Rrallëherë një përparim teknologjik ka premtuar kaq shumë se do të na kursejë kohë. Edhe pse debati për Inteligjencën Artificiale përqendrohet shpesh te arritjet teknike, transformimet e tregut të punës apo performanca e këtyre mjeteve të reja, ai ngre edhe një sfidë tjetër, të nënvlerësuar në masë të madhe: raportin tonë me kohën.
Por, pas arritjeve mbresëlënëse të këtyre asistentëve të rinj inteligjentë, a po përmbushet vërtet ky premtim? A po e hap më në fund Inteligjenca Artificiale epokën e kohës së lirë?
Kohë e kursyer…
Studimet përputhen në një pikë: Inteligjenca Artificiale na mundëson vërtet të kursejmë disa orë, si në punë, ashtu edhe në jetën private.
Për shembull, edicioni i vitit 2024 i studimit vjetor “Workforce of the Future” të grupit Adecco flet për një mesatare prej një ore pune të kursyer në ditë.
Po atë vit, një tjetër studim eksperimental, i zhvilluar nga Microsoft në bashkëpunim me studiues të Harvard Business School, tregonte se përdoruesit e rregullt të Microsoft 365 Copilot shpenzojnë 31 për qind më pak kohë në kutinë e tyre të postës elektronike, që do të thotë rreth 3,6 orë të liruara çdo javë.
Një sondazh i zhvilluar nga SAP në vitin 2025 zbuloi gjithashtu se 58 për qind e të anketuarve deklaronin se kursenin kohë falë IA-së, me një përfitim mesatar prej 52 minutash në ditë, kryesisht falë automatizimit të disa detyrave.
Së fundi, një studim i London School of Economics (LSE), i publikuar në vitin 2025, e vlerëson në 7,5 orë pune në javë kohën e kursyer nga përdoruesit e Inteligjencës Artificiale – ekuivalenti i një dite të tërë pune.
Natyrisht, IA-ja nuk do të na shpëtojë nga mania e mbledhjeve: ekspertët vlerësojnë se ajo ka pak ndikim në aktivitetet që kërkojnë koordinim kolektiv.
Megjithatë, përfitimet nuk kufizohen vetëm në botën profesionale, por shtrihen edhe në jetën familjare.
Një studim i kohëve të fundit, “The Household Impact of Generative AI: Evidence from Internet Browsing Behavior”, i realizuar nga studiues të UCLA-së, Stanfordit dhe USC-së, tregon se Inteligjenca Artificiale gjeneruese rrit ndjeshëm efikasitetin e detyrave produktive digjitale që kryejnë familjet – blerjet online, procedurat administrative, rezervimet e udhëtimeve e të tjera.
Rritja e produktivitetit varion nga 76 deri në 176 për qind, në varësi të aktivitetit, duke krijuar perspektivën reale të lirimit të shumë orëve për jetën personale.
…Por për të bërë çfarë?
Pra, IA-ja na bën më efikasë. Por çfarë bëjmë ne me këtë kapital kohe? Dhe, mbi të gjitha, a dimë vërtet ta shfrytëzojmë?
Në këtë pikë, studimet japin rezultate të ndryshme.
Studimi i lartpërmendur i studiuesve të UCLA-së, Stanfordit dhe USC-së jep një informacion interesant.
Në familje, koha e liruar nuk riinvestohet në aktivitete të tjera të ashtuquajtura produktive, por kryesisht në argëtim digjital: videolojëra, rrjete sociale, televizion ose platforma transmetimi online.
Pjesa e kohës që u kushtohet aktiviteteve argëtuese rritet kështu me 31 pikë përqindjeje, ndërsa ajo e aktiviteteve produktive bie me 21 pikë përqindjeje.
Me fjalë të tjera, një pjesë e orëve të kursyera falë Inteligjencës Artificiale ridrejtohet drejt përdorimeve rekreative digjitale.
Siç e përmbledhin autorët:
“Kur kanë më shumë kohë në dispozicion, familjet preferojnë të shikojnë Netflix sesa të kryejnë më shumë punë të mërzitshme online.”
Po në punë?
Nëse orët e kursyera në zyrë nuk shndërrohen në më shumë kohë të lirë në jetën personale, ku shkojnë ato?
Këtu shfaqen tri skenarë.
Së pari, këto përfitime kohore ndonjëherë ridrejtohen drejt aktiviteteve të tjera, pak a shumë produktive, brenda kompanisë.
IA-ja, veçanërisht, mund ta rikthejë punën drejt aktivitetit kryesor profesional.
Një studim eksperimental i zhvilluar në vitin 2025 me këshilltarët e France Travail tregoi se Inteligjenca Artificiale kishte liruar kohë, të cilën këshilltarët e kishin riinvestuar në shqyrtimin e aplikimeve dhe në detyra të tjera me vlerë më të lartë të shtuar.
Në të kundërt, një sondazh i Work AI Institute, i zhvilluar në vitin 2026 me rreth 6.000 punonjës në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi, tregon se punonjësit vlerësojnë se kursejnë 11 deri në 12 orë në javë.
Por më shumë se gjysma e kësaj kohe konsumohet nga kontrollimi, korrigjimi dhe drejtimi i mjeteve të IA-së, një dukuri që është quajtur “botsitting”, pra një lloj “kujdestarie ndaj boteve”.
Mësimi i tretë vjen nga raporti ndërkombëtar “AI at Work 2026” i Boston Consulting Group (BCG).
Nëse 42 për qind e përdoruesve të rregullt deklarojnë se kursejnë të paktën një ditë pune në javë falë IA-së, 66 për qind e tyre thonë se marrin pak ose aspak udhëzime se si duhet ta përdorin këtë kohë të liruar, ndërsa më shumë se një në dy nuk e riinveston atë në aktivitete strategjike.
Një përshpejtim i kohës?
Me fjalë të tjera, pavarësisht skenarit, kjo tepricë kohe mbetet, në një mënyrë apo tjetër, “e bllokuar” brenda organizatës.
Madje, edhe më shumë se kaq, Inteligjenca Artificiale priret ta përshpejtojë ritmin e punës.
Siç thekson sociologu Yann Ferguson, specialist i transformimeve të punës, i kontaktuar nga L’Express:
“Ajo që po vërejmë sot me Inteligjencën Artificiale gjeneruese është se, në vend që të kemi më shumë kohë të lirë, ne bëjmë më shumë gjëra. Brenda së njëjtës ditë përpunojmë më shumë detyra dhe misione.”
Ky është i famshmi “efekt rikthimi”: një teknologji që na lejon të ecim më shpejt nuk e zvogëlon domosdoshmërisht kohën që i kushtohet një aktiviteti; shpesh ajo na shtyn të bëjmë më shumë.
Drejtori shkencor i LaborIA përdor një analogji:
“E pamë këtë kur kaluam nga karroca te makina: makina në fakt e rriti kohën që kalonim në transport, në vend që ta zvogëlonte atë.”
Paradoksalisht, as vetë kompania nuk del domosdoshmërisht fituese në aspektin e produktivitetit.
Një nga shpjegimet lidhet me faktin se përdorimi i Inteligjencës Artificiale gjeneruese mbetet në masë të madhe individual.
“Ajo futet në praktikat personale të secilit. Prodhon kursime të vogla kohe, por ato nuk janë homogjene”, shpjegon Yann Ferguson.
Doktori i sociologjisë bën thirrje të mos ngatërrohen përshpejtimi individual dhe lokal me rritjen e produktivitetit.
Kjo e fundit, kujton ai, nuk rezulton vetëm nga fakti që secili punon më shpejt, por edhe nga një organizim më i mirë i punës dhe një koordinim më efikas i ekipeve.
Në këtë kuptim, studiuesi përmend shembullin e taylorismit, i cili mbështetej po aq në specializimin e detyrave sa edhe në përshpejtimin e ritmit të punës.
Në një skenar më optimist, kursimi i kohës – i cili sot e ka të vështirë të shndërrohet në rritje produktiviteti në nivel kompanie – nesër mund t’u mundësojë menaxherëve t’u kushtojnë më shumë kohë ekipeve të tyre, falë automatizimit të disa detyrave të përsëritura.
“Ajo që IA-ja nuk di të bëjë është pikërisht kjo pjesë menaxheriale: si ta motivosh dikë që po kalon një moment rënieje?”, theksonte në muajin mars në L’Express profesori i HEC-së Olivier Sibony.
Edhe për këtë çështje, si për shumë të tjera, përgjegjësia do të jetë në duart e kompanive.
Por vetëm nëse ato nuk e përdorin Inteligjencën Artificiale thjesht si një mjet për të kompensuar mbingarkesën e punonjësve që tashmë janë të tejngarkuar.
Pikërisht ky është skenari që e shqetëson Yann Ferguson.
Në vend që të merren me shkaqet strukturore të mungesës së kohës, disa organizata mund të kënaqen duke u dhënë punonjësve tashmë të mbingarkuar:
“një mënyrë për të punuar më shpejt, me qëllim që të menaxhojnë një vëllim të tepruar pune”.
Prandaj, specialisti bën thirrje që IA-ja të mos shndërrohet në zëvendësim për një reflektim themelor mbi organizimin e punës.
T’i japim kuptim kohës së rifituar
Zack Kass, ish-drejtues i strategjisë tregtare në OpenAI, sugjeron që çështja e Inteligjencës Artificiale të shfrytëzohet për ta ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e konceptojmë raportin tonë me kohën:
“Historikisht, teknologjia gjithmonë na ka mundësuar të arrijmë më shumë. Pyetja e duhur nuk është nëse do të kemi më shumë kohë për të bërë më shumë gjëra, por nëse do të jemi të aftë t’i japim kuptim kësaj kohe shtesë.”
Ai merr si shembull gazetarinë:
“Le të imagjinojmë se kemi një mjet që mund t’i bëjë gazetarët pesë herë më produktivë. Çfarë do të bënin shumica e redaksive? Ndoshta do të thoshin: ‘Shumë mirë. Në këtë rast, të punësojmë pesë herë më pak gazetarë’.
Por, sipas meje, kjo do të ishte pikërisht mënyra e gabuar e të menduarit.
Nëse gazetarët tuaj bëhen pesë herë më produktivë, përse të mos publikoni pesë herë më shumë investigime? Përse të mos i trajtoni temat më thellë? Përse të mos prodhoni një gazetë me cilësi shumë më të lartë?”
Me fjalë të tjera, problemi nuk është teknologjia, vëren ai, por fakti se shumë kompani i shohin rritjet e produktivitetit vetëm si një mundësi për të ulur kostot, në vend që të pyesin se si mund të krijojnë më shumë vlerë.
“Shumë drejtues po e humbin krejtësisht atë që IA-ja e bën të mundur. Shumica e kompanive asnjëherë nuk e kanë pyetur veten se si do të dukej një version vërtet më i mirë i organizatës së tyre.”
Autori i librit “The Next Renaissance: AI and the Expansion of Human Potential” – “Rilindja e ardhshme: IA dhe zgjerimi i potencialit njerëzor” – botuar nga John Wiley & Sons Inc. në vitin 2026 dhe ende i papërkthyer, shton se me Inteligjencën Artificiale kufijtë e asaj që konsiderohet e arsyeshme të realizohet brenda një dite bëhen gjithnjë e më të paqartë.
Kjo ushqen edhe një pjesë të rezistencës që vërehet sot nëpër kompani.
Sipas tij, kjo mosbesim lidhet shpesh më pak me vetë mjetin dhe më shumë me mungesën e një vizioni.
Automatizimi i detyrave e detyron secilin t’i përgjigjet një pyetjeje më të thellë:
Çfarë duhet të bëjmë me kohën që lirohet?
Në thelb, sipas Zack Kass, ky reflektim e tejkalon shumë kuadrin e kompanive:
“Nëse ne punojmë më pak se paraardhësit tanë, njëkohësisht e menaxhojmë shumë më keq kohën tonë të lirë.”
Kjo pyetje nuk është e re.
Më shumë se dhjetë vjet më parë, sociologia australiane Judy Wajcman, në librin e saj “Pressed for Time: The Acceleration of Life in Digital Capitalism” – “Nën presionin e kohës: Përshpejtimi i jetës në kapitalizmin digjital” – botuar nga University of Chicago Press në vitin 2014 dhe ende i papërkthyer, vërente se shoqëritë tona e vlerësojnë faktin e të qenit vazhdimisht i zënë dhe ushqejnë ndjesinë e një gare të pandërprerë.
Paradoksalisht, shkruante ajo:
“Ndërmjet viteve 1965 dhe 2010, ndërsa më shumë se një e treta e amerikanëve deklaronin se ndiheshin nën presionin e kohës, koha e tyre e lirë në të vërtetë ishte rritur.”
Një mospërputhje që ushqen shqetësimin e Yann Ferguson:
“Ky obsesion me menjëhershmërinë, të cilin teknologjia digjitale dhe Inteligjenca Artificiale gjeneruese rrezikojnë ta përforcojnë, mund të na bëjë të paaftë për t’u përballur me kohën e gjatë.”
“Këtë kohë të liruar ia japim Zuckerbergut”
Për Zack Kass, megjithatë, ky fenomen lidhet më pak me Inteligjencën Artificiale sesa me marrëdhënien tonë me ekranet.
“Shumë njerëz”, pohon ai, “sot po e sakrifikojnë kohën e lirë që kanë fituar. Vaktet familjare tashmë pushtohen nga telefoni. Shkojnë në kinema… dhe gjithë kohën e kalojnë në Instagram ose TikTok. Një pjesë e madhe e popullsisë është vazhdimisht në kërkim të dopaminës, ose të diçkaje që asnjëherë nuk është ajo që ndodhet përpara tyre.”
Eksperti i teknologjisë digjitale Gilles Babinet, megjithatë, e nuancon këtë analizë.
Sipas tij, Inteligjenca Artificiale nuk është e shkëputur nga kjo ekonomi e vëmendjes:
“Rrjetet sociale më të rrezikshme janë rrjete të Inteligjencës Artificiale, si TikTok-u, të cilat na mbysin me përmbajtje jashtëzakonisht varësuese dhe na shtyjnë reklama falë IA-së.”
Edhe pse ai i konsideron të padiskutueshme kursimet e kohës që mundëson Inteligjenca Artificiale, bën thirrje që:
“të shohim të gjithë sistemin”.
Sipas autorit të librit “Le Péril IA. Devenir des machines ou rester vivants ?” – “Rreziku i IA-së. Të bëhemi makina apo të mbetemi të gjallë?” – botuar nga Le Passeur në vitin 2026, një pjesë e kohës së liruar kapet menjëherë nga platformat:
“Produktiviteti shndërrohet në të ardhura nga reklamat e Facebook-ut. Këtë kohë të liruar ia japim Mark Zuckerbergut.”
Për sa kohë që modeli ekonomik i botës digjitale do të mbështetet në kapjen e vëmendjes, vlerëson ai, premtimi për një kohë vërtet të liruar rrezikon të mbetet në masë të madhe iluzion.
Ky reflektim përputhet me atë të Gregor Schubert, profesor i asociuar i financës në UCLA Anderson School of Management dhe bashkautor i studimit “The Household Impact of Generative AI”.
“Do të doja të mund të përgjigjesha në mënyrë optimiste dhe të thosha se njerëzimi do ta shfrytëzojë këtë kohë për të lexuar më shumë, për të gatuar më shpesh ose për të zhvilluar aktivitete pasuruese.
Por, në fakt, nëse shohim tendencat e tridhjetë viteve të fundit, konstatojmë diçka tjetër.
Ndërsa televizioni, videolojërat dhe teknologjitë e tjera digjitale janë përmirësuar, njerëzit u kanë kushtuar atyre gjithnjë e më shumë kohë.
Inteligjenca Artificiale ka gjasa të jetë pjesë e së njëjtës vazhdimësi.
Ajo e bën universin digjital edhe më tërheqës se më parë.”
Vlera e kohës
Megjithatë, Zack Kass mendon se këto devijime nuk janë të pashmangshme.
Nuk bëhet fjalë për të përcaktuar nëse teknologjia është e mirë apo e keqe.
“Pyetja e vërtetë është kjo: deri në çfarë mase jemi të aftë ta përdorim teknologjinë për ta bërë shoqërinë më të lumtur?”
Në këtë kuptim, Inteligjenca Artificiale ka një fuqi të vërtetë reflektuese: ajo na detyron të mendojmë për mënyrën se si duam ta përdorim kohën që na liron.
Por përgjigjja nuk varet vetëm nga teknologjia.
Ajo është gjithashtu produkt i transformimeve më të thella shoqërore, vëren Yann Ferguson, duke përdorur si shembull pushimin e atësisë:
“Zhvillimi i tij tregon qartë se burrat sot inkurajohen më shumë që t’i kushtojnë kohë familjes së tyre. Nuk është Inteligjenca Artificiale ajo që e shkaktoi këtë.”
Për Houda Nait El Barj, studiuese në OpenAI, e specializuar në zhvillimin e sistemeve të IA-së që nxisin mirëqenien dhe zhvillimin njerëzor, vlera e kohës qëndron pikërisht në atë që i shpëton optimizimit të saj.
“Sa më shumë të optimizohet bota, aq më e çmuar mund të duket ajo që nuk është e optimizuar.
Vakti që zgjatet.
Fëmija që e bën përsëri të njëjtën pyetje.
Miku që telefonon në momentin më të papërshtatshëm.
Këto janë çaste në të cilat qeniet njerëzore mbeten autentike me njëra-tjetrën.”
Kështu analizonte ajo në një ese të botuar më 25 qershor në revistën amerikane Noema.
Zack Kass është thellësisht i bindur për këtë:
Inteligjenca Artificiale “hap rrugën drejt një zgjimi shpirtëror”.
“Do të jemi të detyruar ta pyesim veten shumë seriozisht se çfarë do të thotë të jesh njeri.
Nuk po them se Inteligjenca Artificiale do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Por ajo do të na detyrojë ta shtrojmë atë.”/L’Express















