Delegatë të Kongresit, themelues të VLEN-it,
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi,
I nderuar kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski,
Të nderuar Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali, Mimoza Musa dhe Bekim Qoku,
Të nderuar deputetë, ministra, kryetarë komunash, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar përfaqësues nga Shqipëria dhe nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,
E nderuara kryetare e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sonte këtu me ju, në mesin tuaj, në një moment me peshë të veçantë politike dhe shoqërore: themelimin formal të subjektit politik VLEN.
Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim e të përjetojmë ndarje, përçarje e copëtime të subjekteve politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe më domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë të gjejnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik.
Ky njësim dhe ky subjektivizim politik, përveçse dëshmon përgjegjësi politike e qytetare, përbën edhe një model të rëndësishëm bashkëpunimi për organizimet e ndryshme politike që veprojnë në rajon.
Dita e sotme ka edhe një simbolikë të posaçme, meqë ky kongres po mbahet pikërisht më 9 maj, në Ditën e Evropës. Kjo datë është kujtesë historike se Evropa moderne u ndërtua mbi rrënojat e fashizmit, mbi refuzimin e urrejtjes, supremacisë dhe luftërave.
Bashkimi Evropian lindi si një projekt i paqes nëpërmjet antifashizmit dhe i prosperitetit nëpërmjet demokracisë. Dhe kjo ka rëndësi të veçantë për Ballkanin, sepse edhe sot në rajonin tonë, herë pas here, shfaqen ide, nostalgji dhe politika që përpiqen ta relativizojnë të kaluarën historike, të ushqejnë urrejtjen etnike ose ta destabilizojnë bashkëjetesën mes popujve.
Ne duhet të jemi të qartë: çdo ide që çon drejt fashizmit, nacionalizmit agresiv, mohimit të tjetrit dhe cenimit të dinjitetit njerëzor, duhet të kritikohet, të kundërshtohet dhe të mposhtet politikisht, moralisht dhe institucionalisht.
Më 18 nëntor 2024, qeveritë e dy vendeve tona zhvilluan mbledhjen e përbashkët, në të cilën u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme. Një pjesë e tyre tashmë janë realizuar, ndërkaq për pjesën tjetër po punohet intensivisht që të përmbyllen sa më shpejt.
Që nga prilli i vitit 2025, kur u funksionalizua sistemi “one-stop-shop”, me modelin hyrje-hyrje me Kosovën, është rritur ndjeshëm qarkullimi i qytetarëve dhe është ulur dukshëm koha e pritjes në kufi.
Gjithashtu, së shpejti pritet të nisin punimet për rrugën Bllacë-Shkup, e cila do të lidhet me rrjetin e autostradave të Maqedonisë së Veriut dhe me Korridorin 8, realizimi i të cilit po ecën me dinamikë të përshpejtuar.
Sa i përket rrugës Prizren-Tetovë, Komisioni Ndërshtetëror për realizimin e këtij projekti është formuar qysh vitin e kaluar. Tani pritet hapja e tenderimit për projektin final, për të cilin Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 2 milionë euro.
Presim që sa më parë të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi strategjike për ndërlidhjen dhe zhvillimin e dy vendeve tona, për qytetarët dhe bizneset.
Këto lehtësime kufitare, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe forcimi i mirëbesimit në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve në politikën e jashtme, janë përkthyer drejtpërdrejt në më shumë zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për të dy republikat tona.
Ne, të nderuar të pranishëm, jemi shumë afër me njëri-tjetrin dhe do të jemi gjithnjë e më pranë njëri-tjetrit.
Ta zëmë, unë nesër në mëngjes shkoj në Gjakovë, e që në gjatësi kilometrash është më larg sesa të vij nga Prishtina këtu në Shkup, siç bëra sonte. Ta zëmë edhe ndokush që ka ardhur këtu në Shkup nga Struga, nëse kthehet me mua në Prishtinë, do të ketë gjatësi rrugore edhe më pak se gjysma, krahasuar me kthimin në Strugë.
Këtu nuk e kam fjalën për Bekim Qokun, Bekimi rri sonte këtu, por dua të theksoj që distancat janë të vogla, po i zvogëlojmë gjithnjë e më shumë, por edhe ata që kanë distanca të mëdha kthehen shpesh dhe na duan fort.
Kosova ka dëshmuar se përfshirja e mërgatës në procesin zgjedhor i sjell energji të re demokracisë, e rrit pjesëmarrjen qytetare, shton përgjegjësinë politike dhe e lidh shtetin më fort me njerëzit e vet jashtë vendit.
Roli i mërgatës së Kosovës në proceset vendore ka qenë faktor i rëndësishëm në zhvillimin e shtetit dhe në dinamikën demokratike të shoqërisë.
Edhe Maqedonia e Veriut ka një diasporë të madhe, të suksesshme dhe jashtëzakonisht të fuqishme. Në shumë raste, ajo ka mbajtur ekonomikisht familjet, komunat dhe zhvillimin lokal. Ajo ka investuar, ka ndihmuar dhe ka ruajtur lidhjen me vendlindjen.
Prandaj, përfshirja më e drejtpërdrejtë e diasporës sonë në procesin zgjedhor nuk do të ishte vetëm një e drejtë demokratike, por do të ishte dobi për shtetin, për shoqërinë dhe për ekonominë.
Diaspora nuk është veç kujtim i largësisë; ajo është potencial politik, ekonomik, intelektual dhe kombëtar, që duhet të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe e investimeve për të ardhmen e vendit.
Të nderuar miq e kolegë,
Arritja juaj më e madhe është bashkimi. VLEN-i tashmë është një subjekt që përfaqëson interesat publike dhe shoqërore të të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Duhet të tejkalohen mendësitë provinciale dhe inatet nga e kaluara, në mënyrë që të ndërtojmë kohezion dhe drejtësi shoqërore.
Demokracia e gjen stabilitetin e saj te drejtësia, barazia dhe pjesëmarrja e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe në jetën publike në mbarë territorin e Republikës.
Nëse qytetarët nuk e ndjejnë veten pjesë të Republikës, atëherë Republika humb jo vetëm njerëz, por edhe prosperitet e stabilitet.
Ky duhet të jetë edhe roli i VLEN-it: t’u japë kredibilitet institucioneve në sytë e qytetarëve, në rastin tuaj, sidomos në sytë e shqiptarëve.
Kjo arrihet përmes pjesëmarrjes së plotë dhe të drejtë të shqiptarëve, duke promovuar cilësinë më të lartë në dije, profesion dhe përfaqësim.
Stabiliteti i Ballkanit varet nga integrimi i shqiptarëve, nga të drejtat dhe kontributi i tyre. Në këtë rrafsh duhet të jemi të qartë: stabiliteti i Ballkanit, aq i domosdoshëm në gjeopolitikën e ngarkuar të kohës në të cilën po jetojmë e po e përjetojmë, nuk ndërtohet mbi përjashtimin apo minimizimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në procese, por mbi integrimin e tyre të drejtë, meritor dhe të përfaqësuar në qeverisje të pakorruptuar.
Nga ana e faktorit shqiptar, detyrë themelore është avancimi i institucioneve arsimore e kulturore në gjuhën shqipe, me standardet më të larta të cilësisë.
Shqiptarët duhet t’i paraqiten shoqërisë së gjithëmbarshme në Maqedoninë e Veriut në formën më të organizuar, më profesionale dhe më dinjitoze.
Ndërkaq, nga ana e institucioneve të etnisë shumicë në Maqedoninë e Veriut, duhet të kuptohet qartë se integrimi i shqiptarëve nuk është humbje për shtetin, por një fitim i madh për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen e përbashkët në NATO e drejt Bashkimit Evropian.
Me këtë bashkim këtu sot në Shkup, po e dëshmoni që vlen.
VLEN, vlen dhe VLEN-i ia vlen.
Urime dhe gëzuar!
Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen.















