UNË JAM GEGË
MUSTAFA NANO
Me parathënie nga Primo Shllaku
Tiranë, tetor 2013.
Me dashuri, djemve të mij,
Edit e Gerit
MIRËNJOHJE
Dua t’u them ‘faleminderit’ disa njerëzve, të cilët në mënyrën e tyre më kanë dhënë një dorë gjatë kohës që isha vënë për ta shkruar këtë libër. Dua t’i them faleminderit shoqes sime M. që, për 45 ditë me radhë, diti t’m’i mirëkuptonte xanxat e krijimit, Marian Palokës, me të cilin kam pasur kënaqësinë të shkëmbej ndonjë ide në pikun e punës, Alfred Serreqit që ma lexoi me një frymë bocetin, Henri Cilit që ra dakord pa një, pa dy ta publikonte këtë libër e që i vuri të gjithë në lëvizje me të lexuar dorëshkrimin, Besa Vilës që, teksa bënte redaktimin e korrektimin, më sugjeronte leximin e ndonjë autori gegë, që mua më kishte shpëtuar, dhe – last, but not least – Primo Shllakut që pati mirësinë, e që gjeti arsye, të shkruajë parathënien e librit.
Mustafa Nano
PËRMBAJTJA
PARATHËNIE – 1
KREU I
Nga ilirët te gegët; nga epirotët tek toskët? – 11
Gegë e toskë vihen në kërkim të sho-shoqit, por … – 39
Do të bësh komb? Ke gegët. – 45
Do të bësh shtet? Ke toskët – (vazhdon)
KREU II
Gegë e toskë: Çfarë skrupujsh! Por dhe goditje poshtë brezit – 59
KREU III
Hera e parë nuk është e thënë të jetë gjithnjë e vështirë – 115
Një toskë përballë libërthit Te ura e Rrzhanicës – 122
Komunizmi na pengoi të njohim veten, pastaj botën – 129
Migjeni më ka ngjitur qysh herët – 136
Më në fund, Fishta – 139
KREU IV
Vjen Arshi Pipa, dhe … – 149
Me gjuhën nuk bëhet shaka – 156
Nga zotërinjtë ‘B’ (Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani) te zotërinjtë ‘B’ (Bejtexhinjtë) – 161
Zotërinjtë ‘B’ ishin njerëz të fesë; por ishin dhe shqiptarë, ama – 167
Në kërkim të “autorit hyjnor”: Në fillim ishte Fishta, ndërsa sot është Kadaré – 171
Pipa versus Vehbiu: cila është shqipja “më e epërme”, standardi apo gegërishtja letrare? – 174
Shkumbini gjuhësor është ngjitur sipër në Morinë, por … – 176
Shqipja standarde është problemi për kosovarët? Apo është zgjidhja e problemit? – 178
Si i bëhet? Ka gjithmonë një zgjidhje – 187
PARATHËNIE
Primo Shllaku
Është nder dhe e qetë për nder që autori i këtij libri, gazetari dhe prezantatori i njohun televiziv, Mustafa Nano, shprehu dëshirën e hapët që unë t’ia lexoja në boca këtë libër dhe, mundsisht, t’i shkrueja edhe nji parathanie. Meqë temat me të cilat merret libri, janë pak a shum edhe sfidat e mia të studimit, por edhe të jetës sime publike, pranova a priori, edhe pse nuk e kisha pa ende librin. Mbas leximit libri më rezultoi cytës dhe më provokoi shum mendime. Në këtë introduktë të shkurtë që destinohet për ligjërim shkrimor, simbas maksimës latine vendosa të hjedh përmbajtjen (gjithmonë simbas meje) mbetëse të këtyne mendimeve, kurse atë kalimtaren ta shpreh vetëm gojarisht. Kjo, mbas të tjerash, na krijon edhe nji avantazh tjetër: kësisoj, nuk përsërisim veten dhe respektojmë ma fort auditorin. Sigurisht edhe autorin.
Nji ekskursion në zonën e rreptësisë
Mungesa e një vegimi tranzicional në lamin e kulturës ka shkaktue nji krizë të thellë të mendimit shoqnor, kulturor e shpirtnor. Nuk thashë artistik, sepse forcat krijuese e kanë marrë me yrush rikuperimin e kohës së humbun, tue ndjekë modele arti e frymë shkollash moderniste, të cilat janë prap aq të sfazueme me postmodernizmin si veçanti bashkëkohësie, bash si dikur realizmi socialist ishte po aq i sfazuem me modernizmin, si veçanti izolimi. Njeriu mendues shqiptar, na duket, po përjeton nji formë të randë dhe akute të nji dëshprimi kulturor, me të cilin ai shpesh nuk ka marrdhënie të kthjellta vetëdijesore, por vetëm empatike, me simptoma të nji brengosje të thellë që s’po di si me ia kapë fillin. Zhvillimi i shkencave dhe imperativi i dekomunistizimit të tyne po ndodh me vështirësi, sepse establishmenti intelektual me formim solid e të pakontestueshëm komunist, është ngujue dukshëm në fortesën e kulturës, tue klihtë me të madhe pretendimin se epoka e diktaturës kishte kriju edhe vlera shpirtnore. Për këtë na serviren modele të asaj kohe, mendime dhe konkluzione të asaj kohe, relativizohen dhe justifikohen tepri e tejkalime të së drejtës me formulën “ashtu ishte koha”. Dhe meqë nuk pranohet kurrnjilloj kritike substanciale, shprehja “ashtu ishte koha”, vërshëm mbi të gjitha të tashmet e sotme dhe bëhet “ashtu ësht prap koha”. Kjo grabitje e së tashmes nga e kaluara, me kaq lehtësi dhe me kaq natyrshmëri, ësht për mue burimi i parë dhe qendror i këtij dëshprimi kulturor. Gjatë këtij gati çerek shekulli, studiues të rinj, krijues të rinj, njerëz me pikëpamje kanë hyrë vendosmërisht në pjacën e mendimit publik shqiptar. Këta njerëz kanë sjellë risi e variante të vërtetash që do t’i kishin hije nji shoqërie demokratike e që, me përpjekje vetjake, po mundohet me u çue në këmbë. Establishmenti zyrtar që konservon e sintetizon kulturën, hesht, hesht dhe vetëm hesht. Kur u ndodha me ngë njihërë, u pasionova dhe ja hyna shkoklitjes së shkaqeve të kësaj heshtjeje. Më rezultonte vetëm paaftësi. Dhe provova të zbavitem me të. Qendrat e heshtjes para pyetjeve tona i quajta fosilizime, sklerotizime, mykje. Por ato heshtën prap, edhe pse kisha qenë pak delikat me to dhe po e meritoja nji me trinë të dorës. Këto qendra ishin sa inekzistente, aq edhe të gjithëpranishme, diçka si landa e shtetit që jep qiellin me qera dhe e zë lepurin me qerre. Ata ishin të “paftyrë”, të padukshëm, të pandjeshëm, sfinksa shkretine dhe prani misterioze, qenie të nji thrilleri që këmbëngulën ndër ne prej gati 80 vjetësh. Ata kishin landë prej shteti, godisnin pa i lvizë organet goditëse dhe lavdia e tyne vazhdonte e papreme. Iu ankova nji mikut tim të huaj dhe ai, e di si më tha: “Po i pagove taksat, shtetin mos ta kesh frikë. Të tjerat bâjini vetë, bile mos e mësoni më shtetin me hy në këso punësh”. U ktheva në shpi jo pa entuziazëm dhe i kërkova Mustafa Nanos miqësinë në Facebook.
Jam i sigurt se ka njerëz sot në Tiranë që titulli i këtij libri “Unë jam gegë” ka për t’i çuditë e tronditë më fort se sikur ky libër i M. Nanos ta kishte titullin “Unë jam gay”. Për nji pjesë të madhe të autoriteteve “misterioze” binomi “gegë-toskë”, ose edhe kufizat e tij të marra veç e veç, janë fjalë pa ndonjë kuptim, janë “historizëm”, fjalë të kohës së Nuhit, gjithsesi pa landësi e përmbajtje. Këto fjalë si dhe derivatet e tyne që përskajojnë sektorët e mëdhëj përkatës të shqipes, janë fjalët tabu që askush më nuk duhet me i përmendë. Dhe deterrentin e tabusë, fuqinë e tij shkatërruese e përban pohimi se ai që i përmend, automatikisht mund dyshohet për “përçarës i kombit”. Fjalë e madhe kjo… Pra tabuja ka edhe sfinksin rojtës që e mban të gjallë tmerrin para tundimit. Jemi në terren tashmë mitologjik. Kultura shqiptare e tranzicionit e mbërthyeme në çatallat e mitit!?! Mozotmakeq!
Për ata që kanë njohuni sado fillestare mbi teorinë e sistemeve, qenia prej pjesësh e nji së tane është gjëja më normale e botës. Edhe ne, pra, kombi ose fara shqiptare është e përbamë prej pjesësh. Bile ne jemi të përbamë prej dy pjesësh dhe struktura e jonë kombëtare është hemisferike. Dy pjesë dhe vetëm dy: gegë e toskë.
Siç e përshkruen me imtësi edhe autori, ky hemisfericitet ishte i pranishëm në jetën mendore dhe vetëdijesore të shqiptarëve dhe shpesh kishte luejtë rolin e poleve që prodhojnë shkëndija, energji, por nganjihërë edhe diatriba. Autori thekson me vërtetësi se deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore këta dy lobe të mëdhëj funksiononin mirë, se mes tyne kishte njifarëlloj konkurrence që përkthehej në garë përparuese dhe në rezultate që kishin mbrendë edhe prirjen e përsosjes. Por ajo që bie në sy dhe që Nano nuk i ka rezistu mundimit pa e theksuar, është se gegët e toskët kanë respektue fort njëri tjetrin, kanë ruajtë njëri tjetrin, kanë pasë masën e proporcionit dhe marrdhëniet mes tyne kanë qenë shumë të përkujdesuna që të mos i binte asnjësë palë “fija e qerpikut mbi sup”. Zbulimi i kësaj të vërtete para publikut në terma të tillë dhe, aq më tepër nga ana e nji toske natyral, ngjan paksa e çuditshme, kur kjo e vërtetë e mshefun me kujdes dhe e zhdukun nga qarkullimi, përban nji nga pikat e nxheta të kryetabuve që shkenca jonë mbasidiktatoriale e kalon me heshtje dhe që ruhet me kujdes prej rrezikut se mund të zgjohen “demonët e përçamjes”(!). Atë që ndodhi mbas vjetit 1944, Nano nuk e cek sepse, me gjasë i duket, se i ka heqë mjaft gurë themeli nji tabuje të rrezikshme. Por pohimi i drejtpërdrejtë dhe pa dykuptimë se gegët e toskët kanë ardhë si vëllazën të mirë deri më 1944, është nji e vërtetë që e prisnim të thuhet kaq gjatë dhe kaq pastër sa na e thotë Nano në pjesën e parë të këtij libri. Thymja e tabusë, shkatrimi i heshtjes dhe guximi me risjellë në aktualitet problemet e ekuilibrave të mbrendshëm të botës shqiptare janë akte të mirëfillta ndershmërie intelektuale që i bëjnë nder M. Nanos dhe librit të tij të ri. Ato nuk hapin as “kutinë e Pandorës”, as “shakujt e Eolit”. Ato mund të jenë fare mirë fillimi i nji ere të re të përballimit tonë me veten e, ndoshta, edhe shansi për nji gnosioterapi (shërim përmes dijes).
Plakat këshillojnë: Mos e mbyllni rrjebullin…
Është folë për nji pajtim kombëtar dhe kjo fjalë buçitëse na ka pasë tronditë të gjithëve. Me kë duhet të pajtohemi? Kush e kush janë idhune që duhet të pajtohen? Pajtimi është fjalë e madhe dhe ka gjithmonë kërkim falje, ka pendesa, ka rrëfim të thellë dhe vullnet për vetpërulje. Eksperimenti komunist që filloi ndër ne me nismën e komandantëve toskë dhe të armatave partizane me shumicë toske, mbaroi dhe dha shpirt në prag të vjetëve ’90. Dështimi ishte i bëjmë. Shqipnia e bukë-e-shillnës mbas 45 vjet sakrificash e humbjesh të jetëve njerëzore mbrriti deri te bukë-e-djathi me tallon. Pushteti i diktaturës nxitoi të sajonte elita të reja politike dhe t’ua lëshonte në dorë gështenjën përvëluese për t’i ikë vetë përgjegjësive. Gjithçka duhet të ndodhte në sipërfaqe të sendeve, asgjë në mbrendësi. Disa solistë thërrisnin për pajtim kombëtar. Mes kujt e kujt? Por edhe atyne u kishte ra skorbuti i tabusë dhe nuk e thonin. Nuk e thonin atë që Mustafa Nano ka vendosë ta thotë sa si sfidë ndaj mbrapshtisë së vet, aq si sfidë individualiste të njeriut që i pëlqen më mirë me ecë në dy këmbë sesa mbi shumë këmbë. Dhe e filloi tregimin. Ndoshta tregimi i tij mbaron këtu dhe ai mund t’ua lëjë të tjerëve vazhdimin. Por sidoqoftë Nano theu nji tabu duke u nisë nga ana e ngadhënjimtarëve dhe guxoi me vu gishtin mbi atë pikë që të gjithë mendonin se ka volt shumë.
Kombet në foshnjërinë e tyne bëjnë jo rrallë marrëzina, bile të mëdha, bile vetëshkatërruese. Historia shqiptare e kishte krijuar mekanizmin e ekuilibrit të mbrendshëm dhe sot ky mekanizëm nuk rikrijohet, sepse “të urtët” e këtij vendi, “të dijshmit” e këtij vendi e mohojnë se ky problem ekziston. Mendojnë se do ta absorbjë me kohë trupi i shoqërisë shqiptare? Apo nuk duhet përmendë nga frika se zgjohet? Shkencëtarët tanë janë supersticiozë?! Ekuilibrat e prishun në bërthamën e kombit janë përgjegjës për veçantitë e luftës së klasave në Shqipni dhe nuk kanë mungue të shpallin hovin e tyne rënimtar më 1997. Kurse fushatat elektorale, cilësia e militantizmit politik shqiptar si dhe gjeografia e tij është shprehja më e rëndomtë e shfaqjes së dëshpërimit tonë kulturor në rang turmash.
Me delikatesë e me mënyrën e vet jo pakherë ngurruese, ky libër na kujton xherahët e mëhallave tona që nanave të reja që rrisnin fëmijë, ua ndalonin që t’u mbyllje rrjebulli foshnjove, anpise dikush më vonë edhe mund t’ua vinte nofkën e qerosit. Për këtë temë të madhe që lidhet me qytetërimin dhe emancipimin shoqnor, me edukimin e nevojës së ekstroversitetit dhe të “shtëpisë pa perde”, Henrik Ibsen ka pasë shkrue nji nga dramat më rrëqethëse të të gjitha kohëve, “Hijet” e tij.
Transcendenca historike: A mund të shkojnë sendet në vend të vet?
Së fundmi Nano në këtë libër prek edhe problemin delikat të gjuhës, ku sot, ndër ne, duket se janë ngritë dy rreshtime të diskutueshëm dhe i kontestuar. Autori përpiqet për nji zgjidhje dhe e merr atë të gatshme nga A. Vehbiu, i cili, simbas nji tradite tipike toske, jeton jashtë dhe i hjedh gjylet prej larg, çka ia kursen paksa empatinë.
Nano rikthehet tek standardi, të cilin e shef të mbrritun deri në Morinë, por të papërthithun prej kosovarëve. Si kriter për drejtësinë e qenies së standardit ai merr Ismail Kadarenë, famën e tij botërore dhe distilatin e naltë të gjuhës së tij. Por nuk duhet të harrojmë se transcendenca e historisë dhe e gjuhës, metafizika e saj i ruajtën standardit surprizë të madhe në fillimin e vjetëve ‘90, ardhjen gati providenciale të “vllaut” të humbun, Martin Camaj. Qytetërimit të “shqiponjave që fluturojnë lart” dhe që kishte hy në klimaks të thellë, Martin Camaj i kundërvu qytetërimin e përvujtë të “breshkës që s’e humb lidhjen me dheun” e vet. Pra edhe Kadare nuk është më i vetëm në majën e piramidës së klasifikimit zyrtar. Ka edhe Camajn përbri. Madje, as ai vetë nuk e pretendon më se është vetëm. Poet i lartësive, e quajnë.
Nano ka ndërtue një libër interesant, ku ndërthurjet e teksteve po i themi bazale, alternohen me “paranteza” që i rinë teksturës si shtresa beshameli dhe e “lezetojnë” udhëtimin nëpër libër. Futja në situata rreptësisht intime dhe personale si dhe kërkimi tek përvojat vetjake i kontakteve parake me dukuritë e bëjnë librin të përtypshëm dhe deri zbavitës. Me gjithë gravitetet e padukshme që e tundojnë dhe e përcaktojnë, Mustafa Nano ka prirje të lindun prej ekuilibristi. Si homo sapiens që është, edhe ky individ e ka sigurisht transcendencën e vet.
Tiranë, 30 shtator 2013
KREU I
Nga ilirët te gegët; nga epirotët tek toskët?
Gegë e toskë vihen në kërkim të sho-shoqit, por …
Do të bësh komb? Ke gegët. Do të bësh shtet? Ke toskët
Nga ilirët te gegët; nga epirotët tek toskët?
Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, botim i vitit 1980, fjalët ‘gegë’ e ‘toskë’ nuk mungojnë. Artikulli ‘gegë’ shfaqet dy herë, njëherë në kuptimin: “banor vendas i krahinave veriore e të mesme të Shqipërisë, ose ai që e ka prejardhjen nga këto krahina”, dhe herën e dytë në kuptimin: “që lidhet me krahinat veriore e të mesme të Shqipërisë, ose me banorët e këtyre krahinave; që është karakteristik për këto krahina, apo për banorët e tyre; që është krijuar nga banorët e këtyre krahinave”. Jepen dy ilustrime: “toskët dhe gegët; dialekti ‘gegë’. Tek artikulli ‘toskë’, që gjithashtu shfaqet dy herë, dhe që të dyja herët me kuptime të shprehura në mënyrë krejt të ngjashme me rastin ‘gegë’ (veçse këtë herë përcaktohet kufiri që ndan Gegërinë me Toskërinë: lumi Shkumbin), të bën përshtypje se ilustrimet janë më të shumta: “toskë dhe gegë vëllezër jemi; hajde toska i vogël, drodhe mal e kodër; dialekti toskë; të folmet toske; veshje toske”.
Në Fjalor janë, por në të vërtetë nuk para përdoreshin. Nuk di ç’rrethanë ka qenë kur kam dëgjuar për herë të parë të flitet për gegë e për toskë. Nuk besoj se ka qenë në shkollë, sidoqoftë, ngaqë deri në vitin 1990 tekstet e lëndës së Historisë pastroheshin nga këto fjalë, ashtu si tekstet e Edukatës Morale pastroheshin nga fjalët e turpshme. Në lëndën e Leximit Letrar ne mësonim edhe mbi autorët e Rilindjes sonë, te poezitë dhe te proza e të cilëve termat ‘gegë’ e ‘toskë’ nuk kanë munguar, sido që janë shtënë në punë prej tyre me një logjikë kombëtariste, por njerëzit që përkujdeseshin për hartimin e këtyre antologjive shkollore, duke pasur në mendje një logjikë tjetër kombëtariste, i bënin sytë katër në mënyrë që pasazhet me ‘gegë’ e ‘toskë’ të mbeteshin jashtë.
Nuk është çudi që fjalën ‘toskë’ ta kem dëgjuar për herë të parë të dalë nga goja e gjyshes sime, që kishte lindur në vitin 1900 e që jetoi gjithë kohën, derisa vdiq, në shtëpinë tonë. Nuk është se mund ta ketë përmendur shpesh. Përkundrazi, shumë rrallë, ndonëse po ta pyesje se çfarë ishte ajo vetë, nuk jam i sigurt nëse do të përgjigjej “jam shqiptare” (nuk jam i sigurt, madje, nëse i kishte pjesë të fjalorit të vet fjalët ‘shqiptar’ e ‘Shqipëri’). Do të përgjigjej: jam toskë, dhe sipas shumë gjasave, fjalën ‘gegë’ nuk e njihte. Nuk e kam dëgjuar ta përdorte, ndonëse ka jetuar nja dhjetë vjet mes gegësh, në Rrushkull të Durrësit. Pjesën tjetër të jetës (e nuk ishin pak; gjyshja vdiq në moshën 97 vjeçare) e kaloi në trekëndëshin Grepckë (fshati i lindjes) – Strorë (fshati ku e martuan) – Çorovodë (vendi ku shtyu pothuaj dyzet vjet të jetës). Është një trekëndësh i vogël në arealin toskë, në Skrapar.
Sa për prindërit e mi, ata nuk i kanë përdorur kurrë këto terma. Të paktën, unë s’mbaj mend t’i kem dëgjuar t’i përdorin. Me miqtë e mi, deri në fund të gjimnazit, ka ndodhur e njëjta gjë, dhe kjo është e kuptueshme. Gjatë regjimit komunist ne ishim thjesht shqiptarë (merret vesh, më parë ishim ‘njeriu i ri’). Më pas, në vitet e universitetit i kam dëgjuar tek-tuk. Nuk kam të fiksuar në kujtesë asnjë rrethanë konkrete, në të cilën të jetë folur për ‘gegë’ e ‘toskë’, por di që në ndonjë rast është folur. Afërmendsh, krejt pa të keq, jo për t’i bërë ndonjë sfidë regjimit, që nuk i kishte me qejf këto terma, e aq më pak prej ndonjë zelli për të theksuar identitetet krahinore gege e toske.
Këto terma nuk u hoqën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Përdoreshin për ca kohë, deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Më pas, më shumë prej skrupujve të autorëve e të studiuesve sesa prej ndonjë porosie a urdhri, u bë praktikë pune të mos përmendeshin. Në librin me titull Shkrime historike, autori Aleks Buda, që e ndjek gur më gur historinë e Shqipërisë, qysh nga lashtësia e deri në ditë tona, nuk ia ka nxjerrë goja qoftë dhe në herë të vetme termat “gegë” e “toskë”. Në këtë libër me më shumë se 500 faqe, mu në fund, nëse i hidhet një sy treguesit në rend alfabetik të emrave e termave gjeografikë, mund të gjesh “Labëri”, “Dukagjin”, deri dhe “Tomorricë”, por jo “Gegëri” e “Toskëri”. Kriso Frashëri bën të njëjtën gjë në librat e shumtë që ka shkruar mbi historinë e Shqipërisë; fjala vjen, në librin e tij Historia e qytetërimit shqiptar gjendet veç fjala “Toskëri”, që përdoret 3-4 herë deri në periudhën e pashallëqeve tona bujëmëdha, të Ali Pashës e të Bushatlinjve. Po ky autor ka përdorur një herë fjalën “Toskëri” e një herë fjalën “Gegëri” në librin Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Arben Puto në “Shqipëria politike (1912-1939)” jo vetëm nuk i cek fjalët “gegë” e “toskë”, por duket se edhe referencat e citimet janë zgjedhur të tilla që këto fjalë të mos figurojnë. Shaban Demiraj ka shkruar, vetë i dytë me Kristaq Priftin, një monografi mbi Kongresin e Manastirit, dhe fjalët gegë/toskë apo Gegëri/Toskëri shfaqen vetëm në ndonjë citim ose në relacionet dhe procesverbalet e Kongresit, që publikohën në mënyrë integrale në këtë libër. Çabej është nga të paktët, në mos i vetmi, që, teksa flet në një libër të tijin për shqiptarët midis Lindjes e Perëndimit, i përdor tek-tuk “fjalët e turpit” gegë e toskë, por duhet thënë, dhe kjo nuk është pa rëndësi, që publikimi është i vitit 1994. Valentina Duka ndjek shembullin e profesoreve të vet në librin që ka shkruar mbi *Historinë e Shqipërisë (1912-2000)*. Dhe në fund, e njëjta dukuri përsëritet edhe te botimi disavolumesh i këtyre viteve të fundit i Akademisë së Shkencave me titull Historia e popullit shqiptar, që ka për autorë dhjetëra historiografë shqiptarë (ndonjë autor i huaj nuk ka nguruar t’i bëjë qortime metodike këtij botimi luksoz). Në mijëra faqe të Historisë së popullit shqiptar, fjalët ‘Gegëri’ e ‘Toskëri’ shfaqen si të ndrojtura nja 5-6 herë, në citime të ndryshme, deri në momentin e Lidhjes së Prizrenit. Më pas as që bëhet fjalë.
Të kuptohemi, nuk është se një historiograf duhet t’i përmendë me pahir këto terma, por kur të gjithë bien në një mendje për të mos i përmendur, atëherë të bëhet se je përballë një “përbetimi” akademik; e nëse fjala “përbetim”, qoftë dhe e futur në thonjëza, tingëllon e papërshtatshme, atëherë po sugjeroj përcaktimin hipokrizi akademike. Pa thonjëza në këtë rast. Të shkruash për historinë e Shqipërisë ose për ngjarje, personazhe e periudha të caktuara të kësaj historie, e të mos përmendësh gegët e toskët, është jo vetëm surreale, por edhe e pamundur. Gegëria e Toskëria janë dy pjesë konstitutive të kombit shqiptar; e jo vetëm kaq. Gegët e toskët kanë qenë gjithë kohën pjesë e ekuacionit të real-politikës sonë kombëtare. Janë të rralla momentet historike në të cilat gegët/toskët të mos jenë përfillur si gegë/toskë në politikën kombëtare. Çdo kryeministër, ose çdo forcë politike, edhe sot e kësaj dite, demonstron vazhdimisht kokëçarjen për të ruajtur një baraspeshë të caktuar krahinore në shpërndarjen e posteve dhe në delegimin e pushtetit. Kujdesi në këtë drejtim është një nga premisat e jetëgjatësisë në pushtet; e anasjelltas, shkujdesja është një gjë që bie në sy të të gjithëve e për rrjedhojë provokon aty për aty mëri e zemërim tek “të shpërfillurit”.
Pse ekziston ky konsensus akademik për të mos u ndalur te ky argument? Gjatë regjimit të Enver Hoxhës, deri në vitin 1990, është synuar të mos komprometohet, apo të mos bëhet pis, imazhi i unitetit kombëtar, “arritjes më të madhe të komunistëve”, gjë që mund të ndodhte, sipas logjikës së vetë regjimit, prej theksimit të identiteteve lokale e krahinore. Por nga ana tjetër, te nomenklatura e atij regjimi, ashtu si edhe tek inteligjentsia në shërbim të saj, ekzistonte vetëdija se nga përmendja e shpeshtë e Gegërisë dhe e Toskërisë shkohej fare kollaj te një si dikotomi historike gegë/toskë, që përbën një cen a papërsosmëri kongjenitale të kombit shqiptar (ky i fundit vuan edhe prej një sëmundjeje të bartur qysh nga lindja, që është natyra multifetare e shoqërisë sonë; por në këtë libër do të bëj më të lehtën; do të merrem me papërsosmërinë, me dikotominë gegë/toskë), e cila është dukur edhe ca më shumë si e tillë, ngaqë është nënvizuar nga pothuajse të gjithë të huajt që kanë folur për Shqipërinë. Si zor të gjendet pra ndonjë historiograf, albanolog, konsull, etnograf, gazetar, antropolog, kronikan, ushtarak, gjeolog, spiun, shkrimtar, udhëtar i huaj që të ketë shkruar për shqiptarët e të mos ketë folur për gegët e toskët. Kanë folur me tepri e me zell të madh, a thua se kanë dashur të kompensojnë historiografinë shqiptare, që ka qenë e belbët në këtë drejtim.
Të shumtët e autorëve i mbahen idesë se ndarja është e qëmotshme. Një syresh, i yni Arshi Pipa, që veprimtarinë akademike e ka zhvilluar në SHBA e që është i prirur për ta parë dallimin mes gegëve e toskëve si një dallim më së pari gjuhësor, na çon “në ato kohë kur … në verilindje të epirotëve e në juglindje të ilirëve ishin maqedonët, ndoshta të lidhun gjuhësisht me fqinjët e tyne”. Dhe po aty vijon: “Ndërkaq vërejmë se ekzistenca e veçorive të përbashkëta morfologjike mes toskërishtes, greqishtes së re e maqedono-bullgarishtes, siç është bjerrja e paskajores në toskërisht dhe përdorimi i saj mjaft i kufizuar në gjuhët e tjera të sipërmenduna, si dhe formimi i të ardhmes me do + lidhoren dhe dëftoren në këto gjuhë e në toskërisht, ndërsa gegërishtja, e ngjashme në këtë aspekt me gjuhët neolatine, e ka ruajtur infinitivin dhe, po ashtu, ka një formë të kohës së ardhshme që ndërtohet me kam + paskajoren, e cila del qysh te shkrimtarët e hershëm katolikë”.
Pipa lë të kuptohet pra një lidhje epirotë-toskë dhe ilirë-gegë, por të njëjtën gjë bëjnë dhe të tjerët para tij. Autorja franceze, Nathalie Clayer ka idenë se gegëve, të cytur nga Monarkia e Dyfishtë, u ka ardhur përmbarë të mbahen si pasardhës të ilirëve (austro-hungarezët kanë qenë të interesuar ta mbështesnin këtë version, ngaqë kjo gjë “lejonte të vendosej një lidhje me krahinat që ishin tashmë nën tutelën Austro-Hungareze”), ndërsa toskët kanë besuar, sidomos qysh prej kohëve kur toskët e arbëreshët zunë të debatonin mbi origjinën e shqiptarëve, se janë pasardhës të pellazgëve.
Ami Boué, gjeologu austriak, që kishte dhe një pasion për etnografinë e gjuhësinë (‘dijetar erudit’, e quan Kristo Frashëri), e ka vizituar shpesh Shqipërinë, qysh herët, andej nga gjysma e parë e shekullit XIX, dhe është një nga ata që e kanë nënvizuar në mënyrë të veçantë ndarjen e shqiptarëve në gegë e në toskë. Sipas tij, kjo ndarje daton qysh në kohët e pushtimit romak, dhe “më vonë [pjesa jugore] formoi Epirin”, ndërsa pjesa tjetër mbeti nën romakët. Kjo është një tezë që mbrohet nga shumë vetë, mes të cilëve edhe nga albanologu i njohur, Johann Georg von Hahn, i cili i referohet gjeografit të famshëm grek, Strabonit: “Po të ndjekim rrugën Egnatia (që shkon buzë Shkumbinit), tue dalë prej rrethit të Epidamnit dhe Apolonisë, në krahun e djathtë do të kemi fiset epirote, brigjet e të cilëve lagen prej detit të Siçilisë deri ke gjiri i Ambrakisë, ndërsa në të majtë malësitë e Ilirisë, dhe fiset që banojnë deri në Maqedoni e Paoni” (përkthimi është bërë në gegërisht nga Veniamin Dashi).
Britaniku, Wadham Peacock, që rreket të bëjë shpjegime më të detajuara të asaj që ka ndodhur në këto anët tona nën romakët, përfundon: “Nën sundimin e Perandorisë Romake vendi u nda në provincat e Ilirisë dhe të Epirit, kështu që Shqipëria veriore ishte pjesa jugore e Ilirisë”. Indro Montanelli flet për një ndarje që zuri fill me pushtimin romak dhe që u përforcua nën Dioklecianin. Gazetari i njohur italian, të cilit ia njihnin të gjithë “vesin” prej historiografi, thotë se në këtë periudhë kemi Praevalitana-n, që fillon në Tivar e mbaron në Shkumbin, dhe Epirus Nova-n që fillon në Shkumbin e mbaron në Akrokerauni.
Ka dhe një britanik tjetër, Joseph Swire, historian, një nga më seriozët ndër të huajt që kanë shkruar për Shqipërinë, i cili shkon deri atje sa flet edhe “për dallime të lehta racore” midis shqiptarëve të veriut e atyre të jugut. Sipas tij, “gegët e mbyllur dhe luftarakë, tek të cilët [në fillim të shekullit XX] fustanella piktoreske është braktisur për hir të pantallonave të ngjitura pas trupit (këtë model pantallonash, tirq, duhet të ketë pasur parasysh Ismail Kadare në Muzgun e perëndive të stepës, kur u flet studentëve të tjerë të huaj në Moskë, me pretendimin për t’i lënë gojëhapur, për pantallona shqiptare?), mendohet se janë pasardhës të ilirëve, kurse ata të jugut … mendohet të jenë pasardhës të epirotëve”. Të befason e të çorodit disi, pas këtyre pretendimeve shkencore, një deklaratë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në një letër që ia dërgon princit të Tarantos në kohën kur kurora e mbretërisë së Napolit u vu në diskutim (1461). Këtë deklaratë e sjell Oliver Jens Schmitt-i në librin e tij Skënderbeu: “Nëse nuk gënjejnë kronikat tona, ne veten e quajmë epirotë”.
Ndër të parët shqiptarë që ecën kësaj ane, në tentativat për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve, është Sami Frashëri. Në Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë që, në tërësinë e vet, edhe pse është vlerësuar jo pa të drejtë si “manifesti i Rilindjes sonë” (fraza në thonjëza është e Xhevat Lloshit), është megjithatë një vepër e dobët dhe e mbushur me interpretime të çuditshme të historisë së Shqipërisë dhe mbi shqiptarët; në këtë libër pra Sami Frashëri flet për të parët e këtyre të fundit, për “ilirianët e epirotët”. Dhe thotë: “Illyria e vjetër nukë pushtonte të tëra Shqipërinë, se nukë shkonte më poshtë Vjosës nga jugu; sindëkur thamë, shtrihej gjer në Savë e gjer në fund t’Adriatikut duke përpushtuar edhe Bosnjën e të tjerë vende. Që nga Vijosa e gjer në mëngët t’Ambrakisë (t’Artësë) cop’ e jugës së Toskëris së sotme quhej Epir… Mbretëri e Illyrisë ishte veçan, e Epirit ishte veçan”. Ai, jo vetëm në këtë pasazh, flet për toskë e gegë, e duket se i ka bërë të vetat çiftimet gjenealogjike ilirë-gegë, dhe epirotë-toskë.
Vaso Pasha e mbron përpara Sami Frashërit këtë evolucion historik të ilirëve e epirotëve, që shndërrohen me kalimin e kohës respektivisht në gegë e toskë. Në librin e tij me titull E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai flet për dy familjet e mëdha shqiptare, për Gegërinë dhe për Toskërinë, që më tej i quan respektivisht Shqipëri e Epërme e Shqipëri e Poshtme. Kufiri në veri është ai që përmendet nga pothuaj të gjithë, Tivari, që rëndom sillet nëpër libra, për t’u qëndruar besnikë autorëve të hershëm, në formën e vjetër greke e latine, Antivari e Antibarium. Ndërsa poshtë në jug shkohet po njësoj deri në Prevezë, që shpesh identifikohet me gjirin e detit, ku është vendosur, Ambrakinë (sapo e pamë sesi e quante Samiu, me një shqipe fantastike që nuk merret vesh pse nuk është parapëlqyer: Mëngë e Ambrakisë), apo me popullsinë që banonte aty e në rrethina, thesprotët.
Autori i vargjeve me titull Moj Shqypni, e mjera Shqypni dallon dhe nëndarje të tjera brenda familjeve të mëdha. Për Gegërinë thotë se ishte e banuar nga fise, që janë ato që kanë mbërritur deri në ditët e sotme me emrat Hoti, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Shala, Shoshi, Mirdita, Merturi, Krasniqi, Temali. Ndërsa tek toskët dallon vetë toskët, e pastaj çamët dhe labët, që u përgjigjen tre popujve të vjetër të Epirit: Kaonëve, Thesprotëve dhe Molosëve. Në fakt, nëndarjet në Jug i kanë nënvizuar dhe shumë autorë të tjerë. Ndërsa në veri veç ndonjëri veçon mirditorët; përgjithësisht flitet për një Gegëri monolitike.
PARANTEZA E PARË: TË HUAJT E KANË ZËNË ME LEBËRIT
Labët ose lebërit mbahen si mburravecë, dhe ky është një ves që ata ia njohin vetes; madje s’e kanë për gjë edhe të vetëqesëndisen. Mund t’u përmendet tek-tuk edhe ndonjë ves tjetër, por në përgjithësi nuk është se shqiptarët e tjerë i kanë veçuar për keq kushedi se çfarë. Fan Noli, në një vjershë të tijën, ku përqesh më shumë se treçerekun e Shqipërisë, për lebërit limitohet të thotë “A do urtë njerëzit të rinë/nën komandë të kesh ushtrinë/në tabiate të kesh njerëzinë/merre të gjithë Labërinë”. Për Vlorën ka një strofë më vete, por kuptohet se me të, përveçse flet për vlonjatët, plotëson ca më shumë portretin e labit: “Ore të gjorë, harruam Vlorën/se kjo punë lahet me gjak/dy shirita e një medalje/kësaj pune i vëmë kapak”.
E gjithë vjersha është gjysmë satirike e gjysmë bulevardeske, rrjedhimisht do të ishte e kotë t’i referoheshe në mbështetje të ndonjë pohimi a teze. Duhet thënë, megjithatë se, lidhur me lebërit, Noli i qëndron besnik një perceptimi popullor, sipas të cilit ata, pra lebërit, janë mburravecë e të zotë për punë pushke. Kaq. Ndërsa Eqrem bej Vlora, i cili shquhet për ndershmëri intelektuale, e për një qasje deri dhe mazokiste në pjesën më të madhe të kujtimeve të veta (ai është lab, gjithashtu), është më i ashpër se Noli. Ai shkruan: “Labët kanë pasur veti shumë të bukura, kalorësiake, por edhe shprehi të urryera, të cilat ishin trashëgim dhe ngarkesë e një edukate luftarake mijëvjeçare, si dhe e një tradite mercenarizmi; ata ishin njerëz krenarë, gjaknxehët, mendjemëdhenj, lakmitarë, tekanjozë, dembelë dhe jo shoqërorë, sikundër mund të ishin njëherësh trima, të gatshëm për t’u flijuar, bujarë, mikpritës, këmbëngulës dhe të besës”.
Siç shihet, autori, që gjatë gjithë librit nuk e maskon aspak krenarinë për origjinën e tij prej beu, thotë nëpër të dhe ca fjalë të mira për të vetët, por të bëhet se këto fjalë të mira i nxjerr si me pahir; duket se qëllimi i tij ka qenë të nxjerrë në pah anën e errët të lebërve. Mirëpo, Eqrem bej Vlora është lule, është një babëlok i sjellshëm prolab, krahasuar me autorët e huaj, të cilët flasin shumë më zi se kaq, dhe bazohen më së shumti – kjo është më e bukura – tek emri i keq që ata kanë ndër shqiptarë. Albanologut austriak, Johann Georg von Hahn-it i ka bërë përshtypje qysh në gjysmën e parë të shekullit XIX, që “termi ‘lab’ përdoret prej fqinjëve si shamje dhe tregon një njeri të shkatërruar, një hajdut të ndyrë dhe grabitqar”, dhe po sipas tij “vendasit nuk e pranojnë këtë emër që i turpëron, dhe e quajnë veten arbën dhe vendin Arbëni”.
Shkrimtarja britanike, Edith Durham, nuk ndalet gjatë te ky përkufizim për lebërit, por ajo nuk harron të na bëjë me dije se “[ata] kanë një emër të mbrapishtë”, dhe për ta ilustruar këtë opinion thotë se “dy vjet më parë i kishin thënë se rruga që lidhte Tepelenën me Këlcyrën ishte në dorë të hajdutëve, dhe nuk mund të kalohej pa paguar një shpërblim”.
Nathalie Clayer e shpjegon “namën shumë të keq të lebërve te vëllezërit e tjerë shqiptarë” me faktin që ata kanë “banuar në rajonet më të thella, me një relief të thepisur, [e prandaj] me ligjin zakonor ishin më të lidhur sesa fqinjët e tyre”. Po kjo autore citon Ibrahim Mansourin të ketë thënë se “labi përbuzej nga të gjithë, dhe se fjala ‘lab’ ishte një sharje”.
Anglez William Martin Leake, që ka shkelur këtyre anëve qysh në fillim të shekullit XIX, duhet të jetë ndër të parët që i ka vizatuar lebërit me ngjyra të zeza. Ai lë të kuptohet se Ali pashë Tepelena kishte një siklet prej origjinës së tij labe, dhe ishte kjo arsyeja që ai e konsideronte Tepelenën pjesë të Toskërisë dhe jo të Labërisë. Dhe Martin Leake bën ironi pas kësaj: E kush do të guxonte ta kundërshtonte gjeografinë e tij?
Ngjan pak i padrejtë ky veçim për keq i lebërve nga të njëjtët autorë që edhe për shqiptarët në përgjithësi nuk është se kanë folur mirë. Por edhe udhëtarë e vëzhgues, që mund të konsiderohen si dashamirës ndaj shqiptarëve, u kanë bërë këtyre të fundit përshkrime të pamëshirshme. E nuk është se kanë shtuar ndonjë gjë nga vetja. Wadham Peacock-u flet për zbarkimin e tij në limanin e Shëngjinit me avulloren e së famshmes ‘Austrian Lloyd’: “Barkat e vogla, që marrin udhëtarët nga avullorja për t’i çarë në breg, kishin si ekuipazh barkëtarë, pamja e të cilëve ishte pamje kaçakësh… Këta njerëz … në disa raste rrotullonin rreth kokës një lloj turbani të pambuktë në ngjyrë të bardhë, por të pistë; në supet e tyre disa syresh mbanin një lëkurë deleje të bardhë, dhe në këmbë kishin mbathur opinga prej lëkure të papërpunuar… ata debatonin me sho-shoqin duke bërtitur me sa kishin në kokë”.
Pastaj, jemi dhe ne që, në momente të një sinqeriteti që nuk para na karakterizon, e kemi vizatuar keq e më keq vetveten. Është po Eqrem Vlora që flet për shqiptarët, dhe i quan njerëz gjysmë të egër, e me këtë i qan hallin princit Burhanedin nga dera e osmanëve që ishte projektuar nga qarqe të Stambollit për t’u zgjedhur, përpara Wied-it, si mbret i shqiptarëve. Ndërsa Lumtoo Skëndo thotë se “…gurët e shkëmbinjve [ku jeton] e kanë bërë shqiptarin lakmitar, grabitës, [e kanë bërë] të vrasë një njeri tjetër për një hudhër, për një grusht bar, për një pëllëmbë arë”.
Po e mbyll me Faik Konicën, “bombat” e të cilit nuk numërohen. “Doni independencën që të mundni të mbeteni zullumqarë, por duhet të mos mbeteni zullumqarë, në daçi të fitoni independencën”, u thotë ai shqiptarëve “zullumqarë”, të cilët në një rast tjetër i quan “gomarë”. “Janë nja 50 shqiptarë që kuptojnë ç’është liria, … ndërsa të tjerët janë gomarë. Qibarët le t’i mbyllin veshët: [Do ta mbyll të përkohshmen] e kam ndërt të vete të shes mut; më mirë të shesë mut njeriu, se të shkruajë për shqiptarët”. Dhe këtë e ka shkruar ende pa e filluar mirë revistën Albania; saktësisht, qysh në numrin e dytë të saj.
Një pjesë e autorëve të mësipërm, por edhe të tjerë, përveçse i mëshojnë idesë së origjinës së hershme të ‘gegëve’ e ‘toskëve’ dhe të një ndarjeje që ka vijuar në shekuj (në këtë mes bie në sy teza se gegët kanë qenë të pushtuar nga serbët pas shekullit VI e toskët nga bullgarët nja dy shekuj më vonë, dhe teza tjetër se më pas toskët ranë nën Bizantin e gegët nën ndikimin e Venedikut e të Papatit), dallojnë dhe një moment më të vonë, kur këto identitete janë theksuar në mënyrë të veçantë. Është fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, kur shqiptarët ishin nën otomanët e kur krerëve të pashallëqeve në veri e në jug (Bushatllinjve me qendër në Shkodër e Ali pashë Tepelenës me qendër në Janinë), në tentativën për ta shtrirë autoritetin e tyre, u desh të luftonin edhe kundër njëri-tjetrit, e për rrjedhojë të krijonin një lloj marrëdhënie të trazuar e të mërishme mes popullsive nën hyqmin e tyre. Ka ndonjë pretendim që thotë se pikërisht në këtë kohë e pikërisht për shkak të shtrirjes së autoritetit e të autonomisë qeverisëse të këtyre princërve lokalë me origjinë e me vetëdije shqiptare ka filluar të shfaqet ideja kombëtare këtyre anëve, por duket se ishin Gegëria e Toskëria që u këndellën më shumë.
Konfliktet e Bushatllinjve me Pashain e Tepelenës ishin në funksion dhe në të mirë të Perandorisë Otomane. Në vitin 1793, Ali Pashai – sipas studiueses Nuray Bozbora që i referohet Kristo Frashërit – “…me synimin për të fituar simpatinë e Sulltanit, mori pjesë në fushatat ushtarake që osmanët ndërmorën kundër Bushatlinjve. Por nga ana tjetër, Sulltani i dha mbështetje më vonë Mustafa Pashës me qëllim që të balancohej pushteti i Ali Pashës në jug të Shqipërisë. Mustafai i Bushatlinjve mori pjesë me trupat e tij në ushtritë osmane që u urdhëruan të luftonin kundër Ali Pashës dhe kryengritjes greke.”
Ami Boué, ashtu si Georg von Hahn-i, e kanë dramatizuar më shumë se të tjerët këtë karfosje. “Toskë e gegë nuk merren vesh shoq me shoq… Në mes tyre mbretëron një antipati e trashëguar gjysh-stërgjyshi, e cila shkakton shpeshherë zënie e grindje…”, ka shkruar Georg von Hahn-i. Ami Boué qëndron në të njëjtat frekuenca, duke thënë se “…antipatia [mes gegëve e toskëve] është shfaqur në mijëra raste dhe ka qenë shkaku i shumë luftimeve”, dhe në këtë mes të bëjnë përshtypje format ndajfolore të shkujdesura “në mijëra raste” e “shumë”. Me ç’duket, më tepër sesa saktësia e korrektesa e shkencëtarit i ka interesuar rrumbullakosja stilistike e frazës, gjë që të sjell në mendje, për një moment, ata banorët rrotull liqenit të Prespës, shqiptarë a maqedonas, që ka takuar Edith Durham-i në një nga udhëtimet e para në trojet e shqiptarëve, pra në vitet e para të shekullit XX. Angleza e mirënjohur ndër shqiptarë thotë: “Këta njerëz nuk janë aspak të përpiktë në tregimin e ngjarjeve të përditshme edhe në rrethanat kur nuk duan të jenë gënjeshtarë e kur nuk përfitojnë ndonjë gjë prej rrëfimit të gabuar. ‘Shumë e madhe’ – kjo thuhet lirisht. ‘Pesë’ për ta do të thotë ‘njëqind’. Mund ta dëgjosh ngjarjen e të njëjtit krim në katër katunde e mund të duket sikur janë bërë katër vrasje.”
Historiani dhe diplomati italian, Ferdinando Saleo, ka shkruar një libër për Shqipërinë e princ Wied-it (Albania: un regno per sei mesi), dhe aty nënvizon të kundërtën e asaj që pretendohet nga dy autorët e mësipërm. “Pavarësisht nga diferencat mes gegëve e toskëve, [shqiptarët] kishin kultin e gjakut të përbashkët, gjë që e provoi mbi kurrizin e vet princ Wied-i kur synoi të përdorte trupat shqiptare, që ishin vënë në mbështetje të tij kundër rebelëve, që ishin me fe të ndryshme nga e tyrja”, shkruan Saleo. Në të vërtetë, Georg von Hahn-i dhe Ami Boué nuk kanë sjellë prova dokumentare në favor të përfundimit të tyre. Ndarjen, moskomunikimin dhe mosbesimin mes gegëve e toskëve e kanë nënvizuar të gjithë, por janë të paktë ata që i kanë mëshuar konfliktit të përjetshëm mes tyre.
Emërtimet ‘Toskëri’ e ‘Gegëri’ sidoqoftë janë përdorur më shpesh pas periudhës së pashallëqeve. George Gawrych që ka gërmuar mirë në arkivat osmane na bën me dije se në dokumentet zyrtare, që ka parë, bie në sy që më shumë janë përdorur termat ‘gegë’, ‘toskë’, ‘Gegëri’ e ‘Toskëri’ sesa ‘shqiptarë’ e ‘Shqipëri’. Nathalie Clayer i referohet salname-së osmane (një dokument zyrtar i Perandorisë, i ngjashëm me vjetarët e sotëm statistikorë, që qeveritë nxjerrin për çdo vit), dhe në të flitet për një Shqipëri të ndarë në dy pjesë, sipas “natyrës së territorit e të njerëzve”: në Gegalik (Gegëri) dhe në Toskalik (Toskëri).
Kjo salname është e vitit 1896. Por ndërkaq, kishte kohë që kishin dalë rilindësit, që i kishin vënë për qëllim vetes “të shpiknin nga hiçi” kombin shqiptar, dhe këtë ndërmarrje e filluan duke luftuar ndarjen dhe përçarjen mes shqiptarëve, krahinore e fetare. Ata flisnin për gegë e toskë, por këtë e bënin për një apel bashkimi, e jo për të nxjerrë në pah ndarjen. Kjo ka qenë dhe koha kur janë vënë re kontaktet e para, me idenë e vetëdijen e së njëjtës përkatësi kombëtare, mes jugut e veriut. Gegë e toskë nuk kishin dhënë e marrë mes tyre. Ata, në rrethanat kur komunikimi fizik brenda vendit ishte tejet i vështirë (sa për të dhënë një ide: kishte vetëm 200 km rrugë të shtruar në vitin 1912, në një kohë që në të gjitha vendet fqinjë me ne, deri dhe në Kosovë, kalonte hekurudha), kishin më shumë mosnjohje sesa urrejtje për njëri-tjetrin. Të tillë e kishin dhe mosnjohjen për botën, gjë që shpesh shoqërohej, siç është e natyrshme, me vetëpëlqim.
Edith Durham-i, kur i tha një hanxhiu shqiptar në përgjigje të interesit të këtij të fundit, se “qyteti i tyre [Pekini] ishte i vogël”, mori prej tij pohimin se “edhe floriri i vogël është, por vlen shumë ama”. Durham-i, një grua gjithmonë empatike me shqiptarët, një grua që kishte një aftësi për t’u çuditur e për t’u bërë kureshtare atje ku të tjerët do të tronditeshin, nuk na thotë që mbeti e shastisur nga përgjigjja. Përkundrazi, me këtë rast flet për “humorin e pastër të atyre njerëzve”. “Ata nuk të thonë se ‘dikush dështoi’, por të thonë se ‘shkoi hipur mbi kalë e u kthye mbi gomar'”, kështu e bën ajo ilustrimin e asaj që sapo tha lidhur me humorin e shqiptarëve.
Është po Durham-i që na rrëfen ndarjen, më saktë mosnjohjen, mes gegëve e toskëve. Ajo flet për një kishë të stilit bizantin në Shkodër, a diku afër Shkodrës, të ngritur me ndihmën e rusëve, dhe tregon se djali që e shoqëronte, një katolik, shprehu mosmiratimin ndaj kishës në fjalë. “Këta njerëz s’janë të krishterë; janë vetëm grekë”, ia bën ai. “Edhe shqiptarët e jugut kanë kisha të tilla”, i kthehet ajo, me shpresën se këtë herë e kishte zënë mat e ai nuk kishte ç’t’i thoshte, por përgjigjja e çoroditi: “Ata s’janë shqiptarë, por toskë”. Jemi në vitin 1906.
Një numër gegësh e toskësh ishin takuar shpesh me sho-shoqin deri në këtë moment, por kjo kishte ndodhur teksa i shërbenin Perandorisë Otomane në funksione e përgjegjësi të të gjitha niveleve, si pjesë e parlamentit apo e burokracisë së madhe ushtarake e administrative të Perandorisë, në dhë të huaj, në Kajro, në Aleksandri (“Skënderie”, e quan Filip Shiroka), në Bejrut, në Jemen, në Stamboll, e kudo në Rumeli, etj. Kontaktet mes shqiptarësh pra kanë qenë në të vërtetë mes otomanësh. Në këto rrethana rrallë kanë folur shqip me njëri-tjetrin, dhe për çdo herë kanë folur o për hallet e tyre, o për hallet e hyqymetit. Këta shqiptarë që i shërbenin Perandorisë Otomane kanë zënë të flasin vonë për vendin e tyre, e në gjuhën e tyre; kanë filluar të flasin më shumë në periudhën kur grekët e serbët i kishin fituar plotësisht a pjesërisht betejat e tyre kombëtare. Ngjarjet në Greqi, dhe në Serbi në të njëjtën kohë, i kanë kthjelluar e filluar se i sëmuri i Bosforit ishte duke vdekur, e se ata, si shqiptarë, nuk kishin pse të jepnin shpirt tok me të. Është pikërisht momenti kur merr udhë, ngadalë-ngadalë, lëvizja e Rilindjes Kombëtare që, në një formë a në një tjetër, pati si apel të parë të njëzëshëm: Gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, bëhuni bashkë, se jeni shqiptarë!
Më vonë ishin Traktati i Shën Stefanit (i Shën Shtjefnit, thoshin katolikët tanë) dhe Kongresi i Berlinit që, me vendimet e tyre për ta copëtuar Shqipërinë e për të shuar me ato copa oreksin e të fortëve të Ballkanit, ua nxorën gjumin për fare gegëve e toskëve dhe i bëri të hidhnin pas shpine mëritë e së shkuarës e që i cyti, në kërkim të një motivi për ta parë si të vetin sho-shoqin, të kapeshin pas të vetmes gjë të përbashkët që kishin: Gjuhës. Ah, kishin dhe Perandorinë Otomane të përbashkët, por ajo po numëronte ditët e fundit të jetës. Gjë tjetër të përbashkët nuk kishin. Fetë i kishin të ndryshme. Historinë të ndryshme.
PARANTEZA NR.2: GEGË E TOSKË? PO, POR EDHE OTOMANË
Shqiptarët kanë qenë të pasigurt se mund të fitonin pavarësinë, por jo thjesht për këtë mbetën otomanë deri në fund. Katërqind e kusur vjet nën Perandorinë Otomane, dhe vetëdija e tyre se, në ndryshim nga popuj të tjerë të Ballkanit, kishin qenë të llastuar brenda kësaj Perandorie, kishin bërë të vetën. Rilindja jonë Kombëtare është një dukuri që mund të lidhet në fillimet e veta, më së shumti, me arbëreshët e me diasporën, që ishte në një masë të madhe ortodokse, por nga ana tjetër mund të thuhet pa frikë se aksionin kombëtar për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria e kanë udhëhequr shqiptarë që ishin pjesë e elitës otomane, ose e elitës së otomanizuar nga thonjtë e këmbëve deri te majat e flokëve.
Arben Puto do ta shihte këtë nënvizim timin më të fortë sesa duhet; ose si gjysmë të vërtetë. Që “janë intelektualë osmanë”, këtë e thotë dhe ai për rilindësit tanë në librin *Shqipëria politike (1912-1939)* por, ngaqë i duket e padrejtë që frazën ta mbyllë këtu, bën shpejt e shpejt kompletimin e saj: janë dhe patriotë shqiptarë. Kristo Frashëri ecën në këtë linjë dhe flet për një “elitë të pocoqisur”. “Pocoqisem” është një fjalë me origjinë toske, që të mitë e kanë përdorur gjithë kohën me kuptimin “ndotem, bëhem zhul”, por Frashëri i referohet Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, dhe atje ka gjetur se “pocoqisem” do të thotë “ligështohem, mundohem, drobitem, kapitem”. Dhe për ta bërë të qartë idenë e “elitës së pocoqisur”, ai tregon anekdotën historike që ka lidhje me takimin që ka pasur Abdyl Frashëri e Mehmet Ali Vrioni në Berlin, në vitin 1879, me Otto von Bismarck-un, që një vit më parë e citonin të kishte thënë se “Shqipëria është thjesht një shprehje gjeografike”. Kancelari gjerman i kishte dëgjuar dy shqiptarët e çuditshëm, teksa flisnin mbi Epirin që u përkiste shqiptarëve, dhe i kishte pyetur: “Ç’vepra të shkruara keni për Epirin?” Miqtë e largët ishin justifikuar duke thënë se në kushtet e sundimit shumëshekullor osman nuk kishin pasur mundësi të bënin studime mbi interesat e tyre kombëtare. Ka gjasa që të mos kenë bindur as veten me këtë që thanë, por është e sigurt që Bismarck-ut nuk ia mbushën hiç kaplloqen. Sepse ky ua ktheu: “Shkoni dhe harxhoni ca bojë, shkruani ca vepra mbi historinë tuaj, dhe mbi të drejtat tuaja kombëtare, e pastaj trokitni në dyert e Europës”. Abdyl Frashëri e Mehmet Ali Vrioni duhet të kenë mbetur të habitur pas kësaj. Tamam si pjesëtarë të denjë të një elite të pocoqisur.
Shumë prej njerëzve të kësaj elite janë përpjekur deri në fund të ruajnë e përjetësojnë sundimin e Stambollit në Rumeli, gjë që, për rrjedhojë, do të bënte të mundur, sipas tyre, dhe mbrojtjen e Shqipërisë; ndërsa krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, me një motivim të lehtë antiotoman, e kanë pasur si një plan B, që do të parapëlqehej në rrethanat kur Perandoria do të rrëzohej. Në këtë rast, në vend të dashurisë së fortë, të madhe ndaj Atdheut të madh (vatan-i umumi) ata e kishin të hazërtë dashurinë tjetër, dashurinë rezervë, atë të vogël, dashurinë për vatan-i hususi-n, dashurinë për vendin e tyre të lindjes pra, mbi të cilën do të ngrinin kauzën e Pavarësisë së Shqipërisë, që pëndryshe do të çbëhej tok me interesat, pushtetin e ndikimin e tyre. Faik Konica thotë në një rast se Ismail Qemal beg Vlora i ka thënë që “…ne shqiptarët nuk duam të ndahemi nga Turqia. Përkundrazi, ia duam rrojën Turqisë. Por mjaft punuam për botën. Këtej e tutje duam të punojmë kështu mënyrë që, në rastë Turqia nga faji i osmanlilive, të mos bjerë edhe Shqipëria; ne shqiptarët duhet të jemi gati për të jetuar një jetë kombëtare.” Plaku i Vlorës i thoshte këto fjalë në vitin 1900.
E midis planit A për një Shqipëri autonome në kuadër të Perandorisë Osmane e planit B për një Shqipëri të pavarur me Perandorinë të vdekur, ka qëndruar për ca kohë, në fillimet e Rilindjes, plani i bashkimit të Shqipërisë me Greqinë që ekzistonte tashmë si shtet më vete; ka ekzistuar si alternativë në Toskëri, por edhe tek arbëreshët. Jani Vreto i shihte grekët e në të njëjtën kohë shqiptarët, me të njëjtat zakone, të njëjtat veshje, të njëjtën fe, madje dhe gjua e dijes dhe ajo e shkruar për shqiptarët ishte gjua greke, por merret vesh se vizioni i tij për Shqipërinë në këtë rast nuk shkonte më lart se Shkumbini.
Arbëreshët janë bërë të gjallë fillimisht me idenë e një federate Greqi plus Shqipëri. Dhimitër Kamarda i quante shqiptarët, për shkak të prejardhjes së njëjtë e afrisë me fqinjët e jugut, si greko-shqiptarë. Sot, duke pasur për trashëgimi një shekull e ca mosbesim e armiqësi me grekët, kjo tezë mund të tingëllojë si një gjë e çuditshme, por atëbotë ishte një tezë e pafajshme, e mundshme e, pse jo, logjike. Jemi në kohët, përsëris, kur Perandoria Otomane ende mbahej më këmbë, kur Greqia kishte hallet e veta dhe kur nuk i kishte shkuar në mendje të merrte copa të Toskërisë, në mos të tërën. Për më tepër, Greqia e atyre moteve mbërrinte deri në Prevezë, ndërsa Thesalinë do ta bënte të vetën më vonë. E prandaj, fare pa të keq edhe Dora d’Istria nënvizonte afrinë që shqiptarët kishin me grekët e latinët, dhe admirimin që ata kishin për qytetërimin grek. Ndërsa simpatia që Ismail Qemali kishte për grekët dhe për kulturën greke, merret e mirëqenë nga të gjithë. Por nuk është se është përfolur më shumë se ç’duhet për këtë. Është një nga pak rastet, kur shqiptarët kanë provuar empati për një personalitet politik të tyrin progreq. Pastaj, në atë kohë ka qenë shumë e udhës që politikanët e intelektualët të kishin një shtet të huaj si sponsor të veprimtarisë së tyre atdhetare. Askush s’mund të hidhte një çap pa ndihmën e një sponsori të tillë. Në një farë mase, kështu ka qenë në të gjitha kohët, edhe më pas. Veçse sot, për arsye të kuptueshme e ndoshta për inat të shqiptarëve, që s’e kanë humbur vesin, ka humbur interesi i fuqive të mëdha për të rekrutuar njerëz të tyre në Shqipëri. Ka mbetur interesi i fqinjëve dhe i ndonjë fuqie rajonale, megjithatë.
Është shumë domethënëse anekdota që tregon Eqrem bej Vlora. Ky i fundit, në një bisedë me Myfit bej Libohovën e me Esat pashë Toptanin (për të parin thotë se ishte njeri shumë i shkolluar e për të dytin se ishte një injorant i plotë), u bën të dyve të njëjtën pyetje: “Për ç’arsye jeni miq të Italisë?” Duhet të kenë qenë vitet e para pas pavarësisë. Dhe përgjigjja e të dyve ishte çarmatosëse: “…sepse vendi i mikut të Austrisë është i zënë nga ty e nga babai yt”. Po aty, Eqrem Beu i mbahet pretendimit se ky amoralitet i pozicionimeve të caktuara ka qenë me natyrë ballkanike; ka qenë në Greqi deri në vitin 1862, dhe politikanëve të Athinës u duhej të zgjidhnin si sponsor të tyre mes Anglisë e Rusisë, ka qenë në Serbi, ku gara bëhej për t’i fituar zemrën Austrisë ose Rusisë, ka qenë në Rumani, madje deri vonë, në vitin 1903, ku politikanët haheshin për t’u futur nën çadrën e Austrisë, Rusisë, ose Turqisë, ka qenë në Bullgari, ku palët ndaheshin në pro e kundër Rusisë.
Në Shqipëri, deri në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, miku i madh për t’u bërë për vete ishte dhe Turqia (jo vetëm Italia e Austria). Por në këtë mes mund të flitet më shumë për një efekt të otomanizmit të fortë të politikanëve shqiptarë sesa për një diplomaci individuale në funksion të karrierës e të pushtetit. Është po Eqrem bej Vlora që flet në librin Kujtime për një ndërdyshje të fortë identitare të tijën, që e ilustron më së miri çfarë thashë më sipër. Ishin javët e para të nëntorit të vitit 1912, dhe beut të Vlorës i vjen një telegram nga kryekomandanti e zëvendës Valiu i Janinës, me anë të të cilit i kërkohet të mobilizojë trupat territoriale e të përballet me vullnetarët grekë që kishin sulmuar Himarën. Eqremi nuk e bëri fjalën dy. Dhe ia bëri si i doli. Veçse në rrethanat, kur trupat turke po tërhiqeshin kudo, kur ushtarët shqiptarë po dezertonin në masë e kur serbët po arrinin në Krujë, miqtë e vet më besnikë po e cysnin Egremin që, me të gjithë njerëzit që e mbështesnin, të merrte Vlorën, të ngrinte atje flamurin dhe të shpallte pavarësinë e asnjanësinë e vendit. Dhe ky është çasti kur në ndërgjegjen e pinjollit të një prej familjeve më të mira e më të mëdha shqiptare bëhet një betejë çliruese. Ja sesi e përshkruan ai atë çast: “Pasi e pyeta mirë e mirë ndërgjegjen time, [e refuzova këtë ide që po ma sugjeronin njerëzit që kisha rrotull]. Pesëqind vjet rresht ne i kishim shërbyer me besnikëri Perandorisë Osmane, në disa raste ishim grindur, herë ishim trajtuar mirë e herë ishim trajtuar keq prej tyre, herë me të drejtë e herë pa të drejtë, por ne nuk ia kishim bërë kurrë asaj me të pabesë, nuk e kishim tradhëtuar prapa shpine, as për interesat tona, as për ato të të tjerëve.” Mesazhi është shumë i qartë: “Po të shpallja pavarësinë e Shqipërisë në atë moment, do të ishte një akt tradhëtie ndaj Perandorisë Otomane”. Nuk e bëri atë “akt tradhëtie”.
Siç shihet, është një otomanizëm i fortë i elitës, është një otomanizëm i shndërruar në një gjendje morale e psiko-mentale, është një otomanizëm, me të cilin ishte ngjyrosur dhe Rilindja jonë Kombëtare qysh në krye të herës, pavarësisht një orientimi properëndimor të deklaruar. Në pjesën teatrale me titull Besa ose fjala e nderit të Sami Frashërit, heroi kryesor Fetah Aga, me t’u kthyer në vendlindje, në Shqipëri, shprehet: “Por zemra nuk shkëputet kurrë nga Atdheu, ajo është gjithmonë e lidhur me Atdheun. Është e vërtetë se gjatë këtyre njëzet viteve unë nuk kam qenë jashtë Atdheut. Gjithkund ku kam shkuar, ishte Atdheu im. Trablusi është, gjithashtu, Atdheu ynë, Danubi është gjithashtu Atdheu ynë. Nëse nuk do të ishin Atdheu ynë, nuk do të derdhnim gjak për t’i mbrojtur ato. Megjithatë, njeriu ka një dashuri tjetër për vendin ku ka lindur, ku është rritur, për ato vise të bukura, ku ai ka kaluar fëmijërinë e djalërinë e tij.”
Në veprën Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë, Samiu shfaqet më pak otoman, madje dhe antiotoman, por nuk duhet të harrojmë se ky libër është publikuar në fund të shekullit XIX kur, siç po dukeshin bathet, Perandoria po i kthente patkonjtë nga dielli. Ndërdyshja identitare e shqiptarëve ka vijuar, megjithatë, deri në vitet para shpalljes së pavarësisë, ndonëse duhet thënë se brezi i dytë i atdhetarëve, Shahin Kolonja, Faik Konica, Filip Shiroka, Dervish Hima, Ismail Qemali, etj, ishin më afër shqiptarizmës. Por duke mbetur otomanë, sidoqoftë, ashtu si dhe brezi tjetër edhe më pas, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Ahmet Zogu, Gjergj Fishta.
Edhe Filip Shiroka me Gjergj Fishtën? Po, po, edhe këta ishin të otomanizuar, bash si të tjerët. Filip Shiroka, në një artikull me titull Gjuha shqyp, të publikuar në të përkohshmen Albania, sheh besnikërinë ndaj mbretit si një mënyrë për ta shpëtuar gjuhën shqipe: “T’çohëna pra shqyptar e mij, si vëllazën qi jena e si shërbëtor me besë t’mretit ton, t’çohëna nga ky gjumi i rand e i turpnueshim qi na kan lan mrapa kombeve tjere … e me nji zë t’kërkojm prej Lartmadhënis Sulltanit ton shkollat shqyp”. Në një shkrim tjetër, Shiroka flet për një prift shkodran (nuk thotë se për cilin e ka fjalën) që u bënte thirrje malësorëve të rrëmbenin armët e të luftonin kundër Malit të Zi e kundër “mretënve t’toks [që] i kan fal Nikolls sa katune tonat”, dhe aty u thotë se “prej ksaj toks së lame me gjakun ton ka me le ajo Shqypnia e re, ajo Shqypnia e lart e e ndjerë, nën hijen e Lartmadhënis, Mretit ton, nipat tan kan me gzue … qytetërimin e lulëzimin e komit ton”. Lartmadhnia e Mreti janë po ai, Abdyl Hamiti II, sulltani i 34-të i Perandorisë Otomane.
Në një artikull të tretë, Shiroka nuk do që lexuesit të keqkuptohen e të mendojnë se “e përkohshmja ‘Albania’ ka mendime t’liga [e të ndryshme] nga interesa e kuvernës së Stambollës. [Albania] me urtësi t’madhe na difton se ç’prej Lartmadhnis Mretit ton Shqypnija del n’drit”. Këto shkrime të Shirokës datojnë në fund të shekullit XIX, dhe siç shihet, ai hedh në këto ujëra të otomanizmit, jo pa të drejtë, edhe revistën Albania, tok me boss-in e saj, Faik Konicën. Në një letër që i dërgon këtij të fundit (këtu jemi në vitin 1900), Shiroka, pasi e bën me dije se i ka dalë në mbrojtje nderit otoman të kryeshkronjëtorit të s’përkohshmes Albania (“Kryeshkronjëtor”, i thosh vetes Faiku, mirëpo ky term nuk ngjiti; u zëvendësua më pas nga një term gjysmë shqip e gjysmë italisht: kryeredaktor) në një diskutim, ku dikush tjetër e vinte në dyshim, zë e flet me mburrje për kredencialet e veta prej otomani: “Asnjëherë nuk kam folë kundra Dovletit, [pasi ne të gjithë sot për sot kemi] “nevojë për nimen e Mretnis Turqis, për me i ba ball anmiqvet” {që duan} “me e da e me e bjerr venin ton”. Dhe vazhdon me këtë avaz otoman derisa bindet se po vinte hera që të binte ora e vdekjes së “Mretnis Stambollës”. Në vitin 1911, Filip Shiroka, në një letër që ia dërgon Sotir Kolesë, shprehet se “vjeta qi po vjen, ka me kenë vjeta e mbrame e Mbretërisë Turkut n’Europe”. Dhe me këtë, i ka ra piks. Një vit më pas, Ismail Qemali e Co. shpallën pavarësinë në Vlorë.
Gjergj Fishta duket se ka qenë pakëz më otoman se Shiroka. Në Kongresin e Manastirit, 1908, ai u drejtohet disa zyrtarëve të Stambollit, që ishin të pranishëm në sallën e mbledhjes, me fjalët: “Dijeni mirë se shqiptarët kurrë nuk do ta kursejnë pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur Perandorinë Osmane dhe Atdheun tonë të dashur”. Përveç kësaj, në veprën e tij kryesore, Lahuta e Malcis, që ka zënë të botohet në vitet e para të shekullit XX, krahas vargjeve, ku ai denoncon turkun që e mbante në robëri të bukurën Shqipëri “krejt tue e la t’mjerën në gjak/frymën tue ia zanë njak”, ka dhe vargje të tjera si: “pse n’Shqipni ka djem si zana/që për mbret e troje t’veta/nuk u dhimbet gjaja as jeta”, ose: “ndoshta t’ndamë ne jem ndër vedi/por kur ne t’na lypi mbreti…/…turk e i krishterë, merr vesh, or djale/kanë me u gjetë krejt me ‘i fjalë”, ose: “qoftë mallkuar, po, a plak a i ri/që për mbret e për liri/ s’çohet sot me armë mizore.” Në të gjitha rastet, mbreti është Abdyl Hamiti II. Ndryshe, Padishahu.
“Rroftë Padishahu, rroftë Konstitucioni, rroftë shqyptari!”, bërtiste prifti i Reçit në gusht të vitit 1908, hipur në një si tribunë të improvizuar diku në Shkodër, gjatë festës me rastin e shpalljes së Kushtetutës së Turqëve të Rinj, të cilën shkodranët, muhamedanë e katolikë, e pritën si një ngjarje të madhe. Edith Durham-i i përshkruan në detaje ato ditë feste e gëzimi. Madje, flet dhe për një françeskan shtatshkurtër, një njeri të drejtpërdrejtë “që dilte drejt e në temë”; ky françeskan bëri dhe një poezi, që ia kushtoi Kushtetutës. Ajo nuk ia thotë emrin, por nuk ka se për kë ta ketë tjetër, veçse për Gjergj Fishtën.
Në një letër polemike që ia nis një publicisti otoman me emrin Sulejman Nazif, që ishte idhnuar me shqiptarët, ngaqë kishin zënë të hidhnin vickla, Mustafa Kruja i merr në mbrojtje të vetët, por më tej, duke dashur të shmangë çdo keqkuptim te pala tjetër, saktëson: “Unë nuk kam ndjesinë e një shqiptari ekstremist, por mendësinë e nji osmanlliu të matun”. Është viti 1909. Dhe në këtë kohë, ndonëse alfabeti latin ishte adoptuar tashmë në Kongresin e Manastirit, një numër shqiptarësh, sidomos në Shqipërinë e mesme e të veriut, u ngritën kundër tij duke kërkuar alfabetin arab.
E bukura është se gjuhë e parë e veprimtarëve atdhetarë myslimanë ka qenë turqishtja, gjë që Mustafa Kruja e shpjegon me faktin se “…ata qi dinin me këndue shqip në vitin 1912 ishin tepër të pakë në krahasim me ata qi këndonin turqisht”. Botimet e gazetat në gjuhën shqipe, që publikoheshin kryesisht në diasporë, kishin bërë që të shtohej numri i atyre që “dinin me këndue shqip”, por të shumtit, prapëseprapë, kishin turqishten si gjuhë të kulturës e të komunikimit. Dhe një pjesë e mirë toskësh ortodoksë, greqishten. Nuk kuptohet pse, por edhe në vitet 1912, 1913, 1914, një pjesë e këtyre atdhetarëve i shkruanin sho-shoqit në turqisht. Në vitin 1912, një muaj para shpalljes së pavarësisë, nga Durrësi, Abdi bej Toptani i shkruante turqisht Eqrem bej Vlorës që ishte në Vlorë, Syrja Beu, i ati i Eqremit i shkruante turqisht parisë së Tiranës, Esat pashë Toptani i shkruante turqisht Myfid bej Libohovës, Rexhep Mitrovica, Bedri Pojani, Mithat Frashëri e Ahmet Zogu, secili për hesap të vet, i shkruanin turqisht Mustafa Krujës, e ky i fundit ua kthente po ashtu në turqisht. Duket sikur i vë kapak kësaj historie dëshmia e këtyre kohëve tona e të birit të Mustafa Krujës, Bashkimit: “Unë isha pranë shtratit të vuajtjes së [tim’ati] në spital, mbas një operacioni; në orët e fundit, i marrë prej dalldisjes nga ethet shumë të larta, ai foli vazhdimisht turqisht, pa mundësi nga ana ime me marrë vesh asnjë fjalë se çka thoshte; n’ora 9 të mbramjes heshti përgjithmonë”. Të interpretosh nënvetëdijen e dikujt në çaste agonie është një dalldisje më vete. Por fakti të mbetet në mendje: Ai foli turqisht në momentet që po jepte shpirt. Pothuajse 50 vjet pas rënies së Perandorisë Otomane.
Një pjesë e këtyre atdhetarëve e shprehin otomanizmin e tyre edhe në terma fetarë. E këtu nuk është se bëhet fjalë për kohë të hershme. Përkundrazi. Syrja Vlora, një veprimtar politik shumë aktiv në fillimshekullin XX, flet për Sheriatin e shkëlqyer në kujtimet që ka lënë. Dhe po aty, kallëzon se një ditë prej ditësh, në vitin e pavarësisë, ai kishte thirrur në shtëpinë e tij të Stambollit Ismail Qemalin (deputet i Beratit), Azis pashë Vrionin (deputet i Beratit), Myfit bej Libohovën (deputet i Gjirokastrës), Esat pashë Toptanin (deputet i Durrësit) dhe Hasan Prishtinën. Siç shihet, janë gegë e toskë. “Aty lidhëm besën, duke u betuar mbi Kuranin e lavdishëm se do të përpiqeshim me çdo sakrificë për shpëtimin e kombit e të vendit tonë”, shkruan ai.
Për këtë detaj të fundit, Hasan Prishtina flet pakëz ndryshe në kujtimet e veta. Ishte propozimi i tij (Hasan Prishtinës) që të betoheshin të gjithë para se të fillonin të kuvendonin. “Ky propozim u pranua dhe betimi u ba tue dhanë fjalën e nderes secili prej nesh mos me i kallxue kurrkujt se çka do t’u fliste e t’u vendoste n’at mbledhje; mbas betimit filloi kuvendi”, thotë ai. Nuk e zë n’goje Kuranin. E afërmendsh, “të japësh fjalën e nderes” e “të lidhësh besën mbi Kuranin e lavdishëm” janë dy gjëra të ndryshme. Kush bën raportimin më të saktë, në këtë rast? Këtë s’mund ta dimë.
Gegë e toskë vihen në kërkim të sho-shoqit, por …
Gegë e toskë, në funksion të gjetjes së një alfabeti të përbashkët, kanë provuar të mblidhen përpara Kongresit të Berlinit. Janë mbledhur në Stamboll. Sipas Jani Vretos, nisma është marrë prej shqiptarëve, por roli i autoriteteve otomane ka qenë i dukshëm, qoftë dhe duke u përpjekur të impononin adoptimin e një alfabeti, në mos jo arab, të paktën jo latin. Por më pas, mbledhjet u kanë dalë disi nga kontrolli; dhe në këto mbledhje kanë marrë pjesë Hoxha Tahsini, Kostandin Kristoforidhi, Seit bej Toptani, Ismail bej Qemali, Kristaq Zografi, Pashko Vasa, Sami Frashëri, etj.
Ka shumë autorë që mendojnë se kjo është hera e parë që janë bërë tok gegë e toskë me një qëllim kombëtar. Ndoshta është vërtet kështu, por jemi sërish, madje ca më shumë, në rrethanat që takime të tilla, përpara se të ishin mes gegësh e toskësh për një qëllim kombëtar, ishin mes otomanësh. Siç ishte edhe ngjarja e Prizrenit, që i dha shtysë, përveç të tjerash, figurës së Abdyl Frashërit. Kush e di se çka mendonte ky i fundit kur ka shkelur në Kosovë, për të marrë pjesë në atë mbledhje që më pas hyri në histori si Lidhja e Prizrenit. Ka qenë i bindur vërtet se po luftonte për një kauzë kombëtare? Ndërkohë se aty ishte në emër të kësaj kombëtare? Ndërkohë se ishte mes të vetëve? Çfarë e lidhte atë me pjesëmarrësit e tjerë, veç fesë muhamedane e gjuhës shqipe? Ka folur shqip me ata? Është marrë vesh, vallë? Apo kanë folur vetëm turqisht? Po ai vetë kush ishte? Ishte toskë? Ishte shqiptar? Ishte muhamedan? Apo ishte thjesht e vetëm otoman? Po përgatiste të ardhmen e kombit shqiptar, apo po i bënte shërbimet e fundit Perandorisë?
Ka rënë dakord të futet ligji i ndritur islamik (Sheriati) dhe Padishahu në tekstin e deklaratës përfundimtare si një lëshim ndaj muhamedanëve fanatikë të Kosovës, apo si një konfirmim i otomanizmit të vet?
Pavarësisht nga përgjigjet që mund të marrin këto pyetje, fakti është se, në vijim, vit pas viti, me hir apo me pahir, ai, dhe të tjerë ca më shumë se ai, zunë të harronin që ishin gegë e toskë, që ishin muhamedanë e të krishterë, që ishin otomanë, dhe zunë të fillonin se ishin shqiptarë. Në Prizren, në mos tjetër, u hodh fara. E në këtë kuptim, figura e Abdyl Frashërit, që neve na del prej faqeve të raportimit të konsullit grek nga Manastiri, pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit është e njëmendtë. Konsulli rrëfen, sipas Kristo Frashërit në librin me titull Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, sesi një ditë prej ditësh, në pranverë të vitit 1881, i fanepset përballë Abdyl Frashëri në rrugët e Manastirit, i shoqëruar nga xhandarët turq. Të dy, konsulli e Abdyl njiheshin qysh më parë. Kishin folur dhe për Lidhjen e Prizrenit, dhe konsulli kishte mbrojtur idenë se ajo Lidhje ishte e kotë. Kur e pa në atë gjendje, në duar të xhandarëve, konsulli i thotë: “Hë, çfarë bëre me idetë e tua?” Dhe përgjigja që mori ishte: “Si mund t’i thuash bujkut se çfarë bëre, teksa e sheh se ai mbolli farën në arë? Sot fara nuk duket, por do të mbijë.”
Historiografët tanë kanë rënë dakord gati njëzëri që Lidhjen e Prizrenit ta shohin si një ngjarje me frymë e frymëzim të qartë kombëtar (Kristo Frashëri mbron “karakterin kombëtar” të Lidhjes, duke u nisur nga fakti se në Prizren u mblodhën gegë e toskë; të njëjtën gjë thotë dhe Arben Puto). Mirëpo faktet duket se e përgënjeshtrojnë këtë version. Në mos plotësisht, me siguri pjesërisht. Lidhja e Prizrenit ishte një reagim vetëmbrojtjeje, i nxitur nga ca konjuktura ndërkombëtare, e për më tepër, pavarësisht nga roli e motivimi kombëtar që patën disa veprimtarë atdhetarë në atë lëvizje, ishte një ngjarje që zhvillohej nën mbikëqyrjen dhe kontrollin, në mos nën nxitjen, e otomanëve. Në pikën e dytë të memorandumit të Lidhjes dërguar Stambollit shprehej vullneti – sipas autorit George Gawrych-it – “për të mbrojtur të drejtat e Padishahut tonë” e për t’u bërë qëndresë “armiqve të shtetit, miletit e vatanit”. Në të njëjtin dokument merrej zotimi se “jeta, prona e nderi i besnikëve jo myslimanë” do të mbroheshin mbi bazën e Ligjit të Ndritur Islamik.
Abdyl Frashëri ka të drejtë, megjithatë. Atje u hodh fara. Pas Lidhjes së Prizrenit, u shpeshtuan kontaktet mes gegëve e toskëve. Shqiptarët me ndikim në Perandori zunë ta kërkonin tashmë sho-shoqin, zunë të takoheshin e të organizoheshin, zunë të ngrinin zërin për hapjen e shkollave shqipe, të publikonin gazeta, të botonin libra, t’i përhapnin këto libra, të ngrinin shoqata, të përpiqeshin për një alfabet të përbashkët, etj, etj, por duhet thënë se deri në fund të shekullit XIX gegë e toskë ende nuk e kishin gjetur njëri-tjetrin. Raste të veçanta si ai i Vaso Pashës, që pati kontakte më herët, madje qysh në vitet ’60 të shekullit XIX, me Hoxha Tahsinin, me Jani Vreton, me Kostandin Kristoforidhin, me Sami e Abdyl Frashërin etj, apo ai i Filip Shirokës që u ndodh për vite të tëra në mes të toskëve të Misirit, e që e kërkonte me ngulm shoqërinë e toskëve të tjerë të shpërndarë nëpër Europë (Faik Konicës, Nikolla Naços, Ibrahim Temos, etj), janë përjashtime që konfirmojnë rregullin: gegë e toskë nuk ishin bërë ende tok.
Fakti që Rilindja Kombëtare mori hov në diasporë bëri të mundur fillimisht kontaktet mes ortodoksëve e myslimanëve; mes gegëve e toskëve janë verifikuar pak më vonë. Gegët, sidomos katolikët, nuk i ka tërhequr ideja e emigrimit, e kjo ka bërë që ata të hyjnë pak më vonë në lojën e Rilindjes, që zuri fill në Bukuresht, në Sofje, në Egjipt, në Selanik, në Stamboll, në Itali, ku vepronin arbëreshët, e më pas në SHBA. Në shkollën Zosimea të Janinës, ku katolikët, madje dhe gegët, nuk para shkonin, janë formuar një numër i madh veprimtarësh politikë dhe intelektualësh atdhetarë, por dhe janë farkëtuar lidhjet e forta mes ortodoksësh e myslimanësh, kryesisht të jugut. Mund të thuhet pa e tepruar aspak se kjo është shkolla më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Aty kanë studiuar vëllezërit Frashëri, që të tre, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Anastas Byku, Ismail Qemali (që pretendonte më vonë se ishte myslimani i parë shqiptar i asaj shkolle), Turhan Pasha, Qazim Koculi, Petro Poga, e deri tek Ali Asllani. Shkolla Zosimea u bë aq e famshme në fund të shekullit XIX, sa turqit, për ta rivalizuar, hapën po në Janinë një gjimnaz të tyrin alternativ, por nuk ia dolën dot. Zosimea mbeti deri në fund liceu më i mirë në gjithë Rumelinë, e ndoshta – sipas zv/konsullit francez në Janinën e vitit 1903 – në gjithë Perandorinë. Liceu i Galatasarajit mbahej, gjithashtu, me të madh, por në dyert e asaj shkolle kanë hyrë më pak shqiptarë, mes të cilëve bien në sy disa Toptanas (por jo Esati, që mbeti pa shkollë), Faik Konica e Ahmet Zogu. Këtij të fundit i mjaftoi pakëz arsimi që mori në atë gjimnaz (dhe ca vjet shkollë në akademinë ushtarake në Stamboll) për t’ua bërë rrugaç shqiptarëve e për ta marrë Shqipërinë nën komandë për nja 15 vjet me radhë.
Në pamje të parë të bën përshtypje fakti që atdhetarë shqiptarë të këtij kalibri kanë dalë nga një shkollë greke. Por nuk është dhe aq e pashpjegueshme. Propaganda nacionaliste greke, sido që Megali Idea kishte vjet që ishte shfaqur si term e si strategji, nuk drejtohej kushedi se çfarë kundër shqiptarëve deri në vitet ’70 të shekullit XIX. E prandaj, në shkollat greke ku studionin shqiptarë, përfshirë dhe Zosimean, nuk ekzistonte rreziku që ata të edukoheshin me një frymë antishqiptare. Tani, një si lavazh truri bëhej edhe pa qenë i synuar, pasi shkollat ishin greke, mjedisi ishte grek, gjua ishte po greke (aty studiohej dhe latinisht e frëngjisht), e rrjedhimisht impakti i kulturës greke mbi studentët ishte një gjë që ndodhte vetvetiu. Shpeshherë ky impakt i bënte studentët, sidomos shqiptarët, të hidheshin në një “aventurë dashurie” me grekët e me Greqinë, gjë që kishte si përthyerje një ftohje, e në ndonjë rast një qasje idhnake, me vendin e origjinës. Këtë gjë e ka pikasur i pari Naum Veqilharxhi, dhe e shpjegon në një letër që u dërgon “të gjithë ortodoksëve të pasur e të arsimuar”: “Kombi shqiptar… ka rënë në injorancë, barbari e skllavëri. Shqiptarët që shkollohen detyrohen të shkojnë në emigracion, dhe nuk punojnë më për vendin e tyre. Ata nuk e njohin më gjuhën e kombit, largohen prej të afërmëve e miqve të tyre; bashkëpunojnë për lulëzimin e kombeve të tjera, e kënaqen kur dëgjojnë që i quajnë grekë, helenë, vllehë.”
Duket se këtë letër e ka shkruar edhe për të nipin, një farë Jani Cali, që parapëlqente të quhej Ioannis Tsalis, e që idenë veqilharxhi-ste “për të bashkuar në një trup ortodoksë, muhamedanë, katolikë” e shihte me mosbesim, madje e përqeshte. Dhe pikërisht të nipit, Veqilharxhi i dërgon një letër tjetër, private, ku si një mësues i palodhur, me ton babëloku, i shpjegon se nuk ka pse të na shkurajojë në idenë tonë për ta ringritur kombin shqiptar injoranca e barbaria e sotme, se “edhe grekët, rumunët, amerikanët, anglezët” kanë pasur epokën e tyre të barbarisë përpara se të qytetëroheshin”. Dhe i thotë edhe më tej të nipit: “Nëse ti nuk ke dëgjuar gjë për kombin shqiptar, e për ekzistencën e tij, kjo vjen ngaqë ti ke studiuar në shkollat greke, që janë ngritur për të ndriçuar mendjet e djalërisë greke, dhe jo të asaj shqiptare”. Më tej, përballë vërejtjes që i bënte i nipi, sipas së cilës në Shqipëri “… është e pamundur të bëhen bashkë muhamadanët fanatikë, ortodoksët supersticiozë dhe papistët që përcmojnë të gjitha besimet e tjera”, dajo Veqilharxhi gjente durim e argumente dhe thoshte: “Shqiptaria është thelbi ynë; karakteristikat fetare janë të fituara më vonë”. Dhe vetëm në fund i jep të drejtë vetes të shtjerë në punë një ton paternalist e zemërrak: “…të mohosh kombin tënd është njësoj sikur të mohosh prindërit, familjen, miqtë, vatrën atërore, varret e të parëve, dhe gjërat e shenjta të familjes”.
Do të bësh komb? Ke gegët. Do të bësh shtet? Ke toskët
Antonio Baldacci, një antropolog autodidakt italian, njohës i mirë i Shqipërisë, mbron tezën se shqiptarët e njëmendtë e të pastër duhen kërkuar mes gegëve. Dhe nuk është as i pari, as i vetmi që i mbahet kësaj ideje. Gazetari Indro Montanelli, po italian, pasi kthehet nga udhëtimi në Shqipërinë e Veriut (para Luftës së Dytë Botërore, në të ritë e vet), shkruajti se kishte vizituar “Shqipërinë e Vjetër”. “Kështu e quajnë të gjithë”, thotë, dhe me “e vjetër” ka në mendje “e vërtetë”. Duket sikur i vjen keq që i duhet të shpjegojë se ç’është Shqipëria e Vjetër. “Do ta quaja më fort një Shqipëri jashtë kohe, … një Shqipëri që këtu e dhjetë shekuj më parë … i tha ndal diellit dhe historisë, e qysh atëherë nuk është rritur më”. Dhe aty për aty e kap një dell rousseau-ian. Filozofi i Iluminizmit hyjnizon gjendjen primitive të njerëzimit në një moment të veprës së tij Ligjëratë mbi origjinën e pabarazisë midis njerëzve, dhe shkruan: “Nuk ka gjë më të paqtë e më të butë sesa njeriu në gjendjen e vet primitive, teksa natyra e ka vendosur në një largësi të barabartë si prej budallallëkut të njeriut të egër, ashtu dhe prej iluminizmit fatal të njeriut civil”. Ndërsa gazetari i famshëm italian, me të thënë se “Shqipëria ka mbetur më shumë se dhjetë shekuj mbrapa; ka mbetur në rininë e vet”, ia bën (përkthimi është i Aurel Plasarit): “[Shqipëria] jeton qysh atëherë në patëkeqësinë e rinisë së saj të lume duke shpërfillur gjithçka, përplot me virtutet e me të metat e përbashkëta për çdo rini, në të cilën edhe të metat janë virtyte”.
Edith Durham-i vëren se në Toskëri “ka shumë grekë e vllehë, me të cilët shqiptarët kanë bërë martesa”, ndërsa sipër Shkumbinit, “me përjashtim të pak tregtarëve të huaj dhe oficerëve e zyrtarëve turq, popullsia është e tërë shqiptare”. Ndërsa historiani gjerman, Georg Stadtmuller, i cituar nga Oliver Jens Schmitt-i, e konsideron trevën e Matit, “një luginë rreth lumit Mat në Shqipërinë e Mesme”, si gurrën e parë, nga kanë buruar shqiptarët. Dhe vetë Oliver Jens Schmitt-i thotë se “…proto-shqiptarët kanë banuar në një hapësirë të Ballkanit, që shtrihet nga Shqipëria e sotme e veriut e deri në Maqedoninë Qendrore”, dhe këta banorë “… janë tërhequr prej shekullit VI në vise më të larta, ku janë marrë, për arsye klimaterike, me blegtori”.
Atributit të pastërtisë së racës, që te gegët pra është ruajtur në sajë të tërheqjes nëpër malësi, ku janë lënë të qetë për shekuj me radhë të vetëqeverisen mbi bazën e kanuneve të tyre, shqiptarët e veriut i kanë paguar një taksë të rëndë. Për ta janë harxhuar me breshëri epitetet “të paqytetëruar, të egër, barbarë” (duhet thënë, se një pjesë autorësh këto epitete ua rezervojnë të gjithë shqiptarëve). “Kryetarët e malësive të veriut nuk kanë pasur asnjë farë lidhje me perëndimin dhe nuk e njohin fare atë”, shkruan studiuesi Gabriel Louis Jaray në librin e tij Shqipëria e panjohur. Dhe për të krijuar një kontrast, hidhet te bejlerët e Vlorës, të cilët flasin italisht, gjermanisht ose frëngjisht, e të cilët “kanë një vernik kulture”. “Nuk mbajnë me vete pushkë; janë myslimanë, por aspak fanatikë”, thotë ai për parinë e Vlorës, tek e cila shquan megjithatë një lloj “limonte lindore”, që ai e lidh (nuk kuptohet mirë pse) me klimën e butë. Louis Jaray, kur ka folur për bejlerët e Vlorës, duhet të ketë pasur në mendje njerëz si Eqrem Vlora, por bën vaki që ky i fundit të mos binte dakord me këtë përfundim lidhur me sojin e tij. Ndërsa lidhur me krerët e Malësive të Veriut, po.
Ka një shpjegim për gjithë kjo. Në fund të shekullit XIX, nga të katër vilajetet e Perandorisë ku banonin shqiptarë, atë të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës (ndonjë rilindës i ynë flet edhe për një vilajet të pestë, atë të Selanikut), ai i Kosovës që ishte më i madhi në terma të popullsisë, dhe një pjesë e atij të Shkodrës, kanë qenë më pak të integruar në Perandori. Nathalie Clayer, që ka gërmuar në arkivat osmanë, në regjistrat e serisë ‘Sicill-i Ahval’, ka ndërtuar disa tabela në librin e saj Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, të cilat na japin një ide mbi dinamikën e emancipimit e të arsimimit të shqiptarëve në fund të shekullit XIX. Dhe nga këto tabela rezulton që në dhjetë mijë myslimanë të vilajetit të Janinës kishte nëntë funksionarë të Perandorisë, ndërsa në vilajetin e Kosovës, për të njëjtin kampion popullsie, kishte vetëm një funksionar dhe në atë të Shkodrës tre.
E kjo dinamikë evidentohet edhe nga të dhëna të tjera. Myslimanët e vilajetit të Janinës njihnin më shumë gjuhët e huaja, greqishten për shkak të shkollave në gjuhën greke, por edhe frëngjishten, frekuentonin më shumë shkolla të krishtera e të huaja (pothuajse të gjithë shqiptarët që kanë studiuar në gjimnazin Zosimea kanë qenë të vilajetit të Janinës), ishin më të suksesshëm si zyrtarë të Perandorisë, etj. Ndërsa myslimanët e vilajeteve të Shkodrës e të Kosovës binin në sy, ngaqë ndiqnin më shumë shkollat Ruzhdije në gjuhën turke, por dhe Medresetë; karriera e tyre si zyrtarë të Perandorisë realizohej më së shumti në vendin e lindjes. Kjo situatë lidhet me një “zgjedhje” të hershme. Qysh në krye të herës, ishin toskët që e pranuam më lehtë sundimin otoman, e që u bënë njësh me këtë sundim. Gegët më pak. Secilit grup iu deshtë të paguante një taksë për këtë “zgjedhje”. Të parët mbetën më të prapambetur; të dytët humbën disi nga tharmi i tyre identitar.
“Shqipëria është gjysma e qytetëruar (juga), e gjysma primitive (veriu), gjysma popull e gjysma fise. Ligjet e përparimit njerëzor na thonë se populli duhet t’i qeverisë fiset, e jo anasjelltas”, mendojnë, pa e thënë asnjëherë në publik, kundërshtarët e Zogut, përfshirë dhe kundërshtarë brenda të njëjtit grupim, siç ishte Eshref Frashëri. Sipas këtij të fundit – këtë e thotë Mustafa Merlika-Kruja në letrën dërguar Stavro Skëndit – “pa [Ahmet Zogun] nuk mund t’i mbajmë në fre gegët e marrë”. Dhe është po Merlika-Kruja që i shkruan Skëndit, se “…nuk llogaritet dot dëmi që na kanë bërë [këta njerëz, domethënë Eshref Frashëri e Co.] për afrimin e besimin, me një fjalë për bashkimin, e këtyre dy pjesëve të mëdha të kombit”.
Sejfi Vllamasi bën fjalë në kujtimet e veta edhe për një bisedë me ministrin Ahmet Zogu, pas Kongresit të Lushnjës. Zogu lërkron ta takojë, dhe i bën një propozim. Ngjan e pabesueshme ajo që i thotë Zogu (n’daqi besojeni, n’daqi jo; burim tjetër, të dytë, përveç Vllamasit, nuk ka): “Të ftojmë gjithë parinë e Shqipërisë në një Kongres, gjoja për të biseduar lidhur me forcimin e shtetit. Në të njëjtën kohë, njerëzit e mi do kenë vendosur do bomba në vendin, ku do mbahet Kongresi. Në çastin e fundit, ne me njerëzit tanë gjejmë një pretekst e dalim jashtë para se gjithçka të hidhet në erë. Anëtarët e parisë shkojnë në botën tjetër, e Shqipëria vetvetiu stabilizohet.”
Sejfu tronditet, dhe afërmendsh nuk bie dakord. Por Zogu nuk është se tërhiqet. Përkundrazi, zë dhe e përligj planin e vet me mendimin që ai ka për krerët e veriut, të cilët, për t’i nxjerrë në një dritë sa më të keqe, i vë përballë … përmetarëve: “More Sejfi, Shqipëria nuk është Përmeti. Të gjithë krerët e Shqipërisë, sidomos ata të veriut, duan të bëhen ministra, kryeministra, kryetarë shteti. [Prandaj, nëse ne biem në një mendje për t’i shkuar deri në fund planit tim, të huajt do bëjnë ca propagandë kundër nesh, por një javë do zgjasë zhurma. Ama shpëton një popull”. Mund të thoshte që “Shqipëria nuk është Zvicra”. Por jo. Tha: “Shqipëria nuk është Përmeti”. Sipas Sejfi Vllamasit.
PARANTEZA NR.3: TË GJITHË MALOKË, TË GJITHË KUNDËR MALOKËVE
Termin “malok” me ngarkesë fyese e kam dëgjuar ta thonë për herë të parë andej nga viti 1991. Unë nuk mbaj mend që të jetë përdorur më parë në mjediset ku unë rrija apo mes miqve të mi. Një ditë prej ditësh dëgjoj dikë të më thotë: “Muc, me malokët je bërë?” I referohej faktit që unë isha bërë pjesë e Partisë Demokratike, e cila qysh në krye të herës ishte identifikuar me Sali Berishën e Azem Hajdarin, dy themeluesit më të zhurmshëm të saj. Pak ditë përpara këtij momenti, një farë Namik Hoti, kryetar i Partisë Ekologjike të sapokrijuar asokohe, në një bisedë televizive, duke folur për Sali Berishën, lëshoi një frazë që i ka mbetur lapidare: “Mos e lejoni të hypë në kalë, sepse ai pastaj nuk do dijë të zbresë!” Nuk është se e njihte Berishën personalisht, por la të kuptohej se njihte mirë sociohabitatin, nga ai kishte dalë. Me sa mbaj mend unë, nuk e përmendi termin “malok”, por nënteksti ishte: “Mos e lini malokun të hypë në kalë!” Nuk ia vuri veshin njeri. E s’kish sesi. Shqiptarët sapo kishin rrëzuar nga kali një kalorës gjashtëdhjetë vjeçar, që kishte pesëdhjetë vjet që rrinte shaluar (përveç regjimit të tij, në fakt, pasi ai vetë vdiq ashtu si donin që të gjithë të vdisnin; në krevatin me pupla të vilës së vet, mes kujdesit të një ushtrie mjekësh të përkujdesur e syçelët). Kalorësin në fjalë e quanin Enver Hoxha. E nuk ishte nga Viçidoli.
Nuk dihet sesi e kur ka lindur stigma e malokut. Nuk është çudi që të ketë qenë ndonjë gegë, me shumë gjasa shkodran katolik, ai që e ka përdorur fillimisht këtë term në shenjë përbuzjeje ndaj myslimanëve fanatikë të veriut, apo për banorët e hinterlandit katolik. Përpara Luftës së Dytë Botërore i është regjistruar Faik Konicës të ketë thënë “maloku gjenial”, dhe me këtë ka përkufizuar Ahmet Zogollin. Por nuk ka qenë ky i pari që e ka thënë termin “malok” për të cilësuar beun nga Burgajeti. Lazër Shantoja duhet ta ketë përdorur në kohë më të hershme. Në një poemth dramatik të tijin, Shantoja kishte zgjedhur për personazhe njerëz të shquar të historisë së Shqipërisë, të cilët nuk ishin më në këtë botë. Dhe ai vë të takohen me sho-shoqin në botën tjetër, i bën të informohen mbi atë që po ndodh mbi tokë, në vendin e tyre, dhe i gjithë poemthi është një bisedë fantazmagorike mes Ismail Qemalit, Bajram Currit, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit. Tre të fundit besohej (nga autori i poemthit, e nga vetë të vdekurit, të paktën) se ishin viktima të Ahmet Zogollit, e në momentin që Shantoja e vë Gurakuqin t’i thotë Ismail Qemalit, se “mua e Nolit na e hodhi Ahmet Zogu i Matit”, përgjigjja e plakut të Vlorës ishte e trajtës pyetëse: “Maloku?” Lihet të kuptohet se babai i pavarësisë e kishte përdorur sa qe gjallë atë fjalë. Në një poezi tjetër, me titullin Ritiarta kombëtare, Shantoja nuk e ka parë të udhës që këtë term ta vërë në gojë të ndokujt tjetër. E përdor vetë atë. Poezinë e fillon me vargun: “Asht një malok nga Mati…”. Në një shkrim për gazetën Liria kombëtare, në vitin 1926, ai e përcakton njeriun që e ka bërë zap Shqipërinë, si “Ahmet Maloku”. E ka shkruar Maloku me ‘M’ të madhe, e kush e di se ç’ka pasur në mendje me këtë gjetje.
Eqrem bej Vlora tregon në autobiografinë e tij një histori me personazhe të të njëjtit kalibër, por që, në ndryshim nga ata të poemthit të Shantojës, janë të gjallë. Madje, janë për darkë në shtëpinë e princ Wied-it, në Durrës. Ishte dhe Ismail Qemali, dhe ishte herë e parë që plaku i Vlorës bujte në pallatin e Princit. Tok me të ishin Esat pashë Toptani e kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda. Në një moment të bisedës, ky i fundit drejtohet nga Princi dhe i thotë: “Kështu pra, Lartësi! Nëse doni vërtet të qeverisni në Shqipëri, masa e parë që duhet të merrni, është të mënjanoni Ismail Beun dhe Esat Pashën. Me këtë rast, mos më harroni as mua. Ndryshe, as t’mos ju shkojë në mend se mund të bashkoni Shqipërinë, dhe ta qeverisni atë”. Esat Pasha mbeti i habitur nga kjo ndërhyrje dhe murmuriti nëpër dhëmbë një frazë që e dëgjuan të gjithë ata që dinin shqip: “E ç’shaka tjetër mund të presësh nga një malok i pagdhendur?” Ishte viti i Princit. 1914-ta. Dhe Esati e kishte për Preng Bibë Dodën, për të cilin vetë Eqremi mendonte se veç malok nuk ishte. Aq më pak i pagdhendur.
Për Zogun “malok” flet dhe publicisti Kostë Çekrezi në kujtimet e veta, por nuk është ky që e shtie në punë termin fyese. Ishin anëtarët e parisë antizogiste të Shqipërisë (kështu i quan) që kanë pasur një takim me autoritetet italiane në vitin 1938 dhe, përpara takimit, mes vete janë shprehur se më mirë të jetë mbret duka d’Aosta, një italian, kushëri i Viktor Emanuelit III, sesa “maloku i Matit”.
Mithat Frashëri e përdor gjithashtu këtë term në librin e tij Ç’na mungon, ç’duhet të kemi?, e përdor dy herë, por pa ndonjë ngarkesë, ose me një ngarkesë të nënkuptuar. Herën e parë, flet “për popullin që s’ka bukë të hajë, apo që ka të hajë veç bukë misri me shëllirë”, dhe pastaj “për malokun që s’ka veshur kurrë të linja, që s’ka vënë trupin në një shtrat të butë e të ngrohtë”. Dhe vijon: “Trualli e trungu e mësojnë që të gjallë me vdekjen, i dëftejnë ç’do të jetë varri nesër”. Të nxjerra nga konteksti këto fraza ngjajnë fyese, por në të vërtetë janë thjesht përshkruese të gjendjes së malësorëve. Herën e dytë thotë se “në Shqipëri nuk ka harbutë; shqiptari është fisnik, makar bujk, makar malok, makar shërbëtor qoftë”.
Sipas Milan Shuflajt, termi “malok” është përdorur qysh në mesjetë, por atëbotë kishte kuptimin “malësor”. “Sot, thotë albanologu kroat, kjo fjalë është përbuzëse, do të thotë ‘i marrë’, dhe përdoret kundër gegëve të Beratit”. Por nuk thotë se ç’janë këta gegë të Beratit. Ndërsa etimologjinë e fjalës Shuflaj e gjen te mbiemri i një fisi serb, që ka banuar diku midis Tivarit e Ulqinit e që ka evoluar në trajtat “Li Mirchoe-de Marchois-alli Marcoi-alli marchovich”. Shqiptarët e atjeshëm e quanim këtë fis “pamal’ok”, ose “ne’malok”, që u transformua më pas në “malok”. Është një shpjegim etimologjik që nuk të bind shumë, por është i vetmi që ekziston.
Albanologu kroat, Milan Shuflaj dallon te gegët hijeshinë fizike. “Janë soji më i bukur i njerëzve në Ballkan”, thotë ai, dhe po aty vijon me një tipar tjetër të tyre, që e jep në mënyrë metaforike: “Janë me vitalitet të jashtëzakonshëm e të qëndrueshëm ndaj të gjitha stuhive”. Këtë e shpjegon me jetën spartane që kanë bërë, duke mbajtur “për dyshek tokën e për jastëk gurin”.
Francezi Jacques Bourcart, gjeolog e zyrtar francez, ka vënë re të njëjtën gjë. Për të, gegët janë njerëzit më të bukur të Europës. “Kudo në Shqipëri, sidomos në Malësi, të bie menjëherë në sy bukuria e veçantë fizike e burrave”, thotë ai në librin e tij Shqipëria e shqiptarët. Duhet të ketë qenë vëzhgues i mirë detajesh në pamjen e njerëzve, pasi nuk i ka shpëtuar as fakti që “…malësorët shqiptarë e kanë për zakon në dimër verë, ta lënë këmishën fare të hapur në gjoks”.
Cilësia tjetër që etnologë të ndryshëm dallojnë të gegët është organizimi i fortë fisnor i tyre. Mustafa Merlika-Kruja, gegë, me një vetëqesëndisje të dukshme, teksa flet për Ahmet Zogun në letërkëmbimin që ka me Stavro Skëndin, rrëfen se u ka thënë toskëve Bahri Omari, Qazim Koculi e Avni Rustemi, se puna është ta pranoni beun e Matit për mbret të Jugës së Shqipërisë, ngaqë “ne ‘fiset’ (Veriu) e kemi më të lehtë ta pranojmë, e si ta kemi pranuar njëherë, dijeni që s’e lëshojmë më”.
Vetëqesëndisja intelektuale e Merlika-Krujës merr te gegë Isa Boletini trajtën e një kompleksi inferioriteti në raport me toskët. Diplomati britanik, Aubrey Herbert, emrin e të cilit Arben Puto, për pasionin me të cilin ai “mbronte të drejtat e shqiptarëve si popull e si komb”, e vendos krahas atij të Edith Durham-it, ka pasur pas shpalljes së pavarësisë një bisedë me Isa Boletinin. Këtë bisedë e riprodhon në librin e tij A record of Eastern Travel. Pyetjes së parë të diplomatit britanik, që ishte dhe agjent i MI6-s, se “a e deshën shqiptarët autonominë?”, luftëtari kosovar i përgjigjet me logjikën e një shqiptari otoman: “Jo, nuk e deshën; donin thjesht të mos u ndërhyhej në punët e brendshme”. Pas kësaj, vjen pyetja tjetër: “A e doni ju bashkimin ndërmjet veriut e jugut [të Shqipërisë]?” Në këtë pikë Boletini sillet si një diplomat gegë: “Tani, ne jemi një popull i vetëm, por bashkimi nuk do të ishte i leverdishëm për veriun, sepse toskët janë më të mençur e më të arsimuar sesa veriorët”.
Sipas Edith Durham-it, instinktet fisnore te gegët janë shumë të fuqishme. Ndonëse “bëhen rreth 15 shekuj që malësorët kanë nisur të ushtrojnë krishterimin, zakonet fisnore vazhdojnë të mbeten më të forta se ligjet e Kishës”, shkruan ajo. Dhe këtë e ilustron edhe me refuzimin që malësorët i bëjnë martesës me një grua “brenda fisit”; dhe “brenda fisit” fusin edhe ato që janë kushërira të brezit të dymbëdhjetë. Kisha e lejon një martesë të tillë, kujton ajo t’i ketë thënë një prift i Malësisë, por vetë malësorëve u ngjan e mershme ideja për t’u martuar me kushërirën e dymbëdhjetë. “Ne jemi motër e vëlla, e nuk mund të martohemi”, ia bënin ata.
Jacques Bourcart bën të njëjtin vëzhgim. Ai e sheh fisin në Shqipërinë e Veriut si një institucion “të krijuar në lashtësinë më të thellë, dhe është shumë më i vjetër nga të tërë burimet historike që kemi”, ndërsa “në jug të Shqipërisë e në trevat më lindore të saj [vërehet që] klanit feudal ia ka zënë vendin … komuna”. Edith Durham-i përdor një term tjetër për të përkufizuar organizimin social në jug. Në Postenan të Kolonjës, në mënyrën e organizimit të jetës atje, ajo ka pikësuar një “esprit de corps”, dhe … pastërti. “Shtëpitë mbaheshin shumë të pastra; dyshemetë i mbanin të mbuluara me qilima të dizajnuara bukur; muret ishin të veshura me dërrasa; dërrasat kruheshin derisa bëheshin të bardha; enët e gëllesë shkëlqenin”, thotë ajo. Por këtë tabiat ajo ka mundur ta vërë re edhe në veri: “[Në Juhanin kristian] burrat qenë në ara për të punuar tokën, por gratë që qenë në shtëpi duke qepur e endur, na mikpritën në ato shtëpitë e tyre të vogla, të lyera me gëlqere të bardhë e me tjegulla të kuqe; brenda tyre s’kish asnjë lloj mobilimi, por qenë, megjithatë, mjaft të pastra, e fëmijët eshtakë dukej që sapo qenë larë”.
Autorët e huaj, por edhe tanët, që në fakt janë marrë më rrallë me argumentin gegë/toskë, janë përpjekur të bëjnë një fotografi të plotë të këtyre dy pjesëve konstituive të kombit. Në vitin 2009, në një shkrim të publikuar te Korrieri, u përpoqa të bëja, bazuar në shënimet e librat e të huajve, por duke shtuar ca dhe nga vetja, një përmbledhje të tipareve të gegëve e të toskëve. Dhe shkruaja: “Gegët janë qejflinj të armëve, ndërsa toskët janë qejflinj të narave; gegët dinë të bëjnë luftë, toskët dinë të bëjnë propagandë; gegët janë trima, toskët janë mendjechapur; gegët janë të dhënë pas fisit, toskët janë të dhënë pas vetes; gegët janë poetikë, toskët janë prozaikë; gegët janë të zgjuar, domethënë finokë e dinakë, toskët janë të mençur, domethënë pragmatistë e të korruptueshëm; gegët pëlqejnë jetën rapsodike brenda fisit, toskët pëlqejnë jetën sociale jashtë shtëpisë; gegët duan ta këqyrin bukurinë, toskët duan ta shijojnë atë; gegët pëlqejnë burrërinë, toskët pëlqejnë njerëzillëkun; gegët i duan gratë për t’i nderuar e për t’u nderuar prej tyre, toskët i duan gratë për t’i kënaqur e për t’u kënaqur prej tyre; gegët jetojnë për një nder, toskët jetojnë për një çikë qejf; gegët janë fanatikë, toskët janë të shthurur; gegët te çdo njeri shohin një mik/armik, toskët te çdo njeri shohin një ortak; gegët bartin virtyte kombëtare, toskët bartin virtyte civile; gegët janë të dhënë pas normave etike, toskët janë të dhënë pas normave civile; gegët parapëlqejnë vetëgjvqësinë e ngritur mbi kode morale, toskët parapëlqejnë të jenë nën hyqmin e një organi suprem amoral, siç është shteti; gegët shohin me dyshim modernitetin, toskët shohin me dyshim traditën; gegët janë tradicionalistë, konservatorë, deri edhe reaksionarë, toskët janë progresistë, liberalë, deri dhe revolucionarë; gegët janë zogollianë, toskët janë fannoli-anë; me gegët mund të ndërtosh një komb, me toskët mund të ndërtosh demokracinë e shtetin e së drejtës; gegët janë të djathtë, toskët janë të majtë.”
KREU II
Gegë e toskë: Çfarë skrupujsh! Por dhe goditje poshtë brezit
Qysh në krye të herës, elita kulturore shqiptare, nga njëra anë e përgjëruar për unitetin apo unifikimin kombëtar, dhe nga ana tjetër e vetëdijshme për dobësitë e papërsosmëritë e kombit tonë, të bartura qysh nga lindja, domethënë për natyrën multifetare dhe për dikotominë gegë/toskë, ka qenë e kujdesshme për t’mos u futur “në hisen e tjetrit” ose ka bërë çmos për ta sublimuar, në mos mirëkuptuar, deri dhe me pahir, tjetrin. Me fjalë të tjera, në historinë e kulturës shqiptare kanë qenë të rralla, s’ka gjë se jo të parëndësishme, herët në të cilat intelektualë e mendimtarë shqiptarë toskë të kenë çalltisur e të jenë lëshuar me kritika e qortime ndaj gegëve, dhe anasjelltas; ose që eksponentë të kulturës shqiptare me identitet (prej traditës familjare apo prej besimit individual) të krishterë t’i jenë vërsulur fesë myslimane, dhe anasjelltas. Nuk është se s’ka pasur kritika në adresë të toskëve/gegëve, apo në adresë të katolikëve/ortodoksëve/myslimanëve; përkundrazi, kanë qenë të shumta, fshikulluese, deri dhe destruktive e të pamëshirshme, por këto kritika janë bërë (përsëris: me disa përjashtime domethënëse që përforcojnë rregullin) nga brenda sojit, gjë që ka qenë jo vetëm e tolerueshme, por edhe e kuptueshme, ndoshta për shkak të idesë së shprehur në stil antropofagësh se “i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”.
Të huajt që kanë shkruar për Shqipërinë, duke i paraprirë Rilindjes, e duke e inkurajuar/përgatitur/paralajmëruar lindjen e saj, kanë dalluar qysh herët, siç thashë më sipër, gegët e toskët brenda botës shqiptare, e kanë folur për ndarje apo dallime mes tyre. Por vetë rilindësit, kur erdhi hera e tyre, si ta kishin bërë me fjalë, nuk e panë të udhës të ndaleshin te një ndarje e tillë, gjë që ishte e shpjegueshme me projektin e tyre për të ringritur ose themeluar kombin shqiptar. Ndonjëri edhe e nënvizon këtë ndarje, por e bën për të rritur vetëdijen e nevojës për bashkim. Në vjershën e famshme Moj Shqypni, e mjera Shqypni Vaso Pashës i bie në sy që shqiptarët “ndër nji qind çeta janë shpërnda”, e që: “sa thon: kam fen, sa thon: kam din,/njeni thot: jam Turk’, tjetri: Latin/do thon: Urum, e do thon: Shkje, e disa tjer…”.
Dhe me shqiptarët që mbahen për grekë e shkje, sipas të gjitha gjasave, ai ka parasysh një pjesë toskësh e gegësh. Por siç thashë, ky nënvizim i fortë atij i shërben po aty për ta bërë më tërheqës e më dramatik apelin për bashkim: “Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë/gjithkund lshon dielli vapë edhe rrezë/asht tok’e jona, prind na e kanë lane/kush mos na e preki, se desim t’tanë”.
Rilindësit e tjerë nuk e çojnë kohën dëm me këtë çështje. Ata e injorojnë, bëjnë sikur nuk ekziston, ose thjesht bëjnë konstatimin (në këto ujëra noton dhe Vaso Pasha në rrethana të tjera, sidoqoftë në veprën e tij me titull E vërteta për Shqipërinë e shqiptarët, ku ai demonstron një ftohtësi “studimore e akademike”; thjesht bën një histori të gegëve e të toskëve), ose në raste të tjera, e nxjerrin situatën si të jetë e lumë. Naim Frashëri, në stilin e tij idealizues, thotë te Një këndim çunavet-këndonjëtoreja, e publikuar në Bukuresht në vitin 1886, se “shqiptarët … kanë qenë gjithënjë dhe do të jenë për jetë shqipëtarë; gegë e toskë, myslimanë, të krishterë, orthodoksë, katolikë, synitë, bektashinj, janë vetëm shqipëtarë”. Te Bagëti e Bujqësija, pasi nuk merr përgjigje nga dallëndyshja për pyetjen se a është duke ardhur “pej Çamërie, … nga Labëria, … nga fushë Korçës, … pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje, nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje”, ai i thotë asaj, dallëndyshes pra: “Të muntja të fluturonja e të kishnja krahë si ti/Me gas të math do t’i vinja Shqipërisë brënda në gjî/Per me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën/E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën/Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën/Mat’ e Ysqyp e Prishtinë dhe Mirëdit’ e Tetovën/Krojnë e Skënderbegut, q’i ka pas dhanë ner Shqypnisë…/… Durrës! o qytet i bukur, që je kërthiz’ e Mëmëdheut,/Edhe ti Leshi me emrë! që ke eshtrat’ e Skënderbeut/Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë/Edhe gjithë Shqipëtarët t’i mbanjë armiku ynë?”
Siç shihet, i ka përmendur një e nga një trojet e krahinat shqiptare, por asnjëherë gegët e toskët. Por nuk jetoi gjatë për të marrë vesh, se “burrat aq trima nuk e mbrojtën dot Ylqinë (Ulqinin)”.
Çajupi kapet pas këtij argumenti një herë të vetme, por sa për të thënë, se “të tërë një sua kemi/gegë, toskë, dibranë/gjithë shqipëtarë jemi”. “Dibranët” i ka futur për një ngushëllim prozodik, jo për gjë tjetër. Duket se vetëm njëherë i ka përmendur këto terma edhe Filip Shiroka, mik i Çajupit, dhe – ashtu si edhe Naim Frashëri – i dhënë pas metaforës poetike së dallëndyshes (si shkodran që është, e quan dallëndryshë). Gegët e toskët i ka zënë n’gojë në një vjershë me titull Shqypnija, në strofën e fundit, dhe tonet janë ledhatuese e mobilizuese: “Njesh’ armët Gega i malevet/për soj ma ke trimninë/me toskën e guxueshëm/lidh besën e vllazninë”.
Ndërsa për Mjedën duket sikur gjërat janë më të qarta: “Geg’ e tosk’, malsi, fush’ e jallë/jan’ nji komb, m’u da, s’duron/fund e maj’ nji a Shqipnia/e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon”. Mirëpo, e bren pak krimbi i dyshimit lidhur me këtë që thotë, pasi në strofën tjetër të së njëjtës poezi me titullin Gjuha shqipe, mu sikur t’i jenë fanitur krejt papritur fantazmat e ndarjes, ia bën: “Qoftë mallkue kush qet ngatrrime/ndër kto vllazën shoq me shoq/kush e dan me flak’ e shkrime/çka natyra vet’ përpoq”.
Sa më sipër, nuk janë përjashtime. Janë fryma e Rilindjes, që u përcoll deri në vitet para e pas themelimit të shtetit shqiptar, kur botimet në diasporë u shtuan, e kur Shkodra po shndërrohej në një qendër të pakonkurrueshme të kulturës shqiptare, kryesisht për meritë të shkrimtarëve katolikë të atjeshëm (them “kryesisht”, pasi përveç klerikëve Ndre Mjeda, Preng Doçi, Gjergj Fishta, Anton Harapi, Anton Xanoni, Shtjefën Gjeçovi, Vincens Prendushi, Ndoc Nikaj, Bernardin Palaj, Lazër Shantoja, kanë dhënë kontributin e tyre edhe autorët laikë, si Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka, Hilë Mosi, Mirash e Nikollë Ivanaj, Ernest Koliqi, etj).
Kujdesi i rilindësve e pasrilindësve për t’mos u fokusuar më shumë sesa duhet, apo për t’u fokusuar ashtu si duhet, politikisht korrekt, në dallimet mes gegëve e toskëve vihej re në shumë mënyra. Faik Konica, për ta bërë sa më kombëtare revistën e tij Albania, bëri atë që s’kish ndodhur ndonjëherë në këtë botë, krijoi një periodik, në të cilin u publikuan përkrah njëri-tjetrit artikuj e vargje të autorëve gegë e toskë. Vetë Konica shkruante artikuj dhe në gegërisht, dhe këtë e bënte, jo ngaqë ishte i zoti të shkruante në atë dialekt (një lloj familjariteti me gegërishten, sidoqoftë, duhet t’i kishte mbetur nga vitet që kaloi në kolegjin jezuit të Shkodrës), por me synimin për t’i çuar sa më larg idetë e tij e për të bërë për vete sa më shumë shqiptarë, dhe ngaqë donte të përfshinte dhe gegët në lëvizjen e Rilindjes kombëtare, e cila ishte iniciuar, e deri në atë moment udhëhiqej, nga toskët, ortodoksët e myslimanët bektashinj (ai donte ta bënte Albanian “si një urë të vërtetë për të bashkuar gegët e toskët, që … janë si vendasit e dy ansuajave të palidhura bashkë me avullore”). Autorët katolikë pra nuk ishin shfaqur ende në mënyrë imponuese, gjë që e bënë pakëz më vonë. Deri në momentin që Faik Konica hapi revistën e tij, rilindësit vepronin në një masë të madhe në diasporë, dhe gegët që ishin bërë pjesë e Rilindjes në përbërje të kësaj diaspore ishin të paktë në numër: Zef Jubani, Vaso Pasha, Ndre Mjeda e pak më vonë Filip Shiroka, Mati Logoreci, e Preng Doçi.
PARANTEZA NR.4: FAIK KONICA, NJË SHQIPTAR I ÇUDITSHËM; MË SHUMË SHQIPTAR SE I ÇUDITSHËM
Faik Konica është një nga personazhet më bujëmëdha në historinë e shqiptarëve; dhe në ndryshim nga të tjerë, që kanë bërë bujë aq sa (ndoshta më shumë se) ai, Faik Konica nuk ka bërë veprimtari aktive në politikë. Ai, nëse nuk ia fusim në hesap punën e diplomatit që e ka bërë në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës (sipas shumë gjasash, “për të mbajtur veten me bukë”), ka bërë publicistin, gazetarin, shkrimtarin, intelektualin publik. Pas rënies së komunizmit, figura e tij iu nënshtrua një revizionimi të menjëhershëm. Dhe siç pritej, si një ‘hakmarrje’ ndaj shpërfilljes së gjatë (regjimi komunist nuk është se iu qep me bukë në trastë figurës së tij, gjë që e bëri me të tjerë, por sidoqoftë nuk e përmendte), u glorifikua. I pari ishte Ismail Kadare që ringriti kultin e Konicës, si njëri prej njerëzve më të ditur të kohës së vet. Pas tij vërshuan të tjerë, që i mbajtën iso.
Por para tij ka qenë Fishta, që ka “zbuluar” njeriun e ditur, Faik Konica. Madje, që të jem plotësisht i saktë, edhe para Fishtës ka qenë Gijom Apoliner-i, i cili ka lënë një shënim në një libër të Konicës me titull Ese mbi gjuhët natyrore e mbi gjuhët artificiale, të shkruar në frëngjisht. Në shënim thuhet: “C’est l’Albanais le plus erudite de l’Europe. Il t’admire toujours celui – là qui lit, o Pyrrhys Bardyli”, që në shqip do të thotë: “Është shqiptari më erudit në Europë. Përherë të admiron ai që të lexon, o Pirro Bardhyli”. Këtë shënim të vitit 1904 e ka gjetur studiuesi Luan Starova. Pirro Bardhyli, tamam-tamam Pyrrhys Bardyli, ka qenë një nga nofkat publicistike të Konicës.
Për kontributin e tij në të mirë të kombit, që ka qenë i dukshëm dhe i pamohueshëm (është i tillë në të mirë e në të keq; është i tillë edhe kur bëhet me princ Wied-in, edhe kur bëhet me Esat pashë Toptanin; edhe kur bëhet me Nolin, edhe kur hidhet me Zogun; edhe kur “zbret nga froni” Naimin, edhe kur lartëson “poetin e madh” Murat Toptani (!!); edhe kur i shan mbarë e mbrapisht gegët e toskët, edhe kur shenjtëron racën e shqiptarëve; edhe kur shpall kryengritësit Grameno e Topulli si banditë, edhe kur shpall banditin, një farë Maliq Beu nga Këlcyra, kryengritës nacionalist; etj, etj), është folur gjatë, ndërsa për anën e errët të personalitetit të tij dhe për prapësitë e kryera është folur më pak.
Ishte autoreferencial, dhe kjo ishte gjëja më e falshme e tij. Ndoshta Noli mund ta konkurronte në këtë pikë, pasi të dy nuk e kanë fshehur që kanë pasur një mendim të mirë për veten. Në një letër që ia dërgon Thanas Tashkos, Fan Noli i rrëfen lidhur me një veprimtari shqiptarësh të organizuar në Boston. Ishte një konferencë për Spiro Kosturin; Noli ishte ftuar për të folur në atë ngjarje, ku merrnin pjesë, gjithnjë sipas Nolit, “përmi 500 shqiptarë, [nga të cilët] 300 ishin grekomanë”. Dhe ja se ç’i thotë Noli Tashkos: “[Fola dhe] i bëra të tërë të iknin me lot ndër sy. Njerëz pleq qanin dhe lebetitnin si foshnja… Mua që i shava dhe i fëlliga shqiptarët në faqen 11 [ndoshta të gazetës Kombi?] dhe [për këtë arsye] s’donin as me sy të më shikonin, mua më bënë Perëndi një ditë të Diel, se [unë e] di se kur u lipset [shqiptarëve] kamçiku, kur nabuti’ e kur të krehurit e bishtit”.
A nuk është një vetëllastim si prej fëmije? Dhe bën vaki që ia rrëfen Tashkos ngjarjen ashtu si do të donte ai të kishte ndodhur. Për të njëjtën ngjarje ka folur dhe Kristo Kirka, të cilit i ka bërë jetëshkrimin Uran Butka, dhe afërmendsh, “njerëz me lotë në sy, e pleq që qanin e lebetitnin si foshnja” nuk kish pse t’i iknin nga koni i vështrimit. Por Kirka i bën një përshkrim të thatë ngjarjes: “Foli Petro Nini Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci, e të tjerë”. Kaq.
Dhe Konica nuk i lë mangët asgjë Nolit në këtë vetëpëlqim. Në një përgjigje që i kthen një letre të Asdrenit, Konica shkruan: “[Unë] shërbej vetëm interestet e popullit tonë; punëtorët, pshatarët, shumica e të mierëve shqipëtarë, për ata më qan zëmëra …populli i mierë, kur të mësojë një ditë se, për të mbrojtur interestet e tija, nderin e tij, lirimin e tij e bukën e tija, sa u përpoqa, sa vuajta, sa u mundova, duke prishur shëndetin tim, populli vetëm do t’m’a dijë për të mirë”. Ky është nga të paktat raste, kur Konica, i dhënë pas “oxhakësisë”, njëjtësohet me “të mierët” e Shqipërisë. Por jemi ende te pjesa simpatike (në mos, te pjesa joantipatike) e personalitetit të tij. Vetëpëlqimi nuk është ndonjë ves i tmerrshëm. Sidomos për një intelektual, e aq më pak për një intelektual si Konica që mes shqiptarëve – këtë nuk e ka thënë, por e ka lënë të nënkuptohet – e shihte veten si floririn në mes të një bërloku.
Faik Konica ishte tekanjoz, me hënëz, dhe koherencën e kishte zero. Dukej se as që e çante kryet për faktin se çfarë pështynte sot, e lëpinte të nesërmen, apo anasjelltas. I merrte kthesat 180 gradë, me zhdërvjellësinë e një pelivani, dhe nuk demonstronte se kishte brejtje ndërgjegjeje për këtë. Bëri çmos t’i cyste e t’i inkurajonte të gjithë për t’u mbledhur e për t’i dhënë dore punës në lëmë të alfabetit, dhe ishte po ky që kthente mbrapa ftesat që i vinin për të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, e që më pas nuk linte gjë pa thënë kundër vendimit që u mor në atë Kongres. Çfarë nuk thoshte për Zogun, e kur vinte puna s’e kishte për gjë të thoshte të kundërtën e atyre që kishte thënë. E përbuzte, por edhe punonte për të. Madje, ia priti e ia sajdisi edhe motrat në SHBA, duke luajtur rolin e një pazari oborri.
Ismail Qemalin, me ta takuar për herë të parë, u vu ta lante e ta lyente në gazetën e tij: “Për së largu, shumë njerëz e kanë famën më të madhe se vlerën e vërtetë. Smail Begu përkundrazi, sadoqë të madhe e ka famën, edhe më tepër e ka vlerën, e u gëzuam e na u ngroh zemra duke parë me sy se Shqipëria mund të mburret që ka një djalë me mendime aq të shëndosha.” Nuk kaluan as disa muaj, dhe po në atë gazetë, në Albanian e tij pra, s’e pati hiç për gjë të shkruante sa më poshtë për të njëjtin njeri, për Ismail Qemalin: “As do e kishim nxjerrë zërin, sikur [Ismail Qemali] të ishte kënaqur së vjedhuri. Por ky zuzar kërkoi të prish themel e majë propagandën shqiptare. Shahin bej Kolonja, burrë i ndershëm e i kudonjohur si atdhetar i nxehët, i la të gjitha e erdhi të punojë me Ismail Benë, por në vend të një shqiptari gjeti një greko-turk; në vend të një atdhetari, gjeti një tradhëtar; e në vend të një njeriu me nder, një grabitës. Edhe [prandaj] e pështyu, dhe e la.”
Nuk mbaron këtu. Do t’i vijë radha dhe Shahin Kolonjës, këtij “burri të ndershëm e të kudonjohur si atdhetar i nxehët”, të cilin një vit e ca më vonë e kryqëzon si të ardhur nga “nonjë llaqëm i Anadollit”, dhe i lutet që përpara se t’i shkojë në mendje të hahet me të, “të lajë kokën që të çporren morrat, të lajë dhe këmbët dy herë ditën në acid phenique që të mos bien erë”. Ishte aq xanxar, sa as me vëllanë e vet nuk arrinte t’i gjente dot telat. Mehmet Konica kishte, me sa duket, të njëjtin mendim që kishin dhe të tjerët për të, e prandaj në një letër i thotë Nolit, se “në vazhdoftë kështu [Faiku], atëherë … do duhet ta shtrojmë në ndonjë manastir të Shqipërisë”.
Dolëm sërish te Fan Noli. Konica shihte fillimisht te Noli një shok të kauzës. Të dy e çmonin sho-shoqin, dhe bën vaki që secili prej tyre të ketë parë tek tjetri të barabartin me veten në botën shqiptare. Si të tretin të barabartë me ta duhet të kenë parë Gjergj Fishtën. Konica nuk ka lënë rast pa e shprehur vlerësimin për fratin francezkan, duke marrë në këmbim të njëjtën gjë. Ndërsa Noli ka folur rrallë për Fishtën; dhe anasjelltas. Nuk dihet nëse janë dashur apo urryer, por është e sigurt që nuk janë gërricur e fërkuar. Të japin përshtypjen se kanë bërë çmos për të shmangur situatat, në të cilat do t’u duhej të flisnin qoftë mirë, qoftë keq për tjetrin. Rëndom, sillen kështu veç ata që, thellë-thellë, shihen si të barabartë.
“Me Faikun kam bashkëpunuar aq vjet, sa emrat tanë ishin të lidhur dhe të paçkëputur; çdo gjë që thoshte Faiku, ma ngarkonin mua, e çdo gjë që thosha unë ia ngarkonin Faikut”, e përmbledh Noli lidhjen e të dyve në kohët kur i mbanin kryet mënjanë njëri-tjetrit. Ç’është e vërteta, marrëdhëniet e mira mes tyre vazhduan gjatë. Pas vitit 1920, mes të dyve u fut politika, dhe nga momenti konfidencial kur Faiku i thoshte Nolit që sapo ishte kthyer në Tiranë “…të shkonte e të takonte të vëllanë [Mehmet Konicën], të rrinte ca ditë me të, e t’i hapte sytë mbi katastrofën që po ndodhte” do të kalohej ngadalë-ngadalë në momentin e karfosjes së egër mes Nolit e Zogut (1924), gjatë e pas së cilës beu i Konicës do të rreshtohej me këtë të fundit. Pas kësaj u kacafytën ca kohë (Faiku e quante Nolin vegël të Gurakuqit, e quante deri dhe bolshevik; ndërsa tjetri i përgjigjej duke i thënë se “Faiku s’mund të më provonjë fairly që ka çpuar një vrimë në ujë më të madhe se timen”), por nuk është se u prishën për fare; duhet të jetë meritë e Nolit, i cili, një ditë prej ditësh, andej nga viti 1933, zemërlëshuar, u ul dhe i shkruajti një letër, ku i thoshte se “…s’ka as qejf, as nge, as takat për politikën, … se këllëçin e tij politik e ka varur në muze, dhe nuk do ta nxjerrë së andejmi kurrë më”. Madje, në fund të letrës, e vizatoi gjendjen e vet si të mjerë, a thua se kishte për qëllim t’i këpuste shpirtin Faikut: “Përpiquni të më ndihni, se jam keq nga të gjitha pikëpamjet”.
Dhe Faiku gjeti momentin e vet për t’i këputur shpirtin Nolit. Pak para se të vdiste, ai i shkruajti se “ndërron jetë me mejtimin se Noli ishte njeriu që e kishte kuptuar më mirë në këtë botë”. Pas kësaj vjen amaneti: “Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli, dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqipëtarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë dhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë, dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri.” Konica vdes, veçse nja dy vjet më vonë. Noli nuk mundi t’ia përmbushte amanetin, e nuk ishte për faj të tij (eshtrat e Konicës mbërritën për t’u prehur në Shqipëri nja gjashtëdhjetë e kusur vjet më vonë). Por ia qëndisi mirë fjalimin e lamtumirës, duke ia numëruar meritat e mëdha të tijat, e quajti birin më të shquar të Shqipërisë, një nga pionierët më të njohur të pavarësisë shqiptare, dhe e mbylli: “Zoti e përhiroftë duke i falur parajsën!” Do të ishte interesante të dinim sesi do t’ia qëndiste Faiku fjalimin e lamtumirës Nolit. Dhe qejfin do t’ia kishte pasur, por fati deshi që ai të ikte i pari e që Noli të jetonte gjatë.
Të tjerët kanë qenë më pak empatikë se Noli ndaj Konicës. E kanë çmuar, sigurisht, por e kanë thënë të vetën lidhur me pjesën lunatike të tij. Mustafa Kruja thotë se “Faik Konicën e kishte krijuar Perëndija si mohim të çdo bashkëpunimi e organizmi”. “Konica e bëri Diellin për 15 vjet me radhë një organ publiciteti të regjimit të Zogut”, thotë Kostë Çekrezi, dhe nuk i lë papërmendur faktin se “ishte Faiku që e quajti tradhtar Vasil Laçin, djaloshin dardhar që qëlloi me revole ‘madhërinë e tij shkurtabiqe’, Viktor Emanuelin III”. Eqrem bej Vlora thoshte se e kishte admiruar pa e njohur, por i ra entuziazmi kur e njohu, ndonëse iu zmadhua vlerësimi për dijet e tij. “Ishte zemërrak, fodull, sarkastik, dhe njeri që donte t’i shkonte gjithmonë e tij”, vazhdonte ai më tutje.
Gegërishtja e Konicës ishte një gjuhë e sajuar me arna të arealit geg, një çikë shkodrançe, një çikë dibrançe e një çikë kosovarçe, e pastruar pothuaj krejt nga “ë”-të dhe e përmbytur nga apostrofë, e prandaj një surrogato, ndonëse, sipas shumë gjasash, duhet të ketë qenë e kuptueshme nga një gegë i atyre moteve që dinte shkrim e këndim. Ja një pasazh nga një shënim i bërë në vitin 1897, kur dhe u hap revista: “Mejaft mëkate jan për me mirimin kët qëllim. Asht nevoj, ata qi kinojnë fletat shqip t’përpiqen me kuvnue qish asht e shkrumun. Kur një geg shef a nigjon nji fjalë ma mir. Kshtu farë soje ka asht shpres me ardh nji ditë e afrume ku nuk ka me pas tosknisht as gegnisht, por vetmi shqip.”
Ja dhe një pasazh i dytë, nga një shënim tjetër në vitin 1898, gjithnjë te Albania e tij: “N’dhë ton, n’Shqypni, ka ma shum se tri mij shkolla t’bamuna prej të hujve. Dit për dit po bahen t’tjera, dhe t’gjitha kunra shqyptarit. Kur shoftim bullgart që po hyjnë në shum vise t’Shqypnis edhe që po gatiten me hypun ma thellë, krejt në të tanë Shqypni, nuk kena arsyë me u zemru e me bërtit që shka po kërkojnë te ne bullgart. Faji asht i joni”.
Kur ishte fjala për goditje brenda “sojit të vet”, Faiku nuk e mbante dorën, dhe nuk harronte të nënvizonte se kjo “liri [e tij] për të bërë fjalë mi toskët” ishte më e madhe, ngaqë “ai ishte toskë [vetë]”, e prandaj “ato që shkruante për ata, s’do të thotë që ishin edhe për atë vetë”. Por me këtë nuk kishte bërë gjë tjetër, veçse i kishte hapur rrugën vetes për t’iu hyrë toskëve me “ku të ha e ku të djeg”, duke i quajtur frikacakë, dhe njerëz “që s’bëjnë gjësend për të mprojtur veten e tyre”.
Por Faiku, si bishiq që ishte, bënte dhe tjetrën, kur i kërcente delli. Në të njëjtën periudhë, po në revistën e tij, në një nga shkrimet e tij të para, u zbraz edhe kundër gegëve të Shqipërisë. Dhe këtë e bën, afërmendsh, në gegërishten e tij. Gegëve ua ledhaton fillimisht sedrën, duke u thënë se “…s’ka ma trima n’pushkë se ata, se fama e gegve asht e përhapun n’gjith botën, se n’cilën do luftë, gegët kanë diftue veten e tyre se s’kanë as frikë nga zjarri, as frikë nga plumbi”. Dhe merret vesh se pas kësaj ka një “por”: “Por vetmi nji sen çudit botën, qi gegët s’dinë me shkruan gjuhn e vet”. Dhe e mbyll me një këshillë për ta: “Keni trimninë e pushkës, fitoni ene trimninë e mendjes, mësoni shqyp”.
Katolikët e Shkodrës nuk preken nga kjo kritikë. Konica nuk e thotë, por kjo merret me mend. Si mund t’u thuhej “mësoni shqyp” pasardhësve të Budit, Bardhit, Bogdanit, apo atyre që kishin nxjerrë Pashko Vasën (Poezia Moj Shqypni, e mjera Shqypni kishte gati njëzet vjet që ishte botuar), Ndre Mjedën (edhe Vaji i Byllylit ishte publikuar, ndërkohë), Preng Doçin, që një a dy vjet më vonë do të themelonte shoqërinë punëmadhe Bashkimi, Filip Shirokën që shkruante në vijimësi për Albanian e tij, etj? Jo vetëm kaq. Ai kishte një simpati që nuk harronte asnjëherë ta shprehte për Shkodrën, për shkodranët (“Shkodra është vendi më interesant i Shqipërisë; argjendarët e punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në të gjithë Europën e Jugut e të Lindjes”, shkruante ai në vitin 1930, në një artikull me titull Shqipëria), për katolikët në përgjithësi, ngaqë nuk e kishin ndërruar fenë e të parëve, e në mënyrë të veçantë për atë pjesë të klerit të tyre, françeskanë e jezuitë, që ca vjet më vonë, e derisa që gjallë Faiku vetë, do të bëheshin epiqendra e zhvillimeve kulturore në Shqipëri. Mati Logoreci e shihte pak ndryshe këtë punën e jezuitëve, të cilët – kështu thotë Nathalie Clayer – “ishin të trembur në lëmë të shqiptarizmit”, dhe prandaj, ndonëse për françeskanët kishte një mendim të mirë – vijon Clayer – “[Logoreci] nuk donte të hidhej për të vepruar në fushën e shqiptarizmës përmes katolikëve; preferonte ta bënte këtë nëpërmjet myslimanëve të jugut, që ai i kishte njohur në kohët kur kishte qëndruar në Manastir, apo nëpërmjet rinisë katolike të Shkodrës, që kishte filluar të emancipohej [e të dilte] nga kthetrat e klerit”.
Konica kishte arsye të vetat pse i veçonte dhe i përshëndeste priftërinjtë katolikë. “[Ata] predikojnë shqip, e ua mësojnë shqip fenë fëmijëve, të dielën, në mes të meshës, e këndojnë ungjillin e javës shqip, fajet i dëgjojnë dhe i falin shqip, edhe lutjet i bëjnë shqip. Këto punë, shqiptarët orthodoksë dhe muhamedanë a i mbarojnë në shqip? Jo, [i bëjnë në] greqisht, arabisht, turqisht”, shkruante ai qysh në vitin 1902. Dhe për sa u takon myslimanëve, më shumë e kishte me ata të Gegërisë, të cilët ishin besimtarë “shumë të nxehë” e fanatikë, dhe çupat e gratë i kanë shndërruar në “therore të paqytetërimit [të tyre]”. Ndërsa për gegët katolikë nuk i kursente fjalët e mira.
Myslimanët toskë, në ndryshim nga ata gegë, Konica i shihte të ftohtë në besimin e tyre, dhe njohës të këqij të fesë së Islamit, gjë që, sipas tij, do t’i bënte ata që, me t’u fituar pavarësia nga Turqia e me t’u çliruar nga pesha e shtrëngimit dhe e zakonit, “të ktheheshin me qindra mijëra në fenë e stërgjyshërve të tyre”. Ai jetoi edhe shumë vjet të tjera për të kuptuar se nuk kishte qullosur gjë me këtë parashikim (nuk u verifikuan kthime masive në fenë e stërgjyshërve të tyre), por asnjëherë nuk u duk se ndryshoi mendimin që kishte pasur qysh në krye të herës, domethënë se braktisja që shqiptarët i kishin bërë fesë së të parëve të tyre, dhe konvertimi i tyre në fenë islame, kishin qenë një fatalitet e një fatkeqësi për kombin e tyre.
Por myslimanëve mund t’u binte me kopacë. Ishin “të tijtë”. Me katolikët ndryshonte puna, e jo thjesht ngaqë s’ishin “të tijtë”. Disa priftërinj e atdhetarë të Shkodrës ishin bashkëpunëtorë të gazetës Albania. Kjo e fundit nuk ishte gazeta më e lexuar ato mote në Shqipëri e në diasporë (më e lexuara ishte Drita e Shahin Kolonjës, dhe duhet të shpjegohet me namin e beut të Konicës fakti që gazeta e tij është regjistruar si më e bujshmja në historinë e Rilindjes), por ndër lexuesit më të mirë të saj ishin njerëzit e klerit katolik të Shkodrës, me të cilët atij ia kishte ënda të jepte e të merrte. Deri në Gomsiqen e largët “me një shtëpi këtu e një shtëpi atje”, deri në Gomsiqë pra ka shkuar, tok me Gjergj Fishtën, për t’u pjekur e për të shkëmbyer ca fjalë me Shtjefën Gjeçovin, këtë “lartësi të përulur”.
Konica e quante Fishtën, dhe nuk është i vetmi, “poetin kombëtar të Shqipërisë”, dhe këtë e bëri në sprovin e tij me titull Shqipëria, Kopshti shkëmbor i Evropës juglindore, por dhe Fishta ka demonstruar më shumë se një herë që, për të, Konica ishte një shqiptar që hante bukë veç. Në një kopje të Lahutës së Malcis, që Fishta ia dhuroi Konicës, binte në sy shënimi që ai i kishte bërë, në latinisht, në faqet e para të librit: “Njeriu më i ditur, Faik Konicës, gjykatsësit të letërsisë shqipe; me elegancë, me miqësi të përhershme e të përulur, At Gjergj Fishta”. Këtë e dëshmon Qerim M. Panariti.
Poeti e prifti françeskan e ka përmendur dhe në një poezi të vetën, në Anzat e Parnasit. Është një poezi me titull Dredha e Djalit, të cilën e fillon me një legjendë, që flet për ca “shpirtën të djerrun” në Bisht-Pallë, që natën “ngrehin shpia e ngrehin kulla” shumë të bukura, por që pak para se “me dalë e bardha dritë”, ata i shembin ato dhe e rikthejnë gjithçka në gjendjen e mëparshme. Ja, këtu fillon analogjia me shqiptarët, të cilët “e kanë zanat me shpartallue/çdo punë t’mbarë qi t’jetë nisun”, për të dalë te Shqipëria që fillon atje ku serbët shohin Serbinë e Vjetër e që mbaron në Artë, “me Greqi ku dan Shqypnia/si e ka vu Faik Begu n’Kartë/qi ka shtypun Albania”. Duhet të jetë fjala për një hartë të Shqipërisë – këtë e thotë vetë Konica në një shënim të vitit 1902 – të përpiluar nga Instituti Gjeografik i Universitetit të ri të Brukselit, me paratë e dhëna nga d’Aladro, pretendenti për fronin e ardhshëm të Shqipërisë për shkak të lidhjeve të gjakut të pretenduara nga ai vetë me Skënderbeun, dhe që është e para hartë e Shqipërisë. Konica nuk na thotë në shënimin e vet se deri ku i ka çuar kufijtë e Shqipërisë, por na bën me dije se kufijtë e saj nuk ndjekin kufijtë e vilajeteve. Me siguri duhet të ketë qenë një hartë e asaj që sot shihet si Shqipëria e Madhe, domethënë që fillon mbi Prevezë, saktësisht në Artë, e ngjitet deri në Preshevë, e prandaj Fishta ngjan i kapur nga një lloj dalldie patriotike.
Lahutën e Malcis ia kanë qortuar tek-tuk “poetit kombëtar” për motivet ngushtësisht lokale (intriga e ngjarjeve zhvillohet në kufirin shqiptaro-malazez, s’ka gjë se aty-këtu zhvendoset në Fushë-Kosovë, në Stamboll e Berlin), por Fishta rreket, pak si me pahir, ta mbarëkombëtarizojë mesazhin poetik e artistik të saj, duke përmendur disa herë tokën e Kastriotëve, duke zgjedhur për karaktere të veprës së vet katolikët e myslimanët, toskët dhe gegët që duhet të mblidhen “tok si kokrrat n’shegë”, e duke folur në ndonjë rast për Toptanin, Krujën, Lumën, e deri malin e Tomorrit “shkambor”. Në një vjershë tjetër (Surgite Mortui, te libri Mrizi i zanave), aksioni poetik i tij kap “Tepelenin, Manastirin dhe labët”, ndërsa në poezinë Himni i flamurit kombëtar që, duke gjykuar nga koha e publikimit (1913), duhet ta ketë shkruar me pretendimin për t’ua ofruar shqiptarëve si një himn kombëtar, ai ka për leitmotiv, dhe refren, toskët e gegët. “Bini toskë, ju, bini gegë/ Si dy rrufe që shkojnë tue djegë/A ngadhnjyesë, a t’gjithë dëshmorë/Trima, mbrendë! Me dorë, me dorë!” Vjersha në tërësi është e dobët. Më mirë që nuk e kanë marrë për himn.
Nuk ka asnjë rresht, në të cilin gegë/katoliku Fishta të ketë bërë një kritikë për toskët/myslimanët. Ai kritikën e ka bërë en bloc për shqiptarët, dhe në këtë kuptim, nuk ka lënë gjë pa thënë. Për të, shqiptari nuk e meriton pavarësinë që i kanë dhënë, se ai “nuk ka dashuni për Atdhe”, se ai “nuk çan kryet për komb të vet, as për atë gjuhë të ambël që i la i Pari”, dhe se atë, shqiptarin pra “e sheh veç atje ku xixëllon ari” (frazat në thonjëza janë marrë nga poezia “28 nënduer 1913” e Mrizi të zanave). Ndërsa te Lahuta, në një moment të Kangës IV, ai u rezervon përbuzje shqiptarëve, dhe këtë e bën me fjalët e Knjaz Nikollës, që në të vërtetë janë të tijat. Knjaz Nikolla u thotë sokolave të vet të nisen dhe të bëjnë atë që dinë të bëjnë; sa për të tjerat t’mos mendojnë e t’ia lënë atij, pasi di ai si t’ua punojë shqiptarëve që i njeh mirë e që, kështu thotë, “me pak pare e tue gërga/atë e bir unë kam me i nda”. Dhe saktëson se, qyshse ka lindur, shqiptarët, me fise e me bajraqe “t’bashkuem mend nuk i mban”. E ka pra, siç shihet, me shqiptarët. Jo Knjaz Nikolla. Fishta.
Në një rast bën një vëzhgim për myslimanët, por aty për aty, sapo ti fillon të mendosh se “e kape në rrethana flagrante duke bërë krimin e papërfytyrueshëm”, ai e simetrizon arsyetimin, dhe u bën një qortim dhe katolikëve: “Me pasë për t’ardhë nji muhamedan prej qendrës s’Afrikës, muhamedani shqyptar ma parë e ma shpejt zë bisedë me të se me një kristian shqyptar. Kshtu me pasë për t’ardhë në Shqypni nji protestand edhe prej Skandinavjet (s’po tham ortodoks as katolik), katoliku e ortodoksi shqyptar ma parë rrin me të se me nji muhamedan shqyptar”.
Nuk ka asnjë diskutim pra që Fishta ka qenë, me fjalë dhe me vepra (mjaft t’i mbajmë mend sjelljen pajtuese dhe gatishmërinë për kompromis në Kongresin e Manastirit), i kujdesshëm në lëmë të njëjtësisë e njëmendësisë kombëtare, por të bëhet në një numër rastesh se spicat e qortimet që ai ka hedhur mbi të gjithë shqiptarët i vijnë edhe prej një pesimizmi besëtytë. Karl Gurakuqi, që ka ndenjur shpesh e gjatë me të, kallëzon në një nga letrat e tij dërguar Merlika-Krujës, se në një nga bisedat që kishin pasur së bashku, a në prani të tjerëve, Fishta kishte ngritur pyetjen: “Mos asht mallkimi i shën Palit që i pat shkund këpucët kur e la Durrësin për mos me marrë me vete as pluhnin e Shqipnis, pse i sillte fakte si qymja e thutë?” Një numër autorësh e mbrojnë me forcë pretendimin se Shen Pali ka pasur për stacion dhe Shqipërinë e sotme në një nga udhëtimet e tij këtyre anëve në gjysmën e parë të shekullit I, por nuk dinim që kronika e historisë së Krishtërimit të kishte regjistruar dhe këtë gjest të dëshpëruar e idhnak të Shen Palit në Durrës që, sipas priftit më të famshëm françeskan të shqiptarëve, ka shenjuar e parathënë fatin e shqiptarëve në dy mijëvjeçarët e ardhshëm. Fishta nuk thotë se në ç’libër e ka gjetur këtë detaj të historisë së Krishtërimit, por mendja të thotë se e ka sajuar këtë fabul me apostullin e Krishtit, nga i cili na kanë mbetur letrat dërguar popujve rrotull nesh. Durrsakëve, e ilirëve në përgjithësi, nuk u ka dërguar ndonjë letër.
Në përgjigjen që kthen Mustafa Kruja, i ngacmuar edhe prej një fraze tjetër që K. Gurakuqi e vë në gojë të Fishtës (“Ma parë ban bashkë një thies me pleshta se dy shqyptarë”), ka një dëshmi të tijën që e ushqen idenë e pesimizmit e të fatalitetit fishtian. “Pse e nxen gjakun aq fortë, more Mustafë? Paj për këtë besë veçse mundohemi kot, se Shqipni s’ka. Nuk bahet Shqipni me brumin t’onë. Po ta thotë Pader Gjergji!”, thotë Kruja t’i ketë thënë Fishta edhe në prani të Tefë Curanit.
Në mënyrë edhe më të qartë, kjo optikë besëtyte mbi Shqipërinë, të shkuarën e të ardhmen e saj, del në një poezi të tijën, në të cilën ai rrëfen në stil anekdotik një kokëçarje të Shen Mhillit e Shen Pjetrit lidhur me botën të cilën ata e shohin nga sipër. Teksa “hahen” me sho-shoqin, nëse rruzulli i tokës është i madh a i vogël, ata i japin dore punës ta matin tokën me pe mëndafshi. Kështu bënë, veçse u doli një yçkel. “Peni i mëndafshit nuk u mbaroi/për me matë ket Shqyptari”, vargëzon Fishta. E si ia bënë dy shenjtët, teksa u habitën se peri sosi mu aty ku fillon toka shqiptare? Ata i bënë një zë djallit, e kapën, e rropën të gjallë, ia bënë pe lëkurën, ia mbështollën në një rodhan, dhe “me atë dredhë shqypninë e matën”. Vjersha mbyllet me këto vargje: “E q’m’at ditë qi dheu i shqyptarit/Me atë rod dredhe pat kenë matë/Duen me thanë se’i punë për s’mbarit/Aty ma s’mundet me gjatë”. Afërmendsh, Fishta nuk na thotë asgjë të re me këtë çalltisje shenjtësh gjeometra, apo me këto shfrime besëtyte të vetat, të cilat kanë ardhur deri në kohët tona të thjeshtuara në ca fraza banale, që zakonisht dëgjohen dhe marrin kuptim, në gegërishten praktike të Shqipërisë së Mesme: “Ky ven nuk bohet”, “Ky ven o’i mallkum”, etj.
PARANTEZA NR.5: SHQIPTARËT BESËTYTË E NDJELLAKEQË JANË NJË SOJ I MOCËM
Shqiptarëve u ka munguar gjithëherë besimi tek e ardhmja e Shqipërisë, dhe ky pesimizëm është bartur në çdo kohë, deri në ditët e sotme. Ky pesimizëm ka qenë më i kuptueshëm në rrethana krizash e trazirash të brendshme. Si në vitin 1914. Pasi rebelët bënë rrëmujë vendin në shenjë proteste kundër princ Wied-it, Ismail Qemali i bëri naftën vendit të vet. Por para se të ikte, atij i bën një vizitë në shtëpi kushëriri, Eqremi. Dhe e gjen të ligështuar. “Po gatitej të largohej nga Shqipëria, [dhe] dukej se nuk i interesonte aspak gjendja”, shkruan Eqrem Vlora më vonë. Nuk thotë se ç’i tha Ismail Qemali, por nënvizon: “Kishte humbur çdo besim e shpresë në të ardhmen e Shqipërisë”.
Është po Eqrem bej Vlora që në një rast tjetër flet për një nënguvernator të Basrës, në Irak, të cilin e kishte takuar gjatë një vizite në atë provincë otomane. Quhej Mahmut Mahir Efendi dhe ishte shqiptar. Nga Berati. “Ishte një burrë shumë i ditur, por ishte i tërë i turko-arabizuar, ngaqë kishte 14 vjet që i shërbente perandorisë atyre anëve; banonte i vetëm në ndërtesën zyrtare, dhe kishte një ordinancë, që ishte gjithashtu shqiptar”, thotë autori në kujtimet e veta. Janë vitet e para të shekullit XX, dhe biseda mes shqiptarëve, që piqen në qoshen tjetër të botës, vërtitet rreth vendit të tyre. “Ç’do të bëhet me Shqipërinë e vogël, kur ajo të mbetet e vetme, e qeverisur [veç nga] njerëz prepotentë, të mësuar vetëm të urdhërojnë e të drejtojnë?”, e pyet Eqrem bej Vlora. Dhe përgjigja e beratliut që kishte nën hyqëm Basrën e Irakut është ndjellakeqe: “Shqiptarëve (vini re: flet për shqiptarët në vetë të tretë, për ata) u duhen vetëm 20 vjet të kësaj pavarësie e mëvetësie që po kërkojnë, dhe do të vetshfarosen”.
Por Mahmut Mahir Efendiu është një emër që s’na thotë gjë. Ka pasur të tjerë emra të rëndë të sërës së Fishtës e të Ismail Qemalit, që shfrimet, në momente dëshpërimi, i kanë pasur deri edhe vulgare. Faik Konica, në një letër që i shkruan Visar Dodanit, në fund të vitit 1897, duket se është kapur keq nga dëshpërimi. Ja çfarë i thotë në këtë letër që për titull mund të kishte fare mirë frazën “ky vend nuk bëhet”: “Shqiptarët nuk janë të zotë të marrin lirinë e tyre. Robër të ulët, nga 500 vjet e më shumë, robër për jetë do të mbeten. Unë faqeza e them: nuk kam shpresë të bëhet gjëkafshë”.
Mustafa Kruja, një nga personalitetet më interesante të historisë së Shqipërisë gjatë shekullit të shkuar, na flet në shënimet e veta për një Mithat Frashëri inedit. Për të ilustruar idenë e vet, se krerët tradicionalë të popullit shqiptar nuk kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë interesat e ambicjet e tyre, Merlika-Kruja përmend rastin e djalit të Abdyl Frashërit, dhe ajo që rrëfen është në kufijtë e të pamendueshmes. Sipas tij, në kohën që një pjesë shqiptarësh ishin ngritur edhe kundër Turqëve të Rinj, Mithat Frashëri e kishte mendjen te droga prej 30 lirash në muaj. Kur ka qenë në Selanik, ai ka pasur një gazetë (Lirija), që financohej – janë të shumtë ata që e kanë dëshmuar këtë – me të hollat e Turqëve të Rinj, dhe në shenjë shërbimi a miradije ndaj këtyre të fundit, ai arrin deri atje sa të shkruajë në po atë gazetë, se “Shqipërija s’ka pasur kurrë një flamur kombëtar, se ai që i është zënë në dorë Dervish Himës duke bërë propagandë për pavarësi s’është veçse një lëvere (‘lëvere’ është një fjalë toske që do të thotë ‘rrobë e palarë’).”
Djali i Abdyl Frashërit ta quajë flamurin e Shqipërisë një lëvere? Është e mundur kjo gjë? Mustafa Kruja nuk ka asnjë dyshim që është kështu. Madje, ai e përforcon këtë dëshmi, duke thënë: “Kur e sulmuan kolonitë shqiptare, ajo e Amerikës me ‘Diellin’ dhe ajo e Egjyptit me ‘Shkopin’, të dyja të themeluara në atë kohë, [Mithati] e shton dozën nga zemërimi dhe shkruan një artikull të dytë: “Po, një copë lëvere është, një copë lëvere e ndyrë”. Merlika-Kruja thotë se ky fakt njihet nga të gjithë nacionalistët e brezit të tij. Por nuk ka nevojë ta përforcojë dëshminë e vet me “prova të tilla”. Dhe nuk duket se kemi arsye të vëmë në dyshim fjalët e tij, pasi nuk është se po flet me “më tha, të thashë”. Ai u referohet shkrimeve të publikuara në gazetën Lirija.
Filip Shiroka është gegë më toskë, ose më saktë më i toskëzuar. Të kuptohemi, ai ishte shumë gegë, shumë shkodran, dhe mbeti i tillë deri në fund, ndonëse lidhjet me gegë e me shkodranë të tjerë, ngaqë jetoi jashtë Shqipërisë, i pati të rralla. Nuk lë rast pa e përmendur Shkodrën, dhe nuk e fsheh pikëllimin që provon larg qytetit të tij; po kështu dhe shkodranët (në vjershën me titull Dallëndryshë eja është një strofë që nuk i shpëton dot syrit të lexuesit qibar: “N’Shkodrën time të Shqypnisë/burrat lejnë që s’dinë ç’ash fëlliga/çupat e bukra të urtisë/atje lejnë që s’dinë ç’ash filliga”), s’ka gjë se në një moment i qorton që “janë në nji fjalë për mos me kenë kurrë në nji fjalë”.
Një nga miqtë e tij gegë ishte Luigj Gurakuqi, ndërsa miqtë e tjerë të Misirit kishin emra që në Shkodër e në Gegëni do të tingëllonin çuditshëm: Sotir, Milo, Vasil, Kristo, Eftimi, Arqile, Aleks, Koço. Me Sotir Kolenë, një ortodoks beratas, ka pasur një miqësi të fortë, ndoshta më të fortën që mund të gjendet mes një toske e një gege. Letrat e tij nga Kajro, në adresë të Kolesë, që banonte në Aleksandri, janë të mbushura me mirënjohje (bën vaki që Kolea i është gjendur pranë në momente të vështira ekonomike) e me dashuri, aq sa një frazë përshëndetjeje në fund të një letre është shumë nazike dhe i përvidhet mrekullisht maskulinitetit të zakonshëm në komunikimin mes dy shqiptarësh me namus: “Të lutem me më falë, se po të trazoj fort, por … fajin e ke Ti vetë qi je aq i mirë”.
Vjershat e tij në nderim të toskëve nuk kanë të sosur, e janë të gjitha në librin e tij Zani i zemrës. Shkruan për Nikolla Naçon, për Milo Duçin, për Andon Zako Çajupin, për Naim Frashërin, për Faik Konicën, etj. “Për të ndritshmin shkronjetar shqiptar Naim Beg Frashëri”, pas vdekjes së këtij të fundit, Shiroka shkruan se “Shqypnia … kryet me pëlhurë t’zezë mbuloi/qan me lot, si qan nji nanë q’i vdes fëmija/Naim Beg, tha, vdekja e yte m’shemtoi”. Ndërsa Faik Konicën e krahason me shën Gjergjin që mund “kulshedrat”, dhe e sheh si të vetmin shqiptar që mund të mposhtë kuçedrën e ndasive, atë kuçedër “qi turkun, t’krishterin, vëllan me vëlla/keq e ka da”. Ka qenë aq shumë i marrosur pas Konicës, sa të mos ishte në gjendje të kuptonte se një njeri sektar si Konica mund t’i bënte të gjitha në këtë botë, por nuk mund të mposhtte kuçedra të tilla.
Edhe Anton Harapit nuk i është regjistruar asnjë frazë politikisht jokorrekte në adresë të toskëve ose myslimanëve. Shkrimet e tij publicistike bartnin një sens të zhvilluar kritik por, ashtu si dhe Fishta, ai ua hidhte spicat shqiptarëve në tërësi, e jo një pjese të tyre. Një nga fjalët më të frymëzuara të Anton Harapit ka qenë ajo e mbajtur në Korçë, ku shkonte për herë të parë në jetën e vet (nuk dimë nëse ka shkuar për herë të dytë), përballë një auditori të zgjedhur, gjë që duket nga natyra akademike dhe e sofistikuar që ka fjalimi. Nuk dihet a shkoi ndonjëherë në Gjirokastër për t’u takuar me intelektualin laik, toskën Branko Merxhan, por nuk nguronte ama ta përshëndeste nga Shkodra. “Branko Merxhanit, edhe pse nuk përkim në parime, i marr dorën, e i them: të lumtë!”, thoshte ai në një shkrim me ton polemik të publikuar në Hyllin e dritës, në të cilin më shumë shkëmbente ide e komplimenta, sesa polemizonte me shpikësin e neoshqiptarizmës.
Ndërsa Ernest Koliqi ishte një novelist, dhe nuk ia sillte puna të ndodhej përballë “kurtheve” të tilla. Por në tregimet e tij (ai është marrë në krijimet e veta më së shumti me Shkodrën katolike), në ato pak raste që përshkruhen mjedise ose karaktere myslimanësh, vihet re e njëjta delikatesë e përmbajtje. Në novelën e tij me titullin Djepi i ari, i keqi i fabulës, një qerrata urban, është mysliman dhe të gjitha viktimat e rrengut të tij janë katolikë, por Koliqi e përshkruan gati me dashuri atë personazh negativ. Edhe nga goja e karaktereve katolike, viktimave të tij pra, nuk del asnjë fjalë përbuzëse për myslimanin. Përkundrazi, janë të gjithë që vizatohen, dhe vizatojnë sho-shoqin si njerëz me vese. Me sa duket, protagonizmi politikisht korrekt në jetën publike e kulturore shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore ka qenë më së pari e mbi të gjitha një tabiat katolikësh.
Shahin Kolonja ishte, sidoqoftë, më i kujdesshëm se Konica, me të cilin hahej si maçja me miun. Botuesi i gazetës Drita ishte me idenë se lidhur me ortodoksët dhe – për shkak të filohelenizmit të shtrirë mes tyre – me Greqinë, do të ishte mirë të shkruhej nga vetë ortodoksët; ndryshe “… nëse temat kundër ortodoksëve e kundër Greqisë do të shkruheshin nga myslimanë, lexuesit do të thoshin se ato ishin shumë subjektive”. Dhe në fakt, ishte kjo qasje që u bë e udhës më pas. Shfrimet e shpërthimet kritike, që të ishin të pranueshme e që të shmangnin keqkuptime e moskuptime, bëheshin nga brenda. Ndërsa “tjetri” merrej në mbrojtje. Ose ledhatohej. Në rastin më të keq, për “tjetrin” nuk flitej fare.
Këtë praktikë e ka lehtësuar shumë epshmëria kulturore e fetare e myslimanëve shqiptarë, që vinte o prej një kompleksi faji për të shkuarën, o prej një kompleksi përgjegjësie për të ardhshmen (ishin shumicë, dhe pa një “tërheqje” të tyre, ky komb rrezikonte të shkonte drejt greminës), o prej nevojës apo dëshirës për të demonstruar se kauza e oksidentalizimit, e vetmja kauzë që, me hir me pahir, i mbetej Shqipërisë, ishte dhe e tyre. Myslimanët shqiptarë janë ata që kanë sakrifikuar në këtë drejtim, që i janë dorëzuar një qasjeje më “mazokiste”, që kanë pranuar të hanë kopacë pas koke nga të vetët, e që kanë treguar se janë të gatshëm për t’u ngrënë me veten me synimin për t’i kursyer kombit ndonjë kacaftytje fatale me bashkatdhetarët e tyre të feve të tjera.
Këtu duhet bërë saktësimi se, shpeshherë, të vetët nuk ishin të vetët. Ishin thjesht intelektualë shqiptarë, rëndom me formim laik, që identitetin mysliman e përdornin ose ua vinin, si një maskë. Ishte origjina e tyre, emrat që mbanin (mbiemrat jo dhe aq; është interesante, dhe e çuditshme, të vihet re se ndër të gjithë intelektualët shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore, duke zbritur poshtë deri në fillimet e Rilindjes, mund të gjesh shumë rrallë ndonjë me një llagap të markës myslimane, sidoqoftë Hasan Tahsini), rrenjët dhe historia familjare, e në shumë raste lidhjet e tyre të drejtëpërdrejta, e të hapëta, me Perandorinë Otomane, që na i sjellin ata si myslimanë në një kohë që myslimanë s’kanë qenë aspak. Edhe më pak kanë qenë të tillë bektashinjtë, anëtarë të një tarikati që një numër autorësh, vëzhguesish e studiuesish e përkufizojnë në mënyra nga më të ndryshmet, që pak kanë të bëjnë me fenë, e aq më pak me Islamin, si “liberal”, “evropian”, “tolerant” (konsulli francez në Shkodrën e fundshekullit XIX, Auguste Degrand), “panteist” (Konica), “dialektik” (Shahin Kolonja), “doktrinë e besimit në një Zot të vërtetë, e besimit të Gjithësisë, dhe e dashurisë për të krishterët e myslimanët, por mbi të gjitha për mëmëdheun” (Naim Frashëri d.v.), “me marrëdhënie konfliktuale me sunitët dhe me marrëdhënie të qeta me të krishterët” (diplomati austriak, Theodor Ippen), “fe e vegjelisë” (Albert Doja), etj. Me shumicën e këtyre përcaktorëve duket sikur përkufizojnë jo një urdhër fetar mysliman që vjen prej shekujve XI-XII, por një parti a rrymë politike të shekullit XXI.
Safet Butka, diku nga viti 1924, bën një polemikë me një autor të Zanit të Naltë, gazetë e myslimanëve synitë të Shkodrës. Ky autor, të cilit Safeti i jep vetëm inicialet (H.A.), teksa ka folur për qytetërimet e botës, ka hedhur idenë se qytetërimi perëndimor është një qytetërim mjeshtëror, teknik, ndërsa ai lindor është qytetërimi i vërtetë dhe fill pas kësaj ka thënë se “… ne duhet ta marrim qytetërimin mjeshtëror nga perëndimi, por në të njëjtën kohë duhet të mbajmë qytetërimin tonë të vërtetë, tok me disa zakone të bukura, ashtu siç i kemi trashëguar nga prindërit tanë”. Dhe djali i Sali Butkës i kthehet për ta pyetur: “Ti po na kërkon që ta kemi shpirtin në orient, dhe trupin në Oksident?” Dhe përgjigjen, me të cilën mbyll polemikën, e ka gati, të qartë, të prerë: “Udha jonë është: Jo myslimanizmit dhe orientit, po shqiptarizmit dhe oksidentit!”
Bektashiu putativ, Mehdi Frashëri, veprimtar politik dhe intelektual i rafinuar, ka shkruar një sprovë-studim me titullin Islami dhe në të, para se t’i bëjë një analizë Islamit, para sesa të shpjegojë sesi lindi, si u zhvillua, si kontribuoi për të ringjallur e për të rinxjerrë nga terri i shekujve veprat e grekëve të lashtë, e si ngeci në shekullin XII për të mos ngritur më krye (analiza ka tek-tuk bark dhe është e sforcuar, e kjo ndoshta vjen prej një dispozicioni të fortë antiislam të tij), flet për “qefin muhamedan” që mbuloi me pëlhurën e vdekjes shqiptarët. Janë nënvizime e dëshmitë e pamëshirshme për Islamin, e për rolin e tij në historinë e Shqipërisë, por janë bërë nga dikush me emrin Mehdi, e jo nga dikush me emrin Gaspër apo Jorgo.
Në po këtë sprovë-studim, Frashëri flet edhe për katolikët e ortodoksët shqiptarë, por për ta, “siç ia do puna”, ka veç fjalë të mira. Ai është, ashtu si dhe Safet Butka, një dashnor i thekur i kulturës dhe qytetërimit perëndimor, dhe vë re me kënaqësi prirjen e katolikëve të Shkodrës për t’u njëjtësuar me perëndimin, të cilën ata dinin ta martonin edhe me dashurinë për kombin e tyre, dhe kjo dallohej më së pari te “lëvrimi i gjuhës prej klerit katolik”, gjë që ata e kanë bërë prej kohësh, “… disa shekuj më parë, [me] priftë e ipeshkvij, si Pjetër Bogdani, si Buzuku, që kanë shkruar vepra fetare në gjuhën shqipe”. Ndërsa ortodoksët, sipas tij, dinë të shpallnin “çiltas dhe botërisht nevojën e mësimit të gjuhës shqipe”.
“Ç’janë këta dishepuj të mirë të Asisiat?”, pyeste Vangjel Koça në një artikull të tijin të publikuar në gazetën Shkëndija, në vitin 1940, dhe me ‘Asisiat’, merret vesh, emërtonte doktrinën e Francesco d’Assisi-t, themeluesit të Urdhërit të Françeskanëve. Në fakt e kishte me ata që i jepnin dritë “kandilit shqiptar”, me revistën Hylli i dritës, që atë mot drejtohej nga Anton Harapi. Dhe përgjigjej po ai: “[Ata] kanë një botëkuptim të tyrin, botëkuptim vërtet katolik, por shqiptar dhe oksidental, kurse botëkuptimi muhamedan dhe ortodoks bie erë Stamboll e Athinë…”. Vangjel Koça ishte gjirokastrit, ortodoks.
Me kalimin e viteve, debati publik u zgjidh disi nga skrupuj të tillë, dhe kjo ka lidhje, me siguri, me vetëdijen se tashmë kombi ishte në një stad të tillë zhvillimi sa mund ta mbante peshën e debateve tabu. E prandaj, ngadalë-ngadalë mbërrijmë deri te shfrimet e Ismet Totos kundër Anton Harapit, apo të Krist Malokit kundër Naim Frashërit, e kundër nipit të këtij të fundit, Mithatit.
“Është e kotë, Atë. Çdo rrobë që të vishni, ju jeni gjithmonë ai”, i drejtohet me tërbim ateisti toskë, Ismet Toto, klerikut gegë, Harapit. Ndërsa Krist Maloki, gegë nga Kosova, është dhe më i pamëshirshëm me toskën Lasgush Poradeci, të cilin Vangjel Koça e veçon si një nga dy risitë “në punë të mendjes” në Shqipërinë e viteve ’30 të shekullit të kaluar. Risia tjetër, sipas tij, ishte Ernest Koliqi. Dhe nuk ishte vetëm Vangjel Koça që shquante këtë dyshe në letërsinë shqiptare të atyre moteve. Kishte ndonjë që parapëlqente më shumë njërin prej tyre (fjala vjen, Branko Merxhani kishte për zemër Poradecin, që e quante “të vetmin artist të brezit të sotëm, me një lartësi e thellësi të pastër njerëzore-estetike”), por në përgjithësi lëvdatat u shkonin të dyve njëherësh. Sapo vinte puna të flitej për ata që e përfaqësonin letërsinë e mirë në gjuhën shqipe, emrat e Poradecit e të Koliqit përmendeshin tok, si të bëhej fjalë për një gjë, rreth së cilës kishin rënë dakord që të gjithë, njëherë e mirë. U bashkohej në ndonjë rast emri i Ethem Haxhiademit, dramaturgut nga Elbasani, por dukej sikur ishte sa për të larguar syrin e keq. Në të shumtën e kohës, ata përmendeshin të dy. Ndodhte si me emrat e Kadaresë e Agollit para viteve ’90 të shekullit të kaluar. Sapo ndonjë kritik fliste për “shkrimtarët më të mirë”, emrat ilustrues ishin të gatshëm: Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Kur flitej për poezinë, shtohej dhe emri i Fatos Arapit. Por renditja nuk ndryshonte. Kadare përmendej gjithnjë i pari. Agolli i dyti. Arapi i treti. Të katërt nuk kishte.
Nuk dihet që Krist Maloki të ketë polemizuar me Merxhanin, Koçën, apo edhe të tjerë që te Lasgush Poradeci shihnin një poet të madh, por në një rast ai i vërsulet Mitrush Kutelit, që e përhivizon ca si tepër Lasgushin me epitete, si “këngëtar i pavdekshëm”, “Perëndi e Poezisë shqiptare”, etj, dhe pastaj i qepet këtij të fundit që, sipas tij, “i mungon në një mënyrë fort të çuditshme, por edhe të dukshme, ajo lidhje e ngushtë dhe ajo vuajtje e përbashkët me kombin e vet”, dhe që, sa herë ai (Lasgushi) tenton ta gjejë a rekuperojë atë lidhje, nuk ia del të qullosë gjë tjetër, veçse ndonjë vjershë banale si ajo kushtuar Asdrenit në 60-vjetorin e lindjes. Dhe ka të drejtë. Vjersha kushtuar Asdrenit është e një banaliteti të pabesueshëm, dhe ia bën mu që Llazar Gusho i ka bërë ato vargje në një moment padëshire e shtrëngimi, si nga halli, apo për të bërë një qokë. Ja: “Burr’ i urtë-e i veçuar/ Shqipëtar me shpirt të qruar/Vjershëtor vjershë-kënduar/ Pate shkruar e punuar/Kombin për t’a kombëzuar/Shqipen për t’a shqipëzuar”.
PARANTEZA NR.6: PORADECI E ASLLANI, DY POETË LIRIKË NË DY REGJIME
Lasgushit “iu bë gjak e dhjamë” kjo kritikë, që është më e ashpra që i është bërë ndonjëherë. Ai rrojti dhe pesëdhjetë vjet të tjera më pas. Por të gjitha këto vite ishin të bardha në lëmin e krijimit. Ka bërë më pas ndonjë poezi tek-tuk, ka bërë dhe ndonjë përkthim, por krijimet e tij më të mira mbeten ato që Malokit s’ia mbushën mendjen. Lasgushi vdiq para se të binte komunizmi, i cili ia thau shpirtin poetik, ose i cili – kush e di? – i shërbeu si alibi e shpirtit të tij poetik të shterur për arsye të tjera. Dhe më siguri as që mund ta ketë marrë me mend, se tre vjet pas vdekjes do të zinte fill një fushatë përlëvduese e tij. Ashtu si me Konicën, e nisi këtë fushatë Ismail Kadare, që te Lasgushi, më shumë sesa poetin, shihte e çmonte shqiptarin që nuk dha asnjë shenjë mirëkuptimi me regjimin komunist; kuptohet, pa i dhënë munxet hapur këtij të fundit. Pas Kadaresë filluan të tjerët të çmonin te Lasgushi atë që nuk kishin qenë vetë, gjë që i bënte, në shenjë mirënjohjeje të vonuar, të shihnin te Lasgushi edhe atë që Lasgushi nuk ishte, domethënë poetin më të madh të letërsisë shqiptare.
Të shumtë e intelektualëve të para Luftës, më saktë më të mirët, ose ndërruan jetë para se Shqipëria të binte në dorë të komunistëve, ose i dhanë dore punës të mos ktheheshin nga vendet e tjera ku i gjeti fundi i Luftës, ose çanë ferrën shpejt e shpejt për në vende të tjera, ose dhanë shpirt në duart e sundimtarëve të rinj e mizorë. Ndër ata që, edhe pse mbetën në Atdhe, nuk patën fatin e Harapit, Prendushit, Shantojës, etj, vetëm ndonjëri tek-tuk zgjodhi t’i shërbejë diktaturës. Të tjerët o vdiqën në burgje (Ethem Haxhiademi), o vdiqën të deportuar (Sejfulla Malëshova), o gjetën karar herë duke mos bëzajtur, herë duke rënë në ujdi e herë duke pranuar vuajtjen, si Lasgush Poradeci pra, e pastaj Sterjo Spasse, Kostaq Cipo, Aleksandër Xhuvani, Selman Riza, Petro Marko, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sotir Caci, Vedat Kokona, Eqerem Çabej, Dhimitër Shuteriqi. Ky i fundit, i dijshëm dhe plot dhunti, ishte nga të paktit që e mbajti grurë fare me regjimin e Pasluftës. U bë, si të thuash, pjesë e nomenklaturës sunduese.
Mes këtyre ishte dhe Ali Asllani, për jetën e të cilit pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si dhe për vdekjen e tij në vitin 1966, askush nuk mori vesh gjë, s’ka gjë se ai ishte autori i Hanko Hallës, i vargjeve të thjeshta “Vlora Vlora, Vlora Vlora/Rroki armët, bëja fora”, të cilat janë kënduar nga shumëkush me idenë se janë të ndonjë anonimi, dhe të dhjetëra vargjeve të tjera fantastike (lëreni pastaj që kishte qenë dhe bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, e diplomat në shërbim të shtetit të sapothemeluar shqiptar). Dhe e keqja është se ai bëri çmos t’i binte në sy e t’i fitonte zemrën regjimit të ri. Pa asnjë dobi, megjithatë, nëse nuk e quajmë dobi kafshatën e bukës që regjimi nuk ia kurseu. Para vitit 1944 askush nuk do ta besonte se do të vinte një ditë, kur Ali Asllani do të shkruante vargje të tilla, si: “[vendi ynë] u stolis e u bë një bukuri/nën vrullin e partis’ bëhen gurët farfuri”, ose: “është partia, tungjatjeta, që na rriti e na seliti”, ose: “dy miliard’ një botë u bind/ që shqiponja u rilind/u rilind me yll në ballë/ty parti të qofshim falë”. Ali Asllani arriti deri atje sa të shkruajë për çupat në një mënyrë tjetër, duke iu përmendur jo hiret e ojnat, por detyrat që u ngarkonte partia: “Si në arë edhe në zyra/të stolisur me detyra/më detyra të stolisur/dhe me yll në ball’ skalisur”.
Hë, nuk ju duket e pabesueshme? Vetëm në një botë të çmendur mund të ndodhë një (vetë)vrasje e tillë e një poeti, që kishte lindur për t’u marrosur pas hireve të femrave. Shkruan Nasho Jorgaqi: “[Ali Asllani njëherë më tha, se ‘ju fusharakët në dashuri jeni ca qaramânë’, ja, dëgjo këngët e fushës për dashurinë: ‘Ku më ishe o shpirt, o xhan/të prita mbrëmë në stan/aman, aman, aman …’. E di zotrote si i drejtohet labi së dashurës? ‘Ku më ishe moj qen’ e qenit/të prita te guri i lëmit/më griu era e shkëmbit’. Qenë e quan, dhe i flet me një inat që tregon dashuri.”
Sa më sipër, Asllani ia ka rrëfyer Jorgaqit për të marrë kotmëkot poza labi, pasi në poezinë e tij ai është pikërisht një ‘fusharak’, gjë që e ka demonstruar kur ka shkruar ca vargje e strofa të tjera që të lënë pa frymë me forcën e tyre stilistike, siç janë ato që i kushtohen vajzës shqiptare që i fanitet para syve e bukur si një xhind i arratisur: “Në je ndonjë ëndërr, shumë të lutem shum’/në të dojë qejfi, të të shoh në gjumë”, apo vargun me të cilin ai iu drejtohet atyre vajzave, që i sheh në një natë me hënë: “Është juaja hëna; hëni!” (“hëni” është një variant tosk i fjalëve “ejani, hidhuni, lëreni drojën, hajt ta bëjmë këtë punë”), apo ato që u kushtohen gropëzave që atyre çupave u krijohen në faqe: “Gropëzat, që pika mual/gotëza të mbushur prerë/që t’i thith njëherë siç dua/jam gati të vdes dy herë”, apo ato vargje, me të cilat i drejtohet në formë pyetëse si gjithnjë një vajze: “Më lejon ta puth një herë/ mu në cep ku ësht’ e thyer/atë vetulli?”, apo vargjet, të cilat Nasho Jorgaqit i tingëllojnë si një epitaf që autori e ka shkruar për veten para se të vdesë (këtë Jorgaqi e thotë në një pasthënie të veprës së plotë poetike të Asllanit, që e ka kuruar ai vetë, tok me Ardian Klosin): “Lërmë le, pse doemos/Sot a nesër unë do sos/Do të bëhem fije bari/Ose plis i një gomari/Ose flet’ e një hardhie…/Do më ndukë një dhëmb dhie”.
Ali Asllani do të kishte dashur, me siguri, që të kishte nënshkruar veç vargje të tilla; e që nuk ka ndodhur kështu, është dhe ai që ka dhënë një dorë. I ka pasur pak qejfi t’i bëjë fresk pushtetit, ashtu si zonja Lu që i bën fresk varrit të burrit të sapovdekur (është një poezi shumë e bukur kjo mbi Zonjën Lu; dhe nuk kuptohet pse ka zgjedhur këtë emër, Lu, për zonjën e sapombetur vejushë, që gdhinë e ngryset duke bërë fresk mbi varrin e të shoqit në mënyrë që ky varr të thahet, e që vejusha ta quajë të kryer amanetin që i shoqi, që ajo e donte aq shumë, i kishte lënë: “Me t’m’u tharë varri, shiko të gëzosh jetën!” Dhe ajo po bënte çmos që varri të thahej: me erashkë në dorë).
Emrin e Enver Hoxhës nuk e përmend në asnjë vjershë (mjaftohet me atë të Partisë), por mbretin Zog e kishte zënë n’gojë më shumë se njëherë para Luftës së Dytë Botërore. Për mirë, kuptohet. “Në fron hipi Zogu i Parë, fat’ i yn’ i mir’ u duk” – ky është vargu i fundit i një poezie kushtuar Ahmet Zogollit, pasi beu i Burgajetit i mbushi mendjen vetes se kishte lindur për t’u bërë mbret. Ndërsa në një poezi tjetër të së njëjtës natyrë, ai shkruan: “Pra të gjith’ për njëri tjetrin, dhe në bindje të patundur/Rrotull mbretit të pandarë, rreth’ Atdheut të pamundur”.
Por Ali Asllani nuk është i vetëm, as më përfaqësuesi, në këtë zejen e shërbimit të padronit politik të radhës. Kjo është një zeje që shqiptarët e ushtrojnë me pasion të madh. Puna është se në një rrethanë si kjo, të tjerët nuk e kanë për gjë, dhe me të drejtë, ta varin në kryqin e vargjeve të veta Ali Asllanin, siç janë ato të poezisë me titull Hakërrim, ku ai nuk lë gjë pa thënë në adresë të njerëzve prej dylli që e kthejnë pllakën fare pa të keq, që njëherë bëhen kukuvajkë e njëherë dallëndyshe. Kjo është një poezi që është bërë shumë popullore në Shqipërinë e dy dekadave të fundit, recitohet vend e pa vend, deri në tepri, në veprimtari gjysmë politike e gjysmë patriotike nga aktorë, që në këtë rast shfryjnë gjithë patosin e tyre të pakonsumuar në vargje që duket se janë shpikur veç për ta: “Hani, pini, dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka/Të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka…/… Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet/Hani, pini dhe rrëmbeni, është botë e maskarenjvet”.
Nuk është çudi që Ali Asllani të jetë frymëzuar nga Gjergj Fishta për ta shkruar këtë vjershë. Ky i fundit kishte shkruar vargje të tilla në stil denoncues, disa vite përpara Hakërrimit të Asllanit, në poemën kilometrike e satirike Gomari i Babatasit. Ja disa vargje: “Deri dje, pa këmishë mbi shtat/Me’ i gjysmë setre t’pa astar/ Lëshuëm mbi krahë kalavar/E me ‘i komçë t’njitne nen grykë/Pantallonat ‘me gjyslykë’…/… Sod na mahit Skënderbeg/E ngerdhjucë, godit, Imit/Rrue e qeth, pipirrique/Tash n’smoking, tash në ‘bon-jour’/Ju që dje s’kishit as ushkuer/Me lidhë brekët, me nder me thane”.
Krist Maloki nuk është se e ka mundur kompleksin e intelektualit gegë, që duhet të matet mirë para se të qortojë faqebardhë ndonjë koleg toskë, teksa shkruan këtë artikull kritik ndaj Lasgush Poradecit. Nuk jam vetëm unë kritik ndaj tij, thotë Maloki, ka dhe “kritikuesa [të tjerë], shumë herë njerëz me mend, me kulturë të gjatë, me dije e me shije të hollë artistike”, dhe këta – vini re saktësimin që nuk harron ta bëjë – “nuk janë vetëm në Gegni”. Duket se e mundon disi fakti që ai po dhunon një marrëveshje të pashkruar, një si pax albanica, të cilën të tjerët nuk para guxojnë ta bëjnë. Është po aty që ai “u nxjerr bojën” dhe atyre të Hyllit të dritës, të cilët duhet t’i kenë folur keq, në mirëbesim, për poetin e Pogradecit, e të cilët “kanë ngurrue deri më sot me e shfaqë botnisht gjykimin e vet, nga shkaqe të mirëkuptueshme (Oopp! Ja ku dolëm, te shkaqet e mirëkuptueshme, që me fjalë të tjera janë ato që unë sapo i përfshiva tek një ‘marrëveshje e pashkruar për të ngritur një pax albanica mbi një kujdes të ndërsjellë, qoftë dhe të pahirshëm, mes gegësh e toskësh)”.
Sipas Malokit, kur dikush u kërkon atyre të Hyllit të dritës të thonë se ç’mendojnë për Lasgush Poradecin, përgjigjen e nisin me një “clausula reservationi”, që vetë Maloki e ka sjellë në një formë konkrete: “Me shka po thonë për Lasgushin …”. Kjo drojë e hylldritasve, me siguri, ia ka zmadhuar kompleksin. E pastaj, e ka munduar disi dhe ideja se kjo kritikë e tij mund të keqkuptohej në rrethanat, që ai vetë nuk kishte kursyer fjalët e mira në adresë të gegës Gjergj Fishta, “Lahuta e Malsisë [e të cilit] zhungllon si një sinfoni e gjallë me një kontrapunkt të xhixhillueshëm, plot drita, flakërime, shkrepina e shtjerrgata”. Fishta ishte bashkëkohës i Poradecit, por Maloki, bashkëkohës i tyre, gjithashtu, e vë poezinë e tij edhe përballë asaj të Naim Frashërit, që “njëshi si këngë e një fyelli të vetëm në një farë meditacioni e melankolie pa ndonjë ngjyrë a flakë të veçantë”.
Kritiku gegë Krist Maloki, pavarësisht nga kjo rrethanë jo fatlume për të studiuesit (kokëçarja dhe ndjeshmëria patriotike janë një yçkel e madhe në lëmë të studimit, pasi të futin në ca udhë, ku do të duhet të hahesh se s’bën me të vërtetën), ndjek instinktin e vet. Ai “ngre dorë” dhe mbi Naim Frashërin. Këtë të fundit, Ernest Koliqi e quan një nga tre poetët më të mëdhenj të Shqipërisë. Dy të tjerët janë Jeronim de Rada, dhe Gjergj Fishta. E ka besuar vërtet Koliqi këtë treshe, si më të mirën e letrave shqipe? Janë shijet estetike dhe artistike që e kanë çuar në këtë përfundim? Apo është një etikë patriotike? Duhet të jetë rastësi që “tre poetët e Koliqit” janë njëri mysliman, tjetri “në një farë mënyre” ortodoks, dhe i fundit katolik?
Kush e di? Ndoshta Koliqi e ka besuar këtë gjë. Ose ndoshta ka përdorur kut tjetër për ta matur atë si poet, dhe ndodh gjithmonë këshilltar kur vjen puna të vlerësohen pionierët (Naimi ishte, në mos tjetër, pionier). Ose ndoshta i ka pëlqyer një shqiptarizëm pasional e gjenial i Naimit, si shqiptarizmi që duket te fjalët që ai u ka drejtuar, sipas dëshmisë së Safet Butkës, disa të rinjve: “Djerm, mos u bëni kopilët e mëmës s’uaj, duke futur fjalë të huaja në gjuhën tënde”. Naimi është puristi i parë shqiptar. Lidhur me termat e Urdhërit të Bektashinjve, këmbëngulte të thuhej jo ‘baba’, por ‘atë’; jo ‘dede’, por ‘gjysh’; jo ‘dervish’, por ‘varfër’. Kjo e fundit s’i ka ngjitur fare.
Naim Frashëri ishte i pari në shumë drejtime, por mbi të gjitha ishte muhamedani i parë që iu këndoi bëmave luftarake të Skënderbeut, e që ngriti lart figurën e “atletit të Krishtërimit”. Por Krist Maloki nuk ecën kësaj ane. Ai ndjek kritere të vetat rreptësisht estetike dhe artistike. “Superficial”, e quan ai Naim Frashërin në një studim të tijin monografik, të cilit, për befasinë e Malokit në radhë të parë, nuk ia vuri njeri veshin. “Studimi im [mbi Naimin] mbet pa asnjë kundërshtim”, thotë ai në një parantezë të vetën, teksa është duke folur për Poradecin. Dhe i jep fund me një pikëçuditëse kësaj paranteze, si për të treguar se i ka dhembur shumë ajo heshtje pas kritikës që ai i bëri poetit “zyrtar” kombëtar.
Ka pasur dhe të tjerë para tij, sidoqoftë Faik Konica, që e thotë të vetën herë në një stil të pamëshirshëm e herë në stilin “puthe e kafsho”. “Naimi është poet i totove dhe i tatatave”, thotë ai në Diellin e tij. Por këtë e ka thënë nga fundi i viteve 30 të shekullit XX. Dhe kishte kohë që bënte nepmjen për t’u futur në këtë lojë antinaim-iane. “Mendjengushtë, me karakter vulgar dhe një zero e shkëlqyer në fushë të letrave”, e ka quajtur në vitin 1906, si duket i nervozuar nga ata që e merrnin në mbrojtje edhe si “poet kombëtar”, edhe si “shenjt të Rilindjes”, e që kurrë nuk dolën mode, as pas vdekjes së Konicës (Rexhep Qosja i ditëve tona e quan Naimin “profet të pavarësisë”, e “mësues të kombit”).
Por Konica e kishte kritikuar qysh në gjallje kanakarin e të gjithëve, qysh kur ai kishte publikuar poemën Istori e Skënderbeut, duke iu mbajtur idesë se poema kishte ujë e do të ishte mirë të ishte më e shkurtër. Por edhe Naimi duhet ta ketë pasur zët, pasi në një letër që ai, tok me të vëllanë, Samiun, ia dërgojnë dikujt tjetër, Murat Toptanit, nuk lënë gjë pa thënë në adresë të Konicës. Ky i fundit duhet ta ketë marrë vesh vonë këtë punën e letrës, nëse e ka marrë vesh, pasi në revistën Albania, më 1901, kur Naimi kishte pak që kishte vdekur, vijonte të shprehte simpati, sidoqoftë i bënte kritika. “[Naim beu] do të kishte mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme, e më shumë të bukura. Po nevoja e vendit tonë, detyra t’u hapë sytë botës, e shtrëngonte të mos ngjitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqipërisë”, shkruante ai asokohe, duke e vënë në dukje me lezet nivelin dosido të veprës, por duke e justifikuar këtë gjë me një qëllim të hamendësuar të vetë Naimit “për të mos u ngjitur më sipër se populli”. Por botuesi i revistës Albania mund t’i thoshte këto gjëra, ngaqë ishte toskë; edhe ngaqë ishte ai që ishte, Faik Beu.
Të njëjtën ide të Konicës e përforcon shumë vite më pas Eqerem Çabej, i cili sheh te Naimi më së pari patriotin dhe edukatorin, e pastaj poetin. “[Naimi] idealet artistike ia sakrifikoi kryesisht përpjekjes nacionale-politike. Do të pranojmë se me përjashtim të disa pak vjershave, vlera letrare e poezisë së tij është e paktë. Sepse veprat e tij më fort se qëllimit estetik i shërbenin një qëllimi etik”, thotë ai në librin e vet Sipërfaqet midis Lindjes e Perëndimit. Duket qartë se ka perifrazuar drejtorin e revistës Albania. Por ndoshta është e vetmja gjë e saktë që mund të thuhet.
Krist Maloki i derdhët Naimit pasi këtë gjë e kishte bërë, tashmë, Konica. I derdhët dhe të nipit, Lumo Skëndos, të cilit ia bën copë-copë një biografi që ai kishte shkruar për të ungjin, Naimin pra. Në të njëjtën vepër kritike, siç e ceka më sipër, kërkon në paralele a kontrast të Naim Frashërit me Gjergj Fishtën. Dhe përfundon ta zbresë Naimin nga fronti i poetit kombëtar, për të vënë në vend të tij priftin françeskan. Xhelal Staravcika, një toskë 24 karatësh, i arratisur gjatë Luftës së Dytë Botërore e që vdiq i varrosur në Itali, më 1966, me siguri do të kishte dashur ta ndiqte këmba-këmbës Krist Malokin, po t’i thoshin çfarë ky i fundit kishte shkruar në dëm të Naim Frashërit. Staravcika nuk e fsheh në një libër autobiografik, me titullin Përpara gjyqit të historisë, se e urrente Fishtën, ngaqë te Lahuta e Malcis u këndonte luftërave tribale e lokale e nuk tha kurrë një fjalë për ata që bënë Luftën kombëtare të Vlorës. Për luftën e Vlorës, Konica gjithashtu ka folur me fjalë të ashpra mosmiratimi. “Verbëri politike [të shqiptarëve]”, e ka quajtur atë luftë. Por Staravcika nuk është ndjerë kundër tij. Me sa duket, s’e kishte me qëndrimet e Fishtës. E kishte me Fishtën vetë.
Tezën mbi Fishtën “jo dhe aq kombëtar”, të shprehur në një formë tjetër, e ka edhe një gegë i njohur, Mustafa Kruja. Ai e ka shprehur veç njëherë, në letërkëmbimin që ka pasur me Stavro Skëndin, dhe opinioni i tij, nëse nuk heq nga mendja vlerësimin që ai ka pasur për poetin Gjergj Fishta, të kap disi në befas; të kap në befas edhe për faktin që ai i referohet një Fishte të hershëm, Fishtës së vargjeve të para të Lahutës, dhe injoron Fishtën e mëpasshëm, atë Fishtë që flet me gojën plot për “Atdheun, shqyptarët me shpirt, komin e ndërgjegjen komtare” (shihni artikullin e tij me titull Tasb qi asht ba Shqypnija, duen përba shqyptarët).
Ja çfarë thotë saktësisht Merlika-Kruja: “Gjergj Fishta ka kënduar në Lahutën e Malcis e në vepra të tjera shpirtin e popullit shqiptar, që është gati të luftojë e të bëhet fli … kundra kuj të duash që ka frikë se i cënon gjuhë e zakone, por jo për liri kombëtare. Në fund të fundit, [Fishta] ka vetëm ndjenjën e racës, që më lart e quajta kombësi, por jo atë të kombit. Liria kombëtare për të është liria e fisevet e të krahinavet, të bashkuara vetëm në gjuhët e në zakonet.” Të bën kurreshtar dhe fakti që këtë opinion, në këtë letër që ia dërgon studiuesit me origjinë nga Toskëria, ai e shpreh me një shqipe që më shumë i afrohet toskërishtes së Skëndit sesa gegërishtes së tij. Vini re pjesoren “kënduar”, lidhoren toske “të luftojë e të bëhet”, etj.
Xhelal Staravcika nuk ka pasur ide për këtë qëndrim të Mustafa Krujës. Ai ishte antifishtian për hesap të vet. Nuk lë dëshmi e anekdotë pa treguar në mënyrë që ta nxjerrë Fishtën në një dritë të keqe. Ja njëra: “Një nga të vetët në fe, e jo në ideal. … [një] shqiptar katolik, i tha [një ditë] se pse ai nuk thurte ndonjë poezi mbi Luftën e Vlorës. Fishta çohet si i tërbuar pas kësaj pyetjeje, dhe thotë: ‘Kush, more horr… unë t’knoj n’poezi luften e katilëve dhe të hajnëve vlonjatë që hodhën në det pëllumbat e t’lumit Jezu Krisht? Rujna Zot me m’shkue një fije mendja për asi punësh’. Sikur të ishte e vërtetë kjo anekdotë, nuk do të ishte ndonjë çudi. Por gjasat janë që të mos jetë e vërtetë. Staravcika nuk na jep burimin e saj.
Por ky i fundit nuk e ka veç me Fishtën. Dhe në këtë pikë kemi një ballafaqim publik që i ikën potershëm normës “së toneve të paqta mes gegësh e toskësh”. Në një letër që i dërgon Tajar Zavalani, intelektualit shqiptar që gjatë Luftës e la Shqipërinë e pas Luftës nuk gjeti arsye të kthehej, ndonëse për partizanët e Enver Hoxhës nuk i kish kursyer fjalët e mira e ndonëse në të ritë e vet kish treguar se ndillej jo pak nga ideologjia e praktika komuniste, në këtë letër pra Staravcika nuk i lë gjë pa thënë myslimanit të konvertuar në katolik dhe komunistit të konvertuar në antikomunist. Nuk kanë të sosur epitetet për Zavalanin: sahanlëpirës, mercenar, zuzar, paçavure, mësallë, qepaze, delenxhi, laragan, recepek, greminë, xhambaz, tertelicë (tertelicë është një fjalë që përdoret në Skrapar, dhe ka kuptimin ‘bythëlëvizur’), trastmadh, etj.
Po ç’ka me të? Shkak është bërë një libër i këtij të fundit, një Histori e Shqipërisë, dhe merret vesh se ajo që do të duhej të ishte një letër e dërguar në adresën ‘Tajar Zavalani, Gde Duchee dé Luxebourg, gusht 1958’ vetëm një letre nuk i ngjan. Staravcika shfaqet i tërbuar, dhe më së shumti e ka me disa teza që Zavalani mbron në atë libër, si për shembull me tezën që thotë se “po të kishin qenë shqiptarët integralisht të krishterë, fati i Shqipërisë do të kishte qenë ndryshe, më i mirë pra”, apo me tezën tjetër se “Ali Pashë Tepelena nuk është një personazh historik që i nderon shqiptarët”, etj. Staravcika i kthehet duke i thënë se është vetë Zavalani që nuk i nderon shqiptarët, se pashai i Tepelenës e nderon sojin e shqiptarëve, etj, etj.
Ç’hyjnë gegët në këtë mes? Hyjnë, hyjnë, ngaqë në letrën në fjalë, Staravcika i përvishet dhe Vatikanit, që e shpall një nga katër armiqtë e Shqipërisë (tre të tjerët merren me mend se cilët janë: Greqia, Serbia dhe Italia), dhe më pas letra, duke qarkulluar dorë më dorë, bëhet një motiv sherri. Bie në dorë të shqiptarëve të tjerë të diasporës, dhe futen në lojë frerërit katolikë, që siç pritej, reagojnë fort, dhe njëri prej tyre, At Paulin Margjokaj, nxjerri në dritë librin polemik me titull Kush janë armiqtë e Shqypnisë? Staravcika përmend në një shkrim të mëpasshëm polemik “shtatmadhorinë letrare shkodrane”, klerin, Kol Bibë Mirakajn, por nuk kuptohet pse nuk përmend autorin e vërtetë, Paulin Margjokajn, priftin që mbeti jashtë vendit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, e që ka qenë, si shumica e intelektualëve shqiptarë të diasporës, si dhe Staravcika, gjithashtu, shumë i përfshirë në punët e Shqipërisë.
Margjokaj merr në mbrojtje Historinë e Zavalani, e nuk ia përton sherrit, duke ushqyer kështu një diatribë që pati jehonë të madhe atëbotë, deri dhe brenda vendit të izoluar. Ishte një ndeshje në fushë të hapur mes një gege e një toskë, një ateisti e një frati katolik, një komunisti dhe një antikomunisti, një “turku” e një “italiani”, një shqiptari që shkruan në toskërisht e një tjetri që shkruan në gegërisht, në fund të fundit mes dy shqiptarësh krenarë e kryeneçë, që e shohin sho-shoqin si armik të Shqipërisë. Dhe është e qartë se në një kohë tjetër secili prej tyre do ta mbante dorën, ndërsa në vitin 1958 kjo përplasje, e zhvilluar në dhë të huaj dhe me një publik shumë të kufizuar, nuk komprometonte kredencialet e tyre prej atdhetari. Për më tepër, ishte koha, kur Shqipëria “ishte e fortë” nga brenda, domethënë “ishte në gjendje t’i mbante” debate të tilla të zhvilluara në skenën transnacionale të diasporës.
Një diatribë tjetër e pazakontë është ajo e Lazër Shantojës kundër intelektualit, politikanit dhe themeluesit të kishës ortodokse autogefale, Fan Nolit, shumë vite përpara se Staravcika të fërkonte brirët me Margjokajn. Ishte marsi i vitit 1928. Prifti dhe intelektuali shkodran, që ato kohë jetonte në Vienë, i derdhet me tërshëllëm Nolit, të cilit deri pak kohë më parë i hiqte kapelën, ashtu si dhe Luigj Gurakuqit e Avni Rustemit. Shantoja lë të kuptohet se është lënduar nga një shkrim, a prononcim, në të cilin Noli është kapur me gazetën Ora e malave të drejtuar nga Anton Harapi, është kapur me – siç thotë Shantoja se thotë Noli – “nj’a dy priftër a gjymsë priftër”. Shantoja lë të kuptohet, gjithashtu, se Noli në atë shkrim thotë gjëra përbuzëse në adresë të malësorëve të veriut, e në adresë të gegëve në përgjithësi, flet keq për ata që e kishin mbështetur, e që kishin dhënë jetën, në betejën kundër Ahmet Zogut në qershor të vitit 1924. Në botimet që i janë bërë Nolit këto vite nuk gjendet ky shkrim, që sipas Shantojës është publikuar në gazetën Liria kombëtare; një dreq e di pse u ka shpëtuar dhe e kanë lënë jashtë kolanës së plotë të veprave të Nolit.
Por shkrimi a kuturisja e Nolit duhet të kenë qenë njëmend provokuese, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përligjet filipikja, në të cilën Shantoja shpërthen si kurrë ndonjëherë më parë, e si kurrë ndonjë tjetër në letrat shqipe. E nis artikullin, që e publikon tek Ora e Shqipërisë, me fjalët: “O mjekroç i pamjekër, o pop i pabishtalec, o peshkop i pa shkop, o fetar i pa fe, o imzot i pazot, o shqiptar (greko-bulgar-levantin) bolshevik, o … o … o… (faqe me nderë). … Fan Noli”. Dhe pastaj …. është aq i idhnum, sa e sulmon Nolin edhe në atë pikë, që historiografia shqiptare ia ka njohur për më të fortën. Është fjala për aftësitë e gojetarit që, siç thuhet, ka demonstruar, së pari në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve, në mbrojtje të çështjes shqiptare e të interesave të Shqipërisë, e së dyti në jetën parlamentare në Tiranë.
Pas fjalës që Noli ka mbajtur në parlamentin e vitit 1923, që nëpër botime njihet me titullin Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë, Gurakuqi është shprehur, se “ishte një ligjëratë e denjë me u mbajt në Agora të Athinës a në Forum të Romës”. Ndërsa lidhur me çalltisjet e tij prej gojëtari në Gjenevë, ka me vete dhe kronikën politike të gazetave të kohës. Në New York Times është shkruar: “Peshkopi kryeministër, Fan Noli i Shqipërisë, i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur mbajti një nga fjalët që bëri më tepër bujë dhe, pa dyshim, fjalën më piktoreske në atë sesion”. Dhe çfarë gazetarit amerikan i është dukur si piktoreske, Lazër Shantojës i është dukur pak a shumë si karnevaleske. Dhe i thotë Nolit: “Del për fushë si pate dalun kur nëmmin e Shqipnis shnderove e rrenove Shqipnin para Lidhjes së Kombevet me ato ligjëratat t’ueja panfletiste që të merituene rekordin e pakontestueshëm me kenë i pari Arklei i zoti të bajë m’u shkye gazit gjyshat e diplomacis botore”.
Më tej, sulmin e ngjyros edhe me proverba toske (si: i marri s’ka brirë), këngë toske (si: Kungull natë, kungull ditë/u shofshi, more evgjitë), fraza toske (‘mjekër për qabë’, ‘këtyre qerrata shqipove’, ‘hani i babait’, etj.), i kujton Nolit ndonjë harbim me femra, që historiografët shqiptarë kurrë, dhe kjo është goxha e habitshme, nuk ia kanë zënë n’gojësh, qoftë dhe si hamendje Shantoja-në (“Ke qenë me një vejushë, në hotel ‘Windsor’, në Romë”, i thotë Shantoja, dhe për t’i freskuar kujtesën, apo për ta gozhduar me fakte, i përmend dhe një dëshmitar, Tefik Mborjen), i kujton ndonjë batutë që, ndonëse me shumë gjasë është thënë në momente të spërdorimit intelektual, e nxjerr Nolin si një të papërgjegjshëm (Në dhjetor të 1924-ës, teksa kanë qenë në hotel Internacional, Brindisi, të sapolarguar dhunshëm, o prej frikës së ndonjë dhune, nga Shqipëria, Noli citohet t’u ketë thënë bashkëpunëtorëve: “Sakrifica më e madhe që kam bërë për Shqipërinë, është që kam lënë mjekrën”. Një e folme ironike që Gurakuqit e Co. duhet t’u ketë rënë si fshikull. Se mos vetëm atyre. Edhe neve të sotshmëve).
Sikur të mos mjaftojë nxjerrja në shesh e këtyre momenteve Noli-ane “të palavdishme”, Shantoja nuk heq dorë gjatë shkrimit të gjatë nga fyerjet e denigrimet, që i lëshon me breshëri, a thua se i shërbejnë për të kalibruar ritmin e frazave: “Kukuvaçë, vlladikë, pederast i qelbur, bejtexhi, dhespot i shuguruem ndër sakristinat e bordelevet të shoferavet t’Amerikës, etj”. Pothuaj në të gjitha rastet, për ta shumëfishuar efektin, u vë në krye këtyre epiteteve esklamacionin “O…”. Dhe arrin deri atje sa, për herë të parë në jetën e vet, në dijeninë time dhe të fundit, sulmon dikë për “cenin” e të qenit toskë. Por në këtë rast, insinuata antitoskë është shumë fine, mezi e pikasshme. “Hasan Prishtina e Mustafa Kruja nuk i kanë mbetë deri më sot borxh kurrkuej, edhe pse janë gegë, o hyj! i pabisht i Toskerisë!” Më tej: “Sa për malcorët, mos i xen me gojë aspak, pse nuk je i dejë. Një leskër e lëkurës së tyre me zdralë asht shumë ma e vjeshme se sa e tanë tolla jote e lagun me ujë Kolonjet!” Në fund e zmadhon tabelën e qitjes, duke përfshirë dhe Konicën: “Bashkë me Konicën bani çiftin ma perfekt n’at hartin e shakanavet, në të cilin jeni virtuozët par excellence”.
Kush e ka lexuar të gjithë veprën e Shantojës, kapet me siguri në befasi nga kjo parantezë “e dhunshme e tribale”. Them “kapet në befasi”, ngaqë dom Lazër Shantoja, pas Filip Shirokës, të cilit i shkoi jeta mes toskësh, Luigj Gurakuqit, që vetë Shantoja e ka quajtur Ura e artë e bashkimit [të kombit], e ndoshta Mustafa Krujës, mund të cilësohej pa frikë si gegë “më toskë” që mund të gjendej mbi faqe të dheut. Ai i bëri një vjershë Avni Rustemit në momentin që “ky trim Libohove” shtiu për vdekje mbi “farrën e ndyt”, Esat Toptanin, ai mbajti një fjalim prekës në çastin që po i jepnin lamtumirën Avniut, ai nuk la rast pa e heroizuar këtë të fundit, ai ka thënë fjalë të mira për Nolin (para vitit 1928), për Ali Këlcyrën, për Koço Tasin, për Stavro Vinjaun, për Vlorën e Lushnjën (“Vlora e Lushnja formojnë shqiptarisht patriotizmin ashtu si H2O formon kimikisht një pikë uji”, thotë ai, duke e lidhur rëndësinë e këtyre dy qyteteve me shpalljen e pavarësisë dhe me Kongresin e Lushnjës; por lidhur me Kongresin e Lushnjës, Mustafa Kruja ka një mendim krejt tjetër, jo dhe aq idealizues), në ndonjë rrethanë për Faik Konicën, të cilit më pas nuk i fali mbështetjen që ai i dha Zogut pas dhjetorit 1924, për diasporën shqiptare të Misirit që ishte, me përjashtim të Filip Shirokës, e gjitha toskë, etj, etj. Janë të rrallë gegët pra që janë marrë me Toskerinë aq shumë, dhe me aq mirësi e skrupull patriotik, sa Dom Lazër Shantoja.
Noli, fjala vjen, është tjetër gjë në këtë drejtim. Ai ka lënë të kuptohet se gegët i sheh të prapambetur. Nuk është se e ka thënë shpesh e qartë këtë gjë, por edhe një lexues jo shumë i vëmendshëm i veprës së tij e ka pasur të lehtë të pikasë një rezervë të tijën lidhur me gegët. Ai u përsvishet tek-tuk edhe toskëve “të fjetur, të ngordhur, të pazotë për luftë, që besojnë se me urtësinë, butësinë, mirësinë dhe gjithë virtutet e tjera dremitëse” mund ta shpëtojnë vendin e tyre, por gegët i veçon në një mënyrë tjetër. Në një shkrim të vitit 1915, të publikuar në gazetën Dielli, ai i jep të drejtë një anglezi, mikut të shqiptarëve, “që i ka shkruar nga Zvicra”, e që i thotë se një “Shqipëri pa Toskërinë e butë e të qytetëruar nuk do të mund të qytetërohet e të përparojë, do të jetë një shtet i egër, pa shpresë të shtrohet e të hyjë në rregull e në kanun”. Pak më poshtë thotë se “anglezi e tepëron dyke i pikturuar gegët tanë më të zinj se djalli”, por duket se kjo avokati e ndrojtur është sa për të larë gojën. Një herë tjetër, një vit më vonë, po në Dielli, ai polemizon me Kristo Dakon dhe me të përkohshmen Era, që mbrojnë idenë se shqiptarët janë një komb i përbërë prej fisesh të egra, fisesh malësore, janë si beduinët, indianët, evgjitët, marokenët e negrët e Afrikës, por në këtë polemikë mjaftohet të thotë se nuk është e vërtetë që në Shqipërinë e jugut e te mesme (te Shqipëria e mesme fut vilajetin e Shkodrës, që përfshin dhe Durrësin, Tiranën, Kavajën) paska fise të egra. Dhe saktëson, se fiset e bajraqet janë përtej Matit e Dibrës, dhe në Kosovë, por këtyre anëve banojnë veç një pakicë e shqiptarëve.
Duhet rithënë këtu se, për hir të së vërtetës, këto përplasje, apo moskuptime, apo rezerva, janë një rrëke e vogël në krahasim me lumin e mirëkuptimit mes gegësh e toskësh, që ka rënë më së shumti në sy para Luftës së Dytë Botërore, teksa me shumë mundime po ndërtohej ngrehina e shtetit shqiptar, teksa kultura shqiptare po rrekej të zhvillohej në rrethanat e një jete kombëtare të mëvetësishme. Intelektualët e asaj kohe, përfshirë dhe Nolin e Shantojën sigurisht, kanë demonstruar një pasion të hatashëm atdhetar, dhe kjo gjë dukej më së pari te përpjekjet për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët të debatit. Nuk ka qenë e lehtë. Fillimisht, debati e shkëmbimi i ideve ka qenë me natyrë ishullore. Tiranës iu desh ca kohë të shndërrohej në qendër e kulturës kombëtare; madje, deri vonë ajo mbeti thjesht një nga qendrat, ku bëhej jetë intelektuale, dhe vetëm disa vite para Luftës së Dytë Botërore mori një rëndësi më të madhe sesa të tjerat, më të madhe edhe se Shkodra (deri vonë, elita shkodrane, katolike e jo, nuk mundi ta kapërdinte faktin që Tirana ishte kryeqytet; Lazër Shantoja ka qenë një nga njerëzit që nuk u lodh në favor të kauzës “Shkodra kryeqytet”). Para këtij momenti, ishin dhe Korça, Gjirokastra, Elbasani, etj, ku publikoheshin libra, botoheshin gazeta, funksiononin shkolla të mira, kishte kinema, teatro, gra që kërkonin një rol në shoqëri, viheshin re organizime vibrante intelektuale, dhe burra që mbanin kapelë.
PARANTEZA NR.7: KËTYRE ANËVE MEZI E HONEPSIN MODERNITETIN
Kjo puna e kapelove (kështu i quan Vangjel Koça) nuk është një anekdotë, dhe aq. Shqipëria e viteve ’20 të shekullit të kaluar e më pas ishte kulturalisht aq e prapambetur dhe e pazhvilluar sa s’kishte ku të shkonte më shumë, dhe pikërisht këtu qëndron dhe merita e madhe e elitës intelektuale të atyre moteve, që diti ta tërhiqte zvarrë atë botë gjysmë të egër e ta fuste sa ishte e mundur në hullitë e qytetërimit, qoftë dhe duke e sfiduar. Tregojnë se Kostaq Cipon, gjuhëtarin e njohur, e emëruan mësues në Shkollën Normale të Elbasanit pas studimeve universitare në Itali, dhe pas një viti e largojnë nga puna për ca muaj. Ishte një formë ndëshkimi që shoqëria shqiptare, nëpërmjet institucioneve të veta që ishin pjellë përfaqësuese e saj, ia jepte Cipos për stilin e manierat tepër moderne në pamjen dhe sjelljen e tij. Ishte shumë dandy për shijet e Elbasanit të vitit 1922, ku nuk mund të përfytyrohej dikush që nuk mbante qylafin turk në kokë, apo që, më keq akoma, mbante kapelë europiane në vend të atij qylafi.
Kapelove europiane nuk u duronin dot atë strehën përpara, dhe Vangjel Koça, për të përqeshur bashkatdhetarët e tij, që tërboheshin prej modës europiane të kasketave, thosh se nuk mund t’i vihej qylafit një strehë. “Le të kujtojmë”, shkruante ai në një numër të Minervës, në vitin 1932, “… intelektualët tanë që [deri para pak vitesh] i zinte frika t’u ngjitnin qeleshes së tyre një strehë. Mbajmë mend akoma që duke u kthyer [nga jashtë] në Shqipëri, flaknin kapelot nëpër limanet shqiptare; njerëz që niseshin nga një qytet me kapelë, dhe arrinin në një tjetër qytet me qeleshe.”
Në një shkrim të vetin me titull Çipi i palacove, Konica gjen një mënyrë tjetër për t’u tallur me ata që në një artikull tjetër i përkufizon si “të rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhive të deles”. Personazhet e Konicës, kur i pyet se “ç’është Europa?”, të përgjigjen: “Efendëm, [Europa është] çdo vend ku populli mban shapkë”; ose “Avropa njihet tërë ai vend ku vënë kapella, ku burrat s’kanë trimërinë të na, dhe ku gratë s’janë të ndershme”. Të gjithë me kapellot e kanë. Kanë qenë, me sa duket, simbol i modernitetit, që bezdiste mendjet prapanike shqiptare. Siç janë sot, për të njëjtin soj shqiptarësh, tangat që mbathin çupat në plazh.
Por në ndonjë qytet tjetër, sidoqoftë në Shkodër, ndodhte ndryshe. Në një shkrim të vetin të publikuar në Illyrija, Lazër Shantoja i përqesh të rinjtë shqiptarë që studionin në perëndim pikërisht për të kundërtën. I përqesh për faktin që e përbuzin e që i bien mohit vendit të tyre, që e quajnë vend të egër, vend horrash e kopukësh, e që, teksa janë në dhë të huaj, jetojnë “… me efektin e madh që kanë për të ba në verë kur tash shtetit nëpër bulevarde të Tiranës a nëpër Fushë të Çelës së Shkodrës me petka prë mbas mode”.
Lazër Shantoja shkruan si ma spyr nja 15 vjet më vonë se ngjarja e Elbasanit me Kostaq Cipon, saktësisht në vitin 1935, por prapëseprapë, Shkodra e të gjitha kohëve dhe Tirana e pas 1920-ës, tok me Korçën sigurisht, kanë qenë ku e ku më të qytetëruar se Elbasani.
Gazetat e revistat ishin foltorët më të mira të kohës për njerëzit e kulturës. Shkodra ziente prej tyre. Binin në sy Leka, organ i jezuitëve, dhe Hylli i dritës, organ i françeskanëve, dhe të dyja ia dilnin të tërhiqnin vëmendjen vetvetiu prej nivelit të trajtimit të çështjeve, dhe prej emrave të autorëve. Ka një perceptim, sipas të cilit këto revista, ngaqë kishin një frymë e një frymëzim të krishterë, ishin më pak të fokusuara të çështje me interes kombëtar. Por nuk është tamam kështu. Në faqet e këtyre revistave shfaqeshin herë pas here dhe emra myslimanësh e toskësh. Dhe të gjithë ndiqnin modelin e Konicës, i cili qysh në krye të herës, shumë vite më parë, ftoi si bashkëpunëtorë të Albanias së tij gegë e toskë, më shumë gegë se sa toskë: Preng Doçin, Lumo Skëndon, Gjergj Fishtën, Koto Hoxhin, Filip Shirokën, Ibrahim Temon, Luigj Gurakuqin, Shtjefën Gjeçovin, Dervish Himën, Hilë Mosin, Ndre Mjedën, Mati Logorecin, etj; madje dhe Naim Frashërin.
Sa për ilustrim, te Hylli i dritës ka çuar shkrime të vetat për botim edhe Eqerem Çabej, e te Leka ka publikuar edhe Branko Merxhani; ndërsa te Përpjekja shqiptare e këtij të fundit publikonte shkrime të vetat edhe Ernest Koliqi. Ishin vitet kur po krijohej një kulturë kombëtare në të gjitha kuptimet, dhe intelektualët shqiptarë të kohës ia dolën ta realizonin atë mision, që koha ua nxori përpara si një sfidë. Ia dolën duke mposhtur komplekset e mendësitë parrokiale, që në Shqipëri kanë qenë sunduese prej qindra vjetësh. Ia dolën, dhe për këtë meritojnë mirënjohjen e brezave të mëpasshëm, pavarësisht ceneve e të metave që ne të sotshmit nuk heqim shumë për t’ua numëruar.
Shkrimet e Hyllit të dritës dhe të Lekës, duke përjashtuar kontributet e toskëve, ishin në gegërisht, më së shumti në një gegërishte paksa të elbasanizuar prej sugjerimeve të Komisë së të shkruarit Letrar, që u mblodh po në Shkodër, por kjo nuk e pengoi namin e tyre që të shkonte deri thellë në jug. Branko Merxhani i mbulonte me lëvdata “priftërit e përgatitur mirë të Hyllit të dritës”. Në një rast, duke polemizuar me Nebil Çikën, botuesin e një reviste tjetër, Minervës, i thotë këtij të fundit se “… revistë ndër neve janë Hylli i dritës dhe Leka, që dalin në Shkodër; këto revista kanë ideologjinë e tyre dhe e mbrojnë me një zell për t’u lavdëruar; janë revista të vërteta”. Merxhani ka publikuar ca kohë shkrimet e tij te Leka. Dhe është po Merxhani, që s’e kishte për gjë të pranonte se donte – këtë e pohon Vangjel Koça, por dhe Petro Marko më pas – të bënte një revistë që të ishte varianti laik i revistës së françeskanëve. Por edhe këta të fundit i dërgonin nga larg sinjale mirëkuptimi e respekti, gjë që del qartë nga rasti me Anton Harapin që kam përmendur më sipër. Ndërkohë, tek e vetja Përpjekja shqiptare mirëpriti shkrime të Mustafa Krujës, Krist Malokit, e të gegëve të tjerë.
PARANTEZA NR.8: TË GJITHË TË IKURIT U BËNË TË GJALLË PAS LUFTËS; BRANKO MERXHANI, JO
Branko Merxhani është një personazh për t’u zbuluar. Ai vetë ka folur pak për jetën e vet, dhe nuk është bërë i gjallë pasi e la Shqipërinë, disa muaj pas pushtimit nga italianët. Ishte duke u marrë me revistën e tij Përpjekja shqiptare kur ia behën fashistët, por kuptoi shpejt e shpejt se kjo gjë ishte një punë që s’mund të zgjaste. Mori plaçkat, u nis për në Korçë, bëri një vizitë në Butkë, dhe tok me dy miq, mes të cilëve dhe me vëllanë e Tajar Zavalanit, me të cilin ia kishte pasur qejfi të polemizonte herë pas here, ia mbajti për në Greqi, e që andej në Turqi, ku kishte qenë deri në vitin 1926. Ishte koha e “vagabondëve të historisë” (kjo është shprehje e tij).
Thuhet (kjo është forma e duhur për të folur për jetën e Branko Merxhanit: thuhet), se një ditë prej ditësh, andej nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, kishte takuar në Janinë Vangjel Koçën, dhe ishte ky i fundit që ia bëri mendjen dhallë, dhe e cyti të vinte të ngulej përgjithmonë në Shqipëri, ku për të, e për intelektualë si ai, kishte shumë nevojë. Deri në atë moment ai kishte mbaruar një shkollë për filozofi në Turqi, një shkollë tjetër për sociologji në Austri, e kishte bërë publicistin në Ankara. Ca muaj më pas, filloi aventura shqiptare për çamin e krishterë (ortodoks apo katolik?), që kishte lindur në Turqi (apo në Sopik të Pogonit? Apo në Nish të Serbisë?), me babanë që ishte zyrtar osman, me nënën gjermane (apo serbe e Nishit? A mos vallë gjermane ishte guvernantja e tij?). Filloi aventura për shqiptarin që mbërriti në Shqipëri në moshën tridhjetë e ca vjeçare, që nuk dinte shqip e që gjuhën e tamblit e mësoi në harkun e një kohe të shkurtër (por për ta shkruar nuk e mësoi asnjëherë; artikujt i diktonte dhe ia shkruanin të tjerët), që fliste megjithatë turqisht, greqisht, gjermanisht e anglisht, që ishte pagëzuar me emrin Aleksandër e që nuk merrej vesh pse e kishte ndërruar në Branko (pas ikjes nga Shqipëria, do të jetonte veç me emra të rremë, a thua se ka dashur që shqiptarët të mos e gjenin), që novelisti komunist Shefqet Musaraj e adhuronte aq shumë para pushtimit fashist, sa e bëri personazh të librit të tij Para agimit të shkruar menjëherë pas Luftës, që kishte një tërheqje ndaj Musine Kokalarit (s’ka mbetur njeri pa iu vardisur Musinesë ato vite, gjë që lë të kuptohet se ka qenë një vajzë tepër e hirshme e magnetike), që nuk shkruajti asnjëherë për regjimin e pas Luftës së Dytë në Tiranë, ndonëse kishte qenë antikomunist me kohë e me vakt.
Pas përmbysjes së komunizmit janë bërë ca përpjekje të njërit apo tjetrit për të davaritur mjegullën që e rrethon jetën e këtij personazhi të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, por rezultatet kanë qenë minimale. Ai jetoi gjatë, vdiq në vitin 1981, dhe pas, përveç emrit të mirë e punëve të mëdha, ka lënë dhe plot pikëpyetje. Pse s’u bë i gjallë? Pse nuk e gjeti një mënyrë për të përcjellë një sinjal, se ai ekzistonte? Pse s’e gjeti një mënyrë për të thënë se ç’mendonte për parantezën shqiptare të jetës së tij? Pse askush nuk dinte gjë për të? Pse edhe të bijat kishin një informacion me pikatore për të? A ishte Shqipëria e shqiptarët pjesë e mejtimeve të tij në ditët e fundit të jetës? Si vdiq? Kush iu ndodh pranë në momentet e fundit? Pse na la neve të dimë kaq pak për të?
Ka vetëm një foto pothuaj të përhitur të tij në Google, dhe është kjo foto që shoqëron të gjitha shënimet e shkrimet që rreken ta përkujtojnë atë në faqet e të përditshmeve: mesoburrë, me një fytyrë të hajthme, me një vështrim të ulur poshtë, në drejtim të diçkaje që ia kanë vënë përpara për ta lexuar, me syze optike, xhami i të cilave është i kallur në një skelet të zi të trashë, me flokët e hedhura sipër, si të Pier Paolo Pasolini-t, me cigaren pa filtër në dorën e djathtë (e pinte shumë cigaren), gishtin e madh të së cilës e ka vënë në tërmth, me një këmishë të bardhë, pa kravatë, dhe me xhaketën e zezë të veshur sipër këmishës. “Bënte jetë asketi”, ka thënë për të Petro Marko, që e ka njohur mirë. E kjo fotografi thotë pikërisht këtë.
KREU III
Hera e parë nuk është e thënë të jetë gjithnjë e vështirë
Një toskë përballë libërthit Te ura e Rrzhanicës
Komunizmi na pengoi të njohim veten, pastaj botën
Migjeni më ka ngjitur qysh herët
Më në fund, Fishta
Hera e parë nuk është e thënë të jetë gjithnjë e vështirë
Kontaktin e parë me gegërishten e kam pasur, si të gjithë fëmijët toskë, gjatë viteve të shkollës, në lëndën e leximit letrar, kur vinte hera të ndaleshim te poezitë e Pashko Vasës, Mjedës e Migjenit. Nga ky i fundit librat e leximit kishin dhe prozë, si për shembull Lulin e vocër, nga e cila mbaj mend që, teksa e lexoja, m’tërhoqi menjëherë pjesa, ku Luli humbet mendjen pas çizmeye të bukura të shokëve të klasës e të lustruara aq shumë, sa në to ai mundte të shihte tullumbat e veta, me gishtat e këmbëve që i dilnin jashtë. Ja ai pasazh, të cilin po e marr copy/paste nga google-i, gjë që më shfajëson nëse gjenden forma leksikore që i ikin origjinalit në gegërisht, por jam i sigurt ama se fjala “tullumba” është e shkruar si në origjinal: “Gjaja që ma tepër tërhihek vëmendjen [e Lulit] janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa të bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon [ai] dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kureshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ullet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!!”
Migjeni ishte më i thjeshtë e më i kuptueshëm se dy shkodranët e tjerë për një fëmijë toskë të klasës së shtatë a të tetë, por fjala “tullumba” më ka zënë vend në kujtesë, ngaqë nuk më thosh asgjë e më ngatërrohej me “tullumbat” e jugut, që janë ca ëmbëlsira në trajtë fallike. Mund t’i gjendej një kuptim i përafruar duke e strydhur mirë kontekstin, por unë isha fëmijë atëmot. “Ç’do të thotë tullumba, mse?”, pyeta unë zyshën e leximit letrar, së cilës në nxitim e sipër, kur viheshim në garë me njëri-tjetrin për t’iu përgjigjur ndonjë pyetjeje, apo për t’u çuar në dërrasë të zezë, i drejtoheshim me frazën “mle mse, mle mse, mle mse!”, forma korkete e së cilës afërmendsh ishte: “Me leje, mësuese!” “Me leje, zysh!”, thuhej nga vërsnikët tanë sipër Shkumbinit, por këtë formë, që më pëlqente shumë (“zysh” ishte një shkurtim i fjalës ‘zonjushë’), ma ka zënë veshi vesh më vonë.
“Tullumbat janë atletet që ke veshur”, më tha zysh Diana, një grua nga Tirana që kishte ardhur në Skrapar për t’mos iu ndarë burrit të vet inxhinier të transferuar kushedi për ç’arsye, dhe hodhi sytë nga këpucët sportive që unë kisha veshur (atlete, kështu i quanim asokohe, e nuk dihet cili shqiptar e huazoi i pari atë fjalë për të pagëzuar këpucët e vetme sportive, një prodhim, në mos gaboj, i Gjirokastrës që, qysh nga dita e parë e derisa të shtroheshin, ta bënin këmbën gjak nga mbrapa thembrës, e që unë, një dreq e di se pse – këtë e kam thënë dhe te Hinterlandi i kuq – s’ua kam harruar çmimin: 330 lekë të vjetra). Atletet e mija ishin gati si tullumbat e Lulit të vocërri, të shqepura në dy-tre vende aty ku lidhje jabani me rrobën e fortë, e me këtë të fundit të holluar te gjishti i madh, aq të holluar sa, ndonëse rrekje me dëshpërim e jo pa sukses të mbronte integritetin e këpucës, nëpër rrjetin e mbetur të penjve të trashë të rrobës tekstile mund të shihjej çorapja e grisur. Qysh atëherë, çorapet e grisura te gjishti i madh ma hapin barkun. Shyqyr që në klasë nuk kisha shokë me çizme të bukura që shkëlqenin, pasi gjendja ime mund të bëhej traumatike prej paraleles me Lulin e vocërri. Komunizmi “dinte të na merrte në mbrojtje” prej traumave të tilla. Duke e shpërndarë varfërinë në mënyrë të barabartë.
Pashko Vasa, Ndre Mjeda e Migjeni ishin, me sa mbaj mend unë, autorët e vetëm veriorë të teksteve shkollore. Fillimisht hiqja shumë për t’i mësuar përmendësh poezitë e tyre. Ato të Naimit, të Asdrenit, të Çajupit, etj, i mësoja më lehtë, ngaqë gjuha e tyre më sillej si gjuha e gjyshes sime, apo më dukeshin si të vjedhura nga tekstet e këngëve me iso, që këndoheshin në shtëpi netëve, kur na bujtnin miq, të afërm e kushurinj. Shkurt, kishte një tingëllim më familjar për mua vargu Naim-ian “Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar”, sesa vargu i Pashko Vasës “Gja e vend shumë, ara e bashtina” në poezinë lapidare Moj Shqypni, e mjera Shqypni*. Vargu Naim-ian, ashtu si të gjitha poezitë e tij, më ishte i afërt në çdo gjë, me pjesoren “gjelbëruar”, me substantivat “çuka, brinja, gërxhe …”, me sintaksën e njohur, atë sintaksë, që unë e kisha thithur tok me qumështin e nënës. Por pavarësisht nga kjo, në fakt pikërisht për këtë arsye, poezitë e gegëve, si dhe emrat e tyre krejt të pazakontë (Pashko, Ndre, Millosh), ishin më të mistershme, më zgjonin kërshërinë (kureshtën, do thoshin vetë ata), më bënin të ngrija pyetje, më zhvendosnin në hapësirë e më nxirrmin nga ajo botë e vogël e njëngjyrëshe. Poezinë e jugorëve ato mote e shijoja, ndërsa nga poezitë e veriorëve mësoja gjëra të reja.
PARANTEZA NR.9: MUSTAFA, SELAM, SËRISH MUSTAFA, HYSEN, MUSA …
Emrat e autorëve të veriut nuk më bënin përshtypje vetëm mua. U bënin përshtypje të gjithëve andej nga anët e mija, ku njerëzit vuanin prej sindromës së homogjenitetit. Skrapari është një zonë ‘etnikisht’ e njëjtë (‘e njëjtë’ është një adjective i përdorur diku nga Çabej), dhe ka mbetur e tillë për shkak të izolimit qindravjeçar. Mund t’i blesh kryq e tërthor asaj treve, dhe do të shohësh të njëjtat zakone e tradita, të njëjtin ethos, të njëjtin identitet fetar (në Skrapar ka vetëm bektashinj), madje dhe të njëjtat tipare në portretin fizik të banorëve. Gjatë viteve të gjimnazit, me miqtë e mi, në ditë festash të regjimit (fjala vjen, përkujtimi i datës së çlirimit të Skraparit, apo i datave të themelimit të brigadave partizane), kur në Skrapar bujtnin dhe njerëz nga zona të tjera, vinim bast mbi origjinën ‘etnike’ të njerëzve që shihnim të silleshin vërdallë. Rrallë mund të gabonim, rrallë qëllonte pra t’i jepnim identitetin e skraparliut ndonjë të ardhuri, apo anasjelltas. Tanët i dallonim nga larg prej pjesës së prapme rëndom të sheshtë të kokës, prej hundës së gjerë, prej flegrave të fryra e fejzave veçanërisht të hapura, nga gjoksi pak i hedhur, e më tej, edhe nga gjestikulacioni, etj.
Në këtë lojë e sipër, njëri prej nesh, Martin Kojka i Hinterlandit tim të kuq, duke i besuar një kompetence të fituar tashmë prej ushtrimit të shpeshtë të kësaj dhuntie për të interpretuar fytyrat e njerëzve të rastit e për të zbuluar tek to origjinën e tyre ‘etnike’, kishte pretendimin se ishte në gjendje të bënte edhe një shqyrtim më të imët fiziognomik, një shqyrtim brenda sojit, e prandaj të shquante kush nga “tanët” ishte nga Tomorrica e kush ishte nga fshatrat e zonës në kufijtë Skrapar-Korçë apo Skrapar-Përmet. Ky pretendonte se e kishte përsosur aq shumë aftësinë për të bërë leximin fiziognomik të të tjerëve, sa kishte bërë një identikit të banorit të Skraparit, që shkonte përtej fytyrës; dhe në listën e tipareve që ai ua atribuonte skraparlinjve, neve të tjerëve na tërhiqte vëmendjen gjoksi i madh i femrave dhe bythët e mëdha të meshkujve.
“Gjoksi i madh i femrave vjen prej ujit”, thoshte Martin Kojka. “Nuk ka se ç’të jetë tjetër. Uji është i njëjtë, me të njëjtën përbërje kimike e me të njëjtën shpërndarje magnezi, kalciumi, sode, bikarbonati e potasi, në të gjithë Skraparin”, përgjigjej ai, teksa sulmohej nga vështrimet tona pyetëse. Nuk dinte të thoshte pse një përbërje e caktuar kimike e jepte efektin te cicat e çupave, por ia kishte mbushur mendjen vetes se lidhje tjetër veç kësaj s’mund të kishte. “Ndërsa për bythët e mëdha të meshkujve nuk kam gjetur një shpjegim”, ia bënte. Ne, në këto raste, më shumë sesa pas shpjegimit të tezës së tij, jepeshim pas idesë së verifikimit empirik të atypëratyshëm të vetë tezës. E prandaj hidhnim sytë nga bythët e njëri-tjetrit. E nuk na rezultonte që t’i kishim veçanërisht të mëdha. Ndërsa lidhur me cicat e çupave binim dakord. I kishin të mëdha.
Me Martinin e kam bërë këtë lojë edhe më pas. Njëherë, mbi bazën e po atyre kritereve të njëherë e një kohe të leximit ‘etnik’ të fytyrave e të pamjeve të njerëzve, ne u vumë të gjenim personazhe të jetës publike shqiptare, që ishin më afër identikit të banorit të Skraparit, ndërsa herën e fundit bëmë të njëjtën gjë me personazhe të historisë së Shqipërisë, e të historisë së botës, dhe na dolën një numër ‘skraparlinjsh’: “Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, princ Wied-i, Edith Durham-i (“Po nuk e ka gjoksin e madh”, i thoja unë Martinit. “Ç’do rregull e ka një përjashtim”, ma kthente), Besnik Mustafaj, Anthony Hopkins, Themie Thomai, Romano Prodi, Scarlett Johansson, Enver Hoxha. “Enver Hoxha është nga Staravecka”, ia bëri Martini. Dhe shtoi: Ndërsa princ Wied-i është nga Çepani i Ilir Metës.
Këtë që pak më sipër e quajta sindromë homogjeniteti, ne e quanim vetmeve të sindromë të Skraparliut (‘Skrapar man syndrome’, e kthente Martini në anglisht), dhe që – këtu ishte hera për ta përkufizuar – nuk ishte gjë tjetër, veçse një lodhje psiko-mentale prej njëjtësisë e njëngjyrësisë që të rrethon, së cilës mund t’i ikësh duke kërkuar, e ndonjëherë sublimuar, atë që është e ndryshme prej teje e prej botës tënde.
Autorët rilindës të jugut, frashërllinj në radhë të parë, nuk na bënin ndonjë përshtypje as me gjuhën, as me emrat e tyre, që asëll-asëll ishin emrat e prindërve tanë (Naim, Sami, Abdyl, etj), ndërsa autorët e veriut të Shqipërisë na silleshin krejt ndryshe në gjithçka, e më së pari me emrat. E jo vetëm ata. Ne ishim të vegjël, dhe të ndryshëm, lumturisht të ndryshëm, na dukeshin dhe një numër njerëzish të shquar të Shqipërisë komuniste, por edhe të tjerë, që mbanin emra e mbiemra “të çuditshëm”, si Robert Ndenika, Sandër Prosi, Dhimitër e Roza Anagnosti, Vaçe Zela, Rita Marko, Guljelm Radoja, Vito Kapo, Kadare (por jo Ismail), Preç Zogaj, Teodor Keko, Lasgush Poradeci, Pandi Raidhi, Serafin Fanku, Çesk Zadeja, Timo Filoko, Rudolf Marku, Vangjush Mio, Kol Idromeno së bashku me Motrën Tone, etj, etj. Ne s’na pëlqenin emrat e prindërve tanë, e në ndonjë rast, emrat që këta të fundit kishin zgjedhur për ne.
Mbaj mend se kjo bisedë është bërë dhe në prani të një lezhjani katolik, që bënte ushtrinë në Skrapar dhe luante futboll me ne. Gjevalin e quanin. Kur na bëri pemën e vet gjenealogjike, duke ecur mbrapsht deri te gjyshi i babës së tij, neve na mbetej mendja te emra të tillë si Drande, Pal, Nikollë, Jak, Gjelë, Mëhill, Lazër, Zef, Kolë, Lucia, Maria, etj. Dhe këtë diagramë gjenealogjike e krahasonim me tonën. Ja imja në vijë atërore: Mustafa Nano – Selam, Embliha – Mustafa, Xhire – Hysen, Bejko – Musa, Nazime, etj; ndërsa në linjë të nënës: Mustafa Nano – Selam, Embliha – Riza, Bajame – Xhafer, Embliha, etj; Ja dhe e Martin Kojkës në vijë atërore: Martin Kojka – Ethem, Behije – Selfo, Kadrie – Servet, Sanie – Haki, Zyra, etj. E ndryshimi na dukej i madh. Ndërsa Martin Kojkës i dukej tronditës.
Një toskë përballë libërthit Te ura e Rrzhanicës
Nuk pyesja lidhur me gjëra të botës gege, pasi nuk kisha se kë. Mësuesit e mi më dukeshin shumë të toskëzuar për t’më dhënë përgjigje. Vonë më ka shkuar mendja, se ndoshta të njëjtin hall duhet të kenë pasur vërsnikët e mi gegë me poezitë e autorëve toskë. Por këta të fundit, në një kontekst të toskëzuar prej regjimit, kanë hequr më pak për të gjetur dikë që t’u shpjegonte shprehje frazeologjike e idioma toskë të shtëna në punë nga Naim Frashëri e Co. Ndërsa në Skrapar, në bastionin e komunizmit e në zemër të Toskërisë (gjeografikisht, të paktën), më lehtë mund të gjeje një burim nafte sesa një geg-olog.
Arshi Pipës i ka shkuar mendja tek topitja e një fëmije toskë përballë një poezie në gegërishte, dhe në çaste të një shtrëngimi empatik, ka thurur një fabulë që ka në qendër një fëmijë dhe një mësues. Dhe rrëfimi i tij në librin Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste rrjedh si më poshtë (shënimet në killapat kotore janë të miat):
“Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar më vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, Te ura …, pa qenë në gjendje për të vazhduar më, pasi ka hasur vështirësi në shkoklimin e disa shkronjave [Fjala është për Lahutën e Malcis, dhe fragmenti i titullit Te ura … nuk është një lapsus. Titulli i librit në botimin e parë, në vitin 1905 pra, ka qenë Te ura e Rrzhanicës]. Libërthi është në vargje, e djallit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar Marash Uci. Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51-52: Por shka, Zot, ka Marashi sot/Qi na ë vrë e nuk ban zë? [Por çfarë, Zot, ka Marashi sot/Qi na ë shtë vrenjtur e nuk bëzan]
Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin, jo. Atëherë, ai hap fjalorin e Shqipes së Njësuar Letrare dhe fillon të kërkojë për a [Unë s’kam pasur fatin ta hap atë Fjalor qysh fëmijë, ngaqë Fjalori është botim i vitit 1980]. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i është), ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? – pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut, duket se tregon në atë drejtim. Sepse, ndonëse nuk është gegë, djali i bie lehtësisht në të, se nuk ban zâ është e njëjta me nuk bën zë. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë se ka vdekur [Por këtu Pipa ia fut kot, ngaqë shprehja nuk bën zë edhe në jug ka të njëjtin kuptim si në veri, domethënë nuk nxjerr zë]. Por ai do të sigurohet, dhe prape hap fjalorin e Shqipes së Njësuar Letrare.
Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të [foljes] zë. Nuk gjen asgjë [Në këtë pikë Arshi Pipa nuk është korrekt. Në Fjalorin e Kostallarit ekziston që ç’ke me të idioma nuk bëj zë. Është tek artikulli zë. Madje, është e para idiomë që shpjegohet: nuk ndihem; nuk e them mendimin tim; nuk flas]. Nuk ka fat më të mirë as kërkimi i seksionit frazeologjik i [foljes] bëj. Kostallari nuk e ka futur idiomën, e cila është gege tipike. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk ekziston në toskërisht, por vetë toskëzimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm [I çuditshëm? Kjo që thotë Pipa ka nevojë të vërtetohet; bëj zë, pikërisht në kuptimin marashuci-an, duhet të jetë një idiomë shumë e moçme edhe në Toskeri]. Libri s’paska shënuar idiomën. Duhet të ketë ndonjë problem këtu – thotë djali. Dhe kështu ai e ndërpret leximin e poemës.
Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet biseda e mëposhtme:
-Kam gjetur dje një libër të hollë, të ngrënë mole [‘i ngrënë mole’, gjetje e bukur], i shkruar nga një farë Gjergj Fishta …
-O mos! E gjete, apo ta dha njeri? [Vini re panikun dhe kërshërinë e mësuesit plak]
-E gjeta, kur po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.
-More vesh gjë kur e lexon?
-Ca po, e ca jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.
-Shkrimtari ka qenë prift.
-E, po, ja përse nuk i merrja vesh shumë fjalë. Priftërinjtë duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod sekret. Se ku kam lexuar që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër Partisë [Nxënësit ato kohë, në fakt, nuk kanë qenë kaq toça; na përmendej vazhdimisht Partia në shkollë, por ne nuk e zinim n’gojë në bisedat e ditës].
-Kjo është arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e tyre [Edhe mësuesit nuk kanë qenë kaq torollakë; sidomos, kur ishin pleq].
-E drejtë. Ato nuk shkruheshin për popullin, por për priftërinjtë e pasuesit e tyre. Atë libër do ta fus në stufë.
-Më mirë ma jep mua, e rregulloj unë [Ah, shih pa shih! Ja ku doli! Mësuesi plak nuk është dhe aq torollak. I ka pëlqyer qysh në krye të herës ideja që të ketë në bibliotekën e vet një botim të vitit 1905, për më tepër një Lahutë!]”
Nuk ka qenë pa gjasë një situatë e tillë atëbotë. Unë vetë nuk kam pasur një bibliotekë të trashëguar nga gjyshi me botime të vjetra; nuk kam pasur kurrë fatin, gjithashtu, që të kisha një mësues plak në fillore a në tetëvjeçare. Lidhur me pikëpyetjet, që më lindnin gjatë leximit të autorëve gegë (të copave antologjike që bënim nëpër shkolla, kuptohet), siç ju thashë, nuk kisha se me kë të konsultohesha. Në këto rrethana, dokumentoja në fetoret e mija të shënimeve çdo negeçe, çdo fjalë që nuk ia gjeja kuptimin, gjë që e bëja gjatë çdo leximi tjetër. Fjalën “prore” e kam hasur për herë të parë te Migjeni, dhe kuptimin s’ia gjeta deri vonë, ngaqë as disa mësues të gjimnazit nuk mundën t’më ndihmonin (“jo! jo! s’i duem humbjet prore” – na t’birt e shekullit t’ri), fjalët “theqafje” e “këtejpari”, që unë i përdor aq shpesh e me aq shumë qejf, i kam përsëri nga Migjeni, por këtu duhet thënë se bëhet fjalë edhe për lexime më të vona, edhe të këtyre kohëve të fundit: (N’udhë për në theqafje këtejpari i ranë – Zgjimi), shprehjen ndajfoljore “n’ajri” apo “nëpër ajri”, kur e kam përdorur në nja dy rrethana “poetike”, e kam nga autorët shkodranë, të cilët, që të gjithë, e kanë shtënë në punë në poezitë e në prozat e tyre, ashtu siç shtien në punë bybljin e drandofillin (Pashko Vasa, Mjeda, Gurakuqi, Shiroka, Fishta, Migjeni, Koliqi), pjesoren “ndragur” e kam përdorur në një formë të standardizuar, por me siguri duhet ta kem hasur fillimisht në ndonjë formë të gegëzuar “ndragët, apo ndragta”, etj. Madje, kam vënë re që Koliqi, ndoshta dhe të tjerë shkodranë, nuk thonë “mrekullueshëm”, por “mbrekullueshëm”, me “b”, e në këtë formë unë e kam dëgjuar për herë të parë nga ime më, që me Shkodrën nuk ka lidhje. Është përmetare.
Gegërishtja është një minierë e pasur dhe e pashfrytëzuar leksikore, por këtë gjë unë do ta mësoja më vonë. Shumë entitete leksikore janë përfshirë edhe “zyrtarisht” në fjalorin e gjuhës shqipe, dhe qindra sosh janë tashmë pjesë e gjallë e shqipes (si dihat, bishtnim, përvidhem, teposhtë, tinëz, mirëfilltë, fashitur, ndyrë që në gegërisht bën ndyrun, bëzaj, terratisje, pretoj, zatetem, cungoj, idhnak, plang, bujt, fshaj, brezni, petk, shpinë, syresh, sosh, jerm, trysni, etj), por qindra të tjera, për shkak të mospërdorimit të shpeshtë a refuzimit të përdorimit, nuk kanë mundur të hyjnë në zhargonin e ditës, atë të librave dhe në atë të komunikimit masiv.
Ardian Vehbiu, një njohës i mirë i këtij argumenti, më i gjalli në debatin publik, i njeh standardit aftësinë për të përfshirë në leksikun e vet fjalë të gegërishtes. “Struktura leksikore e standardit gjithnjë ka qenë dhe mbetet e hapur ndaj elementit gegë”, thotë ai në një shkrim të publikuar në blogun Peizazhe të fjalës, dhe në këtë shkrim ai pranon se ka disa “arsye të ndryshme” pse kjo s’ka ndodhur në masën e duhur, por jep vetëm njërën prej tyre; dhe këtë e jep në mënyrë ilustrative.
Në një shkrim të Mapos, dikush ishte ankuar, se “një redaktore [e një gazete tjetër] ia kishte zëvendësuar ca fjalë gege në përkthimet, sepse nuk i kishin tingëlluar mirë”, dhe kjo tregon, sipas Vehbiut, syçeltësinë e profesionistëve hiperkorrektë të fjalës, të cilët jetojnë në vijimësi me kokëçarjen, “se mos disa rebelë të rastit po na i prishin standardin”. Shkurt, një nga arsyet që e pengojnë këtë përfshirje është trysnia e autoritetit, që nuk është keq që ekziston, por që bën dëm kur e tepron. Sepse është kjo trysni që i çon në ndërdyshje shumë vetë që duan të eksperimentojnë (them eksperimentojnë, ngaqë jo çdo tentativë do të ishte per se e gjetur) në këtë drejtim. Mirëpo, këtu vijmë dhe te guximi i paktë i autorëve.
Ledi Shamku-Shkreli, për shembull, guxon sa të duash në këtë drejtim, dhe për rrjedhojë, për fat gjithashtu, shqipja e saj është një shqipe që ta ka ënda. Vetëm në një artikull të saj, që parathotë librin e Vehbiut Fraktalet e Shqipes, ajo ka futur një numër të madh gegizmash, madje ndonjërën edhe si gegizëm (“gegizëm” është një term që e përdor Vehbiu për të bërë një saktësim semantik; në fakt, para tij e ka përdorur Çabej), si “ag, kryesëparit, shkandulloj, e zhdeshi, e folmja, i skajmë, thjeshti, etj”. Në parathënien me natyrë studimore që ajo i ka bërë librit të Mustafa Krujës mbi Gjuhen e Frang Bardhit, syri të sheh plot gegizma të tjera, madje gegizma elokuente, si landore, veriake, besojmë (substantiv me kuptimin “kredo”), mëkambje, gjuhëlavrues, etj. Në shkrime të tjera më pak “institucionale”, sidoqoftë në shkrimet e publikuara në të përditshmet tona, Shkreli-Shamku e gegëzon veten ca më shumë në pikëpamje leksikore. Dhe shkrimi i saj veç mirë ka parë nga kjo punë. Gegizmat jo vetëm nuk e lëndojnë, por e bëjnë shqipen standarde më të bukur.
Martin Camaj me këtë qasje për një shqipe të kulluar bën kontrast me traditën, nga e cila ai ka dalë, me të gjithë paraardhësit e tij pra në Shkodrën e viteve të para Luftës së Parë Botërore dhe atë midis dy luftërave, të cilët, edhe pse kanë jetuar një kohë të madhe, apo gjithë kohën në Shqipëri, e për këtë arsye kanë qenë të zhytur kokë e këmbë në ujërat e thella të gjuhës shqipe, e prandaj kanë qenë më të aftë e më të zotë për të notuar në ato ujëra, nuk kanë hequr dorë asnjëherë nga barbarizmat. Madje, ata të befasojnë dhe me përdorimin e fjalëve të shumta me origjinë turke, por të integruara në gjuhën shqipe për shkak të bashkëjetesës shumë shekullore të të dyja gjuhëve. Pa u informuar mbi këtë fakt, ndokush mund ta marrë me mend, apo mund të presë që katolikët shqiptarë t’i kenë thënë ‘jo’ ngasjes për të përdorur fjalë turke, njësoj siç kanë ditur t’i thonë “jo” idesë për të ndërruar fenë, aq në modë, dhe aq e frutshme, mes shqiptarësh të tjerë.
Nuk është fare kështu. Dhe në fakt, nuk ka pse të jetë kështu. Të gjithë autorët katolikë i kanë përdorur turqizmat ashtu siç kanë përdorur fjalët e tyre. Dhe kështu, krahas shkodranizmave, si zdryp, gërgas, mriz, kacagjel, nadje, tamël, djerg, i cemët, muaji frot, etj, etj, ata kanë përdorur krejt shkujdesshëm edhe fjalë turke, si dava, zavall, kavall, ilaka, penxhere, që Koliqi e quante pixhere, jarebi, aheng, konak, hyqymet, duvak, dushman, milet, gazep, hukubet, gajret, etj, etj (Madje, edhe Frang Bardhi, tre shekuj përpara se të bëheshin të gjallë autorët katolikë të sipërpërmendur, ka futur me dhjetëra turqizma në fjalorin e tij shqip-latinisht, si aferim, kurban, aksham, shejtan, etj). “Kaj fjal’ turçe ban lazëm”, thotë Fishta në një vjershë të tijën në Anzat e Parnasit. Kjo është si me thënë: “Ndonjë mbrapashti që mund ta bëjmë në jetë veç mirë na bën”. Ndërsa italianizmat me etimologji latine e greke u dilnin prej rropullive edhe Fishtës, edhe të tjerëve (Frang Bardhit, po se po): okupatë, tyranizoj, pjanaforta, admiroj, harmonizoj, banale, material, sympathia, elegancë, mondan, misterioz, fantom, degjeneruem, ekstazë, triumfon, melankoli, regjineshë, etj, etj.
Komunizmi na pengoi të njohim veten, pastaj botën
Letërsisë së shkruar nga katolikët e Shkodrës i jam rikthyer shpesh më pas, fillimisht pa asnjë dalldi, por thjesht për një ndjesi detyre, për të plotësuar puzzle-in e dijeve të mija plot njolla boshe prej kohëve të komunizmit. Ka njerëz që mendojnë se komunizmi ia doli, në mos tjetër, t’u japë dije e kulturë shqiptarëve, por nuk duket se është kështu. Po, është e vërtetë që komunizmi ndërtoi një sistem arsimor që funksiononte mbi bazën e një disipline të rreptë e që shtrihej në të gjithë territorin, por e gjitha kjo në një plan të gjerë nuk bëri gjë tjetër, veçse e alfabetizoi shoqërinë, dhe në një plan më të ngushtë, bëri të mundur thjesht krijimin e një intelligentsia-je “të formuar mirë teknikisht e kulturalisht” për nevoja të regjimit.
Ja, unë isha, deri në vitin 1990, një pjesëtar i kësaj intelligentsia-je, një i diplomuar në Universitetin e Tiranës për inxhinieri elektronike që, me të dalë në jetë, urinë time për dije e kulturë mund ta vrisja veç me ç’më ofronte regjimi në newspeak-un e tij orwell-ian. Të shumtët e morën vesh aposteriori dëmin e madh që iu kishte bërë, dhe jo thjesht ngaqë ishin mbyllur kufijtë me botën, por mbi të gjitha ngaqë ishin ngritur kufij brenda botës sonë. Gjëja më e rëndë pra nuk ishte që regjimi na pengonte të merrnim të pafiltruar kulturën botërore, por që na fshihte, dhe na ndëshkonte po t’na gjente kureshtarë për të gjurmuar e zbuluar, copëra të kulturës e të historisë sonë.
Nga viti 1990 deri në vitin 1998 mua m’u desh të vija vërdallë nëpër Shqipëri e nëpër Europë në kërkim të vetvetes, të fatit, e në përpëlitje për mbijetesë, dhe sa herë që mundja bëja lexime të autorëve të huaj të ndaluar. Në vitin 1998, me t’u kthyer në Shqipëri me idenë për të mos lëvizur më e për ta ndërtuar jetën në Tiranë, bëra një zbulim fatal, që gati-gati më vjen zor ta dëftej. Isha 38 vjeç kur, i armatosur me dije e me përvoja të shumta, iu futa profesionit të gazetarit. Isha në moshën kur kisha krijuar një marrëdhënie të caktuar me (e një vizion mbi) botën, që dija ta mbroja, ashtu siç isha dhe i hapur ta vija në diskutim, kur kisha bërë timin e kisha zhvilluar një fakultet kritik gjatë leximeve e vëzhgimeve që bëja, kur ndieja se njihja, ku dosido e shkeleshko, e ku me prirjen për t’u thelluar, personazhe, autorë, lëvizje, doktrina, ngjarje, zhvillime e tendenca të historisë së botës, pikërisht në këtë moshë pra, unë bëj zbulimin fatal.
Isha në apartamentin e Fatos Lubonjës, dhe mbi tryezën e dhomës së ndenjies pashë një libër me autor Vangjel Koçën. Ishte një emër që mua s’më thoshte asgjë. Aty e mora vesh se kush ishte. Nuk di kur kishte rënë në kontakt Lubonja me këtë autor të publicistikës shqiptare; ndoshta qysh në të ritë e vet, për shkak të një kërshërie a interesi intelektual apo për shkak të statusit (ishte i biri i Todi Lubonjës, funksionar i rëndësishëm i regjimit atëbotë, më pas i burgosur politik) që ia bënte të kollajtë aksesin te gjërat e ndaluara, ndoshta gjatë viteve të burgut, që Lubonja vetë, apo dhe bashkëvuajtës të tij, e kanë vizatuar si vendin më ideal për të bërë brainstorming e ku informacioni mbi gjërat e ndaluara ishte më i kollajtë, ndoshta gjatë viteve, në të cilat unë rropatesha të gjeja një mënyrë për të mbajtur frymën gjallë, e më pas për të realizuar veten në këtë jetë, por soji im, domethënë masa e madhe e intelligentsia-s asokohe, nuk mund të mos shqyente sytë përballë emrash të tillë, si Vangjel Koça pra, Krist Maloki, Tajar Zavalani, Ismet Toto, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Eqrem bej Vlora (këtë të fundit e kemi njohur shumë vonë të gjithë), ose duke u zhvendosur në lëmin e veprimtarëve politikë, Zef Jubani, Nikolla Naço, familja Qiriazi, Vincenzo Dorsa, D’Auletta, Gjin Aladro Kastrioti, Ibrahim Temo, Preng Doçi, Kristo Dako, Sejfi Vllamasi, Nikollë Ivanaj, apo duke bërë një zhvendosje tjetër në hapësirë e në kohë, për të shkuar mu në themele të Rilindjes sonë kombëtare, tek emrat e albanologëve të parë të huaj që e shpikën/zbuluan Shqipërinë përpara se këtë gjë ta bënin shqiptarët (Branko Merxhani është i sigurt se “… sytë e intelektualëve të parë shqiptarë i hapën ata shkencëtarë europianë, që në mes të shekullit XIX kishin nisur të interesohën për gjuhën shqipe”). Për të mos folur këtu për emrat e tjerë që ne po njësoj nuk mund t’i lexonim, por nuk mund të mos i njihnim, ngaqë regjimi bënte çmos të na i nxirrte në një dritë të keqe, e këtu bëjnë pjesë edhe autorët katolikë shkodranë, mes të cilëve ishte Gjergj Fishta, Anton Harapi, Ernest Koliqi, e të tjerë. Për Martin Camajn nuk flitej keq. Ngaqë nuk flitej fare.
Publicisti kosovar, Nexhmedin Spahiu, rrëfen në një shkrim të vetin, të publikuar në gazetën Mapo, një përvojë argëtuese që ka të bëjë me emrin e Nebil Çikës, publicist i atyre kohëve. Ja ç’thotë ai: “Viteve të ’90-ta, kur isha kryeredaktor i së përditshmes ‘Albania’, që atë kohë ishte njëra prej dy gazetave më të mëdha në Shqipëri, erdhi e u prezantua një djalë: Jam Nebil Çika! Të gjithë e shikuam të habitur, pasi ky emër nuk thoshte asgjë për ne. Djaloshi u vu në siklet dhe me nervozitet të shtuar tha sërish “Jam Nebil Çika, nipi i të famshmit Nebil Çika”.
Të gjithë që ishim të pranishëm në redaksi gati sa nuk ia plasëm gazit. Kush na qenka ky i famshëm për ne kurrë i dëgjuar? Më pas rashë në udhë dhe u interesova për gjyshin e këtij djali që [në të vërtetë] kishte qenë publicist i famshëm. Që nga momenti që fillova të lexoj shkrimet e tij e deri më sot skuqem për injorancën time sa herë që më kujtohet ai moment në redaksinë e gazetës Albania në Tiranë. Në fakt, nuk ishte aspak faji im që unë si një njeri i lindur e rritur në kohë komunizmi nuk dija asgjë për intelektualin që komunistët e pushkatuan më 1944.”
Të gjithë mund të japin dëshmi në këtë drejtim. “Deri në fillimet e vjetëve ’90 nuk kisha marrë ende në dorë qoftë dhe një varg të Camajt”, thotë Primo Shllaku në librin e tij me titull Nji Ulikë që i mbërrin t’arr më Irakë. Ulikë është shkrimtari i tij më i dashur gegë. Martin Camaj pra. Itaka është vendi i tij. Shqipëria, që ai e la qysh herët. Në të vërtetë, bëri nja dy prova ta luftonte regjimin komunist, e pastaj mori arratinë derisa erdhi momenti që mund ta rishikonte vendin e vet, dhe u kthye një a dy herë, por vdekja e mori shpejt, në vitin 1992.
“Kisha ndërgjigje në shtëpinë time vargje të tilla si: “Lahuta pushon në tra/pse Masha vidja ka mot/e nipat s’dijnë me i ra”. [dhe] kuptoi se këto vargje ishin të ndonjë autori të mbas Rilindjes, [dhe vetëm] vonë, shumë vonë, me hapjen e Shqipërisë, saksoiva autorisë e vargjeve të mësipërme”, shpjegon Shllaku. Dhe fabula është po ajo: Komunizmi më së pari na pengoi të njohim veten, e pastaj botën.
Regjimi e kishte mendjen tek indoktrinimi i njerëzve, e jo tek edukimi dhe emancipimi i tyre. E pyes shpeshherë veten pse është dashur që unë ta vizitoj kalanë e famshme të Beratit, të cilën e kishta veç një çap larg shtëpisë sime, vetëm pasi u përmbys komunizmi. Si është e mundur që strukturat e formimit komunist e nacionalist, ato shkollore e joshkollore, nuk kishin kurrë të programuara në agjendat e tyre të edukimit vizita në Berat për ne, që ishim aq afër këtij qyteti, në një kohë që vetë regjimi asnjë dëm nuk do të kishte prej kësaj pune? Është jologjike, surreale, por e vërtetë: Kalanë e Beratit, tok me Muzeun e Onufrit aty brenda, unë e kam vizituar për herë të parë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Dhe emrin e Onufrit thjesht e kishim të dëgjuar, si të ishte fjala për ndonjë njeri me veprimtari subversive. Nuk na thuhej asgjë në shkolla për piktorin shqiptar të shekullit XVI. Ashtu si nuk na u tha asnjëherë në funksion të edukimit me vlera e tradita lokale se në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912, kishte qenë dhe një përfaqësues i asaj zone sonë. Kishte nënshkruar, tok me të tjerë, dokumentin e shpalljes së pavarësisë. Quhej Xhelal Koprëncka. Unë e kam marrë vesh shumë vonë këtë fakt.
Në përgjithësi, Shqipërinë kam nisur ta zbuloj pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, e në këtë mes kam zbuluar (për aq sa i kam zbuluar) dhe autorët katolikë shkodranë. Thashë, që disa prej tyre i kam studiuar në shkollë, dhe unë përmenda çfarë mbaja mend prej atyre moteve, s’ka gjë se të rrëfyera prej meje nga kjo largësi kohore ato mund të ngjajnë me çikërrima pa vlerë. Duhet të ketë të drejtë Ernest Koliqi, kur thotë në tregimin e vet Hanë gjaku, se “…në paç kujtime fëmijinje, mund të vejsh roe në to se më të dashunat e më të çuditshmet janë ato që, me i kallzue, duken asgjë”.
I fundit shkrimtar katolik që kam zbuluar është Martin Camaj. Dhe e kam zbuluar shumë më vonë sesa Primo Shllaku. Fillimisht kam dëgjuar të flasë për të Ardian Klosin (Dritë pastë!, thoshte Koliqi në të tilla raste), i cili ka pasur fatin ta njohë qysh në çastin që u hapën kufijtë, pas rënies së regjimit të komunizmit. Nuk është çudi që edhe gegërishtja t’i kishte hyrë në zemër prej Camajt. Për ca kohë, Klosi ishte i vetmi që fliste këtyre anëve për albanologun dhe shkrimtarin e panjohur shqiptar. Ose ndoshta kam qenë unë që shihja vetëm Klosin ta bënte këtë gjë. Më pas, më ka folur Primo Shllaku për të. Më dhuroi dhe studimin e tij mbi Uliksin…, një monografi për poetin Martin Camaj (Camaj është dhe novelist). Shllaku lë të kuptohet se Camaj është më i madhi autor i gegërishtes, dhe ndoshta ka të drejtë.
Ajo që mua më bën përshtypje është gjuha e Camajit. Vehbiu e quan opake gegërishten e tij, që është më afër standardit sesa shkodranishtes letrare. Gjuha e librave të tij, afërmendsh, nuk është ajo që ai mori me vete, kur la vendin në vitin 1949. Ajo që unë e quaj në mënyrë ndoshta të guximshme “fqinjërimi i tij me standardin” dhe që Vehbiu e quan një përpjekje individuale për të ngritur një “gegërishte të përgjithësuar” duket se ka përbërë një synim të tijin për t’iu qasur e për t’iu vardisur sa më shumë lexuesve. Por Karl Gurakuqi, që ia lexonte librat (ndoshta me lutjen e tij), nuk e ka lënë shumë të kënaqur me shqipen që përdorte. “Martin Camaj asht djalosh plot shpresa për të ardhshmen”, i shkruan ai Mustafa Krujës andej nga viti 1958, por “në pikëpamje të gjuhës shkjepon aty-këtu, [e prandaj] i kam shkruje nji letër të gjatë, nji filipikë, tue i dhanë pak mësime gramatike e sintaksore, sidomos persa i përket mënyrës së lidhjes së kohvet në fjali”. Siç shihet, jemi në një periudhë të hershme të krijimtarisë së Camajit (1958).
Vehbiu nuk e ka shpjeguar se ç’kupton me “gjuhën opake” të Martin Camajit, por mua nuk më duket se gjuha e tij është opake në ndonjë kuptim. Shqipja e tij është e thjeshtë, e qartë, e kuptueshme, shkurt një gegërishte për të gjithë. Një toskë, apo edhe një gegë i standardizuar, mund ta lexojë pa asnjë problem Camajn, s’ka gjë se mund të mos e shijojë për arsye jashtëgjuhësore, domethënë letrare a kulturore. Vërtet, ku dreqin do të ngecëte një toskë në një paragraf si ky që vijon:
“Përkundra, atje nalt, një motiv përgjogimi tirret e merr trajta të qarta në rrethana vetmie ku një njeri i vetëm e peshon atë nga të gjitha anët, e tëhollon e kullon çdo gjasë e mundësi se ngjarja paska lindë e qenka zhvillue kështu e kështu dhe mandej, si punë fare të kryeme, e len me ra si prej qiellit, copë akulli në vend të kokrrës së breshnit, as me qenë thashethana një këngë kreshnike treqind vargjesh”?
Dhe vini re: nuk është një paragraf që unë e kërkova me qiri për të ilustruar një ide fikse timen. Është thjesht një paragraf çfarëdo, që unë e gjeta duke hapur “ku t’më qëllojë” librin e novelave të Camajt, në faqen 29.
Tjetra cilësi e Camajt është se ai nuk e ndot frazën e tij me pothuaj asnjë fjalë të huaj, nëse përjashtojmë fjalë që kanë hyrë tashmë në shqip e të cilat, edhe pse mund t’u gjendet, apo u është gjetur, një fjalë gjegjese, na janë bërë si tonat; fjala vjen aksident, vullnetar, motiv, etj. Disa fjalë të huaja mund t’i fuste edhe për një kandje stilistike, por ai nuk e bën këtë; nuk e bën asnjëherë, a thua se do të bëhej fjalë për një “kandje t’prujtun” (“Kandje t’prujtna”, thotë Fishta diku, dhe me këtë ka parasysh qefet e ndyra), në një kohë që një fjalë e huaj, poetit, sidomos poetit, e sidomos Camajt, që është rritur gjithë kohën jashtë vendit e larg gjuhës së tamblit, do t’i dilte vetvetiu; e me siguri, i kanë ardhur me mijëra fjalë të tilla në çastet e frymëzimit, por ai i ka kthyer mbrapa.
Kjo nuk është një cilësi që ia rrit forcën si poet e si novelist. Jo, s’është fare e thënë. Frazat e vargjet e tij shqipe do të ishin po aq lozonjare sa janë, ndoshta ca më shumë, edhe nëse nëpër to do fekste herë pas here ndonjë barbarizëm. Por jo, ai s’ecën asaj ane, dhe kjo afërmendsh është thjesht një qasje individuale, ndoshta një trill, i tij dhe kaq. Është kështu që ai ka zgjedhur të bëjë atë që bën. Këtë ka bërë gjithë kohën dhe Ismail Kadare, por ky fakt, të gjithë e dimë këtë, nuk luan ndonjë rol kushedi se çfarë kur vjen puna te vlerësimi i veprës së Kadaresë, e cila është e madhe për arsye të tjera.
Migjeni më ka ngjitur qysh herët
Toskëve të Shqipërisë, apo dhe një pjese gegësh që nuk janë më të motnuem sesa shqipja standarde, mund t’u qëllojë të kalojnë pa ndonjë tërheqje kushedi se çfarë pranë një stende, apo pranë raftesh, me libra autorësh katolikë të Shkodrës. Leximi i këtyre të fundit mund t’u duket një punë e kotë, në mos e zorshme, e në mos akoma e pamundur, për shkak të shqipes së këtyre autorëve që është disi larg prej shqipes standarde.
Unë e kam kapërcyer këtë rrethanë, gjë që e nënvizova më sipër. Me Migjenin nuk e kam pasur të zorshme të gjej telat, pasi prej fëminisë, nën ndikimin e mësuesve të mi, që e vija re se e pëlqenin dhe e veçonin ndër poetët e veriut, ma kishin marrë mendjen plot strofa e vargje, fjala vjen: “Ah, si nuk kam një grusht të fuqishëm/Malit, që s’bëzan, mu në zemër me ia njesh/Ta shof si dridhet nga grusht i paligjshëm…/E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh”; ose: “Mali hesht – dhe në heshtje qesh/E unë vuej – dhe në vuejtje vdes”; ose: “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi/kafshatë që të mbetë në fyt …”; ose: “Ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë/dhe për fitore kem’ me ra fli”; ose: “[O murgeshë], smirë ua kam shejtënet/Vos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit”.
Pasazhet e mësipërme janë vargje që mua më mbetën në mendje për gjithë kohën, krahas pak të tjerave të autorëve shqiptarë të pas Luftës, që ne i mësonim po njësoj në lëndën e Leximit Letrar, si: “Për Enver Hoxhën këngë thur tërë jetën/Se nëna ime bukë i dha me dhallë” (D. Agolli). Apo: “Si një rrap madhështor mbi këtë vend të lashtë/Ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat./Ato rrahin të të shkulin/Por ti veç vaditesh/Prej shqotës së tyre/Dhe mes shqotave rritesh” (I. Kadare).
Migjenin pra e bëra timin më herët se të tjerët, dhe më erdhi mirë që nuk më zhgënjeu, kur më pas, shumë më pas, zura të shoh me sy tjetër vargje e poezi të njohura, apo kur lexova çfarë nuk kisha lexuar prej tij. Ai është, sipas meje, pionier i poezisë moderne shqiptare, dhe të vjen mirë që te një pionier, puna e të cilit është të hedhë themele, gjen vargje që të trallisjn me thellësinë e bukurinë e tyre, siç është rasti kur u thotë ‘këngëve të veta të pakëndueme’, se “unë [jam] djepi juej; ndoshta vorri juej”; gjen dhe teknika eksperimentale të shprehjes poetike, që s’kanë humbur fuqinë inovative as sot, gati 100 vjet më vonë, si te Kanga e mjerimit: “Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh/në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe ‘marsh!’”
Te poezia Të lindet njeriu, ai thotë një gjë, që në vitin 2013 do të ishte, me aftësinë që ka për t’u bërë njësh me çdo kontekst e kohë shqiptare, një mënyrë për t’i filluar njerëzit këtejpari: “Të gjithë kombet po dehen nëpopea të veta/flakë e zjarrmit të tyne na i përzhit fitryat/dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat/e nën kambë e mbi krye tinzë po na ik jeta.”
E vërteta është, që ai ka shkruar dhe një numër poezish sidokudo (Kanga e dhimbës krenare, Kanga e rinis, etj), që ai tek-tuk lëshohet pas një frymëzimi shtërzues (frymëzimi të pafat, për t’u shprehur me fjalët e një poezie të tij), që ai herë-herë është përpjekur të flasë me vargjet e veta edhe kur s’ka pasur ndonjë gjë për të thënë, dhe kjo e fundit është një lajthitje e falshme poetësh, por këto e të tjera si këto, sipas meje, nuk e çbëjnë faktin që ai është një send i paçmueshëm i letërsisë shqiptare.
“Talent dhe gjenial”, e quante Branko Merxhani qysh në gjallje. Këtë e thotë në kujtimet e veta Petro Marko, të cilit një ditë prej ditësh, në vitet e para ’30 të shekullit të kaluar, Branko i dha tre napolona dhe i tha: “Shko në Pukë, takoje Migjenin, dhe jepja këto tre napolona!” Petro Marko shkon, e takon, e kryen porosinë, dhe me këtë rast rrëfen një bisedë të vetën me të, që e kishte bërë nën eksitimin dhe vetësigurinë që i kishin dhënë një numër kontaktesh me komunistë shqiptarë. Kishin pak a shumë të njëjtën moshë, dhe bisedën po e sjell siç e ka treguar Petro (në toskërisht, por me ndonjë gegizëm tek-tuk):
“Petro: Millosh, ti shkruan errët, ndaj duhet të shkruash më hapur, që të kuptohesh nga shumica e lexuesve tanë.
Migjeni: Jo, vëlla, ne duhet të shkruajmë mirë, me zemër e me mend, por me mjeshtëri artistike. Paçka se nuk na kuptojnë dot. Arti është art, dhe publizistika është publikistike. Ja, bie fjala, shumë nga poezitë e tua nuk më pëlqejnë. A të vjen keq që po të flas si vëlla?
Petro: Jo, nuk më vjen keq. Por si të ta them unë? Ti je hermetik, dhe koha e hermetizmit ka kaluar.
Migjeni: Dëgjo, Petro! Nëse nuk më kuptojnë, [nuk ka asnjë problem, pasi] unë shkruaj për vete. S’ka më lumtuni se sa kur ndjenjat e tua i shpreh me sinqeritet dhe dashuni për njeriun. Njeriu kur shkruen, nuk merr leje nga askush, përveçse nga ndërgjegja e vet.
Petro: ……
Migjeni: Le të shkruajmë, se do të na kuptojnë, more Petro!”
Është një bisedë që dëfton shumë. Shumë vetë në vend të Petros nuk do ta kishin kallëzuar.
Më në fund, Fishta
Po me Fishtën si i kam punët? Kam provuar fillimisht ta lexoj Fishtën, pa ndonjë mirakandje, por thjesht për një — është po ajo shtysë e motivim i pahirshëm, që jua përmenda më sipër — ndjenjë detyre. Një publicisti a shkrimtari shqiptar nuk do t’i falej të mos njihte Fishtën. E megjithatë, Lahutën e Malcis nuk mund ta lexoj të tërën. Ndjenja e detyrës nuk fitoi mbi shijet e mijat. Gegërishtja e Fishtës, që nuk është shumë e ndryshme nga ajo e Migjenit, nuk po më ngjiste? Jo, nuk po më ngjiste vetë Fishta. Dhe më erdhi inat, dhe një çikë marre.
Mbeta i habitur, por nuk u dorëzova. Mbas ca kohësh, pasi i lexova disa shkrime publicistike, një shkrim në mbrojtje të Kanunit të Lekë Dukagjinit, një parathënie të vetë Kanunit, ku thotë fjalë të mira për Shtjefën Gjeçovin, disa dëshmitë për artin, kulturën (më ka mbetur në mendje fakti që Fishta ka qenë kundër Dreyfus-it), gjuhën shqipe e jetën kombëtare, etj, të cilat i gjeta me shumë interes, dhe afërmendsh i çova deri në fund, duke nënvizuar gjëra e duke mbajtur shënime nëpër anët e faqeve, gjë që e bëj sa herë që shkrimet a librat më tërheqin e më pëlqejnë; pasi i lexova këto pra, iu riktheva Lahutës, e poezive të tjera të Fishtës me një hov të ri, e me një ndjenjë të ripërtërirë detyre, që në të vërtetë — këtë gjë e zbulova shumë shpejt — nuk më lipsej më, ngaqë tashmë po e shijoja, ashtu siç kisha shijuar Ali Asllanin “tim”, e më shumë se ç’kisha shijuar Lasgush Poradecin e lëvduar nga të gjitha anët këto kohët e fundit. Kuptova se kisha vendosur më në fund një marrëdhënie të hareshme me të. Dhe me gegërishten, në përgjithësi.
Jo më kot i zura emrat në gojë Ali Asllanit e Lasgush Poradecit. Ndërsa lexoja Lahutën atë herë që m’hyrni në zemër, se ç’më bëheshin tok të tre. Madje, këtyre u shtohej dhe Asdreni: “O moj ti me sy të zinj/Qi ke flokët por si ar/ Eja mesin tê ta marr/Se po s’ardhe do t’tê vij”. Veç Lasgushi ka bërë më pas të tilla: “Mbledhur shoqet më një qoshe/Diç m’ju flisje, diç m’ju thoshe/Gushë-e-llêrë-e-gji-bardhoshe”. Dhe për ta mbyllur me atë ‘influx’ toskë që më bënte shoqëri, ndërsa lexoja Lahutën e Malcis, po citoj diçka nga Hanko Halla: “E ku qënka parë e ku është dëgjuar/që t’i hapë femra gji e kraharuar/dhe t’i shkojë përpara, burri t’i vejë prapa/ky pa hedhur çapën, femra hedh tri çapa?”
E ç’lidhje kanë këto shpërthime lirike e nazike me Lahutën epike e rapsodike të Malcis? E kanë një lidhje. Është gjuha shqipe. Por jo gjuha shqipe si dëshmi e njëjtësisë kombëtare, as gjuha shqipe e hirshme dhe e larme (“gjuhë perëndie”, do thoshte Naim Frashëri i kapur nga një zjarrni atdhetare; “diell pa hije”, do t’i dukej Ndre Mjedës në dhe të huaj; “t’ambël, porsi gjumi m’nji kërthi”, do ta quante vetë Fishta përveç të tjerash), por gjuha shqipe që këtyre autorëve u buron si uji nga lëfyti i një kroi.
Tingëllimi e prozodia melodioze e Lahutës së Malcis me ato “tetërrokësha marramendës” (kështu i ka quajtur Koliqi, “tetërrokësha marramendës”) janë një magjepsje më vete, që të bëhet se nuk ka lidhje fare me ethos-in fishtian, domethënë me autorin vetë, mendimin e tij, qëndrimet që ai mban, gjithë çfarë ai është e përfaqëson. Poema ka sa të duash rima të kërkuara, e momente ngalakage, si ai kur autori thotë kotmëkot “Mori sumbulla sumbullore/mori dardha dimërore”, apo kur shkruan “Po a kujton, mori gabele/Se shqiptarët kanë dalë fare/Që me ardhë knjazi me ‘i kalë zhale/për t’sundue mbi tokë shqiptare?” (fjala “shqiptare” e përmendur dy herë brenda një strofe, pa ndonjë funksion të ndryshëm metonimik, është një gjë që s’i ka hije njërit si Fishta), etj, etj, por këto momente nuk kanë të bëjnë me tërësinë e saj. Ka vargje të tjera, dhe këto janë të shumta, që të rrëmbejnë e të thëthijnë me bukurinë e me vetvetishmërinë e tyre.
Kur Pashai turk po ankohej se nuk po gjente dot një djalë shqiptar, të cilit t’mos i dhimbsej jeta për troje të vetat, Oso Kukës i kërceu damari, e donte “me qitë n’të”, por aty për aty u kujtua se – dhe këto janë vargje të njohura të Fishtës – “I urti kurr nuk ngutet/Prej burrnisë e jo prej tutet”. Ndoshta nuk janë të Fishtës. Bën vaki që ai i ka huazuar prej trashëgimisë orale të gegëve, apo thënë ndryshe, prej urtisë popullore.
Në Kangën VIII jepet një dialog i Ali pashë Gucisë, që ishte duke ndejtur në hije, “n’mend tue endë punë Shqipnie” me një Zanë mali. Në fillim flet Ali pashë Gucia e pastaj Zana e idhnuar me shqiptarët që s’po çoheshin kundër shkjaut: “[Ali pashë Gucia] atje vonë po nisë me i thanë: ‘Pash Nj’atë, që të ka dhanë/A je nieri a se je Zanë?/A lutë Pashkë a lutë Bajram?’ ‘Se çka jam e çka nuk jam/Se a lus Pashkë a lus Bajram/Se a baj hije a jo n’ketë jetë/Këtu s’asht çështja me pyetë.’”
Në po këtë Kangë është dhe një moment, nga të paktët kur Fishta i ikën kurthit të patriotizmit lokal (në disa vargje më sipër i referohet malit të Tomorrit); dhe lëshon një vikamë me gojën e Zanës që i do shqiptarët: “Lësho kushtrimin n’Toskë e n’Gegë/Mblidhniu tok si kokrrat n’shegë”. Këto tashmë janë vargje antologjike.
Kangën XII Fishta e nis me një stil të pazakontë lirik (të pazakontë për Lahutën, jo për vetë Fishtën, që te Vallja e Parrizit, në poezinë Nuncjata, të trallis me shpërthimin lirik të bartur nga një teknikë e lartë poetike: “Ishte nadje. Një vashë e re/Bukuri porsi pranvera/n’truell t’një regjie: varfën le/Pa u ndie kush veç Zoti e era/Rrinte t’Lumin tue lutë/Ndoshta, kobin për me zbutë/Që i randonte fisit t’vet”). Dhe ia bën (jemi kthyer te Lahuta): “Te një mriz, te një lajthi/ Kishin ndodhë tre bari/Dy me dhen e një me dhi/Njeni plak e dy të rinj”.
Në Kangën XIII, ku është dhe strofa e famshme, që s’ka mbetur njeri pa ia cituar e pa ia interpretuar si një frazë që i përfaqëson mirë shqiptarët edhe pse nuk duket tamam ashtu, strofa mbi “Europën, kurvën e motit/që i ra mohit besës s’Zotit”, janë dhe vargjet: “E për Besë e t’bardhën Fe/E bëjnë vdekjen si me le”.
Ndërsa te Kanga XXI, më ballkanikja ndër të gjitha, me pabesi, pabesira, dredhira, me gjakun që rrjedh rrëkajë, me fytyra të përçudnuara nga plagët e armëve, me shqiptarë e malazezë në zgrip të jetës, e që prapëseprapë: “Nuk u bahet shpirt me dhanë/Njëri tjetrit pa ia zanë/Frymën njak, e vdekë më lanë”.
Dhe po aty, në bisedë e sipër, prijësi malësor Ber Pacani i thotë një shkaju, faji i vetëm i të cilit është “veç e pse ai shkja ka le/edhe ban hije mbi dhê”, se Knjazi i Malit të Zi mund ta dërgojë sërish atyre anëve, por: “Jo për t’marrë dhen e dhi/Si na marrë t’i kemi ty”. Janë vargje të thjeshta, gati-gati të natyrës bisedimore, e pikërisht ngaqë janë të tilla, janë të bukura, siç është dhe një frazë që shtrihet në dy vargje të poemës në Kangën XXIII: “Veç me qa, shtriga s’qau”, apo dy vargje të tjera po aty: “Asht dyndë pluhni re mbi krye/Ma Nikshiq s’pa kush me sye”. Nikshiqi është fusha e betejës, dhe pluhni është për shkak të giyleve, topave, etj.
Në Kangën XXVII, Sinan Pasha, një parlamentar turk që i ka për zemër shqiptarët, flet për virtutin e trimërisë e për sakrificat që këta të fundit kanë bërë për Perandorinë Otomane në luftëra që s’kanë qenë të tyret, e që prapëseprapë kanë qenë “t’mbramet te ika e t’parët te mbeta”, që do të thotë “kanë shkuar të parët në luftë e kanë ikur të fundit prej saj”. Në të njëjtën Kangë të Lahutës, Fishta përshkruan me vargje fantastike një tipar që shqiptarët i ka dalluar, me sa duket, që jetë e mot. Me të mirë e me lajka, thotë autori, mund t’ua marrësh mendjen shqiptarëve, mund t’i bësh krejt për vete e mund t’i bësh deri dhe që të japin jetën për ty: “Me shqiptarë nuk ndreqet gjë/Veç me t’ambël rreth tue u ardhë/Për ty i shtyn vdekjen me ba”.
PARANTEZA E SHKURTËR NR.10: AH, SIKUR TË ISHIM DERË E MADHE!
Ky duhet të jetë me të vërtetë një tipar kombëtar. Eqrem bej Vlora, në librin e tij autobiografik rrëfen një anekdotë shumë domethënëse. “Ishte viti 1909”, thotë beu i Vlorajve që ishte krenar deri në bezdi për origjinën e tij të fisme e aristokratike, “… dhe gjatë një udhëtimi [nëpër Kolonjë] me karvanin tim arritëm buzë përroit të Borovës, i cili ishte fryrë kaq shumë nga shirat, sa vau nuk shquhej kurrkund. Njerëzit e mij u bënë zë disa burrave që po rrinin ulur në bregun përtej të na tregojnë se ku ishte shi. [Mirëpo] askush nuk lëviz vendi. Atëherë një xhandar kalorës që unë e kisha marrë për udhërrëfyes, del përpara dhe [u] thërret: ‘Hej, o bejlerë! Cili nga ju do të na ndihmojë të kalojmë përroin?’ Kjo ishte fjala magjike që i vuri ata në lëvizje. Brofën të gjithë në këmbë dhe kush e kush të na ndihmonte më parë.”
Sa më sipër, unë u mora me gjuhën dhe anën stilistike të Lahutës, dhe fare pak bëra interpretime të mesazheve të veprës. Po ndalem vetëm një çast duke marrë shkak nga një nënvizim i Pirro Mishës. Në librin e tij Arratisja nga burgjet e historisë (Çdo të thotë sot të jesh shqiptar?), ai e quan Lahutën një vepër konservatore, që romanticizon figurën e malësorit. Ka të drejtë, ndonëse ngjan pak reduktive të shohësh si thelb të Lahutës thjesht romanticizimin e figurës së malësorit. Ama ajo mund të përkufizohet pa frikë si konservatore. E vetmja gjë që të del nga ky kornizim është një prirje e Fishtës gjatë gjithë veprës për t’i nxjerrë armiqtë (duke përjashtuar figurën e Knjaz Nikollës, pijanec, mizor, e plot haluçinacione) në një dritë jo të keqe. Autori i vizaton ata si të bukur, të fuqishëm, trima, të fisëm, të virtytshëm, ose të paktën njësoj të virtytshëm sa edhe malësorët tanë, ndërsa Milenën, zonjën e Knjaz Nikollës, dhe një farë Pal Milani, prijës i sprovuar i luftëtarëve malazezë, i përshkruan, përveç të tjerash, si të arsyeshëm e me këmbë në tokë.
Pjesa tjetër e veprës është konservatore, siç është dhe vetë Gjergj Fishta, gjë që nuk e demonstron veç te Lahuta, por edhe në vepra të tjera. Ai flet pa të keq për Europën, “kurvën e motit”, ai është antihebre, dhe këtë anë të botëkuptimit të vet e demonstron qartë, duke arritur deri atje sa të lidhë disa artikuj kritikë ndaj shqiptarëve në shtypin francez me “hebrejnë e bankave t’Parisit”. Ai nuk lë rast pa folur me tone glorifikuese për Kanunin e Lekë Dukagjinit, madje dhe futet në polemikë me gjithë botën për këtë çështje. Ai ka një qëndrim patriarkal lidhur me gruan, dhe kjo me sa duket lidhet edhe me robën që mban, atë të klerikut. E kur them robën, është njësoj si të kem thënë formimin.
Edhe Anton Harapi është, në këtë pikë, konservator si sa ai. “Tue orvatë me e shpëtue gruan shqyptare prej robënie, mos të rrehemi me e qitë qemerit; sa është për t’u ankue robnia e grues, aq është për t’u neveritë e dënue emancipacioni i saj; gruja njimend nuk asht rob, por asht zonjë; por kjo nuk don me thanë, se … trimi do të jetë shërbëtori i andevet të sajat”, thotë Harapi në shkrimin e vet me titull Prej kahë do të nisemi e ku do të kapemi? Fishta do t’i nënshkruante këto mendime.
Faik Konica, jo. Ai, nja njëzet a tridhjetë vjet përpara se Harapi të thoshte sa më sipër, në vitin 1898, mbronte ide krejt të tjera: “Kuptonì mirë, ju lutem, ç’qëllojmë të themi! Puna është të jenë të lira çupat, se edhe ato kanë të drejta të lirisë. Por është dhe një tjetër gjë më rëndë: çupa e sotme është mëma e nesërme; … në u mësofshin ato me liri e me mendime të gjëra, s’do të thotë se djemtë do të thëthijnë … gjerësin e mendimeve me qumështin e sisës.”
KREU IV
Vjen Arshi Pipa, dhe …
Me gjuhën nuk bëhet shaka
Nga zotërinjtë ‘B’ (Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani) te zotërinjtë ‘B’ (Bejtexhinjtë)
Zotërinjtë ‘B’ ishin njerëz të fesë; por ishin dhe shqiptarë, ama
Në kërkim të “autorit hyjnor”: Në fillim ishte Fishta, ndërsa sot është Kadaré
Pipa versus Vehbiu: cila është shqipja “më e epërme”, standardi apo gegërishtja letrare?
Shkumbini gjuhësor është ngjitur sipër në Morinë, por …
Shqipja standarde është problemi për kosovarët? Apo është zgjidhja e problemit?
Si i bëhet? Ka gjithmonë një zgjidhje
Vjen Arshi Pipa, dhe …
Nuk më hiqet nga mendja Arshi Pipa, në vizitën e parë të tij në Shqipëri pas një mungese të gjatë, gati tridhjetëvjeçare, pas zgjedhjeve të marsit 1992, që praktikisht shënuan fundin e sundimit stalinist në Shqipëri. Nga gjithë të kthyerit e atyre moteve (ishte hapur stina e kthimeve të mëdha e të rëndësishme), më kanë bërë përshtypje të veçantë vetëm dy, Abas Ermenji dhe Arshi Pipa. Në një moment ngecje dhe i mbërthyer nga kërshëria, Ermenjin që duhet të ketë ardhur vonë, andej nga viti 1994 (nuk dihet pse e ka menduar aq gjatë, pas rënies së komunizmit, atë vizitë të parë në vendin e tij të lindjes e të origjinës), dola për ta pritur, tok me të tjerë, në Rinas, dhe po atë ditë, ca orë pas mbërritjes së tij, isha edhe në sallën e Akademisë së Arteve, ku ai mbajti një takim të hapur me njerëzit. Mbeta i befasuar prej tij. Isha përgatitur të dëgjoja shpërthime antikomuniste, në mos qëndrime të forta e radikale, por ai ishte i matur e i shtruar, mu si një pajtues gjagesh në malësitë e veriut. Ata që ishin në sallë, kryesisht pinjollë ish-ballistësh, disi të pakënaqur prej atyre gjërave që po dëgjonin, zunë t’i hidhnin vështrime të topitura e kureshtare sho-shoqit, sikur donin të thoshin: “Dëgjo, ky është një çikë i shtyrë në moshë, e bën vaki që ka rrjedhur”. Por nën trysninë e miratimit që po gjenin në pjesën tjetër të sallës fjalët e tij, atyre nuk iu desh shumë për ta mbledhur veten, apo për t’u shtirur sikur e mblodhën veten, e për të qëmtuar tek ai zhgënjim i fillimit një motiv krenarie. “Hej, e shikoni se kush kanë qenë udhëheqësit e Ballit Kombëtar? Burra me mend e të matur, e jo hakmarrës”, u dëgjua dikush pranë meje në atë sallë.
Arshi Pipa ishte një rast tjetër. E ndoqa në mbrëmjen e asaj dite, në ekranin e televizionit shtetëror, dhe me ç’mbaj mend, nuk priti që të pyetej nga gazetarët, por doli vetë atje ku donte, te shqipja standarde, për të cilën kishte publikuar një libër në gjuhën angleze nja tre vjet më parë, me titull The Politics of Language in Socialist Albania. Nuk jam në gjendje ta riprodhoj saktësisht atë që ai tha, por në kujtesën time ka mbetur një sulm i fortë që ai i bëri gjuhës së njësuar letrare, dhe një apel i tij për t’iu rikthyer kësaj çështjeje me synimin për të rekuperuar gegërishten e shpërfillur prej nomenklaturës politike e akademike toske e për të krijuar një shqipe tjetër letrare, që t’u shërbejë të gjithëve e të mos lërë kryemënjanë askënd.
Arshi Pipën e ndoqa më pas në një dokumentar, në nderim të tij, të bërë po nga TVSH-ja, dhe m’u duk në tërë qenien e vet një përzierje fantastike tosko-gege apo gego-toske. Sikur të ishte vetëm e thjesht shkodran, ai do të binte në sy edhe për faktin, që ishte mysliman (mysliman, nga tradita) e që paradoksalisht ishte bërë njësh me kulturën katolike të qytetit. Primo Shllaku flet me admirim për të. Fritz Radovanit i kam lexuar një shkrim, diku nëpër gazeta a nëpër site, ku ai e përlëvdonte Arshi Pipën, dhe merrej vesh se nuk ishte gegërishtja, ose jo vetëm gegërishtja, që e kish shtënë në sevda. Ishte dhe vlerësimi që ai kishte për personalitetin e vetë Pipës, e më tej respekti për familjen e Pipajve, sidomos për Myzaferin, të vëllanë e Arshiut, që u ka bërë një rezistencë të pabesueshme mashave kriminale të regjimit, derisa u vdiq në duar, nën torturë.
Afërmendsh, nuk do të ishte myslimani i parë shkodran me këtë marrëdhënie tepër të nxehët me gjysmën katolike të qytetit, me gjysmën që i kishte dhënë nam atij qyteti, duke i dhënë kulturë gjithë kombit për gati pesëdhjetë vjet me radhë. Deri para Luftës së Dytë Botërore çdo mysliman shkodran me ambicie për t’u bërë dikush ishte i dënuar të rritej me një kompleks inferioriteti, i shtypur prej kulturës e traditës katolike që të bënte të të dukej vetja një çikërimë dhe i trysur edhe prej të vetëve në një kontekst të mbushur me mëri, mosbesim, ndoshta dhe urrejtje. Jo më kot – këtë gjë e pretendon Paulin Margjokaj – “…në Shkodër, kur hynë komunistët, myslimanët e qytetit patën pre me qindra dash për të gostitur komunistët, pse më kujtuan se kësaj here u erdh e mbrama kaurravet”. “Nuk ka qytet në Shqipëri që t’i ketë pritur aq mirë partizanët, sa Shkodra; çdo familje e kishte për nder të mbante një partizan me gjithë të mirat”, thotë nga ana tjetër Petro Marko, i cili në të njëjtin paragraf të librit me kujtime të vetat dëshmon “ndjekjen kundër katolikëve”. Shkurt, Paulin Margjokaj duket se thotë të vërtetën.
Përtej kësaj dëshmie, komunizmi, duke ndaluar praktikimin e feve e protagonizmin e klerit, dhe duke përndjekur në mënyrë të veçantë klerin katolik (por jo për ndonjë dispozicion antikatolik që diktatorit – kështu është pretenduar nga shumë zëra – i dilte nga rropullitë), dhe në fund duke “e egzorçizuar” kulturën e qytetit prej magjisë katolike, krijoi pa dashje një si frymëmarrje për myslimanët, të cilët për herë të parë pas dekadash të tëra e kanë parë veten të barabartë me katolikët e zhveshur nga lavdia e së shkuarës, dhe në këto rrethana “të laicizuara” zunë të shkëlqenin tek-tuk, prandaj të vuanin më pak prej kompleksit të inferioritetit, për rrjedhojë të mos e kishin për gjë, madje ta kishin për mburrje, traditën e kulturën tashmë të arkivuar katolike. Kam njohur disa shkodranë “myslimanë” të pasionuar pas autorëve të shquar katolikë, deri dhe pas atyre që komunizmi i kishte ndaluar.
Këto arsyetime që bëra këtu më sipër i nisa me një “sikur”: sikur Arshi Pipa të ishte 100% shkodran. Mirëpo, janë arsyetime që bëhen copë e çikë përballë faktit, që Arshi Pipa nuk ishte 100% shkodran e gegë. Ai ishte dhe toskë. Tani, me logjikën e botës patriarkale shqiptare, ku vulën identitare ta vë origjina e babait, ai ishte mbi të gjitha toskë, mirëpo puna është, se njeriu është ai që do ai të jetë, përtej çdo konvencioni, dhe prandaj Arshi Pipa, ndonëse ai vetë nuk e ka qartësuar ndonjëherë këtë ndërdyshje (nëse ka pasur një ndërdyshje), ishte gegë. Një shqiptar gegë.
Në një intervistë të gjatë që i ishte marrë me atë rast, ai fliste një shqipe që ishte midis standardit e gegërishtes letrare, por duke qenë më afër standardit. E përdorte pjesoren e rotacizuar të toskëve, atë pjesore që ai nuk ia ngjëronte dot shqipes standarde, përdorte madje dhe atë që për një simetri të gjërave në diskutimin mbi gjuhën në Shqipëri quhet “paskajore e toskërishtes” (për të …), me atë vetvetishmëri e natyrshmëri që i përdorte Abas Ermenji. Intonacionin e kishte tërësisht toskë. Ndoshta donte ai që ta kishte të tillë, për të marrë me të mirë teleshikuesit e TVSH-së, që supozohej se ishin në një masë shumë të madhe të mësuar, ndoshta të dashuruar, me shqipen standarde. Në një rast tjetër, në një veprimtari të organizuar në New York a diku tjetër në SHBA në nderim të Ndre Mjedës, e kam dëgjuar të fliste me një gegërishte të përsosur. Dhe atje, ndoshta për t’i ardhur pas midesë audiencës, që supozohej se ishte e tërë, ose në një masë të madhe, gegë.
Shkurt, ai ishte një shqiptar i epshëm, për të gjitha stinët e për të gjitha trevat. Por ai vuan për gegërishten që ishte kallur në arkiva, gjë që e thotë vetë më qartë në librin që unë përmenda më sipër e që në shqip është përkthyer, qysh në vitin 2010. E ka përkthyer, dhe e ka shoqëruar me një parathënie – këtu nuk ka asnjë befasë; e kush do ta bënte tjetër? – Primo Shllaku, të cilit i ka shkuar mendja mirë, në fakt, ta sjellë në të dyja “gjuhët”, në shqipen standarde e në gegërisht. Unë i kam lexuar variantin në gegërisht, ndërsa variantit tjetër i hidhja një sy herë pas here gjatë leximit për të verifikuar e këqyruar përputhshmërinë/ndryshueshmërinë mes të dyve. Nuk më kishte qëlluar ndonjëherë të lexoja Shllakun në shqipen standarde, e prandaj më la gati pa gojë me saktësinë e përkthimit në një shqipe, që ai mezi e honeps. Kisha kohë që e kisha marrë librin por, hë sot, hë nesër, i trysur nga një agjendë leximesh që ma përcaktojnë në të shumtën e rasteve rrethanat e ditës, dhe jo mirakandjet e mija, e shtyja për më vonë derisa erdhi hera që ta filloja e ta mbaroja me një frymë, siç ndodh gjithnjë me librat që më pëlqejnë apo më provokojnë. Ishte ky libër që më dha cytjen e fundit për të shkruar këtë libër timin.
Ndonjë tezë të Pipës të hedhur nga pozitat e studiuesit do ta përmend pak më poshtë, e “do vë” ndonjë koleg të tijin të hahet me të, por nuk më rrihet pa nënvizuar se në libër ka ca katurisje që nuk kanë të bëjnë me gjuhën e gjuhësinë, ndonëse janë të lidhura me to. Pipa është një mendje e thellë dhe e mprehtë, dhe kjo nuk vihet hiç në diskutim, mirëpo në këtë libër, sikur të ketë dashur të mos e marrin m’ysyh, ai i rikthehej gjendjes dyjare jo thjesht gjuhësore gegë/toskë me një animozitet që s’ka të dytë në historinë e kulturës shqiptare qysh nga kohët e Rilindjes, e në këtë mes këpuste herë pas here ndonjë mufkë, sa të linte pa mend.
Ja çfarë thotë qysh në parathënie: “Gegët që janë më së shumti myslimanë e katolikë (ortodoksë janë pak ose aspak), janë të orientuar nga Perëndimi, mbasi të gjithë katolikët shqiptarë janë vetëm gegë, kurse toskët, të cilët janë ose myslimanë, ose ortodoksë janë të orientuar nga Lindja, ngaqë bashkësia ortodokse shqiptare është më së shumti toske”. Menjëherë lind pyetja: Ç’është Lindja? Pipa nuk jep një përkufizim të vetin në këtë mes, por bën një paralele mes serbëve/kroatëve nga njëra anë dhe respektivisht toskëve/ gegëve nga ana tjetër. E çfarë e mban në këmbë këtë paralele? E mban fakti që 1. serbët janë ortodoksë, ashtu si dhe çereku i toskëve shqiptarë, dhe 2. më pak se çereku i gegëve shqiptarë janë katolikë, si janë dhe të gjithë kroatët. E mbajnë dhe dy premisa: 1. Lindja është një me krishtërimin ortodoks; dhe 2. Pas skizmës mes Romës e Kostandinopojës në vitin 1054, Shqipëria e veriut mbeti nën jurisdiksionin e të parës.
E shikoni? Nga këtu, Pipa s’e ka për gjë të kërcejë në silogjizmin, që gegët janë perëndimorë dhe toskët lindorë. Dhe nuk na shpjegon se ç’lidhje ka çereku, apo më pak se çereku, me të tërën, nuk na shpjegon se ç’kupton me Shqipëri të Veriut kur e vë këtë të fundit nën jurisdiksionin e Romës pas vitit 1054, nuk na shpjegon më në fund pse bektashinjtë e jugut janë më lindorë se myslimanët sunitë të veriut të Shqipërisë. Me këto pika-pyetje që po ngre nuk është se synoj të provoj të kundërtën, domethënë që toskët janë më perëndimorë se gegët (ky është një diskutim që s’e gjej me interes; pastaj, të gjithë shqiptarët i shoh, me disa përjashtime, një e të pandarë në këtë pikë), por thjesht u rreka të bëja një reductio ad absurdum. Pipa nuk ka të drejtë.
Ja dhe një moment i dytë. Në kapitullin III, Pipa shprehet se “arsyeja e vërtetë, me të cilën mund të shpjegohet Fishtofobia e Partisë [së Punës] asht se ai ishte gegë i Shqipërisë së veriut dhe prift katolik, si dhe poet i madh”. Sipas meje, i është dashur të sforcohet pakëz për ta futur gegën dhe poetin Gjergj Fishta në këtë ekuacion. Sikur regjimi ta kishte inatin me poetët e rëndësishëm të Gegërisë, s’do të kishte lënë gjallë as për Pashko Vasën, as për Ndre Mjedën, as për Migjenin. Po, duket se është e provueshme që regjimi i Hoxhës e shihte si një entitet armik klerin katolik të veriut; dhe në këtë kuptim, qëndron nënvizimi se Fishta është goditur si prift katolik.
Por ky shpjegim nuk mjafton. Mjeda, që sapo përmenda, ka qenë prift, gjithashtu. Jezuit. A mos vallë regjimi e kishte me françeskanët? Jo, s’duket se është kështu. Janë përndjekur, vrarë e burgosur edhe jezuitët. Atëherë? Atëherë, në ekuacion futet edhe Gjergj Fishta vetë, pa etiketat gegë, prift, katolik, poet. Është dhe një sendërgji e lidhjeve të tij me fashizmin italian, që u përdor si motivi kryesor për të ngritur Fishtofobinë. Por personalisht jam i prirur të besoj, se edhe pa këtë sendërgji, të ngritur mbi faktin që Gjergj Fishta u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë vetëm dy muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi (ky nuk ka dyshim që është një moment i palavdishëm në jetën e Fishtës, por është disi akrobatike të hidhesh, prej kësaj rrethane, në përfundimin se Fishta i dha ok-in pushtimit fashist të vendit; pastaj duhet me ditë se sa do të ishte atëbotë numri i intelektualëve shqiptarë që nuk do të ledhatoheshin në sedër nga ideja për të qenë anëtarë të Akademisë së Shkencave të Italisë? “Chi di voi é senza peccato, scagli per primo la pietra contro…”), ai do të shihej vëngër po njësoj nga regjimi që, sipas shumë gjasash, nuk do ta ndiente si të vetin poetin e shkrimtarin që kulturalisht ishte shumë larg ethosit komunist. Ashtu siç nuk ndjeu të vetin Faik Konicën, i cili nuk ishte gegë.
Me gjuhën nuk bëhet shaka
Në debatin që është hapur prej ca kohësh mbi shqipen standarde ka rënë në sy, që disa nga mbrojtësit e kësaj të fundit i përjashtojnë ndikimet dhe presionet politike në Kongresin e vitit 1972. Ata, për të kundërshtuar tezën që thotë se “adoptimi i toskërishtes si bazë për standardin ishte një vendim i marrë nga nomenklatura politike, që ishte kryesisht toskë”, i mbahen pretendimit se ky vendim u mor nga shkencëtarët dhe gjuhëtarët shqiptarë. Dhe për ta rrëzuar “sendërgjinë” e nomenklaturës furacake në atë rrethanë, ata përmendin faktin që në atë Kongres kanë marrë pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë të pedigree-së gege, edhe gjuhëtarë të tjerë nga trevat shqiptare jashtë kufijve të Republikës komuniste të Shqipërisë, që nuk kishin arsye t’u nënshtroheshin, apo t’u vinin pas oreksit, parapëlqimeve politike të Tiranës zyrtare.
Ky është një pretendim që nuk mban. Për sa u takon gjuhëtarëve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Italia (arbëreshët), është e qartë se ata nuk kishin ardhur këtu për t’i treguar vendin regjimit komunist “toskë”, apo për t’u kacafytur me kolegët e tyre të Tiranës. Ata kishin ardhur me një motivim patriotik. Përveç kësaj, ata e dinin se ku po shkonin dhe se çfarë do të vendosej. E dinin, gjithashtu, se ishin ftuar edhe me synimin për të krijuar një sfond të unitetit mbarëkombëtar në këtë çështje, rreth së cilës kishte më shumë se një shekull që diskutohej dhe e cila ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme për kombin shqiptar. Pastaj, nuk është se ata po binin dakord mbi një të pabërë. Ajo që ndodhi, apo ishte përgatitur të ndodhte, ishte thjesht një nga tre opsionet e mundshme në atë ngjarje: 1. të adoptohej toskërishtja si bazë e gjuhës së njësuar letrare; 2. të adoptohej gegërishtja; dhe 3. të adoptohej një variant që të ishte kombinim i të dyja dialekteve. Asnjëra prej këtyre zgjidhjeve nuk ishte skandaloze, dhe iu dha dore punës të zgjidhej e para, të adoptohej pra toskërishtja si bazë e standardit, gjë që edhe pritej nga të gjithë (edhe nga të ardhurit “nga jashtë”) si një finalizim i natyrshëm i asaj që kishte ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, në kuptimin politik e gjuhësor.
Tjetër. Po, në Kongres kishte gjuhëtarë gegë, por kjo, po njësoj, nuk do të thotë ndonjë gjë. Gjuhëtarët gegë, ashtu si gjuhëtarët e tjerë, nuk kishin lirinë shkencore për të diskutuar, apo për të kundërshtuar vendimin, në atë rrethanë dhe për atë çështje. Kush thotë të kundërtën, duke përdorur si provë emrat e gjuhëtarëve e intelektualëve gegë Rexhep Qosja, Dhimitër Shuteriqi, Idriz Ajeti, Mahir Domi, Jup Kastrati, Bahri Beci, Besim Bokshi, etj, kërkon t’i ikë së vërtetës.
Nga fillimi i muajit gusht 2013 (saktësisht në datën 8 gusht), gazeta Mapo publikoi një letërkëmbim mes Enver Hoxhës dhe tre skulptorëve që kishin marrë përsipër, në fakt ishin zgjedhur, të kompozonin Ministrinë e Pavarësisë në Vlorë. Dhe letërkëmbimi kishte të bënte me këtë argument. Sundimtari komunist kishte parë maketin e kësaj vepre në studion e skulptorëve Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Muntaz Dhrami, dhe pas ca ditësh u shkruan këtyre të fundit: “[Në studio] ju dhashë ca këshilla e ju bëra ca vërejtje, … ju fola për rëndësinë e folklorit të mrekullueshëm të vendit tonë. Qëllimi ishte që frymëzimin tuaj patriotik ju ta pasuroni akoma më shumë me studimin më të thellë të historisë së Shqipërisë, të folklorit të madh të popullit dhe të dokumentave të Partisë…. Populli në këtë monument [duhet] të shikojë kurdoherë se liria fitohet dhe mbrohet me pushkë, ashtu siç u fitua Lufta Nacional-Çlirimtare e udhëhequr nga Partia, ashtu siç mbrohet sot diktatura e proletariatit…. I tërë ansambli i monumentit duhet të japë ndjenjën e unitetit të çeliktë të popullit tonë dhe të forcës së tij për të mposhtur robërinë shekullore dhe çdo pengesë që has përpara. I tërë ansambli i monumentit duhet të jetë në sulm, kështu edhe personazhet që do ta përbëjnë atë duhet të mos jenë në gjendje statike.”
Ja dhe përgjigja që i kanë kthyer tre skulptorët e njohur: “Ne [i dëgjuam me vëmendje ato që na thatë] kur Ju ishit në studion tonë të punës dhe patë maketin e Monumentit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Letra që Ju na dërguat na sqaroi më thellë idetë që Ju parashtruat në bisedën Tuaj…. Këndi i ri i shikimit që Ju na hapët do na ndihmojë që monumenti t’i këndojë më mirë lavdisë së të parëve tanë dhe të jetë i mbushur me idetë e mëdha revolucionare të kohës sonë…. Duke u thelluar në letrën Tuaj, duke e lexuar dhe rilexuar, ne nxorëm mësime të rëndësishme në kuptimin e temës historike jo vetëm për veprat e arteve figurative, në pikturë dhe skulpturë, por për të gjitha artet tona. Dialektika e thellë e mendimit Tuaj në fushën e trajtimit të temës historike na vuri në mendime dhe na hapi horizont të gjerë…. Ju premtojmë Juve, i dashur shoku Enver, i premtojmë Komitetit Qendror të Partisë se ne do të bëjmë çmos që monumenti që ne po krijojmë të justifikojë besimin që ju keni ndaj nesh. Ne do të punojmë me ngulm e frymëzim për të krijuar një vepër të denjë për popullin dhe partinë që na rriti.”
Komentet janë të tepërta. Vetëm ky letërkëmbim do të ishte mjaft për të krijuar një ide mbi kinse lirinë intelektuale e shkencore në Shqipërinë e kohës, në të cilën u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (letërkëmbimi është i vitit 1969), dhe kjo ua bën të lehtë dhe legjitime, kundërshtarëve të standardit të shqipes që ta etiketojnë këtë të fundit si “vepër të regjimit komunist”.
PARANTEZA NR.11: LOTËT E LLAZAR SILIQIT; ISHTE VITI 1972
Në një libër të tijin të natyrës publicistike, gjuhëtari Kujtim Kapllani flet për një takim që ka pasur, në vitin 1995, me Dhimitër Shuteriqin, në shtëpinë e këtij të fundit. Biseda mes të dyve ka shkuar te shqipja letrare, të cilën Shuteriqi – kështu thotë Kapllani duke e perifrazuar, e jo cituar – “e shpjegoi si një nevojë objektive historike, por edhe si diçka të qëllimshme të politikës kombëtare”. Sipas Shuteriqit, vendimin që u mor në Kongres e ka favorizuar shumë dhe “një mbledhje në Prishtinë, në vitet 60 të shekullit të kaluar, e përfaqësuesve të njerëzve të letrave të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të cilët i kanë mëshuar me forcë idesë që të përdorej forma drejtshkrimore e drejtshqiptimore që zbatohej në Shqipëri”. Fjalët në thonjëza autori i ka vendosur në gojën e Shuteriqit.
Dhe biseda do të ishte deri në fund e tillë, me pohime e rrëfime të mërzitshme, sikur zoti i shtëpisë, duke folur për atmosferën e ndjeshmëritë që kanë dominuar Kongresin e vitit 1972, të mos ishte kujtuar për një si vithisje (kolaps) emocionale të poetit Llazar Siliqi në ditën që do të duhej të nënshkruhej rezoluta e Kongresit. Ngjarja, e rrëfyer nga Shuteriqi dhe e riprodhuar nga Kapllani, është kjo: “Pas diskutimeve shteruese në Kongres, u dha porosia të dilnin jashtë delegatët, të mendoheshin e të merrnin vendimin me vullnet të lirë para se të ktheheshin në sallë për të nënshkruar rezolutën. E takova Ll. Siliqin te shkallët e Pallatit të Kulturës. Ishte i skuqur në fytyrë.”
Është një detaj që flet shumë për klimën dhe atmosferën e asaj rrethane. Llazar Siliqi, poet, shkodran, kishte dalë jashtë tok me delegatët e tjerë për të bërë një meditim të fundit, dhe “ishte i skuqur në fytyrë”. Por nuk mbaron këtu. “Si do të bëjmë, Llazar? Ne që të dy jemi gegë”, flet Shuteriqi i pari. ‘Do ta firmosim, Dhimitër. Duhet të na lexojnë të gjithë shqiptarët’, ia bëri Siliqi, dhe dy lotë nga të dy sytë ia varën e iu bashkuan në mjekër.” Po qante vdekjen e shkodranishtes së vet. Ndoshta edhe më keq se kaq: Po vuante prej idesë se shkodranishten po e vriste me duart e veta.
Në fund të bisedës, Shuteriqi i kishte thënë Kapllanit, se Llazar Siliqi kishte bërë qysh të nesërmen një vjershë në gjuhën e njësuar letrare, dhe e kishte publikuar në shtyp. Ia pëlqyen shumë. Të gjithë. Por më shumë e kishte pëlqyer ai vetë. Militanti e kishte mundur sa hap e mbyll sytë shkodranin.
Nga zotërinjtë ‘B’ (Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani) te zotërinjtë ‘B’ (Bejtexhinjtë)
Disa u mjafton fakti që Kongresi i vitit 1972 ishte i pilotuar politikisht për ta kryqëzuar gjuhën e njësuar letrare, e për ta rihapur diskutimin, që më pas e vijojnë me argumente shkencore, ose më shkencore, mu sikur të ishim në fillim të lojës. Fjala vjen, në këtë diskutim kanë zënë t’u referohen rilindësve dhe pionierëve të kulturës shqiptare, kanë zënë të citojnë se çfarë ka thënë njëri e çfarë ka thënë tjetri për gjuhën e njësuar letrare, kanë hapur një si garë për të nxjerrë në pah epërsinë e gegërishtes ndaj toskërishtes, apo të Gegërisë ndaj Toskërisë, e anasjelltas, në lëmë të kulturës e të shqiptarizmës, dhe në këtë diskutim e sipër, ata që kërkojnë që çdo gjë të fillojë nga e para në çështje të gjuhës më së shumti të nxjerrin përballë argumentin, që gegërishtja është lëvruar e para, dhe se toska Leke Matrënga është bërë i gjallë ca më vonë se Buzuku, që është gegë.
Ky arsyetim, në këtë funksion, është pakëz i shqepët. Së pari, zotërinjtë ‘B’ (Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani) nuk ka diskutim që janë të rëndësishëm në kulturën e historinë shqiptare, por ata, edhe nëse shqipen e tyre e marrim – siç mendon Shamku-Shkreli – “për një gjuhë mirëfilli letrare”, nuk janë Dantet e Luterat tanë. Po, është e vërtetë, ata e kanë shkruar të parët shqipen, dhe me këtë na kanë dhënë një provë se kombi ynë, edhe pse i vonuar e ngalakag në zgjimin kulturor e kombëtar, e ka një traditë, një të shkuar, një histori; nuk është ndonjë traditë kushedi se çfarë, por është tradita jonë. Më tej, e kanë shkruar shqipen edhe në alfabetin latin, gjë që është vlerësuar më pas, sipas një optike oksidentaliste, nga të gjithë njerëzit e kulturës shqiptare, historianë, studiues, shkrimtarë, publicistë, intelektualë publikë, etj, si guri i themelit i kombit shqiptar. Sa herë që është dashur të jepet një dëshmi e qartë identitare, sa herë që këtejpari ka pasur ndërdyshje historike, sa herë pra që ka qenë rasti për të marrë vendime të mëdha, e sa herë që këto vendime kanë rezultuar jo dhe aq të kollajta për shkak të përplasjes së vizioneve, ndoshta qytetërimeve, brenda botës shqiptare, siç ka qenë vendimi i marrë në Kongresin e Manastirit, ka dalë dikush apo disa që kanë nxjerrë gurin e fundit që e ka bërë peshoren të priret në njërën anë, kanë dalë e kanë thënë pra që “pritni, mos u ngutni, ktheni kryet pas për të marrë vesh nga vini, mos harroni pionierët, etërit themelues, zotërinjtë ‘B’ e të tjerë ata”.
Përveç sa më sipër, në sajë të tyre ne kemi sot dokumentimin e shqipes së shkruar në kohë të hershme, e për rrjedhojë, ne kemi fjalë të shqipes të shpikura, të zbuluara e të përdorura prej tyre, si për shembull – po i referohem Çabejt në këtë pikë – fjala gjykatës është e Buzukut (ka pak kohë që është shqipëruar ca më shumë dhe është bërë gjyqtar), fjala nxanës është e Bardhit, fjalët kopshtar, rruzullim, vetmi, letrar, pjesëtar, hyjni, ligjëratë, shëmbulltyrë, etj, i kemi prej Bogdanit, e kështu me radhë.
E meqenëse jemi këtu, te fjalët e te gjuha e hershme shqipe, është hera për të thënë diçka lidhur me ca zotërinj të tjerë ‘B’, lidhur me bejtexhinjtë, për të cilët Ardian Vehbiu thotë se “i përkasin një modeli kulturor të pabashkëmatshëm”. Nuk është i vetmi. I së njëjtës ide është pak a shumë dhe Eqrem bej Vlora që thotë se “… prodhimi i tyre, mes të tjerash i zhvilluar në kornizat e një poezie dhe arti tregimtar pa shumë vlera, ishte tejet i vështirë për t’u kuptuar edhe nga lexuesi i shkolluar”.
Dhe është e qartë se kutiun për matjen e modeleve kulturore këtë nga anët tona e kanë përcaktuar gjithmonë ata, zotërinjtë e hershëm ‘B’. Ata, dhe të tjerët që kanë ecur në rrugën e hapur prej tyre, janë etaloni; me të tjerët që ecin në rrugë të ndryshme, sidoqoftë zotërinjtë e tjerë ‘B’, domethënë bejtexhinjtë, nuk është se kemi ndonjë gjë, por puna është se nuk kemi se ç’të themi, ngaqë ata “janë të pabashkëmatshëm”.
Ndoshta është vërtet kështu, por bejtexhinjve nuk mund të mos u njohim faktin që kanë lëvruar shqipen, e që kanë përdorur dhe sajuar fjalë, fraza, shprehje e struktura sintaksore që ne i përdorim, falë tyre, edhe sot. Duket se rilindësit me origjinë nga Toskëria, i pari dhe mbi të gjithë Naim Frashëri, janë ndikuar në një farë mase prej bejtexhinjve, më saktë nga gjuha e nga stili poetik i tyre. Kam përshtypjen se studiuesit e këtyre të fundit, kur ka ardhur puna t’u bëjnë një shqyrtim kritik, janë kapur ca më shumë sesa duhet nga droja e ardhur prej faktit që, së pari vjershat e tyre, edhe pse janë shqip, janë shkruar në alfabetin “demodë” arab, që këtë nga anët tona nuk është parë me sy të mirë qysh nga kokët e Rilindjes Kombëtare e për shkak të vetë rilindësve oksidentalë (sipas meje, kanë qenë oksidentalë më shumë për një qëllim, sesa për një formim kulturor), së dyti, gjuha e tyre në një numër rastesh është një llac turko-arabo-shqiptar, së treti motivet e një pjese të vjershave janë fetare, dhe së katërti shumë vjersha më shumë ngjajnë me bejte të improvizuara (prandaj, janë quajtur bejtexhinj) sesa me krijime të njëmendta letrare. Ernest Koliqi i quan ashikë në një sprovë të vetën mbi Ndikimet orientale në letërsinë shqipe (ai i referohet turkologut italian, Ettore Rossi që e përdor, gjithashtu, këtë term, duke shpjeguar edhe se çfarë ka në mendje: një lloj poeti trubadur). ‘Ashik’ është një fjalë me origjinë perso-turke, dhe ka kuptimin e një sazexhiu shitës, apo në një rrethanë më të fisme, ka kuptimin e një bardi a rapsodi lirik. Ndërsa në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, artikulli leksikor ‘ashik’ është përkthyer si ‘dashnor, njeri i dhënë shumë pas qejfeve’; me këtë kuptim përdoret dhe në të folmen e përditshme; nuk dihet pse.
Skualifikimi që i bëhet kësaj letërsie (po e quaj letërsi, e di, në mënyrë bujare) për shkak të alfabetit arab duket se është një pesë me hiç. E ç’hyn alfabeti këtu? Pse duhet të hyjë? Ne po flasim për gjuhën shqipe të dokumentuar në kohë të hershme, dhe në këtë diskutim, alfabeti arab është i barazvlefshëm me alfabetet latin e grek, në të cilin është shkruar shqip, gjithashtu. Lidhur me arsyet e tjera, mbi të cilat ngrihet një si përbuzje a injorim i bejtexhinjve, ngjan se ka teprime, gjë që është bërë shkak që “tok me të thatin, të digjet dhe i njomi”. Është e vërtetë, që disa bejtexhinj vjershat janë belbëzime të kota poetike dhe gjuha është tejmase e rënduar me fjalë e shprehje arabo-turke, aq sa është shqipja që të duket si një gjuhë furacake në atë ligjërim. Vargje të tilla, si “Imam Hysenin ndash me pa/shpirtat tonë n’arshialla/la i lahe illallah/ja Hyseni Kerbela”, ose “Qeramete shumë/i derdhe si kunmë/se s’ka xhilve shumë/je Rum Serveri”, ose “Lam xhemalin hem xhelalin/me punë ikrar kush t’i bon/bohet prezi përej all-llahit/me tegjel-li qysh ti bon”, ose “Kalemi s’e bën isharet/veç kush e pa këtë hiqmet/ky shenllëk veç në xhenet/në u bëftë o jarane”, etj, etj, vargje të tilla pra të duken absolutisht si të huaja e të largëta.
Por autorët e këtyre vjershave janë më të parëndësishmit ndër bejtexhinjtë. Autorët e mirë, sidomos Muhamet Kyçyku, Baba Meleq Shembërdhenji, e ndonjë tjetër, shkruajnë pikërisht në shqip. Vargjet e tyre nuk kanë ndoshta ojna stilistike, ose mund t’i kenë këto të llojit démodé oriental, por janë me një shqipe të qëruar. Në poemën Ervehëja, Kyçyku duket se e ka pasur për qëllim të mos përdorë asnjë fjalë të huaj, dhe eksperimenti i ka dalë me sukses. Përveç emrit Ervehë, çdo gjë tjetër është, si të thuash, burimore shqiptare. Dhe në të ka strofa e vargje që të bëjnë përshtypje, si “Në qafë si gur mulliri/të m’i gjendesh natë e ditë”, ose “E vëllai në tjatra anë/si i la vëllaj shëndenë/vuri festen më nj’anë/erdh e gjeti Ervehënë”, ose “Dhe syzh çurkë i rodhën lottë/zemrët valë ngashërime/fjalë tjatrë dot më s’thotë/për veç: Ervehëja ime”, etj. Tek autorë të tjerë, vargu është më i zhdërvjellët, dhe vetë vjershat vërtiten mbi motive që s’kanë të bëjnë me kokëçarje të mëdha të kësaj bote.
Nga pena e një farë Ibrahim Nezimi kanë dalë vargje që sot mund të na ngjajnë me metafora të lodhura e të stërpërdorura, apo të dala nga një trashëgimi e rëndomtë orale, por që atëbotë kanë qenë me siguri gjetje të rralla poetike, si “qajnë gurë, qajnë drurë”, ose “Ç’kanë thënë, dot së këndon”, ose “si nusetë u stolisnë/bilibilat u shastisnë”, ose “Përmbi lulet trandafil/mbret që nuk ka shoq”, ose “[ajo gjëmë] s’është bërë, as bënetë/lum ata që s’panë”. Ndërsa Hasan Zyko Kamberi, të cilin e kemi studiuar në shkollë, ka bërë edhe vargje të tilla, si “S’njohla rrobat që vesha/s’dita kush më desh e kë desha”, ose “Ç’më bëre me këtë hall/më mirë vdekur se gjall”. Në ndonjë rast e lëshon fantazinë. Në vjershën me titull Babti im, me termin ‘bahti’ ka pagëzuar rroçkën e vet, që nuk i bindet më prej pleqërisë. Dhe përpiqet të dialogojë me të: “A mos t’është zënë mesi/mos të ka zënë përdhesi/mos të është gremisur thesi/që s’punon, mor bahti im?” Në vjershën që u kushton vejushave të fshatit, u qan hallin në mënyrën e tij këtyre të fundit: “Kur i vdes e ri pa burrë/ato s’gëzonenë kurrë/ndizen e digjen furrë…/… ditë e natë thërrasin ah!/ç’është ky hall mbi gratë e va?”, por i qan hallin dhe vetes: “Çuditem vallë qysh s’pëlcas”. Ndërsa në një rast i këndon gjuhëzgjidhur jetës së vet të shthurur: “S’dita ç’hëngra e ç’piva…/…s’njoha gruan që qiva”.
Disa vjersha janë edhe me natyrë e motive patriotike, gjë që është thënë me gjysmë zëri nga studiuesit tanë të historisë së letërsisë. Baba Meleq Shembërdenji, një bejtexhi i vonë, bektashi, u bën apel shqiptarëve të ngrihen: “Çika çika të më prejnë/s’më dhëmb shpirti as thërrime/ndonjë turp mua s’më gjejnë/vdes për mëmëdheun time”. Ndërsa një bejtexheshë, grua gjirokastrite me emrin Nasibe, u sulet grekëve (është fundi i shekullit XIX), dhe e bën këtë me një gjuhë dissolute. Por shtëpia botuese Eugen, që ka nxjerrë në treg botimin Poezia e bejtexhinjve, e kapur nga një dell i çuditshëm namusi, i ka dhënë të drejtë vetes ta censurojë Nasiben në atë shpërthim që është unikal në historinë e grave të Shqipërisë. Asnjëra prej tyre, në asnjë kohë, nuk e ka çuar në mendje të jetë kaq gojëlëshuar faqe botës. Por çfarë ka thënë Nasibëja? Saktësisht nuk e dimë, pasi Shtëpia Botuese na e ka hequr të drejtën ta dimë, por mund ta marrim me mend në ndjekje të rimës. Madje, unë po rrekem ta plotësoj boshin e lënë nga shtëpia botuese “Nun, nuk e kishe parë/O Jorgo, o kokë e karit/e po s’kishe dëgjuar/dufekn’e shqipëtarit”. Jorgo atë mot ishte mbret i Greqisë. Ishte i famshmi King George. Danez.
Në fund dua të ritheksoj, se bejtexhinjtë nuk është e thënë të jenë më të mirë (letrarisht) se ç’i bëjnë, por nuk ka pse të injorohen a përbuzen për shkak të alfabetit. Arab. Ashtu si zotërinjtë e famshëm ‘B’ nuk kanë pse që, në diskutimin mbi dokumentimin e shqipes, të mbahen me hatër po për shkak të alfabetit. Latin.
Zotërinjtë ‘B’ ishin njerëz të fesë; por ishin dhe shqiptarë, ama
Sipas meje, siç u hahet haku bejtexhinjve për shkak të alfabetit, u hahet haku dhe Buzukut, Bardhit, Budit, Bogdanit për shkak të ngjyrimit fetar, rrjedhimisht pak patriotik, që ka vepra e tyre. Çabej është ndër të parët që nënvizon faktin se veprat e tyre janë shkruar, ose përkthyer, nën motivime fetare. Ideja e tij është që veprat në fjalë, përkthime apo jo, duke qenë me përmbajtje fetare, kanë pasur për qëllim jo përhapjen e një ideje kombëtare (!!), as promovimin e gjuhës shqipe, por ndjelljen e grigjës së besimtarëve, gjë që mund të bëhej më lehtë duke ua shkruar lutjet e psalmet në gjuhën e tyre. Krahas tij është dhe albanologu e balkanologu shqiptar, Stavro Skëndi, që duket sikur është konsultuar me Çabejn, teksa thotë se shkrimet e para në gjuhën shqipe “… kanë qenë më të shumta në veri, ku kleri katolik, duke përdorur gjuhën amtare, është përpjekur të përmirësojë moralisht e mendërisht ndjekësit e fesë së tyre, në mënyrë që ata të mos dorëzoheshin e të ktheheshin në fenë myslimane”. Këtë gjë e thotë qartazi dhe Nathalie Clayer në librin e saj Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: “Qëllimi i këtyre autorëve ishte të lehtësohej familjarizimi me doktrinën e krishterë”, gjë që do t’u shërbente në radhë të parë “priftërinjve lokalë që nuk e zotëronin në mënyrë të mjaftueshme gjuhën latine”. Dhe pak më poshtë: “Këto libra [mesharë, katekizma, përkthime pjesësh të nxjerra nga Biblia, etj] qarkullonin vetëm në mjediset e klerit, dhe ndoshta edhe në mesin e disa tregtarëve katolikë nga veriu i Shqipërisë, nga Kosova e nga Maqedonia. Ta vlerësosh këtë letërsi si pjesë të prodhimtarisë me ide të shqiptarizmit, siç bëhet shpesh, do të thotë të biesh në anakronizëm”.
Në fakt, kjo fraza e fundit e Nathalie Clayer-it hap pak diskutim. Është e vërtetë që këta autorë nuk shpallin ide të shqiptarizmit, por asnjërit prej tyre nuk mund t’i mohohet se ka një vetëdijë të caktuar shqiptare. Gjon Buzuku shprehet në Mesharin e famshëm të vitit 1555, se (frazat i kam marrë nga At Paulin Margjokaj, në librin Kush janë armiqtë e Shqipnisë?) “…un, Gjon Buzuku, tue mos gjetë në shkrimet e shenjta kurrgjë në gjuhë time, e i shtym nga dashunija për atdhe timin ….”; ose më poshtë: “Po pat vepra ime mungesa, mos të çuditet lexuesi, pse kjo asht e para herë që po rahen probleme kaq të vështira në gjuhën tonë”. Ndërsa Pjetër Budi shprehet në faqet e mbrame të Doktrinës së krishterë (gjithnjë sipas Paulin Margjokajt, që i referohet Zef Skiroti), se “…Zoti nuk i dëgjon uratat e atyne qi luten në gjuhë të huej, përpa kuptue vështrimin e fjalëve që thotë”. Apo në një rast tjetër, ku ai thotë: “Shqipnija është një vend shumë i frytshëm, i pajisun me gjithëçka lypet për jetesë; ka një klimë të butë e të shëndoshë si çmos kurrkund mbi këtë botë, saqi njerzit këtu i kapin e shumta 90 e 100 vjetët. E bukur dhe e kandshme asht toka shqiptare: fryte gjithënduerësh rriten mbë te … Shkurt, si përmbrenda si dhe në bregun e vet të danë Shqipnija si një parriz tokë”.
Frano Bardhi, në parathënien e Fjalorit të vet latinisht-shqip, është shprehur – këtu po sjell një citim që atij ia bën Ardian Vehbiu – se ai “ka për synim të mbrojë gjuhën amtare ‘qi po ndotetë e po bastardhohetë’”. Por Eqrem Çabej nuk i sheh, megjithatë, veprat e zotërinjve ‘B’ si vepra arti. Ai e ka me qejf të nënvizojë se “…i pari që, duke mbetur në sferën religjioze, krijoi një vepër [të mirëfilltë] arti në letërsinë shqipe, është Jul Variboba”. Variboba është poet arbëresh i shekullit XVIII.
PARANTEZA NR.12: KONICA E KA KOT QË U DERDHET ARBËRESHËVE; ATA ‘SHPIKËN’ SHQIPËRINË
Faik Konica, toskë e shkuar toskës, e pa njëherë të udhës të bënte një shkrim kritik ndaj Girolamo de Radës (Jeronim de Radës), që në momentin e publikimit të shkrimit o kishte vdekur, o ishte duke vdekur. Që të jem i sinqertë, thoshte Faiku në atë artikull, “… vlera e librave [të De Radës] s’më duket aq e madhe; gjuha e tij është shqip vetëm nga rrënja e fjalëve; po këto fjalë janë aq të ndryshuara nën pendë të tij, e aq ligsh të lidhura, sa merren vesh me të vështirë, a s’merren vesh fare”. Dhe pse e gjitha kjo?, pyeste. Sepse “s’vajti kurrë në Shqipëri, që ta kishte ndrequr gjuhën; një udhëtim gjashtëmujor do t’i mjaftonte”. Por ai s’e bëri – dhe këtu Konica flet në mënyrë ironike – “nga vobekësia”.
Ernest Koliqi, shumë vite më vonë, duket se nuk ka qenë dakord me këtë përpjekje të Konicës për të kërkuar qime në vezë, e prandaj nuk ia merr hiç për të madhe De Radës që nuk vuri këmbë qoftë dhe njëherë të vetme në dheun e të parëve. Ai, duke u sforcuar jo pak, e përligj faktin që “… njohuritë gjeografike e historike [të De Radës] për Atdheun e tij [ishin marrë thjesht e vetëm] nga librat e kohës, [e që për këtë arsye] nuk shquheshin për gjerësi a saktësi; ishin të vagullta”. “Mund të hamendësojmë që në një moment të parë”, vijon ai, “[De Rada] fort pak i binte në mend të thellonte njohuritë mbi vendin nga vinin të parët e vet, [ngaqë] ai e vinte theksin tek shpirti i kombit”. Më vonë, kur njohuritë i zgjeroi edhe falë letërkëmbimit e komunikimit me patriotë shqiptarë, nuk e ndjeu prapëseprapë nevojën e kontakteve të drejtëpërdrejta fizike me Shqipërinë, ngaqë “… poezia e tij mbetet e zhytur në një avull ëndrrash fantastike ku nuk i vihet pikë rëndësie saktësisë së të dhënave historike e gjeografike”. Ai, përfundon Koliqi, fliste për Shqipërinë ideale, më saktë të idealizuar, të shekullit XIV (me oborret e vogla të princërve shqiptarë, me sinjori të vogla, me kështjellat ku dëfreheshin këngëtarët, mbushur me dama e kavalierë, shërbëtorë e pazhë, manastire të gjera), ndërsa ajo e kohës së tij, që duhej të lirohej nga skllavëria aziatike, nuk kishte pse t’i interesonte.
Në kërkim të “autorit hyjnor”: Në fillim ishte Fishta, ndërsa sot është Kadaré
Diskutimi mbi dialektet bëhet disi interesant pak më pas, në fillimet e Rilindjes Kombëtare kur, siç shprehet Çabej, “… kësaj gjuhe liturgjike e me përdorim ekskluziv iu hap një fushë e re: ajo u bë shprehja e një populli, u bë një gjuhë kombëtare”. Dhe saktëson: “… Zhvillimi që ka bërë gjuha shqipe që nga Lidhja e Prizrenit e këtej … është më i madh nga zhvillimi që mund të ketë bërë ajo në tre shekujt që nga Buzuku (1555) e gjer në kohën e Hahn-it (1854). Në pamje të parë e me një lexim të kërkuar të këtij nënvizimi të Çabejt, kjo periudhë, “periudha pas Hahn-it” pra, do të mund ta lehtësonte diskutimin e do të mund t’i shkoqiste e t’i nxirrte në pah ca epërsi të njërit dialekt apo të tjetrit. Por nuk ka ndodhur kështu, të paktën deri në kohën që Çabej e thotë këtë gjë (1962). Të dyja dialektet kishin një traditë të gjatë e të pandërprerë të lëvrimit; Toskërishtja e kësaj periudhe ka filluar pak më herët, e ka pasur një zhvillim më ekstensiv, por gegërishtja letrare u shfaq më e njësuar (gegërishtja në këtë rast ishte thjesht shkodranishtja) e ndoshta më e xixëlluese.
Ndërsa sot, duke pasur si kriter traditën, as që mund të flitet më për një “garë” midis gegërishtes që prej dekadash ka gjalluar më së shumti në versionin urban dhe toskërishtes që, e fshehur prapa standardit, ka qenë gjuha e vetme e kulturës sonë kombëtare. Vetëm gazetat, revistat, radiot e televizionet (që transmetojnë 24 orë pa pushim) e dhjetë viteve të fundit, për nga volumi, për nga shtrirja kapilar në territor, e për nga impakti mbi popullsinë, kanë peshë në terma të traditës së përdorimit të shqipes më shumë sesa gjithë shtypi shqiptar i para viteve ’90 të shekullit XX (duke filluar me gazetën e parë shqipe, që sipas Nathalie Clayer-it është Pelasgos, e Anastas Bykut, që doli në Lamia të Greqisë, më 1860, dhe që sipas Nuray Bozbora-s është gazeta me emrin L’Albanese d’Ytalia, e publikuar në Napoli në vitin 1848). Edhe sikur ta zhvendosnim “garën” në lëmin e letërsisë, është vepra e Ismail Kadaresë, që ka prishur rendin e gjërave. Dhe duhet thënë se prania e një autori të fortë, që dallon mbi të tjerët, përveçse u ka shërbyer të tjerëve si një deus ex machina për të adoptuar e njësuar gjuhët e tyre letrare, ka qenë edhe një gjë që shqiptarët ia uronin njëri-tjetrit e që të huajt, që ndiqnin me interes lindjen dhe zhvillimin e Rilindjes së shqiptarëve, e shihnin si një rrethanë që do ta lehtësonte zgjedhjen e nesërme të gjuhës së përbashkët. “Shqipëria po pret të dalë një autor që ta kristalizojë [një mënyrë të përbashkët të të shkruarit]”, thoshte Edith Durham-i qysh në vitin 1905.
Shkodranët qenë të sigurt një copë herë se fati ua kishte sjellë këtë autor shqiptarëve, dhe se ai ishte Gjergj Fishta. Nuk do të ishte çudi që ky i fundit, kur u ngrit kundër idesë së gjuhës së njësuar letrare si një përzierje dialektesh dhe kur mbrojti idenë se duhet të zgjidhej “nji ndër dijekte të Shqypnis qi mund të kishte ndo’i leteratyrë të vetën”, të ketë pasur në mendje leteratyrën shkodrane me vetë Fishtën në krye, për të cilin kishin filluar të bëheshin lëvdata e të jepeshin përcaktime si “poeti kombëtar”, “Homeri i Shqiptarëve”, “profet i Kombit”. Ndoshta jo më kot, në po të njëjtin shkrim, ai përmend modelin italian dhe “poetin hyjnor” Dante Alighieri, dhe kushedi, në këtë rast mund të ketë qenë i nanurisur nga shpresa se të tjerët do ta kishin të hazërtë paralelen mes poetit të famshëm fiorentin e atij vetë.
Dhe kështu ka qenë. Duhet të kenë qenë të shumtë ata që e kanë menduar këtë gjë. Por ngjarjet rrodhën në një mënyrë që nuk e favorizuan këtë version që, në mos ka qenë ëndërr e vetë Fishtës, ka qenë me siguri dëshirë e shumë gegëve. E toskët nuk do të kishin se ç’të thoshin. Sot janë të shumtë shqiptarët, toskë e gegë, që janë të sigurt se autori “hyjnor” është gjetur: është autori më i lexuar në historinë e letërsisë shqipe, ka një penë me të vërtetë nazike, i ka dhënë shqipes nam e prestigj, barazohet me më të mirët e botës e njihet në të katër anët e saj. Është Ismail Kadare. Shkruan në shqipen e njësuar letrare, e cila ka dyzet vjet që përdoret këtyre anëve.
Pipa versus Vehbiu: cila është shqipja “më e epërme”, standardi apo gegërishtja letrare?
Një argument tjetër që ngrihet nga kundërshtarët e standardit ka të bëjë me një epërsi (ontologjike?) të gegërishtes në raport me toskërishten, për rrjedhojë me standardin. Dhe kjo epërsi, sipas tyre, vjen prej paskajores, prej rotacizmit të munguar dhe prej pasurisë leksikore. Është e vërtetë kjo epërsi? Ardian Vehbiu e relativizon, në fakt, e shpjegon epërsinë leksikore me “segmentimin e komuniteteve gege dhe me mungesën e kontakteve midis të folmeve [në arealin gegë]”. Ndërsa në anën tjetër, “…ekspozimi më i madh i Toskërisë ndaj ndikimit të kulturave të tjera … mund të na ndriçojnë sadopak për arsyet e depërtimit të shumë fjalëve të huaja … në dialektet toskë”. Por ka folur dhe Çabej përpara tij për këtë gjë në Hyrjen në historinë e gjuhës shqipe, në kapitullin e fundit mbi dialektet.
Përveç kësaj, vijon Vehbiu, shqipja standarde, “…për nga vetë mënyra sesi u përftua, ishte përfshirëse, jo përjashtuese, e hapur për t’u pasuruar më tej me fjalë dhe me forma, mjete e struktura fjalëformuese”. Sa për paskajoren, Vehbiu lë të kuptohet, pa e thënë në fakt, që këtë epërsi ia njeh gegërishtes, por argumentin e quan, megjithatë, disi sipërfaqësor. Dhe thotë: “standardi mbështetet në toskërishte, që paskajoren nuk e ka … [e që në vend të saj përdor] mjete të tjera”. Përsa i takon rotacizmit të standardit të marrë nga toskërishtja, këtu nuk duket se “ndeshja” nxjerr fitues. Njëra palë thotë se “toskërishtja ka rotacizëm”, e pala tjetër pyet: e pastaj? Me këtë reagim synohet të thuhet se pohimi “toskërishtja ka rotacizëm” është i njëvlefshëm me pohimin “gegërishtja nuk ka rotacizëm”. Shkurt, rotacizmi nuk është ves i një gjuhe; është thjesht veti.
Vehbiu i mban këto qëndrime duke polemizuar me Arshi Pipën, i cili e sheh paskajoren si një element sipëranie të gegërishtes ndaj toskërishtes. Në librin e tij mbi Politikën e gjuhës në Shqipërinë socialiste, Pipa shprehet se “… paskajorja toske e formueme me fjalëzat për të plus pjesoren e shkueme të foljes bazë nuk asht e njajta me paskajoren gege që formohet prej me plus pjesoren e shkueme”. Dhe vijon: “… paskajorja gege përkon me infinitivin e anglishtes; shprehja toske me të njajtin emën nuk përkon”. Ndërsa më poshtë flet për “rrjedhoja stilistikore” të kësaj epërsie, duke sjellë për ilustrim didaskalik çastin e ndërhyrjes emblematike të Hamletit, të cilit Shakespeare-i i vë në gojë frazën e njohur “To be or not to be, that is the question”, që Noli e shqipëroi në “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja”, ndërsa vetë Pipa bën një sprovë shqipërimi në gegërisht: “Me qenë a mos me qenë, kjo asht pik’pyetja”. Dhe është i sigurt se “vargu [i tij] gegë … zotnon një shkallë më të pasun vokalike”.
Shkumbini gjuhësor është ngjitur sipër në Morinë, por …
Këto dyzet vjet të përdorimit të standardit kanë bërë nga Shkumbini gjuhësor të zhvendoset sipër; madje, duke përjashtuar disa “enklava” tepër të papërfillshme në pikëpamje sasiore e numerike, dhe në një farë mase Shkodrën, ku problemi mund të interpretohet taktikisht si “topitje gjuhësore prej standardit”, por sipas shumë gjasash është një “problem dinjiteti e prestigji”, Shkumbini gjuhësor është ngjitur në Morinë. E prandaj, sipas meje, i vetmi problem këtejpari mbetet rivënia në vend e dinjitetit të shkodranishtes letrare apo integrimi i saj, aq sa është e mundur, nëse është e mundur, e nëse është kjo gjëja që kërkohet në shqipen standarde.
Mund të thuhet pa frikë se disa treva fiziologjikisht shumë afër standardit e historikisht e kulturalisht shumë të bujshme, nuk kanë mundur të nxjerrin në asnjë kohë autorë finë të sojit të Rudolf Markut, Ndoc Gjetjes, e Preç Zogajt, të cilët kanë ardhur që të tre nga Lezha gege e të cilët kanë shkruar e shkruajnë në shqipen standarde. Por ka dhe plot të tjerë, e nuk është fjala për emra që mund të stisen nga dëshira e mirë për të ilustruar me pahir një pajtueshmëri të plotë të gegëve me standardin e shqipes; përkundrazi, është fjala për emra që kanë hyrë me plot merite e në mënyrë arrogante në botën e letrave të shqipes standarde, si Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Besnik Mustafaj, Zija Çela, Mimoza Ahmeti, etj, etj.
Në muajin korrik të vitit 2013, në shtypin shqiptar u zhvillua një polemikë e fortë mes gjuhëtarit Rami Memushaj nga njëra anë e dy klerikëve të fesë katolike, Gjergj Metës e Marian Palokës, e sociologut Albert P. Nikolla nga ana tjetër. Këta tre të fundit nuk kanë ndonjë dashuri për shqipen standarde. Por ata dinë të shkruajnë mirë në standard. I pari e i treti e bëjnë shpesh në faqet e shtypit, ndërsa i dyti, një famullitar në një dioqezë të Firences, e bëri për herë të parë, me dy a tre artikuj, në këtë rrethanë polemike, ku argument, përveç gjuhës e standardit, u bë dhe feja katolike. Dhe Marian Paloka lëviz në terrenin e gjuhës letrare shqipe me po atë zhdërvjelltësi e zell lodërta që atij i vihet re, sa herë që për një gjetje, trill a tërheqje prej origjine, shkruan në gegërisht. Shkrimin e fundit të tij e kishte bërë në dy kohë, në kohën e parë — gegërisht, dhe në kohën e dytë — standard. Ai ndoshta e ka bërë këtë gjetje kompozicionale për t’u treguar të tjerëve se ekziston, pavarësisht e përtej dëshirës së mirë që ai ka për ta respektuar standardin, një diferencë mes gegërishtes së tij elegante dhe standardit të tij dosido, por ajo që ai demonstroi ishte tjetër gjë: ai shkruante si në gegërisht, ashtu dhe në standard, con la stessa dimestichezza. Ai na mbuste mendjen, pa e pasur si synim, e ndoshta për inat të tij, se standardi është gjithashtu elegant. Dhe Marian Paloka është lezhjan.
Shqipja standarde është problemi për kosovarët? Apo është zgjidhja e problemit?
Në Republikën e Shqipërisë, mbi Shkumbin, nuk duket pra se ka ndonjë plagështi gjuhësore që ka për burim standardin, apo thënë me fjalë të tjera më të forta, nuk ka ndonjë “problem papajtueshmërie” mes gegëve e standardit me bazë toskërishten, gjë që nuk mund të thuhet me siguri kur është fjala për shqiptarët e Kosovës. Me këta të fundit, ngaqë kanë qenë të ndarë për një kohë të gjatë prej nesh nga perdja e hekurt e kufirit, e ngaqë kanë fqinjëruar për një kohë të gjatë me praktika, norma, kanone e struktura gjuhësore të ndryshme, siç janë ato të serbo-kroatishtes, ndryshon disi puna.
Sigurisht, edhe këta kanë tashmë një traditë të përdorimit të standardit, por kjo traditë është krijuar e zhvilluar përjashtimisht në lëmin e kulturës e të artit të kultivuar, e në përgjithësi ka pasur të bëjë me elitën politiko-kulturore-mediatike në Kosovë, duke mos ngjitur dot poshtë, në terren, në bazë. Arshi Pipa ka qenë me idenë se edhe me elitën punët nuk janë më mirë se në terren. Kosovarët, shprehet ai në librin e tij Stalinizmi shqiptar, flasin një shqipe “me tipare të veçanta fonetike që nuk gjenden [as] në dialektet e tjera të gegërishtes”, e për këtë shkak ai thotë po aty se shqipja standarde “nuk u shkon për shtat”. Madje, në librin tjetër të tij me titull Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste, ai e dramatizon ca më shumë situatën. Dhe thotë: “Ajo çka kosovarët shkruajnë sot nuk asht shqipja e njësuar letrare, por [asht] një shqipe as toske, as gege, një lloj mishmashi formash ligjërimi të kosovarishes së përzierne me klishe të marra hua prej shqipes zyrtare, si dhe prej serbo-kroatishtes. Me lexue gazetat kosovare, ndeshësh me fjali që kanë sintaksë të pasaktë e që nuk nxjerrin kuptim, shkrimet e tyre studimore janë të tmerrshme e fjalamane, kurse poemat janë më të ulta se ato të shkruemet në kosovarçe.” Nuk di që ndonjë kosovar t’i ketë dhënë përgjigje Pipës, dhe ky fakt është pak sugjestiv. E kanë injoruar si zevzek? Apo s’kanë ç’t’i thonë, ngaqë ka të drejtë?
Primo Shllaku, në një polemikë me përkthyesin Shpëtim Çuçka, shpreh habinë se si ky i fundit “… nuk shqetësohet kur një kosovari bukur të shkolluar e me prestigj intelektual i duhet të mbajë një patkua kali në gojë që të shqiptojë disi standardin që i është imponuar”. Madje, sipas tij, edhe “… akademik Rexhep Qosja i gërmëzon i pasigurtë fjalët para kamerave a thuë se po flet një gjuhë të huaj që e di sapak”.
Ernest Koliqi, shumë vite përpara Arshi Pipës e Primo Shllakut, menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, në një studim të tijin mbi poezinë kosovare, thotë se “… mund të merret me mend sesa vështirësi kanë poetët kosovarë të shprehen mirë në një të folme shumë larg, si fonetikisht, ashtu dhe në strukturën e brendshme, prej të folmes së tyre”. Mirëpo, e vërteta është se asnjë nga poetët e njohur kosovarë, as Esat Mekuli, për të cilin Koliqi flet në atë studim, dhe as ndonjë intelektual tjetër nga elita kulturore (politike, po se po) e Prishtinës nuk e kanë ushqyer këtë tezë të papajtueshmërisë së kosovarëve me gjuhën standarde. Pas luftës, që u finalizua me krijimin e shtetit të Kosovës, janë shtuar e ngritur zërat që e nxjerrin në pah dhe e theksojnë këtë topitje gjuhësore të kosovarëve (për shkak të standardit), por elita sunduese atje është monolitike në këtë pikë, dhe nuk kuptohet mirë nëse është ideja, dhe perspektiva, e unitetit kombëtar që i bën të mos e shohin këtë topitje gjuhësore, apo është fakti që kjo topitje e pretenduar është për ta një sendërgjë e “ideologëve të shpërbërjes së kombit”, siç i quan Rexhep Qosja.
“Unë flas edhe shqip, edhe anglisht”, më tha një kosovar, me të cilin u poqa rastësisht në Durrës nja dhjetë e kusur vite më parë. Me shqip nënkuptonte standardin. “Të dyja gjuhët, edhe shqipen standarde, edhe anglishten, i kam mësuar vonë”, vijoi idenë e vet kosovari që banonte diku në Europën veriore. “A e din çfarë?”, më pyeti pastaj në kosovarçe, dhe po kërkonte me ngulm vështrimin tim. Kur unë ia dhashë, ai tha dy fraza që mua më goditën: “Unë ndjej më të afërt anglishten sesa standardin tuaj. Ky i fundit nuk më duket si gjuha ime”.
Aktorët e programit satirik Portokalli, Top-channel, e kanë interpretuar në mënyrën e tyre këtë problem, në disa versione. Fabula është e njëjtë, sidoqoftë: “Një kosovar, me emrin Atdhe, është i lumtur që ka rast të takohet e të flasë me vëllezërit e tij në Tiranë e në Shqipëri, por heq shumë për t’u marrë vesh. Në çdo dy batuta të shkëmbyera mes tij e tironsave në skeç-et televizive të mbrëmjeve të së dielës ka se s’bën një ngatërresë me natyrë leksikore apo sintaksore.” Dhe publiku, edhe ngaqë sheh t’i përputhet perceptimi i vet me gjetjet satirike, shkrihet gazit.
Komiku i njohur Agron Llakaj, njëherë e një kohë strumbullari i Portokallisë, më ka rrëfyer në studion e programit tim televiziv Dejë Vu një përvojë të vetën në këtë drejtim. “Një ditë prej ditësh, pas luftës në Kosovë, më marrin në telefon nga Prishtina”, më tha Llakaj. “Ishte drejtori i hotelit Grand, dhe më bëri një ftesë. Donte që unë të merrja pjesë në një koncert me rastin e Vitit të Ri. ‘Kosovarët e shijojnë humorin tuaj’, më tha, ‘dhe do të ishte një befasë e bukur që t’ju kishim në Prishtinë’. Rashë dakord. Nuk kisha qenë asnjëherë në Kosovë, dhe e pashë këtë si një rast për të bërë vizitën e parë atje. Mirëpo nuk ia vlejti në pikëpamje profesionale e artistike. Ishte një dështim i plotë. Ishte hera e parë që e pashë veten të dështuar si komik. Unë interpretoja dhe bëja imitimet në skenë, dhe përballë meje ishte një sallë e mbushur plot njerëz që nuk reagonte. Ndejta për minuta të tëra në skenë, duke bërë atë që di të bëj gjithmonë, në pritje të të qeshurave të publikut, me të cilat isha mësuar e pa të cilat nuk bëja dot. Por ishte e kotë. Në gjithë atë sallë ishte veç njëri që qeshte me të madhe. Të tjerët rrinin seriozë, si të ishin në një simpozium akademik. ‘Kush është ai që qesh me të madhe?’, pyeta dikë prapa perdes, me të mbaruar pjesën time. ‘Duhet të jetë nga Gjakova. Gjakovarët të kanë shumë qejf si komik’, ishte përgjigja që mora. Në fund të koncertit, zbrita poshtë, në parterre, dhe iu afrova ‘atij që ishte ngushëllimi im i vetëm atë mbrëmje’. ‘Ç’kemi?’, i thashë. ‘Ç’thotë Gjakova?’ ‘Çfarë Gjakove?’, më pyeti, pasi më dha dorën e më përshëndeti me mirësjellje. “Ah, ti nuk je nga Gjakova?” Jo!” Po nga je?” Unë jam nga Fushë-Kruja”. Dhe këtu Llakaj e mbylli rrëfimin e tij mes të qeshurave të spektatorëve që ishin në studion time. Dhe mes të qeshurave të mija, natyrisht.
Më kujtohet që në një studio televizive të Prishtinës, ku po flitej për identitetin kosovar e shqiptar, në fund e morën fjalën disa studentë. Ata u ftuan nga drejtuesi i programit të thoshin të vetën, apo të bënin ndonjë pyetje. Duke qenë se ishim në një mjedis publik (nuk ka mjedis më publik sesa një studio), studentët, si shumë kosovarë të tjerë në rrethana të ngjashme, ishin të kapur nga nervi patriotik e donin të jepnin prova se ishin në gjendje t’i iknin zhargonit lokal të të folmes, mirëpo nuk po ia dilnin dot ashtu si do të donin, derisa Migjen Kelmendi që ishte në studio me mua, në siklet prej asaj situate dhe plot keqardhje për ata studentë që s’po qullosnin gjë në shqipen standarde, bëri ndërhyrjen shpëtimtare: “Flitni ashtu si dini me fol, pash nderin! Mos e torturoni veten kështu! Lëreni atë dreq standardi për këta që duan, e që mundin, me e fol. Ju flitni gjuhën tuaj!” Studentët u shkriftuan, dhe ky inkurajim i nxori nga kthetrat e mundimit të “patriotizmit televiziv e gjuhësor që donin të demonstronin”. Filluan të flitnin në shqipen e tyre, dhe zunë të ndiheshin më mirë. Ndërsa unë nuk hiqja asnjë çikë për t’i kuptuar e ndjekur, si për të përgënjeshtruar Ami Boué-n, i cili ka shkruar në librin Turqia europiane se “…toskët e çamët heqin ca për të kuptuar mirditorët e malësorët, ndërsa këta të fundit e kanë shumë më të lehtë për t’i kuptuar epirotët”.
Kjo që thotë Ami Boué është përsëritur më pas nga Edith Durham-i, e cila, kur flet për dy dialektet tona, e ilustron idenë e vet të ndryshimit mes tyre me faktin, që “…një njeri nga Korça e gjen të vështirë të kuptojë një shkodran po aq sa edhe një cockney dialektin e gjerë të njërit nga Yorkshire-i”. Një provë për këtë jep dhe Lazër Shantoja. Gjatë një vizite që ky i fundit bën për herë të parë në Korçë, në Korçën që atë e befason me “shetitorët e gjana, me rrugët e rrugicat e drejta, me shtëpitë e bukura si vila, me përmendore e lulishte, me një pastërti të pakrahasueshme në tërë Shqipërinë” (në të njëjtat shënime thotë se “Elbasani kishte mbetur si kishte lindur, një qytet turk”, duke përqeshur dhe atë poetin tepër optimist që i kishte kushtuar me kohë këtij qyteti vargjet e famshme, që s’kishin lidhje fare me realitetin: Elbasan, qytet i bukur/në kërthiz’të Shqipërisë), gjatë vizitës në Korçë pra, intelektualit shkodran i qëllon të bëjë “një zbulim t’interesantshëm”. Atij iu desh një ditë të shkonte me pamur Motrat Stigmatine, dhe e përcillte një çupë korçare që, ngaqë kishte dëgjuar të flitej për Motrat, e pyet: A i keni motra? “Jo, nuk i kam motra, por kështu i quajmë ne”, ia ktheu Shantoja, duke u përpjekur ta sqaronte, me aq sa mundi, se bëhej fjalë për murgeshat e Kongregacionit kristian me të njëjtin emër. Dhe këtë episod, që nxjerr në shesh padijen argëtuese të kësaj vajze korçare, ai e tregon, sipas shumë gjasash, si “hakmarrje” për episodin që vjen më pas. “Po prej nga jeni ju?”, e pyet korçarka e re. “Prej Shkodre”, i përgjigjet Dom Lazri, që e mbyll rrëfimin me fjalët që ajo vajzë i kishte thënë: “Eh! Prandaj nuk dini të flisni shqip”.
PARANTEZA NR.13: TOSKË, DHE TOSKË, DHE TOSKË PRAPË; DHE NJË GEGË
Një nga emrat e mia është martuar në Durrës, në Rrushkull. Kur isha nxënës në tetëvjeçare e në të mesme, shkoja shpesh tek ajo gjatë verës; madje, mezi prisja të mbyllej viti shkollor, dhe i lutesha sime mëje që të më lejonte të shkoja, e t’më linte atje sa më shumë të ishte e mundur. Më rrihej në Rrushkull, te tezja, ngaqë atje kishin një shtëpi private me pus në oborr, televizori e kapte pa xixa RAI-n, më mirë se TVSH-në, detin e kishin dy hapa larg, kishin një kopsht të madh që i vinte rreth shtëpisë e ku rritej shalqini, trangull e domate (“si lum ti, do hash domate kofshët”, më thoshte para se të nisesha gjyshja nga ana e tim eti; “kofshët”, thoshte ajo, me “f”; kështu e thoshte dhe gjyshja tjetër nga ana e sime mëje, që rrinte në Kajcë të Përmetit; që të dyja gra toske; “ishin më shumë toske, sesa gra”, ia pat ime motër, e madhja, teksa ishim duke folur dy-tre vjet më parë për to e teksa ajo donte të nxirrte në pah përmasën e tyre të fortë ‘etnike’), dhe burri i sime emte ishte një njeri zemërgjerë, gojëmbarë, i palodhur e i gjendshëm; çohej vrik në këmbë për çdo nevojë tekanjoze të atyre që i kishin bujtur në shtëpi, qofshin këta dhe fëmijë; mua më qeshej gjithnjë në këto rrethana.
Të vetmet çaste të palumtura në atë rrethanë ishin ato, kur burrit të tezes ia jepte në kokë të çaprastiste me mua. Sikur të mos ishte mjaft dialekti, një gegërishte e afërt me zhargonin urban të Durrësit, por më e rëndë e më e papërpunuar, ai fliste turravrapthi dhe i hante fjalët, aq sa ndonjëherë mbetesha si tuaf para tij, së pari ngaqë qëllonte që ai ta mbyllte ligjëratën krejt papritur e para kohe, dhe unë, duke qenë se zihesha në befasi, nuk dija si e nga t’ia kapja, për t’ia ushqyer bisedën me ato cungje frazash që më mbërrinin të paqarta në vesh, dhe së dyti ngaqë, si tek të gjithë ata që flasin shpejt e me gjysma fjalësh, intonacioni i tij i zvargur e monoton nuk e dekonspironte formën dëftore, çuditëse apo pyetëse të ligjëratës, e prandaj unë nuk kuptoja nëse ishte duke më pohuar, apo ishte duke më kërkuar, ndonjë gjë. Kur isha i sigurt që po më pohonte, nuk kisha nevojë të përqendrohesha; thjesht shtiresha sikur e kuptoja, e miratoja me ndonjë buzëqeshje, dhe ai vijonte me të vetën. Por isha i sikletosur nga ideja që ai papandehur mund të më bënte ndonjë pyetje, dhe unë, i gënjyer nga intonacioni i tij, në vend të përgjigjes, mund të vijoja t’i jepja buzëqeshje e të qeshura miratimi.
Ai ishte i vetëdijshëm mbi këtë problem që ekzistonte midis tij dhe nesh. Me mua, fëmijë, ai ishte ok, sidoqë të shkonte biseda, por ishte hall më vete kur i duhej të vinte nga ne, në Çorovodë, ose në shtëpinë e prindërve të nuses së tij. Kam qëlluar njëherë në një darkë, në shtëpinë e sime mëje në Kajcë, ku ishin bërë tok, nuk di me ç’rast, dhëndurët e asaj shtëpie, përfshirë tim atë, dhe … burrin e tezes sime nga Rrushkulli, që ishte i vetmi gegë i futur me anë krushqish në klanin tonë, e për këtë ishte i kënaqur edhe ai, edhe të mitë. Unë, tok me vëllanë e me motrat, për ta gegëzuar me pahir klanin, që ashtu si ishte na dukej shumë njëngjyrësh, e kjo na e shpifte, kishim bërë gegë edhe burrin e një halle që ishte nga Ballshi, ngaqë ai kishte punuar ca vite gardian burgu në Burrel, e çunin e hallës së madhe që ishte rritur me ne, në fakt, por që menjëherë pas shkollës së lartë ushtarake, e kishin çuar të punonte ca kohë në Kukës. Vëllai donte të quante gegë dhe një nipin e gjyshes nga ana e tim eti, një topograf, që kishte qenë kushedi për ç’arsye nja dy netë me shërbim në Shkodër, por ne vendosëm të ishim dorërrudhur, e jo shumë të epshëm me kriteret; “ndryshe, i bie të dalim të gjithë gegë”, ia bëri motra e vogël.
Në atë darkë, gjyshi, i zoti i shtëpisë, bënte çmos ta nderonte si mik të veçantë dhëndërin e Rrushkullit, gjë që mirëkuptohej, madje inkurajohej, qoftë nga dhëndurët e tjerë të tij që ishin nga Skrapari e nga Përmeti, qoftë nga djemtë e tij, domethënë dajat e mi. Por situata bëhej gjithë kohën komike. Biseda mes vjehrrit e dhëndërrit ishte e tëra si e vjedhur nga dramat e Ioneskos, e mbushur plot keqkuptime dhe moskuptime, dhe unë mbaj mend që gjyshi gjithë kohën, edhe pse e kishte ngjitur gegën, rrinte pakëz i përkulur në drejtim të tij, a thua se problemi ishte distanca mes të dyve, apo tollovia e bisedës në tryezë që ai bënte t’ia shmangte efektin me dorën e djathtë që e vendoste në formë hinke poshtë veshit pranë gojës së dhëndërrit, e jo shqipja që ai s’e kuptonte. Gjyshi kënaqej pa masë kur kujtonte se merrte vesh se ç’thoshte, por kënaqej dhe ca më shumë kur sigurohej për fare, domethënë kur e merrte vesh që e kishte marrë vesh, dhe ne të tjerët qeshnim. Qeshte dhe ai pas nesh. Ne qeshnim ca më shumë që ai qeshte. Sepse rrallë ndodhte që të qeshte. Më bëhej se më kollaj mund të qante (“nuk e kam parë kurrë të derdhë lotë”, më thoshte ime më), sesa të qeshte.
Si i bëhet? Ka gjithmonë një zgjidhje
Arshi Pipa, e thashë më sipër, ka qenë me idenë e themelimit të një gegërishte të standardizuar, e për rrjedhojë me idenë e shqipes me dy standarde. Po kështu dhe Primo Shllaku. Madje, ky i fundit, në një intervistë të dhënë andej nga mesi i vitit 2013, ka kërkuar edhe kontributin e shtetit dhe mobilizimin e resurseve publike e nacionale në këtë funksion. Ideja është interesante, shumë interesante, por personalisht kam dyshime që më duken goxha të arsyeshme se ky aksion, ndërsa nga njëra anë do të ishte mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën riafirmimit spektakolar të gegërishtes e për t’i gjetur ilaçin topitjes gjuhësore të kosovarëve, nga ana tjetër do të na e rikthente, për ta përjetësuar në terma gjuhësorë, dikotominë gegë/toskë.
Ka një zgjidhje tjetër? Në librin e vet Standard dhe neostandard, Ledi Shamku-Shkreli mbron tezën se standardi nuk është dogmë, e se prandaj mund e duhet të ndryshojë, duke ndjekur vibrimin e lëvizjet e gjuhës në jetën reale, por nuk e ka konkretizuar deri në fund idenë e vet. Ndërsa zgjidhja e Ardian Vehbiut synon thjesht riafirmimin e gegërishtes, por jo në versionin maksimalist, që do të nënkuptonte krijimin e një standardi të dytë të shqipes. “Shkruani në gegërisht, e jo për gegërishten”, u thotë ai të gjithë atyre që e kanë xhan gegërishten. Dhe vijon: “[Gegërishtja letrare] ka nevojë më shumë për shkrimtarë mirëfilli sesa për analistë polemizues… Ajo ka çelur sythe në ‘Java’ e në botime të tjera të ngjashme, [e tani] ka nevojë për romane, tregime, drama, skenarë filmash, komedi televizive, pjesë të teatrit varieté; me fjalë të tjera, ka nevojë për forma nëpërmjet të cilave të jetojë dhe që të mund të jetojë duhet patjetër t’i jepet publikut në trajta estetike, jo refleksive; pse vetëm konsumi intuitiv i përsëritur nga publiku mund ta nxjerrë nga gjendja e animacionit të pezulluar ku e kanë lënë aksidentet e katastrofat historike.”
Diku tjetër në librin e tij Fraktalet e shqipes, ai e konkretizon ca më shumë këtë ide: “[Duhet bërë] ribotimi kritik i klasikëve të letërsisë gege, hartimi e botimi i fjalorëve, gramatikave e manualeve drejtshkrimore të këtij varianti; lufta e organizuar për të përfshirë në programet shkollore studimin shkencor të gegërishtes letrare qoftë si variant gjuhësor, qoftë në kuadrin filologjiko-letrar; nxitja e përdorimit të gegërishtes në shtyp, në botime në teatër, në film, në radio e në TV, në opera e në të tjera veprimtari botërore”.
Shkurt e qartë, Vehbiu është me idenë që standardi të mos preket e të mos dublohet, por nga ana tjetër gegërishtes t’i hapen rrugët, në mënyrë që ne të gjithë të rekuperojmë vlerat e prestigjin e saj, e në mënyrë që ajo të mund të riafirmohet në kohët e sotme me të gjitha potencialet që ka. Kjo është një zgjidhje që synon të pajtojë kërkesën, dhe nevojën, për një rivitalizim të gegërishtes letrare, me kujdesin për të mos e lënë të këndellet, në kurriz të njësisë e njëjtësisë kombëtare, dikotominë gegë/toskë. Dhe problemi i topitjes gjuhësore të kosovarëve (për shkak të standardit), lë të kuptohet Vehbiu, është mirë të marrë zgjidhje në këtë kuadër.
Përtej recetave të mësipërme të njërit apo të tjetrit, në një plan më të epërm e më të përgjithshëm diskutimi, ky problem zgjidhet jo me kanosje sektare si ajo e Arshi Pipës, kur flet për “kukuthin e separatizmit” mes gegëve e toskëve në rast se këta të fundit nuk do të heqin dorë nga mbrojtja e shqipes standarde, as me solidaritet gegësh, pasi një qasje e tillë do ta fuste përfundimisht diskutimin në binarë tribalë, dhe kështu do të riktheheshim në kohë të tjera, të cilat po mendonim se ishin të largëta, tashmë, e në të cilat të ishe gegë/toskë vlente më tepër se të ishe shqiptar, gjë që, tok me identitetet e forta fetare të njerëzve të këtyre anëve, e bënte Shqipërinë t’u sillej të gjithëve, edhe neve shqiptarëve, si një realitet fiksional; ky problem zgjidhet nëpërmjet një debati të ngritur mbi premisat, që problemi duhet pranuar, që problemi nuk zgjidhet nëse palët nuk dalin nga llogoret, që problemi zgjidhet duke pasur në fokus interesin kombëtar, e jo motivimet e solidaritetet lokale.
Ne kemi një precedent tonin në përballjen me probleme të kësaj natyre. Ky precedent është Kongresi i Manastirit, të cilin e mbajnë të gjithë si një ngjarje të madhe të historisë së Shqipërisë, dhe këtë e bëjnë, ngaqë në atë Kongres u adoptua alfabeti latin, e jo ai arab apo grek, rrjedhimisht – sipas një optike oksidentaliste – u shpreh parapëlqimi ndaj Europës, e jo ndaj Azisë. Por ai Kongres ishte një ngjarje e madhe sipas një optike tjetër, pasi në të, pa ndonjë qytë kushedi se çfarë prej të huajve, u ra në ujdi mbi një çështje me interes vital kombëtar. Dhe këtë ujdi e arritën duke lëshuar nga vetja. Sigurisht, diskutimi (Lazër Shantoja sugjeronte, me qesëndi, fjalën ‘shamatë’ në vend të fjalës ‘diskutim’) mbi alfabetin është më pak i rëndësishëm se diskutimi mbi gjuhën. Me gjuhën nuk bëhet shaka, [e prandaj] edhe ata që ankohen lidhur me atë që është bërë me gjuhën, e bëjnë pikërisht ngaqë me gjuhën nuk bëhet shaka. Por modeli i Kongresit të Manastirit nuk ka lidhje me rëndësinë e çështjes së trajtuar, por me mënyrën sesi është trajtuar.
PARANTEZA E FUNDIT: MANASTIR 1908, KUR HOXHA HAFËZ IBRAHIM EFENDIU QANTE NË KRAHËT E AT FISHTËS
Në Kongresin e Manastirit u mblodhën, nga ishin e nga s’ishin, ca atdhetarë e intelektualë nga më të mirët e kombit. E nuk ishin thjesht njerëz që kishin dhënë kontribut deri në atë moment. Përkundrazi, ishin njerëz që do të jepnin kontribut edhe më pas, në ngjarje të tjera të rëndësishme. Kishin disa syresh që shkëlqyen me mungesën e tyre (Faik Konica, Fan Noli, Ismail Qemali, Preng Doçi, etj), por të tjerët ishin aty: Sotir Peci, Lef Nosi, Çerçiz e Bajo Topulli, Mithat Frashëri, Fehim Zavalani, Shahin Kolonja, Gligor Cilka, Mihal Grameno, Thoma Avrami, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri, etj. E pastaj ishin shkodranët që patën dërguar ajkën e tyre: Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, dhe Gjergj Fishta.
Ky i fundit ka qenë ylli i asaj ngjarjeje. U bëri hije të gjithëve. E ishte koha, kur ende nuk ishte mësuar me përlëvduarjen e figurës së vet. Ai ishte njohur si poet, pasi kishte ca vite që kishte publikuar (fillimisht në gazetën Albania të Faik Konicës) pjesë nga Lahuta e Malcis, por idhulli e heroi i shumëkujt do të bëhej më vonë. Lazër Shantoja, në një shkrim të vitit 1940, pak muaj para se Fishta të ndërronte jetë, e mbulonte me lëvdata. Shantoja ishte një njeri që u dorëzohej lehtë gjendjeve të veta emocionale (ai do të mbahet mend edhe për portretizimet plot ngjyra të forta që u ka bërë Zogut, Nolit, Avni Rustemit, etj), por ato që thotë për Fishtën nuk duket se kanë të bëjnë me emocionet. S’kishte shumë kohë që ishte kthyer në Atdhe, dhe sapo vë këmbë në Shkodër, sytë i shkojnë te “Fishta plak … me një shkop të trashë në dorë, tue ngrehë një këmbë rreshqanë… Unë nuk kam parë ende një shtat e një fytyrë më mikelanxhelaske se shtatin e fytyrën e Fishtës sonë. Një model i denjë për Bounarrottin e pavdekshëm.” Ndërsa pak më sipër, tek i njëjti artikull, shkruan: “At Fishta nuk mund të ndiqet e as duhet të ndiqet. Ai është e do të mbetet i vetëm, sikur të tanë të mëdhenjtë… Vargu i tij të trondit e të molis.” Pas Luftës II Botërore, Mustafa Merlika e Karl Gurakuqi, njëri në Egjypt e tjetri në Itali, shkëmbenin letra të mbushura me drithërima malli, por tok me to ata nisnin “faqe të daktilografueme të librave të Fishtës”, dhe e falenderonin sho-shoqin për këto dhurata. “O Karl, pash të Madhin Zot, a mundesh me m’a gjetun një copë Anzat e Parnasit? Kisha me dhanë njanin sy për të”, i shkruan në një letër Merlika Gurakuqit.
Në Manastir nuk ishte as Karl Gurakuqi, as Mustafa Merlika. I pari ishte i vogël, 13 vjeç, atëmot. Ndërsa i dyti, mbi të njëzetat, do të kishte dhënë njanin sy veç me qenë atje. Por nuk qe e thënë. Atje ishte At Gjergj Fishta, që e filloi fjalën e vet duke i bërë një apologi shoqërisë së vet Bashkimi, dhe alfabetit që kjo shoqëri kishte përdorur gjatë viteve të shkuara, dhe në një moment të caktuar iu drejtua delegatëve dhe të tjerëve që ishin aty për të ndjekur ngjarjen: “Unë nuk kam ardhur këtu të mbroj alfabetin e Bashkimit, por kam ardhur të bashkohem me ju dhe të adoptoj atë alfabet, të cilin Kongresi do të vendosë si alfabetin më të dobishëm për ngritjen e popullit” (fjalën po e sjellim në shqipen standarde, siç e gjejmë në librin e Demirajt & Priftit mbi Kongresin e Manastirit). Sikur atë mot të kishte pasur gazeta të përditshme, si sot, reporterët do të dilnin të nesërmen me titujt “Manastir: Gjergj Fishta i bën pjesëmarrësit të derdhin lotë”.
Lirja e Selanikut, që kontrollohej nga Mithat Frashëri, doli ca ditë më vonë, megjithatë, dhe raportimi gazetaresk në formë ditar, edhe pse në të nuk flitet për lotë, është tek-tuk shumë interesant. Shënimet e ditës së tretë të Kongresit fillojnë kështu: “Manastiri këtë ditë u gdhi i bardhë prej borës. Kjo ishte shenjë që edhe delegatët do të dalin faqebardhë, dhe ky mejtim do të ishte në tërë delegatët se panë që të ftohtit e të lagëtit e kohës dimërore nuk e pakësoi asfare dëshirën dhe zjarrin”. Dhe mbyllen: “Në fund të darkës [së shtruar nga Shahin Kolonja, të cilit i erdhi lajmi se ishte zgjedhur deputet] Çerçiz Topulli me ca shokë hoqi një valle shqip, që gëzoi veshët e syt’ e gjithë gjindëses”.
Por ngjarjen me Fishtën nuk e raportojnë. Dhe nuk kuptohet pse, ngaqë ajo ngjarje pati një kulm emotiv, që sintetizonte gjithë frymën e Kongresit: “Kur Fishta përfundoi fjalën e vet, dhe u vu të largohej nga tribuna, njerëzit panë dikë që u ngrit nga fundi i sallës e mori për nga ai. Ishte Hafëz Ibrahim Efendiu, një hoxhë nga Shkupi. I zuri rrugën priftit franceksan nga Shkodra, dhe iu hodh në qafë (“e mori në grykë”, do të thoshte vetë Fishta në këtë rast), zuri të qajë, e ta puthë si një fëmijë.
Është emblematike, apo jo? Në mos, do të duhej të ishte: Gjergj Fishta, frat franceksan, në krahët e Hafëz Ibrahim Efendi Hoxhës. Shumica e delegatëve në atë ngjarje ishin të krishterë, por treçereku i spektatorëve, që gjithsej ishin 300-400 vetë, ishin myslimanë, gegë e toskë. Kishte dhe turq, grekë, vllehë, etj, që bënin sehir.
Një mise-en-scène e denjë për historinë e Shqipërisë.















