Ballina IA Zuckerberg: Rreziku më i madh i inteligjencës artificiale është që një entitet...

Zuckerberg: Rreziku më i madh i inteligjencës artificiale është që një entitet i vetëm të ketë shumë kontroll

Zuckerberg mbron idenë e superinteligjencës personale

Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, publikoi të hënën në mëngjes një mbrojtje të fuqishme të inteligjencës artificiale (IA): një manifest prej 6.500 fjalësh, në të cilin argumenton se shqetësimet më të zakonshme rreth kësaj teknologjie janë të ekzagjeruara dhe nuk marrin parasysh të gjitha përfitimet që ajo mund të sjellë.

  • vizionin e tij për IA-në, rreziku më i madh nuk është vetë teknologjia, por mundësia që një qeveri apo një entitet i vetëm të ketë tepër pushtet mbi të.

Pse ka rëndësi: Zuckerberg po përcakton qartë pozicionin e tij, duke paraqitur një vizion utopik të një inteligjence artificiale shumë personale, e cila nxit arritjet individuale, pikërisht në një kohë kur politikëbërësit po debatojnë se sa kontroll duhet të kenë mbi modelet gjithnjë e më të fuqishme të IA-së.


Çfarë thonë

“Një nga mënyrat për të arritur njëkohësisht fuqizimin e individit dhe një sistem kontrollesh e ekuilibrash është të sigurohemi që teknologjia të vendoset në duart e të gjithëve”, i tha Zuckerberg Mike Allen-it të Axios-it në një intervistë përpara publikimit të manifestit.

  • “Ky është padyshim një këndvështrim i ndryshëm nga ai që po dëgjoni aktualisht nga shumë njerëz të tjerë në industrinë e teknologjisë.”
  • Ai shkroi se dëshiron të sigurohet që SHBA-ja dhe vendet demokratike të jenë në krye dhe, në fund, të garantohet që “njerëzimi ta ruajë kontrollin mbi superinteligjencën, në mënyrë që ajo të na shërbejë dhe jo të na rrezikojë”.

Pamja e përgjithshme

Edhe ndërsa bota po përballet me sisteme të inteligjencës artificiale që po dalin jashtë mjediseve të izoluara të testimit (sandbox), po shkëmbejnë informacion në forume online dhe po krijojnë viruse të reja, Zuckerberg e paraqet IA-në si diçka të ngjashme me inovacionet e tjera teknologjike përçarëse që kanë transformuar shoqërinë.

Publicitet

“Njerëzimi ka qenë dëshmitar i shumë përparimeve transformuese”, shkruan ai në manifest. “Çdo herë ekziston frika se njerëzit do të mbeten pas. Por çdo herë njerëzimi ka dalë prej tyre me më shumë njerëz që kanë mundësi të ndajnë një mirëqenie, shëndet dhe liri më të madhe.”

“Ne besojmë se e njëjta gjë do të jetë e vërtetë edhe me IA-në dhe se bollëku i së ardhmes mund të ndahet nga të gjithë”, thotë ai. “Ne gjithashtu besojmë se vlerat që na kanë sjellë deri në këtë pikë — si liria, kërkimi i hapur, sipërmarrja e lirë dhe mundësitë e barabarta — janë gjithashtu vlerat e duhura për të ndërtuar një të ardhme pozitive.”

Niveli i kërcënimit

Zuckerberg e vë këtë vizion përballë një skenari tjetër, në të cilin vetëm disa njerëz, disa kompani ose disa shtete do të kishin qasje në inteligjencën artificiale më të fuqishme, duke sugjeruar se një rezultat i tillë do të përbënte një rrezik shumë më të madh.

  • “Personalisht jam më i shqetësuar për centralizimin sesa për cilindo prej rreziqeve specifike për të cilat po flasin të tjerët”, i tha ai Axios-it.
  • Në manifest argumentohet se ndërhyrja e tepruar nga SHBA-ja mund t’u japë avantazh regjimeve të tjera — me gjasë Kinës — veçanërisht në një kohë kur epërsia teknologjike mund të matet vetëm me javë.
  • “Çdo politikë që ngadalëson publikimin e modeleve amerikane — qoftë edhe vetëm për një muaj — mund të shtojë ndjeshëm rrezikun për udhëheqjen amerikane, ndërkohë që u lejon modeleve të huaja të ecin me shpejtësi përpara”, shkroi ai.

Në një këndvështrim më të gjerë

Plani i Zuckerbergut për Meta-n është që “të gjithë të kenë qasje falas ose me çmim të përballueshëm në këto mjete”, ndërsa versionet me pagesë do të përdorin një “mekanizëm dinamik ankandi” për të siguruar fuqinë e nevojshme kompjuterike me çmimin më të ulët të mundshëm.

“Kjo do të sigurojë që përfitimet e superinteligjencës të shpërndahen gjerësisht.”

  • Ai tha gjithashtu se agjentët e ardhshëm të IA-së të Meta-s do të kenë mbrojtje shumë më të fuqishme të privatësisë sesa ato që ofrohen aktualisht nga Meta AI.
  • “Ne besojmë se njerëzit duhet të kenë një mënyrë plotësisht private të përdorimit të agjentëve personalë, ku as Meta dhe as ndonjë ofrues tjetër shërbimesh të mos mund të shohë informacionin tuaj apo t’u japë të tjerëve qasje në të.”
  • Politikat aktuale të Meta AI i lejojnë kompanisë të përdorë pothuajse çdo ndërveprim që një person ka me shërbimin për të trajnuar sistemet e saj të inteligjencës artificiale, megjithëse së fundmi kompania ka shtuar një mënyrë përdorimi incognito.

Çfarë fshihet pas deklaratave

Zuckerberg tha gjithashtu se Meta do të rifillojë publikimin e disa modeleve të inteligjencës artificiale me burim të hapur, tani që Meta Superintelligence Labs është funksionale, siç kishte raportuar Axios në prill.

  • Meta thotë se po hap parametrat — weights — të një modeli të ri, Muse Glimmer, i cili përshkruhet si “një nga modelet me performancën më të lartë në kategorinë e tij sipas madhësisë”, dhe se gjatë javëve të ardhshme do të hapë gjithashtu parametrat e një versioni të modelit bazë Muse Spark 1.2. Sipas kompanisë, këto janë modelet amerikane me burim të hapur më të mëdha.
  • Zuckerberg shtoi se bordi i pavarur i Meta-s do të ketë kompetencën të miratojë kriteret e sigurisë për publikimin e modeleve dhe të shqyrtojë nëse publikimet i përmbushin këto standarde.
  • Ai premtoi gjithashtu një “pakt me komunitetin” lidhur me zhvillimin e qendrave të të dhënave të Meta-s, që do të përfshijë vende pune për banorët vendas, investime në shkolla dhe shërbime publike, si dhe angazhime në lidhje me çmimet e energjisë dhe përdorimin e ujit.

Shpenzimet në komunitetet lokale

Në përpjekje për të zbutur kundërshtimet në rritje ndaj qendrave të të dhënave, Zuckerberg njoftoi gjithashtu se Meta po krijon fondin Future is for Everyone Fund – “E ardhmja është për të gjithë”, “për të mbështetur drejtpërdrejt çdo komunitet me të cilin punojmë”.

Fondi do të nisë me 1 miliard dollarë për komunitetet amerikane ku Meta zotëron dhe operon qendra të të dhënave dhe do të mbështesë mësuesit, punonjësit e shërbimeve të emergjencës, si dhe infrastrukturën e energjisë dhe të ujit.

  • Një program trajnimi i Meta-s për punëtorët e profesioneve të kualifikuara, me vende pune të garantuara në qendrat e të dhënave të kompanisë — America’s Workforce Academy, për të cilin Axios raportoi në qershor — javën e kaluar nxori grupin e parë të të diplomuarve.

Përfundimi

Manifesti përfaqëson përpjekjen më të qartë të Zuckerbergut deri më tani për të ndërhyrë në debatin mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale, si nga aspekti i politikave publike, ashtu edhe nga ai teknologjik./Axios