Ballina Aktualitet Mickoski refuzon të komentojë kërkesat e Selës për hyrje në Qeveri

Mickoski refuzon të komentojë kërkesat e Selës për hyrje në Qeveri

Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar shkurt kërkesat e liderit të njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, për përfshirje eventuale në Qeveri.

“Ju lutem, politikanët e së kaluarës lërini në të kaluarën”, tha Mickoski.

Komenti i kryeministrit vjen pasi para disa ditësh Sela reagoi ndaj deklaratës së njërit prej drejtuesve të VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili tha se ekziston mundësia që Sela t’i bashkohet Qeverisë dhe se komunikimi për këtë çështje po zhvillohet në disa nivele.

I pyetur nga gazetarët nëse për pushtetin janë të pranueshme kërkesat që Sela i ka vendosur si kusht për hyrje eventuale në Qeveri, Mickoski u përgjigj shkurt:

“Ju lutem, dita është e bukur, ju lutem, lërini ata politikanë”, deklaroi kryeministri pas hapjes së sezonit të parë të “Plazma – Lojërat sportive për të rinj”.

Në pyetjen e përsëritur që t’i komentojë kërkesat e Selës, Mickoski sërish tha:

“Dita është e bukur, këtu nuk kemi as Badenter, as Gjykatë Kushtetuese, kemi energji shumë të bukur. Lërini politikanët e së kaluarës në të kaluarën.”

Më herët, Sela kishte deklaruar se në Qeveri nuk hyhet për të marrë poste ministrore, por për të realizuar pikat programore të premtuara. Ai tha se çdo diskutim për përfshirje në pushtetin ekzekutiv duhet të bazohet në kushte të qarta politike.

Sipas Selës, prioritet për Aleancën për Shqiptarët mbeten ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.