Ballina Lajme Terapi e vështirë: Pse mjekët shpesh nuk mund të ndihmojnë më tej...

Terapi e vështirë: Pse mjekët shpesh nuk mund të ndihmojnë më tej me „sindromën e zorrës së irrituar“

Shqetësimet e përsëritura gastrointestinale janë shumë më të shpeshta nga sa mendohet.

Shumë pacientë me ngërçe dhe dhimbje të përsëritura abdominale diagnostikohen me „sindromën e zorrës së irrituar“. Tek këta pacientë, me sa duket, është i çrregulluar ndërveprimi ndërmjet zorrëve dhe trurit. Mjekët shpesh hasin vështirësi në trajtimin e kësaj sindrome.

Dhimbjet e përsëritura abdominale, ngërçet e shoqëruara me ndryshime të jashtëqitjes, diarrenë ose konstipacionin prekin afro 40 për qind të popullsisë. Tek jo pak njerëz, simptomat janë aq të theksuara ose aq të shpeshta, saqë të prekurit kërkojnë këshillë mjekësore. Në shumicën dërrmuese të rasteve kërkohen analiza, ekzaminime të feçeve dhe, zakonisht, edhe ekzaminime endoskopike të traktit gastrointestinal, por në fund nuk konstatohet ndonjë gjetje patologjike që mund t’i shpjegojë simptomat. Jo rrallë, mjekët flasin më pas për çrregullime funksionale ose për sindromën e zorrës së irrituar.

Vetë sindroma nuk është e rrezikshme dhe nuk përbën kërcënim për jetën. Në disa studime, vdekshmëria nga kanceri tek personat e prekur ka qenë madje më e ulët se mesatarja e popullsisë. Studiuesit ia atribuojnë këtë faktit se pacientët u nënshtrohen shpesh ekzaminimeve dhe, rrjedhimisht, janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

Një e treta marrin diagnozën jospecifike

Në rreth një të tretën e të gjitha referimeve te specialisti për vlerësimin diagnostik të shqetësimeve abdominale konstatohet sindroma e zorrës së irrituar. Kostot që rrjedhin prej saj janë të konsiderueshme. Pacientët shpresojnë të gjejnë lehtësim nga simptomat, të cilat në disa raste janë shumë të mundimshme. Duke pasur parasysh shpeshtësinë e saj, sindroma e zorrës së irrituar përbën pa dyshim një sfidë të madhe për mjekësinë. Megjithatë, duket se mjekësia nuk po i përgjigjet në mënyrë të mjaftueshme kësaj sfide. Rëndësia e saj nënvlerësohet, tha, ndër të tjera, Robert Patejdl nga Universiteti i Erfurtit, me rastin e konferencës vjetore të Shoqatës Gjermane për Sëmundjet e Aparatit Tretës dhe Metabolizmit, të mbajtur javën e kaluar në Hamburg.

Shqetësues është, për shembull, fakti se sindroma dhe simptomat e lidhura me të, të cilat shpesh janë persistente, duket se neglizhohen në praktikën klinike dhe edukimin mjekësor, por edhe në kërkimin shkencor. Vetëvlerësimet e studentëve në fund të studimeve dhe të mjekëve të rinj para përfundimit të specializimit tregojnë se ata nuk ndihen të përgatitur për trajtimin e këtyre pacientëve. Patejdl kritikoi një çekuilibër të prioriteteve në studimet dhe formimin mjekësor. Kështu, kërkohen deri në hollësitë më të vogla njohuri për sëmundje të rralla me bazë organike të identifikueshme, ndërsa sindroma kaq e shpeshtë e zorrës së irrituar neglizhohet.

Shumë pacientë dyshojnë se shkaku i çrregullimit është intoleranca ndaj përbërësve të caktuar ushqimorë. Megjithatë, kjo shpesh nuk mund të vërtetohet me metoda shkencore. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë më tepër për një çrregullim kompleks të boshtit zorrë-tru. Studiuesit përdorin termin „Disorders of gut-brain interaction“ (DGBI), pra „çrregullime të ndërveprimit zorrë-tru“. Fusha përkatëse e kërkimit shkencor quhet neurogastroenterologji.

Video bonus

Ofertat paramjekësore po lulëzojnë

Përvojat e pacientëve jo rrallë janë zhgënjyese. Kur i drejtohen mjekut, me metodat diagnostikuese që përdoren zakonisht në praktikën klinike nuk konstatohet ndonjë sëmundje organike e identifikueshme. Për këtë arsye, këto shqetësime jo rrallë cilësohen thjesht si simptoma funksionale dhe, pasi pacientëve u komunikohet se rezultatet e ekzaminimeve nuk tregojnë anomali, ato praktikisht lihen mënjanë. Mirëpo, kjo nuk i ndihmon pacientët dhe jo pak prej tyre vazhdojnë me këmbëngulje kërkimin e një shkaku, duke iu nënshtruar një morie ekzaminimesh të tjera, ndër to shpesh edhe analiza të panumërta, të panevojshme dhe pa vlerë diagnostike, si analizat e feçeve për praninë e kërpudhave. Për shkak të kërkesave të vazhdueshme për analiza të tjera dhe përsëritje të ekzaminimeve, këta pacientë konsiderohen si të vështirë për t’u menaxhuar edhe nga specialistët. Meqenëse mjekësia shkencore duket se ofron vetëm mundësi të kufizuara për lehtësimin e simptomave, nuk është për t’u habitur që rreth kësaj problematike është zhvilluar një treg paramjekësor me rëndësi ekonomike.

Përpjekjet e mjekësisë së bazuar në evidencë, nga ana tjetër, deri tani nuk kanë sjellë rezultate terapeutike vendimtare në sindromën e zorrës së irrituar. Vetëm në qershor, Rome Foundation, një grup ndërkombëtar studimor, formuloi kritere të reja për diagnostikimin dhe trajtimin, të cilat, si vazhdim i punimeve të mëparshme, quhen klasifikimi Roma V.

Mjekët hasin jo pak vështirësi në përpjekjet për të diferencuar simptomat e sindromës së zorrës së irrituar nga ato të sëmundjeve të tjera organike të përcaktuara qartë, si për shembull mbirritja bakteriale e zorrës së hollë, sëmundja celiake ose, tek gratë, endometrioza. Çështjen se cilat procedura diagnostikuese janë të dobishme e shqyrtoi në Hamburg Berenice Schulte nga Universiteti i Kielit. Nga kjo rezultoi se jo pak prej rekomandimeve të zakonshme për diagnostikimin dhe trajtimin e sindromës së zorrës së irrituar nuk janë vlerësuar në studime klinike. Pra, ato bazohen vetëm në opinionin e ekspertëve. Duke pasur parasysh, ndër të tjera, rëndësinë ekonomike të çrregullimeve DGBI, mjekët që merren me kërkime duhet ta plotësojnë sa më shpejt këtë boshllëk në kërkimin klinik. Pacientët janë të panumërt./FAZ.net