Ballina Aktualitet Protesta për gjuhën shqipe në Shkup trondit politikën: Studentët kërkojnë barazi, Qeveria...

Protesta për gjuhën shqipe në Shkup trondit politikën: Studentët kërkojnë barazi, Qeveria premton zgjidhje, VLEN dhe BDI përplasen për përgjegjësinë

SHKUP – Mijëra studentë shqiptarë, të rinj dhe qytetarë marshuan të hënën në Shkup në një nga protestat më të mëdha studentore të viteve të fundit, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe dhe duke ngritur zërin për, siç thanë organizatorët, moszbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore në Maqedoninë e Veriut.

Tubimi, i cili nisi pranë Urës së Gurit dhe vazhdoi drejt institucioneve shtetërore, u shoqërua me pankarta, flamuj kombëtarë shqiptarë dhe thirrje si: “Gjuha shqipe nuk negociohet”, “Mos ma përktheni të ardhmen”, “Na morët shumë gjëra, jo edhe gjuhën”, ndërsa në disa momente u dëgjuan edhe brohoritje patriotike dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

Por protesta, përveç dimensionit studentor dhe qytetar, mori shpejt edhe karakter të fortë politik, duke nxitur përplasje të ashpra mes VLEN-it dhe BDI-së, akuza për instrumentalizim politik dhe premtime të reja për zgjidhje të shpejtë institucionale.

Nisja e revoltës: Pse protestuan studentët?

Shkak i protestës u bë pamundësia që studentët shqiptarë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, një çështje që ka shkaktuar debat të madh publik pasi ministri i Drejtësisë kishte deklaruar më herët se “nuk do të ketë provim në shqip”, duke e konsideruar çështjen të mbyllur.

Studentët argumentojnë se, ndonëse shqipja është gjuhë zyrtare sipas ligjit, në praktikë ata vazhdojnë të diskriminohen kur vjen puna te provimet profesionale, licencimet dhe procedurat shtetërore.

Në protestë morën pjesë studentë nga universitetet shqiptare në vend, ndërsa pati mbështetje edhe nga studentë e qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria. Në disa raste u raportua se autobusë me protestues u ndaluan apo u kontrolluan në pikat kufitare dhe në rrugë drejt Shkupit, gjë që shkaktoi reagime shtesë nga organizatorët.

Protesta, incidentet dhe arrestimet

Marshi protestues zgjati rreth dy orë dhe, sipas shumicës së raportimeve, ishte kryesisht paqësor. Megjithatë, pas përfundimit të protestës pati incidente dhe ndërhyrje policore.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, deklaroi se policia kishte tentuar të shmangte tensionet gjatë tubimit, por pas përfundimit të protestës ndodhi një incident fizik.

Sipas tij, dy shqiptarë dhe një maqedonas u arrestuan për përleshje fizike, ndonëse disa media raportuan për tre ose pesë të ndaluar.

Organizatorët studentorë thanë se protestat do të vazhdojnë nëse kërkesat nuk marrin përgjigje konkrete, duke insistuar se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi kushtetuese dhe ligjore.

Takimi Mickoski–Kasami–Mexhiti: Çfarë u diskutua në Qeveri?

Pak orë para protestës, kryeministri Hristijan Mickoski zhvilloi një takim pune me bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.

Sipas komunikimit zyrtar, tema kryesore ishte përdorimi i gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës.

Në takim, sipas njoftimit, u theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të gjenden zgjidhje që garantojnë besim të ndërsjellë dhe përparim.

Po ashtu, u bë e ditur se institucionet po punojnë për zgjidhje në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, me qëllim garantimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit institucional.

Ky takim u interpretua nga VLEN si pikë kthese për zgjidhjen e problemit.

Mexhiti: Brenda tre muajve zgjidhet çështja

Pas protestës, zëvendëskryeministri dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, dha garanci publike se çështja do të marrë zgjidhje.

Në intervistë për EuroNews Albania dhe më pas në deklarata të tjera publike, ai tha se është arritur dakordësi me Mickoskin për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Le të jetë një afat tremujor, sepse ka procedurë. Duhet propozim për ndryshim ligji, duhet të kalojë në Qeveri dhe në Parlament”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se zgjidhja nuk do të kufizohet vetëm te jurisprudenca, por do të përfshijë edhe provimet profesionale dhe licencimet në gjuhën shqipe.

Sipas tij, tashmë janë bërë hapa konkretë në licencimin e mjekëve, stomatologëve dhe edukatorëve, ndërsa synimi është që të rinjtë që kanë mësuar në shqip të mund t’i japin provimet profesionale në gjuhën e tyre amtare.

Njëkohësisht, Mexhiti tha se studentët kanë të drejtë të protestojnë, pasi për 20 vite provimi i jurisprudencës është dhënë në maqedonisht.

Adnan Azizi: Debati zhvendoset nga rruga në institucione

Deputeti i VLEN-it dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Adnan Azizi, deklaroi se gjatë javës do të thërrasë seancë të Komitetit në Kuvend, ku çështja do të trajtohet institucionalisht.

Sipas Azizit, në debat do të ftohen studentë, shoqëri civile, ekspertë, profesorë universitarë, Ministria e Drejtësisë, deputetë të etnive të ndryshme dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

“Debatin do ta zhvendosim nga rruga në institucion, aty ku zgjidhen problemet”, deklaroi Azizi.

VLEN: Studentët kanë të drejtë, por protesta po manipulohet

Përfaqësues të shumtë të VLEN-it mbështetën protestën studentore, por njëkohësisht akuzuan BDI-në për përpjekje për ta politizuar atë.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se studentët protestuan kundër një padrejtësie të trashëguar nga qeverisjet e mëhershme të BDI-së.

Ai akuzoi drejtpërdrejt Musa Xhaferin dhe Blerim Bexhetin, duke i quajtur “dy fajtorët kryesorë” që provimi i jurisprudencës nuk mbahet në shqip.

Durmishi shkoi edhe më tej, duke akuzuar Ali Ahmetin se “fshihet pas studentëve dhe manipulon me gjuhën shqipe”, ndërsa shtoi se studentët kërkuan jurisprudencën shqip, por sipas tij, VLEN po synon t’i bëjë shqip të gjitha provimet profesionale.

Edhe Zeqirija Ibrahimi reagoi ashpër, duke deklaruar se në protestë “u panë bashkë të diskriminuarit dhe diskriminuesit”, me aludim për ish-pushtetarët që sipas tij kanë miratuar ligje diskriminuese dhe tani dolën në mbështetje të protestës.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, kërkoi që protesta të dëgjohet dhe jo instrumentalizohet, duke e quajtur rininë “busull morale të shoqërisë”.

Muhamet Murtezi nga VLEN tha se studentët janë plotësisht në të drejtë dhe shtoi se “e sotmja do të jetë më e suksesshme se e djeshmja”.

BDI kundërakuzon: “Jemi këtu për studentët, jo për politikë”

Në anën tjetër, BDI mohoi kategorikisht se ka organizuar protestën.

Deputetja Rina Ajdari deklaroi se përfaqësuesit e BDI-së kishin dalë vetëm për të mbështetur studentët dhe insistoi se protesta ishte organizim autentik studentor.

“Absolutisht nuk janë të vërteta. Ne jemi këtu për studentët”, deklaroi ajo.

Ajdari tha se për herë të parë unionet studentore të tri universiteteve në gjuhën shqipe janë bashkuar dhe mohoi çdo lidhje të BDI-së me organizimin e protestës.

Sa i përket mungesës së Ali Ahmetit, ajo kujtoi deklaratën e tij: “Në momentin që unë do të dal në rrugë, nuk do të kthehem më”.

Reagime të forta publike

Analisti Ramadan Ramadani ironizoi praninë e përfaqësuesve të BDI-së në protestë me komentin: “Shumë DUI paska, rujini xhepat!”

Ish-komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha, kritikoi përzierjen e figurave politike me protestat studentore, duke i konsideruar legjitime kërkesat e studentëve, por duke fajësuar politikanët e dy dekadave të fundit për gjendjen aktuale.

Gazetari Marin Mema fajësoi gjithë klasën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se politika ka heshtur për interesa dhe poste, ndërsa studentët sot detyrohen të protestojnë për një të drejtë elementare.

“Gjuha shqipe është e shenjtë”, shkroi Mema, duke bërë thirrje për bashkim përtej partive.

Çfarë pritet tani?

Pas protestës masive dhe presionit publik, vëmendja tashmë zhvendoset te institucionet.

Qeveria paralajmëron zgjidhje në përputhje me ligjin, VLEN flet për afat prej dy deri në tre muaj, ndërsa studentët kanë bërë të qartë se nuk do të ndalen derisa provimi i jurisprudencës dhe provimet profesionale të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe./TetovaNews