Ballina Bota “Funksionim pothuajse mafioz”: si Donald Trump po spastron Partinë Republikane

“Funksionim pothuajse mafioz”: si Donald Trump po spastron Partinë Republikane

Donald Trump ka nisur një fushatë të ashpër kundër republikanëve që nuk i binden plotësisht vijës së tij politike. Në shënjestër së fundmi ka qenë deputeti republikan Thomas Massie nga Kentucky, të cilin presidenti amerikan e ka sulmuar publikisht me fyerje të rënda, duke e quajtur “të pabesë”, “të çmendur” dhe “të neveritshëm”.

Massie, një republikan populist, ishte bërë prej muajsh një nga zërat e rrallë kundërshtues brenda kampit të Trumpit. Ai ishte bashkautor i ligjit që detyroi qeverinë të deklasifikojë dosjet Epstein dhe po ashtu kishte propozuar një rezolutë për t’i dhënë fund luftës në Iran.

Më 19 maj, Massie u përball me zgjedhjet paraprake republikane për “midterms” të nëntorit. Rezultati ishte i qartë: ai mori 45 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij fitoi me 55 për qind. Pas shtatë mandatesh në Kongres, Massie humbi vendin e tij, duke paguar çmimin politik për kundërshtimin e Trumpit.

Kundërshtari i tij, Ed Gallrein, ishte një figurë pak e njohur, por besnik i lëvizjes MAGA. Ai u mbështet personalisht nga Donald Trump, i cili ndërhyri hapur në fushatë. Më 17 maj, në rrjetin e tij Truth Social, Trump u bëri thirrje votuesve të Kentucky-t ta “hiqnin qafe” Massie-n.

Një sistem besnikërie

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Pasi spastroi administratën nga kritikët e tij, Trump tani po përqendrohet te Kongresi dhe Partia Republikane.

Pak ditë para votimit në Kentucky, ai kishte kthyer vëmendjen edhe nga Luiziana, me synim largimin e senatorit Bill Cassidy. Cassidy kishte votuar për shkarkimin e Trumpit pas sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Edhe pse pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë Cassidy u përpoq të afrohej me presidentin, madje duke mbështetur emërimin e Robert Kennedy Jr., të njohur për qëndrimet antivaksinë, në krye të Departamentit të Shëndetësisë, kjo nuk mjaftoi. Trump nuk ia fali “pabesinë”.

Për ta zëvendësuar, ai mbështeti deputeten Julia Letlow, e cila fitoi bindshëm zgjedhjet paraprake më 17 maj: 44.8 për qind kundrejt 24.8 për qind të Cassidy-t.

Sipas Dominique Simonnet, autor dhe njohës i politikës amerikane, Trump po ndërton një “sistem besnikërie” përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Presidenti, sipas tij, ka nevojë të rrethohet shpejt me njerëz që i janë plotësisht besnikë dhe që do të bëjnë gjithçka për fitoren e tij, edhe nëse kjo nënkupton kontestimin e zgjedhjeve në ndonjë qark.

Këto “ekzekutime publike” kanë edhe një funksion tjetër: disiplinimin e republikanëve. Mesazhi është i qartë: kush del kundër Trumpit, rrezikon të humbasë karrierën politike.

Simonnet e përshkruan këtë si një “funksionim pothuajse mafioz”, ku duhet të dëshmosh besnikëri të plotë ndaj “kumbarit”. Me fjalë të tjera: kush nuk dëshiron të pësojë të njëjtin fat, duhet të rreshtohet.

Elektorati që “do ta ndiqte deri në ferr”

Pavarësisht akuzave se po dëmton demokracinë e brendshme të partisë, strategjia e Trumpit deri tani ka funksionuar. Votuesit republikanë kanë zgjedhur kandidatët e mbështetur prej tij, edhe kur përballë tyre kanë qenë figura të njohura lokale me përvojë shumëvjeçare.

Sipas Simonnet, baza trumpiste ndahet në dy grupe. I pari është bërthama më besnike, që e sheh Trumpin pothuajse si figurë mistike dhe “do ta ndiqte deri në ferr”. Një pjesë e këtij grupi, sidomos nga komuniteti ungjillor, e sheh veprimtarinë e tij si një lloj “misioni mesianik”.

Grupi i dytë nuk e adhuron personalitetin e Trumpit, por e mbështet për idetë dhe premtimet e tij politike. Për shumë votues amerikanë, shqetësimi kryesor mbetet ekonomia dhe xhepi i tyre. Përballë demokratëve që, sipas analizës së Simonnet, nuk arrijnë të ofrojnë një alternativë bindëse, mesazhet populiste të Trumpit për fuqinë blerëse vazhdojnë të kenë ndikim.

Prandaj, edhe nëse Trump vazhdon spastrime të tilla, shumë votues do të vendosin sipas interesit të tyre të përditshëm.

Demonstrim force para zgjedhjeve

Nga këto zgjedhje paraprake, Trump del fitues në dy nivele. Së pari, kandidatët e tij fituan. Së dyti, ai i kujtoi Partisë Republikane dhe botës se vazhdon ta kontrollojë partinë me dorë të hekurt.

Ai duket i pandikuar nga kritikat, qoftë nga media, qoftë nga kundërshtarët politikë. Ndryshe nga mandati i parë, Trump nuk është më i rrethuar nga funksionarë që përpiqen të frenojnë impulsivitetin e tij, por nga besnikë të lëvizjes MAGA.

Sipas Simonnet, Trump sillet si një “oligark”: nuk pranon kundërshtime dhe rrethohet vetëm nga njerëz që i thonë atë që dëshiron të dëgjojë.

Megjithatë, kjo strategji hakmarrëse mund t’i kushtojë në nëntor. Me qasjen autoritare në fushatë, Trump rrezikon të largojë republikanët më të moderuar dhe votuesit e pavarur.

Ai vetë e hedh poshtë këtë rrezik. Duke folur për drejtuesit e partisë, Trump tha para gazetarëve se kjo “nuk do t’u shkaktojë asnjë problem”.

“Ata duan të fitojnë. Unë di si të fitoj – mendoj se e kam provuar këtë, apo jo?”, deklaroi ai.

Por zgjedhjet e mesmandatit janë ende disa muaj larg. Dhe me ritmin me të cilin Trump prodhon polemika të reja, votuesit mund ta kenë harruar këtë betejë të brendshme deri në nëntor.