Ballina Kronika I mituri nga Manastiri publikoi “listë për eliminim” të shokëve të klasës

I mituri nga Manastiri publikoi “listë për eliminim” të shokëve të klasës

Një nxënës i klasës së shtatë në Manastir ka publikuar në TikTok një listë me emra dhe mbiemra të shokëve të tij të klasës, duke kërcënuar se do t’i likuidojë. Në publikim është përmendur edhe një datë e saktë.

Drejtori i shkollës fillore “Stiv Naumov” në Manastir, Nikolle Piskaçev, ka deklaruar se është mbajtur mbledhje me prindërit dhe se për rastin janë njoftuar MPB-ja dhe Qendra për Punë Sociale. Ai konfirmoi se incidenti ka ndodhur jashtë shkollës dhe jo gjatë procesit mësimor.

“Në kuadër të kompetencave tona, shkolla ka ndërmarrë masa përkatëse për mbrojtjen dhe mbështetjen e nxënësve, si dhe aktivitete për qetësimin e situatës dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë nxënësit dhe të punësuarit”, tha drejtori.

Ai apeloi që opinioni të përmbahet nga përhapja e informacioneve të paverifikuara dhe të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e personave të përfshirë, veçanërisht pasi bëhet fjalë për të mitur.

Sipas shkollës, pas ankesës së një grupi prindërish deri te Inspektorati Shtetëror i Arsimit, janë njoftuar institucionet kompetente: Ministria e Punëve të Brendshme, Qendra për Punë Sociale dhe njësia rajonale e arsimit në Komunën e Manastirit, me qëllim që rasti të hetohet plotësisht.

Prindërit e nxënësit kanë paralajmëruar se do ta transferojnë fëmijën në një shkollë tjetër.