idetë e projekteve që i vlonin në kokë ngjanin si paradokse, po të kishe parasysh gjendjen e tij reale. Aq më tepër, kur nuk vonoi dhe ai një ditë u gjend përpara problemeve serioze të shëndetit. Filluan njëra pas tjetrës tensioni, bllokimi i frymëmarrjes, dhimbjet e spondilitit, pagjumësia kronike. Kura e mjekime, shtrime në spital. Edhe në mbledhjet e redaksisë, ai tani pinte ilaçe. I nxirrte nga një shishe e vogël. “E sheh tapën e kësaj shisheje? – më tha një ditë si me shaka. – Nga kjo varet jeta ime. Në qoftë se nuk e heq dot në çast tapën dhe nuk më shkon mendja ta thyej shishen, iká nga kjo botë”. I duhej, pra, të pinte herë pas here trinitrinë për të qetësuar shqetësimet e zemrës.

2

Në situatën e krijuar, kur Lidhja e Shkrimtarëve nuk i zgjaste dorën dhe Shtëpia Botuese i kërkonte punën e normuar, kur rreth 50 vepra të përkthyera dhe ndonjë origjinale mbanin emrin e tij, kur kish nisur të rifitonte paksa bësimin në vetvete, vendosi të guxojë të trokasë në instancën më të lartë shtetërore. I shkroi kryeministrit Mehmet Shehu një letër të gjatë, që e quante Shkurtime kujtimesh, duke marrë shkas nga festimi i 15 vjetorit të Bankës së Shtetit Shqiptar. Përse iu drejtua atij? Së pari, si kryetar i shtetit, me të cilin kishte të drejtën të ndante gëzimin e ditës jubilare duke qenë një nga figurat e shquara në historinë e Bankës Shqiptare, me vepra të mirëfillta shkencore, me mbrojtjen që i kish bërë këtij institucioni kombëtar në kohë të trazuara si dhe me punën e pazëvendësueshme për ringritjen e saj pas Luftës, kur ishte ndeshur me bankierët grabitës të Beogradit, gjë të cilën e pagoi shtrenjtë. Së dyti, te M. Shehu kishte një farë besimi, me që e kish takuar njëherë në tetor të 1944-s në rrethanat e vështira të luftës. Kur kish dalë në zonën e lirë partizane, pas sabotimit që u kish bërë përpjekjeve të gjermanëve për të emetuar një monedhë të re, natën e parë që kish arritur atje, e kishin çuar në një shtëpi të Priskës, ku ndodhej shtabi. Në mes të një dhome ai kish parë një ushtarak të përkulur mbi hartë. Ky kish qenë M. Shehu. Ai kish ngritur dritën e petromaksit në drejtim të të porsaardhurit dhe i kish thënë me një ton keqardhës dhe qortues: “Vonë, shumë vonë”. Mitrushi e kish ndjerë veten ngushtë dhe nuk kish folur. Por ndërkaq, siç do të shkruante në kujtimet e tij, “E kuptova gabimin tim të madh: pse nuk isha hedhur me kohë në luftën partizane”. Atij fashistët i kishin vrarë babanë, i kishin djegur shtëpinë. Ai tërë jetën kish jetuar me punën e vet. Për këtë ngjarje dhe hollësi të tjera nga jeta në zonën e lirë partizane do të më tregonte jo pa nostalgji, siç do të kujtonte dhe poemën “Letra e fundit e djaloshit partizan”, që e kish shkruar ato ditë të paharruara. Për të gjitha këto, vite më vonë unë do t’i tregoja I. Kadaresë, të cilit i bënë përshtypje, sidomos takimi me M. Shehun dhe, kur shkroi romanin “Nëntori i një kryeqytet”, rastin e Mitrushit do ta shfrytëzonte si prototip për të krijuar figurën tragjike të shkrimtarit.

E kam lexuar disa herë letrën e Mitrushit drejtuar kreut të shtetit, shkruar në një moment të gëzuar e të trishtuar të jetës së tij. Vërtet jubileu i Bankës së Shqipërisë i jepte shkas të bënte bilancin e kontributeve të veta në këtë lëmë, që i kushtoi moshën më të mirë, dhe të evokoje kujtime që ngjallin emocione. Por ajo që të trondit në këtë dokument të rrallë epistolar (nga paragrafi i parë deri te ai i fundit) është drama e njeriut dhe e artistit Mitrush Kuteli. Edhe pse pjesën më të madhe të letrës e zë rrëfimi për jetën e tij në rrjedhën e ngjarjeve dhe problemeve që lidhen me Bankën Shqiptare, kryesore mbetet rrëfimi i sinqertë e transparent, gjyqtimi realist që i bën vetes, kurajoja fisnike për të pohuar arritjet e veta, por dhe për të parë me sy kritik të kaluarën e tij. Dhe, si gjithnjë, dinjitoz, pa tone qaramane, larg çdo lloj servilizmi. Në çdo resht ndjehet pesha e personalitetit të tij, që, ndonëse në ditë të vështira, kur mjekët e kanë këshilluar të mos punojë fare, ai tregon për planet e punës së tij krijuese. Thotë se prej kohësh po punon, pasi ka lexuar një bibliotekë të tërë, një roman nga jeta dhe lufta e ilirëve. Se këtë “vegim ilir” po e hedh në letër për të ngjallur të kaluarën e stërgjyshërve tanë. E jo vetëm kaq, po mendon dhe për triologjinë “Njerrëz nëpër jetë” dhe një histori të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Dhe, pasi shpërfaq gjithë këtë front të gjerë pune që i ka hapur vetes, shkruan: “Shpesh pyes veten: pse nuk qetësohesh? Ç’të duhen ty preokupimet e gjithanshme? … unë jam marrë me të gjitha dhe, me sa duket, të gjitha i kam bërë me shpirt”. Por kulmi i rrëfimit të tij dramatik janë ato radhë, kur shkruan se “Jeta ime ka kaluar mbi periudha të ndryshme. Unë kam dashuruar shumë, kam urryer shumë, kam punuar shumë dhe … fatkeqësisht kam gabuar shumë. Po kurrë s’kam ndjekur karrierën dhe pasurinë”. Në këtë pohim nuk ka asnjë lloj konformizmi. Është dialektika e jetës, që shpalos haptazi e pa kurrfarë droje. Pas këtyre fjalëve qëndron vepra e tij, dëshmi e vlerave të tij të padiskutueshme, që s’ka nevojë për apologji.

Nuk di që pas kësaj letre Mitrushi të ketë marrë ndonjë përgjigje. As ndonjë përkujdesje të tërthortë nga kreu i shtetit. Di që letra e tij nuk ka asnjë lutje dhe asnjë kërkesë konkrete. Ai e mbyll letrën me fjalët “… s’kam dëshirë tjetër: veç të punoj në këta pak vjet që më kanë mbetur”.

Vërtet, pak vjet i kishin mbetur dhe këto vite, po t’i shikoshn ga afër, janë të ngarkuar rëndshëm me punë, në një kohë që shëndeti sa vjen e i rrënohet. Vijon të punojë në heshtje, në mes dhimbjeve e pagjumësisë, i mbyllur në një nga kthinat e shtëpisë- kasolle, duke përballuar me shpirt nëpër dhëmbë normën e pamëshirshme të përkthimit, po dhe duke e mbajtur ndezur frymëzimin për veprat që zbardhte dhe projektet që e prisnin.

Më në fund, aty nga fundi i vitit 1963, për herë të parë filloi t’i jepej leje krijuese 2-3 muaj në vit dhe, ç’është më e rëndësishme, orar pune i reduktuar. Kur e takova aso kohe dhe e urova, i erdhi mirë, por shtoi se kjo e mirë i kish ardhur vonë, shumë vonë, kur dëshira e plane kishte plot, por mundësitë fizike i qenë kufizuar si asnjëherë. Kish dalë para komisionit mjekësor dhe e kishin këshilluar të pushonte, të mos punonte. Qeshi hidhur: “Ç’hylnë në punë raportet mjekësore tani, kur jam me leje krijuese”. E pra, i duhej të krijonte dhe, në këto kushte, duke u dhënë gjak veprave nga gjaku i tij, ashtu si nositi i Lasgushit.

E, me gjithë hallet e pandara të shëndetit, në jetën e Mitrushit kishin riardhur ato ditë e net, kur ai i qe kushtuar kryesisht punës krijuese. Po e kthente atë nga periferia në qendër të vetvetes, në një kohë kur shkëputja e gjatë nga krijimtaria aktive do ta bënte të pagante harac. Po haraci më i madh ishte koha, në të cilën ai jetonte e punonte. Një kohë tjetër nga ajo kur krijimtaria e tij kish arritur majat. A mund të kapte ai tani rishtas majat? Pasuria e tij më e çmuar, që i kish qëndruar kohës, ishte gjuha, aq e begatë dhe e fuqishme, aq e bukur dhe e hijshme. Por ai kish dhe talentin e një rrëfimtari me një vokacion krejt origjinal, kish dhe përvojën e krijuesit serioz e të përkushtuar. A mjaftonin vetëm këto, që të bënte letërsi të madhe, kur lidhjet me realitetin e gjallë qenë dobësuar, ndërsa kalonte një jetë të vetmuar, me plagë në shpirt e zemër të lënduar? Më shumë se me të sotmen, ai jetonte me të kaluarën; më shumë se me njerëzit, ai merrej me librat; më shumë se qytetar i shoqërisë socialiste, ai ishte atdhetar me rrënjë të thella në historinë e popullit të tij.

Tani, që pas shumë vitesh kish fituar, si të thuash, statusin e shkrimtarit, duhej të niste të ndryshonte disi, të hidhte ura me kohën, me jetën dhe ta gjente veten si krijues. Veç e gjitha kjo s’ish një fjalë, po një proces kompleks dhe i vështirë, që e gjente në një moshë të kapërcyer dhe të papërgatitur nga shumë pikëpamje. Në këto rrethana do t’i gjendej një shok i fëminisë, partizan i vjetër dhe ushtarak i lartë, Nuqi Tira, autor librash me kujtime partizane, që e donte dhe e respektonte Mitrushin, i cili do ta merrte dhe, tok me S. Spassen dhe N. Bulkën do t’i organizonte me makinën e tij ekskursione jashtë Tiranës. Mjaftoi ky gjest bujar që Mitrushi të gjallërohej, të ndjehej i përfillur e i nderuar dhe, kur ma tregoi pas disa ditësh që ishte kthyer, më bëri shumë përshtypje entuziazmi i tij dhe thashë me vete gjithë keqardhje: “Si është puna e artistit! Dhe me pako gjë mund të kënaqet!” Këtë gjendje shpirtërore do ta ndjeja pastaj në vjershën “Pranvera në Myzeqenë e re”, që shkroi. Po akoma më shumë në dy reportazhet e gjata botuar në revistën “Nëndori”, “Mbresa nga ekspozita Shqipëria socialiste në 20 vjetorin e saj” dhe “Realizimi më i madh” (Kronikë e kohës sonë). I shkreti Mitrush! Për herë të parë po dilte nga vetja dhe po konformohej politikisht! Po çmonte dhe lavdëronte arritjet e shoqërisë dhe të shtetit socialist shqiptar, një pjesë të të cilave i vlerësonte sinqerisht dhe me bindje, bile dhe duke i argumentuar nga pozita e një patrioti e demokrati. Arrinte deri atje sa të shtjellonte gjatë e gjerë, me sloganet dhe bateritë e propagandës së kohës, se realizimi më i madh që kish arritur shoqëria shqiptare, ishte njeriu i ri. Nuk di të them se sa i bindur ish ai për këtë, por, duke e lexuar tani në distancë kohore, ndjej e kuptoj se këto qenë përpjekje për të hedhur vallen sipas avazit të kohës. Sado që të shkruara me një gjuhë të rrjedhshme e të hijshme, me një mendje racionale prej ekonomisti, prapë mendimet e tij tingëllojnë disi të vonuara dhe anakronike. Ndjehet i përjashtëm, jo pjesë e natyrshme e asaj shoqërie ku i kish takuar të jetonte e të punonte. Nuk ishte tamam ai që ishte, sepse thellë-thellë ngrinte krye dyzimi i vetvetes.

Dyzimi mes Mitrushit artist e intelektual, që i mungonte tharmi i kohës, dhe Mitrushit, bir i këtij vendi që e donte me gjithë shpirt. Sepse, siç do të shkruante në letrën testament, “Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret”. Thua ta kish vrarë atë pjesë, që nuk pajtohej me idealet dhe realitetin e një shoqërie, të cilën nuk e ndjente në shumë pikëpamje të vetën? Në fakt ajo ishte vetja e tij e vërtetë, pjesa më humane, ajo ç’ka ai e kish origjinale, të ndryshme nga të tjerët. E pra, koha që jetonte e kish cenuar dhe goditur individualitetin e tij, kish hedhur hije mbi personalitetin e ngritur me punë e vepra plot vlera. Por ai nuk jetonte e s’kish si të jetonte jashtë kohës së vet. Tek e fundit, njeriu është kompleks i marrëdhënieve shoqërore. Dhe Mitrushi nuk kish si të bënte përjashtim. Gjithë ky dyzim do të gjente shprehje dhe pasqyrim në vitet e fundit të krijimtarisë së tij. E pra, në vitet 60, kohë të cilën ai çuditërisht do ta cilësojë si “periudhë e zjarrtë farkëtimesh”. Edhe pse me shëndet të rënduar dhe me vështirësi ekonomike, ai i kthehet frontalisht punës së shkrimtarit. Shkruan vjersha e poema, reportazhe, artikuj e parathënie, e mbi të gjitha lëvron prozën e gjatë, novelën dhe romanin. Duke i qëndruar besnik vetes, duke qenë i ndërgjegjshëm për pozitën e tij shoqërore, për t’u paraqitur dinjitoz, i shmanget përgjithësisht tematikës aktuale, problematikës së kohës. Zbret në historinë e lashtë të popullit të tij, vozit nëpër botën e përrallave, jepet pas meditimeve, që i zgjon natyra, dialogon me drurët, shpendët, kafshët, sendet. I këndon vendlindjes, peizazhit e florës së saj, bajames e plepit, panjës dhe qershisë, kroit të kodrës, zogut të dallëndyshes, por mediton dhe për stinët e motit e për stinët e jetës njerëzore, për pleqërinë ardhur para kohe. Në mes tyre gjallojnë dhe autorët ilirikë, vargjet për Teutën dhe poema ilire “Rrjedhin lumenjtë”, gjithë frymëmarrje e patos patriotik. E, megjithatë, sado që përpiqet të qëndrojë në një truall neutral, prapë nuk i shpëton tundimit të ngacmimeve të ditës, kur shkruan dhe vargje që sjellin jehonën e drejtpërdrejtë të kohës.

Si “Dje dhe sot në fshatin tim” apo “Pranverë në Myzeqenë e re”.
Ndoshta majën poezia e tij e periudhës së fundit e arrin me poemën
“Balada e udhës nëpër natë”. Një krijim origjinal për nga subjekti
dramatik dhe konceptimi poetik, me temë nga Lufta
Nacionalçlirimtare. Poema ngrihet mbi një ngjarje reale, që bën fjalë për një manovër djallëzore të fashistëve italianë, që, për të mbrojtur autokolonat e tyre ushtarake nga sulmet partizane nëpër rrugët e Shqipërisë, merrnin peng prindërit e partizanëve dhe të lidhur i hidhnin nëpër kamionë, të kërcënuar për t’u vrarë në rast se sulmoheshin. Poemën ia kushton njërit prej pengjeve, shokut të fëminisë S. Kaçkës, babait të një dëshmori. Është drama e tij, janë vajtjet që ai heq në ato ditë e netë tmerri, një kalvar i vërtetë, që bart mesazhe liridashëse dhe humane. Sipas P. Kolevicës, poema vetëm shkasin e merr nga ngjarja e Luftës, kurse në të vërtetë përmban dramën dhe përjetimet e hidhura të vetë poetit, kur e çonin me kamion duarlidhur nga Tirana në kampet e punës së Maliqit.
Ka shumë të ngjarë të jetë dhe kështu, që, nga një gërshetim
situatash të ngjashme me frymëzim autobiografik, të ketë lindur
kjo vepër e fuqishme dhe tronditëse, dëshmi e atij dyzimi cfilitës
që ndodhte brenda Mitrushit.

Në fakt, një artist i përmasave të Mitrushit nuk mund të ishte
i tillë pa drama dhe pa përjetime të thella. Do të ishin këto që do të ngjiznin dhe lartësonin letërsinë e tij. Është fakt se në 3-4 vitet e fundit veprimtaria e Mitrushit silbritmat do të vijë duke u rritur e
shtuar sa asnjëherë pas Luftës. Duket sikur ai do të fitojë kohën e
humbur dhe harron se dëshirat dhe përpjekjet nuk i përgjigjeshin
mundësive, jo vetëm se po shkonte drejt të gjashtëdhjetave, por
pse sëmundjet e kishin bërë invalid të shkallës së dytë. A mund të
realizoheshin gjithë ato vepra që ai kish nëpër duar, sidomos po të mbahë parasysh se ai punonte në fushën e vështirë të prozës e
akoma më shumë, kur mjeshtri kish shumë kërkesa, sepse ai
ripunonte veprat 5-7 herë. Me tension arterial, që tani i ngrihej deri në 25 gradë, duke përballuar dhimbjet e angina pektoris dhe të reumatizmës, ai luante me jetën e tij në çdo orë të ditës dhe të natës. Dikush e këshilloi që të drejtohej për ndihmë përsëri lart. Kësaj here i shkruan Ministrit të Arsimit dhe Kulturës Manush Myftiut një letër të gjatë, të cilën e quan Kujtesë, ku i parashtron gjendjen shëndetësore e materiale, bilancin e krijimtarisë deri atëherë dhe projektet mbi të cilat punon prej kohësh. Pas 16 vitesh të jetës së tij kushtuar përkthimeve, ai tani kërkon të lirohet prej tyre e të merret kryesisht me krijimtari letrare, të paktën për tre vjet! Dhe për t’u bërë i besueshëm, sjell si argument vështirësitë e punës krijuese. “Mjerisht, – shkruan ai, – në art rruga ndaj të thjeshtës shkon nëpër të ndërlikuarën … Dhe kjo kërkon shumë punë, durim, autokritike të heshtur, dialektike me vetveten, kështu që më e mira të zëvendësojë të mirën”.

Letra është shkruar në qershor 1965 dhe ai sikur ta ndjente se koha nuk priste më. Duhej t’i jepej kohë, kohë për punë, për një punë nga më të mundimshmet. Dhe ai, për gjithë sa kërkonte, do ta mbante fjalën. Provë për këtë qenë librat e botuar, sidomos ata të fundit, si novela-përballë “Net me përallë në Fshatin e Qepëve” dhe romani “Mërgim e kthim”. Në qoftë se e para ishte brenda natyrës së tij artistike, botës së përallave, gjuhës dhe stilit të rrëfimit popullor, por duke qëndruar në kapërcyel të përballës me prozën realiste, e dyta, ndonëse i kthehet temës së kurbetit, aq të parapëlqyer prej tij, e trajton këtë temë në një plan social-politik. Tenton të vejë në qendër të veprës, përmes një trajtimi e pasqyrimi artistik, shfrytëzimin kapitalist të mërgimtarëve shqiptarë në dhe të huaj dhe organizimin e tyre politik, protestat dhe grevat në një minierë rumune. Duket qartë se vepra është konceptuar pak a shumë nën ndikimin e skemave të letërsisë së realizmit socialist të kohës. Vërtet, ai sjell materiale jetësore të bollshme, ngjarje dhe fate të ndryshme njerëzish, por mungesa e afinitetit shpirtëror, përvoja e pamjaftueshme në këtë sferë, orvatja për t’u bërë bashkëkohore, nuk do ta lejojnë ta ngrejë veprën në një nivel artistik të pritur. Ajo do të dalë skematike, pa arritur të gjejë shprehjen e duhur emocionale, me një rrëfim të rrafshët, që qëndron në mes përshkrimit letrar dhe kujtimeve. Kuptohet se trajtimi i një teme të tillë, në një optikë social-politike, ishte jashtë natyrës së Mitrushit. Ndjehet dyzimi i artistit, puna e mundimshme, lindja e vështirë e veprës, që, nga një anë, dëshmon se ka shpenzuar aq energji, po, nga ana tjetër, lënda dhe fryma me të cilën ai përpiqet të ndërtojë romanin, janë më tepër “të huazuara”, të jashtme sesa të vetat.

3

Ka qenë një dëshirë e hershme e Mitrushit për të kaluar nga rrëfimet në prozën e gjatë epike, një aspiratë e diktuar nga jeta, po dhe nga shtysat e brendshme artistike për hapësira më të gjera krijuese. Vihet re kjo te struktura e brendshme romaneske e ndonjë tregimi të gjatë, apo te pohimi i tij se rrëfimet “Vendosa të shkoj në mërgim …” dhe “Unë, Çuli dhe Marina” donte t’i kthente “në një roman të jetës fëmijërore”. Provën e parë konkrete e bëri fill pas Çlirimit, kur shkroi romanin “Njerrëz dhe ujq”, me temë nga qëndresa dhe vuajtjet e të internuarve në kampin nazist të Prishtinës, vepër që nuk e njohim dhe që dorëshkrimi humbi pas arrestimit. Më pat treguar se e kish shkruar me një frymë brenda një muaji, i inspiruar e i mbështetur në rrëfimet tronditëse që kish dëgjuar nga juristi Grigor Gjika. Ai kish qenë në mes 104 të dënuarve në kampin e Prishtinës dhe i kish shpëtuar për mrekulli plumbave të togës së pushkatimit. Nga koha që kish shkruar këtë roman, kishin kaluar vite, dhe nga brenga e humbjes, nuk kish qejf ta kujtonte. Por dëshira për t’iu kthyer gjinisë së romanit nuk i qe fashtur, përkundrazi. Dhe kjo iu bë një nevojë e brendshme vitet e fundit të jetës. Donte të shkruante romanin, ideja e të cilit i kish lindur qysh në fillim të viteve 40: të shkruante një roman për ilirët dhe Ilirinë, sigurisht një ndërmarrje kjo tepër e vështirë. Tepër e vështirë jo vetëm se lypte përgatitje serioze për njohjen dhe studimin e historisë së lashtë, punë që ai e bënte prej vitesh me leximin e veprave të Strabonit dhe autorëve të antikitetit greko-romak dhe interesat e gjalla që kish për arkeologjinë e deri te arritjet e studimeve historike të kohëve të mëvonshme, por shtronte para tij probleme të rrafshit ideoartistik, të konceptimit e të strukturimit, të fabulës e akoma më shumë të përcaktimit dhe tipizimit të personazheve, të raporteve në mes të dhënave historike dhe imagjinatës, të fantazisë së shkrimtarit, të koloritit dhe atmosferës së kohës. E, megjithatë, ai do t’i hynte punës, kësaj pune plot sfida. Do të qenë ndjenjat e fuqishme të atdhedashurisë dhe patosi i krijuesit ato që do të vinin në lëvizje shkrimtarin e paepur. Kërkonte medoemos të zbriste thellë, “në rrënjët ilirike, siç pohonte vetë, i joshur pas krenarisë shqiptare, pas ritmit teutan e krutan të popullit të tij, pas gjithë atij vargu të paprerë luftërash heroike për të mbijetuar në trojet e veta”. Dhe gjithë synimi i tij ishte “të bëjë … të flasin varret e lashta ilirike, gurët e kështjellave tona të moçme, të tregojë qëndresën e fortë të një populli të fortë dhe kjo qëndresë të bëhet shëmbëlltyrë për brezat e rinj”. Kjo ishte hera e parë, që tema e botës së lashtë ilire trajtohej në letërsinë tonë në përmasat e një romani, në një kohë kur dhe romani historik shqiptar ofronte vetëm përvoja modeste. Mitrushi çelte kështu një udhë thuajse të pashkelur. Duke u gjendur para një fronti të gjerë pune, pasi kish mbledhur një lëndë të pasur arkeologjike e historike dhe kish hedhur piketat kryesore, duke e konturuar veprën në vija të përgjithshme, nisi ta shkruajë romanin. Iu dha leje krijuese disa herë, iu reduktua norma e përkthimit, por këto do të qenë vetëm kushte lehtësuese, por jo kryesorët. Kryesorja do të ishin betejat në tavolinë, procesi i dhimbshëm i krijimit të romanit, zgjedhja dhe trajtimi i sa e sa problemeve historike e artistike, puna cfilitëse me gjuhen, me fjalën, me stilin. Romani kishte një shtrirje të gjerë dhe do të zhvillohej në dy linja; e para, në atë të luftës së ilirëve për mbrojtjen e trojeve të veta dhe, e dyta, në përshkrimin e jetës së ilirëve dhe shoqërisë së tyre në shekujt IV-II para erës së re. Njëra në viset e Enkelejve, tjetra në atë të Taulantëve. Siç shihet, romani kishte një shtrirje mjaft të gjerë, aq sa autorit i duhej punë që të arrinte ta rokte tërësisht dhe ta shtjellonte artistikisht. Në fakt, ai ju bigëzua në dy novela, e para e titulluar “Në një cep të Ilirisë së poshtme”, dhe e dyta “Nga Dyrrakiana në Bardhomë”. Duke pasur si emërues të përbashkët botën ilire, jetën dhe qytetërimin e të parëve tanë, si luftëtarë, bujq e blegtorë, Mitrushi orvatet të depërtojë e ta përshkruajë këtë realitet të lashtë. Pra, orvatet, sepse detyrat qenë të rënda. Synimet e tij artistike nuk arrijnë të shprehen e mishërohen artistikisht në komponentët e romanit, në arkitekturën e tij, në thurjen e përgjithshme të fabulës, në rrokjen dhe shtjellimin e konfliktit të dramës e sidomos në zbërthimin e përshkrimin e karaktereve. Kjo e bën romanin të shtrirë në gjerësi, pa një lidhje të brendshme artistikisht të motivuar dhe jo gjithmonë me sensin e duhur të masës. Në 1965 nxitoi të botojë dhe kapitujt e parë në revistën “Nëntori”. Donte të maste pulsin e lexuesit, të tregonte publikisht frytet e punës apo të përgjigje besimin për lejet krijuese që i kishin dhënë? Nuk di të përgjigjem saktë, por them se ka diçka nga të gjitha, shprehje kjo e dilemave që përjetonte në vetvete Mitrushi. Një gjë është e vërtetë, që romani do të ishte vepra e tij e jetës. Sepse ai nuk kish shkruar asnjë vepër në këto përmasa, me detyra e probleme aq të ndërlikuara, që i kish lypur kohë dhe përkushtim thuajse total. Zgjedhja e temës ishte goditje në shenjë. Ajo i përgjigjej gjendjes së tij shpirtërore, interesave intelektuale, pozitës shoqërore, por dhe përvojës krijuese e sidomos prirjes së përhershme, që kish për të evokuar e përshkruar të kaluarën. Ku tjetër do të gjente ai vetveten që të ndjehej tërësisht i lirë por veçse duke u arratisur në botën ilire, në historinë e lashtë të popullit të vet?! Veç kjo zgjedhje e mençur dhe dinjitoze do ta vinte para një prove madhore. Një punë që bartte vërtetë një qëllim fisnik, por që ishte e vonuar po të marrim parasysh rrethanat. Ai i hynte kësaj ndërmarrjeje të rëndë në një kohë, që po shkonte drejt të 60-tave, me një shëndet të rrënuar, i lodhur e i konsumuar nga mijëra faqet e përkthyera, nga mundimet prej sizifi, që kish përballuar për afro dy dekada, por, mbi të gjitha, nga thyerja shpirtërore që kish pësuar pas vdekjes civile dhe nëpërkëmbjes, pas jetës së tërhequr dhe shpërfilljes zyrtare. Ishte kjo drama e tij, thyerja që kish ndodhur, që nuk mund të mos ndikonte në nivelin e veprës. Dhe kjo u duk më qartë se kudo në këtë roman, ku trauma shpirtërore nuk mund të mos sillte pasoja në procesin e krijimit artistik. Romani, për hir të së vërtetës, nuk e arriti nivelin e veprave të tij më të mira të paraçlirimit, bile nga disa pikëpamje as nuk iu afrua. Përpjekja e Mitrushit për t’u integruar në letërsinë shqipe të kohës, me gjithë dëshirën e sinqertë dhe përkushtimin gati në vetëmohim, rezultoi gati e pamundur. Ndihëj artisti me përvojë, mjeshtri virtuoz i fjalës, peizazhisti dhe portretisti, evokuesi dhe përshkruesi i saktë i jetës zakonore dhe psikologjisë së ilirëve, por gjithë ai material faktik, i gjurmuar, i qëmtuar e i studiuar nga burimet arkeologjike e historike me aq seriozitet e zell, nuk mundi të roket siç duhet, të përpunohet, të gjejë shprehjen e duhur artistike. Më shumë sesa dinamika e veprimit dhe zbulimi i karaktereve, do të zotëronte përshkrimi, lidhja e jashtme e situatave dhe e ngjarjeve, procedimi herë-herë pa ritmin e duhur, që do ta bënte prozën e tij edhe prolikse. Do të mungonin hovet shpirtërore, nervi i prozatorit të klasit, një frymëmarrje artistike e nivelit madhor. E, megjithatë, në faqet e romanit gjejmë vende-vende dhe modele të prozës historike, ku e vërteta shkencore shkrihet me të vërtetën artistike, ku erudicioni i pasur gërshetohet me fantazinë dhe imagjinatën krijuese. Janë këto raste, ku historia dhe jeta ilire arrijnë të kalojnë nëpër filtrin e artit kutelian. Mbi të gjitha, ai do të tregohet një mjeshtër i madhi i gjuhës, të cilën do ta plazmojë me virtuozitet të rrallë, me ndjeshmëri të lartë, me një regjistër të pasur gjuhësor. Këto veti artistike të gjuhës, që shquajnë veçanërisht te peizazhet dhe portretet, i bëjnë ato krijime antologjike, ku shqipja këndon dhe bukuria artistike ka gjetur vetveten.

Kur kapitujt e parë të romanit u botuan në revistën “Nëntori”, mbaj mend se miqtë dhe lexuesit e tij të paktë (sepse koha, siç thoshte Mitrushi me pezëm, ia kish firaur në mënyrë të pamëshir-shme rrethin e lexuesve) u gëzuan dhe e mirëpritën, por pa ndonjë entuziazëm të veçantë. Kurse për jehonën në shtyp as mund të bëhej fjalë. Ndoshta pritej ndonjë gjë e madhe dhe ajo s’dol: e tillë. Pra, më shumë se me një kurorë të krijimtarisë së tij, kishim të bënim me një punë të përkushtuar, dëshmi e sinqertë e përpjekjeve për ta rimarrë veten, bile për të guxuar dhe kur rrethanat s’ishin në favor të tij. Guximi dhe përkushtimi krijues i Mitrushit për t’u dhënë bashkatdhetarëve një roman historik për ilirë përbënin një akt të lartë sa artistik aq dhe atdhetar. Ishte kjo një pasqyrë e gjallë e asaj të vërtete, që ai, duke perifrazuar një mendim të tij, e shkroi romanin me dashuri gjer në vuajtje për vendin dhe gjuhën shqipe.

Drama e Mitrushit, e ndjekur në kohë, do të niste nga fundi i vitit 1946, kur ai, pas konflikteve politike-profesionale që pati me palën jugosllave në mbrojtje të interesave shqiptare, dha dorëheqjen nga detyra si një nga drejtuesit e Bankës Kombëtare dhe vendosi t’i kushtohet shkrimtarisë. Bëri kështu një hap të guximshëm, ndonëse ra pre e iluzioneve se mund të merrej kryesisht me letërsi, pra, i lirë nga varësia e shtetit. Tamam nga kjo pozitë dhe në këtë gjendje shpirtërore ai shkruan në shkurt 1947 novelën “E madhe është gjëma e mëkatit”. Degdiset në kohët e lashta të Ilirisë dhe rrëfen për tundimet dhe mëkatet e një prifti ortodoks. Frymëzimi i tij kësaj here është nën ndikimin e “Këngës së Këngëve” të Solomonit dhe të letërsisë biblike. Është drama e fuqishme e cfilitëse, që ndodh brenda shpirtit të priftit ilir, i dyzuar mes njeriut të perëndisë dhe njeruit tokësor, që e dënon ashpër veten për mëkatet që ka bërë. Aq e madhe është gjëma e mëkatit të tij. Nuk dimë se cilat kanë qenë shtytjet e brendshme që autori trajtoi këtë temë dhe në çfarë shkalle pasqyrohen elemente autobiografike, po dimë se koha kur u shkrua, ishte nga më të vështirat e jetës së tij. Koha kur ai kish tentuar të bënte divorc me të dhe që prej kësaj e pësoi keqzai, kur pas pak muajsh, atë e arrestuan (maj 1947). Ndodhi katastrofa e jetës së tij, që i hapi një dramë të thellë, që nuk u mbyll asnjëherë. Pasojat e saj ai do t’i ndjente deri sa mori frymë. Gjithë krijimtaria e tij, që erdhi më pas, do të mbajë vulën e gjëmës që i ndodhi. “E madhe është gjëma e mëkatit” ishte kulmi që ai arriti në prag të kalvarit që e priste, një krijim që për nga niveli artistik nuk u përsërit më vonë. Veprat që do të shkruante dhjetë vjet më pas, do të qenë fluturime të një zgalami me krahë të plagosur në hapësirat e letërsisë shqipe. Këto plagë do të ndihen më qartë sa askund të romani “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”.

Sjell ndërmend kontaktet e fundit me Mitrushin. Takime që sa vinin e rralloheshin. Më shumë takoheshim në rrugë apo në Shtëpinë Botuese. Dukej i dobët, me një fytyrë të hequr, i zbehtë e i thinjur dhe s’kish dëshirë ta zgjuste bisedën. Ankohej se i priteshin këmbët dhe i merrej fryma, se kalonte net pa gjumë dhe s’po i ndaheshin dhimbjet. Tani ai lëvizte me të birin, Pandeliun, tamam si ai i verbëri i shoqëruar nga një i dytë. E, megjithatë, punonte. Më shumë sesa përkthente, krijonte e shkruante romanin, duke bashkuar kështu në veten e tij dhimbjet fizike me dhimbjet e krijimit. Përpiqesha ta merrja me mend gjithë ç’ndodhte me të, ta ndihmoja a t’i gjendesha, por ai, si ngahërë, nuk e jepte veten. Deri në fund do të mbetej besnik i vetes. Por, ndërkaq, dita-ditës Mitrushi ndjente se energjitë po i shteronin, se fiziku po i rrëzohej, se jeta po i rrudhej. Këtë do t’ia shprehte në një farë mënyre mikut tonë të përbashkët shkrimtarit S. Spasse. Prej tij unë do të merrja vesh se ç’po ndodhte me të. Tamam në këtë kohë ai do të shkruante letrën e lamtumirës, siç e cilëson vetë, drejtuar së shoqes me mendimet e mbrame dhe amanetet. Dëshmia e tij e fundit e gjithë çka ndodhte me të, mbyllur në dhomën e ngushtë të “kasolles”, në krah të rrugës Tre dëshmorët. Nga këto rreshta marrim vesh se Mitrushi është aq keq i mbërthyer “nga dhimbjet fizike dhe shpirtërore” sa ankohet se nuk është i zoti “të punojë, të krijojë, të paguajë bukën që i jep shteti për vete e për fëmijët”. E vuan këtë gjendje edhe pse “Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit”. Arrin deri atje sa të pohojë se ka zili dikë që vdes, pasi, sipas tij, “Vdekja është prehje e madhe … lirim nga dhimbjet … është shpëtim”. Ai tani e ndjen atë se po i vjen përqark. “Nuk e dua, – shkruan, – po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik”. Dhe në këto çaste, më shumë sesa për vete, mendon për fëmijët. Tronditet se do t’i lërë jetimë, të vegjël e të varfër në një kohë kur ata kanë aq nevojë për të. E vetmja shpresë, që e ngushëllon, është ideja se “Ndoshta pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime të kaluar”. Duke iu kthyer vetes, në këtë letër gjen rast të përsërisë me një sinqeritet të dhimbshëm një mendim që e ka shprehur dhe gjetkë: “Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë”. Edhe në këtë moment të vështirë, i mbytur nga emocionet, nxjerr krye drama e jetës së tij, që ai nuk druan ta fshehë as në testamentin familjar. Dhe për të arritur deri këtu duhej një karakter i fortë, guximi i njeriut të ndershëm, bindja se e ka ndjerë veten gjithnjë “bir i një populli të vogël”, që ka urryer me të madhe “idenë e zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”dhe se ka qenë mbështetës i idesë “popuj përkrah popujsh”.

Në këtë moment bilanci të jetës së tij Mitrushi ngre pyetjen nëse do të gjendet dikush ta njohë dhe ta kuptojë të paktën pas vdekjes. Dhe kjo jo për nder e lavdi të vetes, por që fëmijëve, të cilëve “u lë trashëgim punën dhe endrrat e mija, të mos vuajnë … të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë”. Ky është dhe amaneti i tij kryesor, duke iu drejtuar atyre me porosi që tingëllojnë si sentenca që “ta duan vendin dhe gjuhën gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret”. Këto janë mendime të dhimbshme, por të sakta e të vërteta, që burojnë nga përvoja e hidhur e jetës së tij. Një mësim nga pësimet e veta është dhe porosia që u lë fëmijëve që të mos ndjekin rrugën e tij, të mos marrin për profesion letërsinë. “Terreni i letërsisë, – u thotë, – është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se u bën hije …”. Duke pasur parasysh shembullin e tij ai shprehet me keqardhje, se të marrurit me letërsi “në vendin tim është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur”.

Këshillat-amanete që u lë fëmijëve në këtë letër të fundit, janë ato të një babai të urtë, të mençur, zemërdhembshur: ta duan njeri-tjetrin, të mos i vënë re vogëlsirat, të shmangin inatet dhe mendjemadhësinë, të dëgjojnë zërin e zemrës, por dhe të arsyes, të mos kërkojnë shumë nga jeta, se ajo është koprace në mirësi, të mos maten me hijen e mëngjesit. Lë dhe një porosi tjetër: dorëshkrimet ua lë fëmijëve, sidomos të birit, me porosinë që të mos i prekë askush dhe të merren me to kur të rriten.

Sa për vete, nuk do kurrsesi që me vdekjen e tij të mërzisë e aq më tepër të bezdisë njeri. Kërkon një varrim të thjeshtë, vetëm me njerëzit më të afërt, as lajmërime të mos ngjiten mureve. Do të kish dashur ta varrosnin nën gështënjat e vendlindjes, pranë prindërve, por pranon ta varrosin në Tiranë (“Gjithë Shqipërisë shtë”) Kërkon një varr të thjeshtë, pa asnjë shkrim, vetëm “një kryq si babai, gjyshi, stërgjyshi”.

E kujtoj qartazi dhe me trishtim atë ditë të largët maji kur e përcollëm për të fundit herë Mitrushin. Ishte një funerali i thjeshtë e i qetë, krejtësisht me familjarët dhe miqtë e ngushtë, ndonjë i panjohur, shok i tij i vuajtjeve të burgut, pa asnjë zyrtar. Nga ajo ditë e përzishme më ka mbetur një mbresë e fortë, që s’dija ta arsyetojë në ato çaste të rënda, po pastaj e kuptova: më shumë se vdekja e tij fizike, ajo që më pikëllonte qe gjithë ç’hoqi e vuajti sa qe gjallë, ajo dramë e heshtur, sado dinijtoze, që nuk iu nda tërë jetën.

Dhe tek ktheheshim, kur sapo kishim lënë pas varrin e tij të freskët, më rrinte zgjuar mendimi se vërtetë me Mitrushin ishim ndarë fizikisht, por kurrsesi shpirtrisht. Që nga kjo orë kish filluar pavdekësia e tij e pabujë. Atë do ta takonim në sa e sa vepra, që këndonin mrekullisht shqip dhe ku shpirti i artistit të madh rrezatonte ngaherë dashuri, bukuri, humanizëm.

***

POST – SCRIPTUM
– Kujtesë arkivore –

1

Kam qenë dëshmitar për vite me radhë i miqësisë së Mitrushit me Sterjo Spassen. Një miqësi nga më të përzemërtat e më të sinqertat. Nuk di të them se kur kish nisur, por ajo u bë publike në vitet e vështira të luftës (1943-44), kur së bashku morën iniciativën dhe botuan “Revistën letrare”. Po në këtë kohë ata do të ishin shkrimtarët më prodhimtarë. Mitrushi do të botonte brenda një kohe të shkurtër plot tetë libra, një bum i paparë në botimet letrare shqipe, kurse Sterjo romanin e tij të dytë, një përmbledhje me tregime dhe përkthimin e “Kasolles së xha Tomit”. Këto ndërmarrje dhe interesa të përbashkëta do të forconin miqësinë e tyre, e cila do të vazhdonte edhe pas Çlirimit. Edhe pse nuk kishin qenë aktivë gjatë Luftës Nac.Çl. dhe s’kishin pasur ndonjë lidhje politike me ato forca që kishin ardhur në pushtet, fillimisht do të shiheshin me sy të mirë, sidomos Mitrushi. Madje ai do të arrinte poste të larta në Bankën Kombëtare, ndërsa Sterjo do të punonte si mësues i letërsisë në shkollat e Tiranës. Por, pa kaluar shumë kohë, fati i tyre do të ndërronte kah. Mitrushi do të futej në burg dhe burgimi do ta damkoste për jetë, duke kaluar në hije si shkrimtar. Rruga e Sterjos do të merrte për mbarë jo vetëm për nga trajtimi, me besimin që iu dha, por dhe me arritjet në fushën e krijimtarisë letrare. Ai do të ishte një nga shkrimtarët më të nderuar, duke u bërë nga themeluesit e romanit të letërsisë shqipe të realizmit socialist. E, megjithatë, këto diferenca nuk e prekën miqësinë e tyre, përkundrazi. Sterjo nuk do t’i kthente shpinën mikut të vjetër, por do t’i rinte afër e do t’i gjendej, ndonëse rrethanat politike nuk ishin në favor të miqësisë së tyre. Aq e vërtetë është kjo, sa lidhjet miqesore u bënë dhe familjare. Mitrushi do të ishte njeri i shtëpisë. Unë vetë e kisha hasur e takuar atje kushedi sa herë. Ai do të gjente te Sterjo mikpritje vëllazërore, ngrohtësi dhe mirëkuptim, ndoshta si tek askush tjetër. Sterjo mbaj mend që do të më fliste herë pas here për Mitrushin, veçanërisht për hallet e tij familjare e ato shëndetësore, por dhe për vlerat e tij intelektuale e sidomos ato si shkrimtar. E quante mjeshtër të pashoq të prozës së shkurtër, virtuoz të gjuhës shqipe, por fliste me respekt dhe për formimin serioz e gjykimet e mprehta e profesionale që jepte për letërsinë. Mendimi i tij në këtë fushë kishte gjithmë jepshë. Por dhe Mitrushi ndjehej i prekur dhe borxhli ndaj miqësisë së Sterjos e zemrës së tij të madhe. Ishin këto marrëdhënie vërtetë të bukura e të rralla për kohën, veçse kam përshtypjen se ato nuk qenë të tilla në fushën profesionale. Mund të ketë disa arsye, që e shpjegojnë këtë. Së pari, mund të shpjegohen me diferencën që do të kishin pozitat e tyre nëpër vite. Njëri bënte jetë aktive letrare, me emër të nderuar publik; tjetri, i tërhequr, gati i paemër publik, një ish-shkrimtar, siç e cilësonte ai veten. Në qoftë se Sterjo i gëzohej punës krijuese, famës, trajtimit të mirë, Mitrushi përjetonte një dramë cfilitëse. Nga një shkrimtar prej më të talentuarve deri në prag të Çlirimit, tani ai njihej kryesisht si përkthyes, me emrin Dhimitër Pasko, kurse Mitrush Kuteli për publikun shqiptar sikur nuk ekzistonte më. Këto rrethana si dhe diferenca e pozitave, s’kish si të mos i bënte marrëdhëniet e tyre në sferën e letërsisë disi të veçanta. Them kështu, sepse, edhe pse qenë miq për kokë, marrëdhëniet apo lidhjet profesionale nuk e arrinin këtë nivel. Nuk e di sa i lexonte Mitrushi veprat që shkruante Sterjo, por, siç do të shohim më poshtë, nga letrat e tij, ai nuk do të bisedonte me të për to. Dukej sikur i qe zvjerdhur letërsia që bëhej pas Iufte. Duke qëndruar jashtë rrjedhave të saj, ndjehej indiferent, madje e kisha vënë re në biseda kur flitej për letërsinë bashkëkohore që bëhej nervoz ose heshtte, thua se nuk ishte aty i pranishëm.

Mitrushi nuk arriti të linte kujtime të shkruara, por kemi në dorë një pjesë të letrave, që u ka dërguar me raste disa miqve të afërt, ku kryesorisi ishte Sterjo. Do t’i shkruante nga Pogradeci, kur shkonte me pushime, por nga epistolari i tij i paktë paraqesin interes të veçantë tri letra dërguar Sterjos në Moskë, ku ky kish shkuar për studime. Janë të vitit 1960, shkruar në mars, prill e qershor, dhe hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tyre. Në këtë kohë Sterjua do të kish korrespondencë dhe me miq të tjerë, si N. Bulka, M. Domi, Z. Kodra, Z. Cikuli dhe me shkruesin e këtyre radhëve. Po letrat e Mitrushit do të dallonin jo vetëm se janë shkruar bukur e rrjedhshëm, çka i bëjnë ato modele të epistolarit, por zbulojnë dhe natyrën e karakterin e tij, mendimet dhe shqetësimet prej njeriu dhe artisti.

Letra e parë, që daton më 11 mars 1960, është një letër vëllazërore, ku i shkruan kryesisht për familjen, që miku i tij ka lënë në Tiranë. I tregon, në radhë të parë, për fëmijët, për të birin që ka probleme të adoleshencës, për të cilat i shkruan hapur e me hollësi, madje i thotë dhe për qortimet që i ka bërë në mungesë të tij; por, nga ana tjetër, për ta qetësuar e ngushëlluar, heq paralele me fëmijët e tij, që kanë të njëjtat probleme. E informon dhe për vajzën e vogël, që kish lindur kur dy fëmijët e tjerë qenë të rritur dhe i ati, afër të pesëdhjetave, gjendej në Moskë për studime. Me këtë rast Mitrushi bën humor, kur i shkruan: “Në ke ndërmend të ndjekësh më tutje edhe një shkollë tjetër, eja ca kohë këtu, porosit një bebe tjetër (djalë), pastaj shko ku të duash”. Sterjo në këtë kohë ka sjellë dhe prindërit pleq nga Prespa, të cilët Mitrushi herë pas here shkon dhe i takon. Dëgjon ankesat e tyre për hallet e shëndetit. Ata i qahen për reumatizmin, që “u bredh nëpër kyçet e kockave”. Por, akoma më shumë, ata nuk ndjehen mirë që djali u ka shkuar larg. “Është kënga e përjetshme e prindërve, – i shkruan Mitrushi, – që i duan fëmijët pranë: po të jenë djemtë aty, sikur do t’ua marrin dhimbjet me dorë, sikur do të përtërihen”. Gjithë rrëfimi i tij është me humor, po dhe me ca të vërteta jo fort të këndshme, të cilat nuk ia fsheh, ndaj dhe i shkruan: “më fal për këto shakara, ca me kripë e ca me shëllirë, por, siç duket sot, po më zgjohet një dell i përgjumur i shakasë, ndonëse më dhëmb fytti…”. Është ftohur, por dhe se ka “mallkimin e madh të duhanit”. I tregon dhe për telashet që i sjellin fëmijët e tij të vegjël, që kërkojnë kujdesje e përkushtim, kur ai është i zënë me punë dhe ka probleme me shëndetin. “Ma morën shpirtin”, i thotë. Në fund, i gëzohet faktit që miku i tij ka vizituar viset e Karolisë dhe e uron me fjalët: “Mbushe shpirtin me hapësirë, me bukuri mendjen, që dikur t’i pasqyrosh për të shumtët”. Dhe duke folur për vete i shkruan: “Edhe unë kam gazet e mia, kur ma lejon shëndeti: lexoj gjëra të lashta, ëndërroj, vetëm se nuk e kam punën mirë me gjumin… Janë prishur nervat, mik i dashur, s’ke ç’bën…”

Nuk e dimë përgjigjen që mori nga Sterjo, por lidhjet e tyre vazhdojnë, sepse, pas një muaji e ca, më 24 prill 1960, Mitrushi i shkruan një letër tjetër. Letër që zbërthen marrëdhëniet e tyre të vërteta dhe na zbulon pozitën dhe mendimet e tij si shkrimtar. Duhej të ndodhte një ngjarje e rëndë në jetën e shkrimtarisë së Sterjos, që ai t’i hapej si kurrë ndonjëherë mikut të tij. Po çfarë kish ndodhur? Disa muaj të shkuar, Sterjo kish fituar çmimin e parë në Konkursin për 15-vjetorin e Çlirimit me romanin “Buzë liqenit”. Kurse disa muaj më vonë ishte mbledhur një plenum i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe e kish kritikuar veprën për dobësi artistike, sidomos për gjuhën, stilin dhe kompozicionin. Sterjo e kish marrë vesh fare rastësisht këtë lajm të keq dhe ishte tronditur aq shumë, sa kish pësuar menjëherë infarkt. Ndërkaq, miqtë nga Tirana, pa e ditur se ç’kish ndodhur me të, i kishin dërguar letra dhe e informonin, secili në mënyrën e tij, se ç’ishte diskutuar në Plenum. Me këtë rast e ngushëllonin dhe e këshillonin që të mos bëhej merak.

Këto letra i kishin mbërritur Sterjos në spital dhe, merret me mend sa keq do të jetë ndjerë ai, ndërsa kurrohej nga zemra e sëmurë. Letrat i kishin ardhur me radhë nga Nonda, Mahiri, Ziaudini e Zisa. Viktimë e këtyre rrethanave do të binte padashur dhe Mitrushi. Edhe ai nuk mund të mos i gjendej mikut të tij, ndaj nuk do të vononte t’i shkruante një letër të gjatë në 24 prill. Letra e tij do të ndryshonte nga ato të të tjerëve, sepse ngjarja me romanin ishte vetëm shtysa për të shfaqur disa mendime të rëndësishme e serioze, që dilnin nga kufijtë e asaj që kish ndodhur. Më shumë sesa miku mikut, ai i shkruante si shkrimtari shkrimtarit dhe kjo i jepte dialogut të tyre një peshë specifike. Ishte hera e parë që prekin këtë temë në marrëdhëniet e tyre të pasluftës, një temë, që me sa duket, kish qenë delikate, gati tabu. Duket e çuditshme e thuajse e pabesueshme që, duke qenë aq miq, Mitrushi nuk i fliste Sterjos për veprat që ai shkruante dhe botonte. Këtë qëndrim e arsyetonte me faktin se ai, me sa kish deklaruar, nuk ish më shkrimtar dhe s’kish pse të jepte mendime për çështje të shkrimtarisë së kolegëve, qoftë ky dhe një mik si Sterjo. Letra e 24 prillit e pasqyron qartë dhe e motivon këtë qëndrim që mbante prej kohësh. E nis letrën me këto fjalë: “Dua të flas për një çështje, për të cilën nuk kemi biseduar kurrë as me gojë, as me shkrim. Ti e di parimin tim: hallvaxhinjtë nuk flasin për hallvë, bile nuk hanë hallvë, por për gjëra të kripura, të tharta, ndonjë kërnac, ndonjë turshi. Ashtu dhe ne të dy. Ti je shkrimtar, unë jam ish-shkrimtar, njeri i rënë nga dynjallëku, po, sidoqoftë, kemi miqësi të mirë dhe nuk flasim kurrë për shkrime (nënvizimet N.J.). Më fal se këtë radhë po bëj një përjashtim, të parin, ndofta të fundit. Këtë po e bëj vetëm e vetëm të të heq një brengë, që ndofta të ka pllakosur a të ka bërë të vuash. Mua s’më pëlqejnë të vuajnë miqtë”. Ajo që tërheq vëmendjen tek kjo letër është fakti se ai jo vetëm se e quan veten ish- shkrimtar, cilësim që dhe mua ma kishte thënë sa herë, por, çka të çudit, është pohimi se, edhe pse qenë miq të vjetër e të mirë me Sterjon, të dy shkrimtarë, nuk flisnin për letërsinë e njëri-tjetrit. Nuk ma merr mendja që Mitrushi të tregohej ziliqar për arritjet letrare të mikut të tij, ashtu si dhe Sterjo s’kish si të mos ndjente keqardhje të thellë, bile e vuante që një shkrimtar me talent jo të zakontë dhe me vepra që kishin bërë shkollë në prozën shqipe, të diskriminoehje e të harrohej që në gjallje. Por kjo pozitë nuk e ftohu miqësinë e tyre, përkundrazi. Sterjo nuk ia ktheu asnjëherë kurrizin, madje e mbajti afër. E, megjithatë, edhe pse i takonin një fushe, dalka se ata nuk paskëshin folur për letërsinë e njëri-tjetrit. Sigurisht, Sterjo, sado që përpiqej ta inkurajonte, nuk kish ç’t’i fliste mikut të tij, kur ai nuk shkruante letërsi (të paktën deri në këtë kohë). Kurse Mitrushi kam përshtypjen se nuk ishte entuziast për veprat e realizmit socialist të Sterjos, herë-herë të politizuara dhe konformiste. Heshtë dhe heshtja më duket se fliste. Hera e parë që ai po shprehej drejtpërdrejt dhe haptazi për një vepër të Sterjos, do të ishte rasti i romanit të kritikuar, që krijoi një situatë të rëndë, aq sa po i rrezikonte jetën mikut të tij. Ndoshta dhe kjo vepër do të kalonte në heshtje, siç kish ndodhur dhe me veprat e tjera. Po kësaj here Mitrushi do të dilte nga vetja dhe do të jepte gjykimet e veta, i shtyrë më shumë nga motive humane dhe etike. Edhe pse nuk e ka lexuar romanin, veç dy fragmenteve të botuara në shtyp, ai prapë i shkruan për veprën e për telashet që ajo i ka sjellë. “Kjo pjesë e vogël, – i thotë, – m’u duk e rrjedhshme…” dhe se “aty-këtu kish ndonjë të metë stilistike”. Por ka dëgjuar fjalë të mira nga një mik, që e ka lexuar. Pra, ai nuk flet gjatë për veprën. Ajo që e shqetëson është fakti se kritikat i janë bërë Sterjos në mungesë dhe, duke qenë larg, s’kish si të mos mërzitej e të ndjehej keq. Është kjo nxitje apo shaka, që e shtyn ta shkruajë letrën, por që nuk mbetet vetëm me kaq. Dashur pa dashur shtyhet më tej e më thellë, në një “muhabet”, që nuk e kanë bërë kurrë. Kësaj here ai vendos të flasë, por jo konkretisht për veprën. I qëndron larg gjykimit të saj, abstraktion, si të thuash, dhe jep mendime në përgjithësi për letërsinë dhe punën e shkrimtarit. Thotë se rruga e tij është e vështirë, plot telashe, që “ka më shumë gjemba se trandafilë”. Mendimet i shtrin më tej, kur del pastaj te raportet në mes brendisë dhe trajtës në letërsi. “Domosdo, brendia zë vendin e parë. Me sa kam dëgjuar, vepra jote nuk calon nga kjo pikëpamje… Dhe kjo duhet të të gëzojë”. Mbetet çështja e trajtës, pra, niveli i realizimit artistik, për të cilën ka folur kritika, gjuha, stili, kompozicioni. Te ky problem ndalet Mitrushi, një problem delikat, të cilit i qaset me takt, nga që nuk do që t’i japë mësime dhe ta lëndojë. “Nuk them se është mirë, i shkruan, po nga ana tjetër, s’është thagmë e madhe”. E, megjithatë, tregohet i sinqertë dhe s’mund të mos arsyetojë më thellë. Nga ngushëllimi kalon në kritika. “Mendja më thotë se ti je ngutur disi, nuk i ke dhënë mirë dorën e fundit”. Ndaj e këshillon që ta ripunojë “për të ngritur vlerën e trajtës në nivelin e asaj të përmbajtjes … se puna e mirë kërkon kohë, përpjekje të shumta”. Dhe i sjell shembullin e dy prej shkrimtarëve më të shquar sovjetikë të kohës, M. Shollohovit dhe A. Fadajevit, që nuk përtojnë t’i ripunojnë veprat e tyre. “Pra, puna nuk do ngutje”. Dhe, sikur të mos mjaftonte përvoja e letërsisë bashkekohore, hidhet në përvojën e letërsisë së lashtësisë, e vetmja letërsi, siç shkruan, që lexon në këtë kohë. Ka lexuar veprën “Punë dhe ditë” e Hesiodit, bashkëkohës i Homerit, shkruar 2700 vjet më parë dhe jo pa qëllim i citon fjalët e mendimtarit të lashtë që thotë: “Kështu, poçari i ka zili poçarit, lypësi i ka zili lypësit dhe këngëtari këngëtarit”. Dhe prej kësaj del te një arsye tjetër, siç është zilia, që i ka sjellë telashe romanit. Ndaj, si mik, pasi i kujton këtë, i vë në dukje vlerat e tij si shkrimtar dhe e inkurajon, duke e mbyllur letrën me fjalët: “Pra, ti duhet të kesh parasysh fjalët e këtij plaku të lashtë, që i njihte mirë shtëmbarët, lypësit, këngëtarët. Sidoqoftë, të them se dje, kur po kthehesha në shtëpi, pashë në vitrinë shumë ekzemplarë të botimit frëngjisht të romanit tënd “Ata nuk ishin vetëm”. Dy ishin hapur me fotografinë tënde. Kjo do të thotë se kritika nuk e pakësoi dashurinë që kanë lexuesit për ty”.

Përgjigjja e Sterjos është dëshpëruese. Ai është aq i tronditur nga furtuna e ngritur kundër tij, sa, duke qenë i sëmurë dhe larg Shqipërisë, nuk gjen forca ta rimarë veten. Mitrushi, i hidhëruar shumë nga përgjigjja e tij, do t’i shkruajë një letër të dytë po për të njëjtën çështje. Po kësaj here, si burri burrit, me tone të çiltra kritike. “Unë të dinja të fortë si gur, si të gjithë shulshopët e tu dhe ti na dalke çvryk. Punë i thonë kësaj, Sterjo?” Dhe i kujton të atin, xha Spassen, që megjithëse në moshë të shtyrë dhe plot halle shëndetësore, nuk e jep veten. Po, nga ana tjetër, për ta nxjerrë nga gremina e dëshpërimit ku ka rënë, i shkruan: “Ti more një zanat, që i bluan trutë e njeriut, e mplak para kohe, bluan e vret. Kështu është shkrimtarrllëku… Njeriu që merr këtë zanat, e vë në lojë shumë zemrën e vet, e lodh së tepërmi dhe më në fund nis të kërcasë si një qere pa katran. S’është punë e lehtë të vihesh në hipotezat shpirtërore të heronjve që krijon”. Këshilla e tij prej miku është t’u bindet urdhrave të mjekëve dhe bën humor kur i shkruan: “Mirë bëre që ke hyrë në garazh për vajosje dhe riparim. Duhet të kesh vetëm një gjë: durim”. Dhe për ta ndihmuar e ngushëlluar i tregon hallet e tij shëndetësore, që nga puna e madhe është bërë invalid. Prandaj duhet të marrë masa e t’u nënshtrohet porosive të mjekëve, që të mos arrijë në gjendjen e tij. Sepse “Nuk luhet me shëndetin, sidomos me zemrën, aq më tepër kur e di se ke një zanat që rrëmbeu para kohe Gogolin, Çehovin e shumë të tjerë”.
Në fakt, fatin e tyre nuk do ta pësonte Sterjo, por Mitrushi. Ai do të ishte martir i punës, i një pune cfilitëse me fjalën amtare, që, tok me dramën e shpërfilljes dhe barrën e rëndë të familjes, do t’i kushtonin shtrenjtë. Ai do të ndahej nga jeta pa mbushur ende të 60-at, kurse miku i tij i mirë do të jetonte dhe afro 30 vjet të tjera.

2

Një nga miqtë më të afërt e më të besueshëm të Mitrush Kutelit ka qenë edhe shkrimtari e gazetari Mustafa Gërblleshi. Miqësinë e tyre e lidhte jo vetëm letërsia, interesat e përbashkëta letrare e kulturore, kujtimet e viteve 1943-44 si intelektualë aktivë të kohës, por dhe burgimi i të dyve pas Çlirimit dhe mbetja në hije si shkrimtarë për një kohë të gjatë. Ndonëse kishin diferencë në moshë dhe në formim, ndonëse bënin punë të ndryshme, Mitrushi përkthyes dhe Mustafai bojaxhi, prapë ata ishin miq të ngushtë. Mustafai e konsideronte mësues dhe e quante Mjeshtër Mitrushin, kurse Mitrushi e çmonte shumë miqësinë e tij të sinqertë e të devotshme, po dhe vlerat si shkrimtar e gazetar, që dikur kish bërë emër, sidomos me romanin “Gremina e dashurisë”. Në miqësinë e tyre hynte dhe Merushja, e shoqja e Mustafait, një grua e mençur, e bukur, e apasionuar pas veprave të Mitrushit. Për të dy palët kjo miqësi në kohët e tyre të vështira ishte një fat. Miq të tillë të dashur, të besës e të gjindshëm, Mitrushi s’kish si t’i gjente kollaj. Ata, me sa mbaj mend, takoheshin shpesh e shkëmbenin vizita. I kisha parë dhe në shtëpinë e S. Spasses, ku mblidheshin intelektualë të brezit të tyre. Isha gjendur dhe unë jo njëherë në rrethin e tyre miqësor, ku flitej e diskutohej për letërsinë, shkëmbeheshin opinione, tregoheshin ngjarje dhe evokoheshin kujtime. Mitrushi në këto raste gjallërohej, sikur shkarkohej nga hallet e punës së mbyllur dhe thuajse bëhej tjetër njeri. Bëhej më i çelur e më i komunikueshëm, fliste e rrëfente aq këndshëm, sa kishe qejf ta dëgjoje. Nga ana tjetër, Mustafai me fjalën e shtruar dhe humorin tiranas, dhe Merushja, me gazin dhe hiret e gruas së bukur, e bënin ngaherë kuvendin të dëshiruar për Mitrushin. Këto takime për të ishin relaks e përtëritje pas ditësh e netësh të tëra i tërhequr në vetminë e punës dhe larg kontakteve të shpeshta me njerëzit. Tashti që i kujtoj të gjitha këto, them se komunikimi i Mitrushit me çiftin Gërblleshi ishte nga komunikimet e rralla, që i jepte mundësi të shprehej lirisht e njerëzisht dhe të merrte kënaqësinë që japin miqtë e vërtetë. E, megjithatë, nuk ka kish marrë mendja se komunikimi i Mitrushit me ta kish gjetur shprehjen e vet dhe në letra. Prandaj do të ishte një kënaqësi dhe befas i madhe për mua kur, në fillim të viteve 90, disa muaj pasi kish vdekur miku im Mustafai, duke biseduar një ditë me Merushen, ajo më tregoi se kishte disa letra të Mitrushit, dërguar Mustafait dhe asaj nga Pogradeci kur shkonte për pushime verore. Ajo pati mirësinë të m’i japë në mirëbesim, t’i lexoj e t’i fotokopjoj si mik dhe studiues i Mitrushit. “Ti ke bërë shumë për Mitrushin, – më tha. – Kur askush nuk guxonte të shkruante për vlerat e tij, ti shkrove një studim, pastaj i botove vëllimin me tregime e më pas ia përmblodhe veprat në pesë vëllime”. Më prekën këto fjalë. Ndoshta sepse ky ishte i vetmi shpërblim moral, që merrja për gjithë sa kisha bërë deri në një kohë, kur pas ndrimit të regjimit, kishin dalë plot mbrojtës të tij. Por për mua tani ishin të rëndësishme letrat që kisha në dorë, ato dëshmi të rralla autentike, që hidhnin dritë në jetën e tij, qoftë dhe në një segment të vogël kohor. Qenë katër letra të gjata, me nga 20-30 faqe secila, të shkruara brenda muajit gusht të vitit 1961, me kaligrafinë e tij të bukur e të qartë, në letër me format të madh. Sigurisht që i lexova me një frymë, për t’i rilexuar edhe herë të tjera kohë pas kohe. Më shumë se letra, ato janë rrëfime drejtuar dy miqve të ngushtë, krejt të hapura, çuditërisht pa kurrfarë autoçensure, aq sa nuk di të them nëse ato i kish dërguar dorazi apo me postë.

Kështu të lira e shumë të sinqerta, me një intimitet prekës, letrat janë shkruar me një stil bisedor, ku ndjehet ritmi dhe ngjyrat e fjalës kuteliane. Letrat i bën akoma më tërheqëse dhe humori, që valëzon nga qesëndia e ironia e deri te sarkazma therëse. Ai tregon për ditët e netët që kalon në Pogradec, për gjendjen shpirtërore, flet për njerëz e ngjarje, kujton histori të kaluara, ankohet për shëndetin, bën shkara. Por letrat marrin vlera të veçanta kur jep mendime për letërsinë apo për shkrimtarë të veçantë, kur mediton e filozofon, kur vizaton portrete e peizazhe. Në to nuk mungojnë dhe momentet e zemërimit e të revoltës, e kritikave të hidhura për njerëz e probleme konkrete. Ai nuk tregohet indiferent dhe për ngjarjet letrare të ditës, siç ishte, për shembull, debati për poezinë që u zhvillua në mes ithtarëve të traditës dhe atyre të modernes, ku Mitrushi merr anën e të dytëve. Ai vihet në mbrojtje të I. Kadaresë, duke iu kundërvënë e kritikuar një poet tradicional për “tonin e rëndë e didaktik prej prokurori” dhe shkruan se “nuk them se Kadareja s’ka të meta, por ka shumë anë të mira, ka poezi, kurse disa “poetë” tradicionalistë janë negacioni i poezisë”. Po kështu, duke qëndruar në anën e të rinjve, çmon lart artikujt me kritika të forta të D. Agollit. Nga ana tjetër, Mitrushi nuk i kursen kritikat për ndonjë koleg të tij përkthyes, sidomos për dobësi profesionale. Nëpër letra nuk mund të qëndronte jashtë dhe Lasgushi, si personazhi më i spikatur i vendlindjes në ato ditë vere. Kështu, tregon për një episod pikant nga jeta e poetit, ngritur mbi një keqkuptim. E ka fjalën për një punëtor të ri, që pret tulla, “amator të madh të vjershave të Lasgushit”. “I ditka përmendësh, – shkruan Mitrushi. – Një ditë ndalet në një çezmë, afër furrës, lë poshtë kazmën dhe pret t’i vijë radha të pijë ujë, po çezmën e ka zënë një thinjak, që lan një bastun. E lan dhe e shpëlan një herë, pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë… Djaloshi duron sa duron, pastaj mërzitet… I thotë: “O plak, mjaft e lave atë bastun. Më ler të pi ca uje”. Plakut i kërcen delli i ballit për fyerjen e madhe (i kish thënë “plak”) dhe ngreh bastunin ta godasë. Ky bastunin, ai tjetri rrëmben kazmën. Menju u kacafytën. Ndërhyjnë një shok i djaloshit …, e zë për krahu, e heq mënjanë dhe i thotë duke qeshur: “A e di cili është ai që po lan bastunin?” – “Jo”. – “Është Lasgushi yt”. Djaloshi u shushat, zgurdullon sytë. – “Ky qenka?” “Ky”. Mori kazmën e iku, s’piu fare ujë, s’ktheu as kokën të shikojë “plakun”, që po vazhdonte të lante e shpëlante bastunin për inat gjer ta bënte të mbinte si ai shkopi i s’di cilit profet. Që atë ditë s’këndon e s’reciton ndonjë vjershë të Lasgushit. A e sheh se ç’gjëra ndodhin në bahçen e madhe të Allahut?”

Nuk gaboj po të them se këto letra të Mitrushit, krahas vlerës dokumentare, mbajnë dhe vlera artistike, që i bëjnë të jenë nga faqet e bukura të letërsisë epistolare shqipe. Prej tyre përzgjodhëm dhe shkëputëm disa fragmente për t’i njohur dhe shijuar drejtpërdrejt lexuesi.

“Unë jam një përrua që zbret nëpër gur: varem, copëtohem, qaj, këndoj e zbres tatëpjetë, që të kridhem … në thellësi”.

“Shetita, piva duhan, adhurova hënën. Dje mbrëmanet lindi në një cep të Malit të Thatë, u ngrit ngadalë, e kuqe, e rrumbullakët si një kulaç i përcëlluar në prush. Liqeni flinte, flinte. Ndenja një copë herë buzë tij me një shok të vogëlisë: opingar. Po nuk ndenjëm shumë; bënte shumë fresk. Pra, u ngritëm dhe u kthyem në shtëpi. Hëna kish ngelur midis plepishtave, e bardhë si një hanëme, nga ato të parat, ëndërrimtaret…”.

“Ndenja një copë herë në ura e futur brenda në liqen, ku kish një bylyk fëmijesh, që kishin hedhur grepët. Uji i kulluar tejpërtej. Mali i Thatë ish mbështjellë me qiq të artë dhe pasqyrohej i tërë poshtë në ujin pak si të përhimë e të përzierë me ar. Qetësi”.

“Mua s’më priu sivjet vendi lindor. Shumë plagë shpirtërore, shumë dhembje trupore. (S’marr frymë lirisht, më kumbojnë veshët etj.) Dje ka qenë një ditë e bukur, diell mesatar, i ëmbël, liqeni tërë dritë e gaz. Medet, sa mirë do të kish qenë sikur para se të vinja këtu, të kisha hequr qafe të gjitha vuajtjet që më mundojnë, t’i kisha hedhur në Lanë a në Shkumbin, rrugës dhe të rrinja dy tri javë i zveshur nga të gjitha. Po këto janë ëndrra si ajo e njeriut të padukshëm”.

“Para se të ngrysej shkuam në varreza, ndezëm nga një qiri, sipas zakonit të qëmoçëm, mbi varret e Babajt dhe të Nënës. Aty do të vi dhe unë të prehem, shpejt a vonë, megjithëqë do të më pëlqente më shumë të më shpinin më larg, në gështenja, në vetmi, në vetmi të plotë (verës të kem miq ketrit, zogjt, lepujt, dimrit ujqit e dhelprat), por mendoj se është zor të shpjesh një të vdekur gjer atje larg. Dhe prapë s’heq dorë nga një mendim i tillë, që më është ngulur në trutë nga koha e birucës. Dua të prehem larg, larg. Dhe më kujtohet i mjeri Omar Kajami: “Oh, botën plot shamat sot e lashë; Nga mijëra margaritare njëzë i dhashë; Se s’më kuptoj kjo bot’ e trashë”.

“Hëna doli, kur rrinim buzë liqenit: e madhe, e kuqe. Pastaj u zbardh e mori vrull e lundroi nëpër hapësirë. Fëmijët më bënë njëmijë e njëqind pyetje; si është hëna? Ç’ka prapa atij mali? Po në Tiranë, ka hënë tani? Është i madh ai yll? (Afërdita) Sa një shtëpi apo më i vogël? Ç’është vallë kjo harmoni kaq e përsosur? Që ku vijnë e shkojnë? Sa rrëke njerëzish kanë shkelur në këtë ranishtë dhe ku janë tani? Dhe mendja më shkon me drithma te ty, që s’guxoj t’ja përmend emrin, sepse jam tepër i vogël … hije e një grimce të një stërgrimce – tek Ai që ka shumë emra, por që është Një i vetëm dhe mbi të gjitha dyshimet e mija birucore, dua me gjithë shpirt që të jetë, të mposht dyshimet e mija dhe të prek aty ku dua të vete. atje ku thashë, në vetmi. O Zot, Ti je, duhet të jesh, sepse pa Ty nuk prehem dot”.

“Ky libër (“Souvenirs de la Haute Albanie” të A. Degrandit) më ngjalli hidhërime të mëdha: vëllavrasje, fanatizma, urrejtje, që bluan e stërbluan jetën tonë shqiptare, na paksuan dhe ngjeshën në një cep të Ballkanit, ndonëse ne kemi qenë zotër të moçëm të një vendi të madh, shumë larg këtyre caqeve, ku jemi mbytur sot. Të huajtë na mbollën urrejtjen, na ndanë e përçanë, na bënë të mos njohim veten, të mos duam veten, domosdo as vëllanë. Tani, thotë Degrandi, urrejnë njëritjetrin në çdo vilajet; greku mbjell farën e grindjes në Epir; Austria e Italia në Veri; Mali i Zi, i përkrahur nga Rusia, gjithashtu. Në krahinat e tjera, serbët, bullgarët, bile dhe rumunët, kanë dërguar njerëz për të çarë e përçarë. Një grek i moçëm me emrin Phrantzës, historian, paska thënë “shqiptarët janë populli më i lig dhe më i kot (le plus inutile) në botë”. Përfundimi? Duhen zhdukur. Kështu thotë bizantini Phrantzes. Domosdo Phrantzes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar dhe vepron ndofta si ujk. Po ujku njihet dhe njeriu di si të mbrohet kundër tij: me sopatë, me kopacë. Po si të mbrohet kundër ujkut veshur me lëkurë dele? Si të mbrohet kundër atij, që flet si engjëll dhe vepron si shejtan?

Të gjitha këto i lexoj, i bluaj në mendje dhe s’më zë gjumi dhe më vjen të çmendem. Pra, sot kur po shkruaj këto rreshta, s’jam në vete”.

Marrë nga libri: Koha e kujtimeve, Nasho Jorgaqi