Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur pasditen e së dielës, 9 gusht, në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona.
Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të Stacionit Policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa është njoftuar edhe Emergjenca e Ferizajt.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet kompetente të trafikut kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Policia ka paralajmëruar se detaje të tjera lidhur me rastin do të bëhen të ditura përmes raportit vijues.
Deri në këto momente nuk janë publikuar identiteti dhe mosha e viktimës, identiteti i personit të lënduar, lloji i veturës apo shkaku i aksidentit.
















