Ballina Aktualitet Adnan Azizi: BDI po mundohet ta lërë “kopilin” e vet te dera...

Adnan Azizi: BDI po mundohet ta lërë “kopilin” e vet te dera e huaj!

Në konferencën për shtyp, deputeti i VLEN-it dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Adnan Azizi, deklaroi se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po merr zgjidhje institucionale. Ai tha se VLEN do ta zhvendosë debatin nga rruga në institucione, duke paralajmëruar se gjatë javës do të thërrasë seancë të Komitetit në Kuvend, ku do të ftohen studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, deputetë, ekspertë, profesorë universitarë, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe ambasadave. Azizi akuzoi BDI-në se po përpiqet ta instrumentalizojë protestën e studentëve, ndërsa theksoi se VLEN do të ofrojë zgjidhje të plotë, funksionale dhe afatgjate, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, transmeton Tetova News.

Konferenca e plotë për shtyp:

Të nderuar përfaqësues të mediave,
të nderuar qytetarë,

VLEN atë që BDI nuk e zgjidhi për dy dekada, ne po e zgjidhim me veprim.

Më konkretisht, provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe.

VLEN po dëshmon se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen me deklarata boshe, as me improvizime politike, por me punë konkrete institucionale dhe me zgjidhje të plotë e të qëndrueshme.

Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.

Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Për dallim nga pushteti i kaluar, i cili për më shumë se dy dekada e mbajti të pazgjidhur këtë çështje dhe e përdori vetëm për propagandë politike, VLEN po vepron me përgjegjësi dhe seriozitet institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në praktikë.

VLEN beson se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore janë themeli i një shteti modern dhe të drejtë, prandaj zgjidhjet nuk do të jenë gjysmake, por të plota, të zbatueshme dhe afatgjate, në interes të studentëve dhe të gjithë qytetarëve.

Po ashtu, ju konfirmoj se unë, si kryetar i Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive, gjatë javës do të thërras seancë të Komitetit në Kuvend, ku debatin do ta zhvendosim nga rruga në institucion, aty ku zgjidhen problemet.

Aty do të thërras përfaqësues të studentëve, përfaqësues të shoqërisë civile, deputetë të etnive të ndryshme, ekspertë të fushës, profesorë universitarë, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe nga ambasadat e ndryshme.

Edhe njëherë, i garantoj gjithë shqiptarët se çdo e drejtë sa i takon gjuhës dhe të drejtave etnike, VLEN me përkushtim do t’i zgjidhë të gjitha një nga një, ndërsa atyre të tjerëve u mbetet turpi që për dy dekada nuk sollën asnjë zgjidhje për çështjen e gjuhës dhe çështjen e studentëve apo të arsimit të lartë.

Keni guxim sot të dilni para studentëve dhe ta demantoni BDI-në dhe t’i njoftoni studentët se problemi i studentëve do të zgjidhet?

Shih, demantimi më i mirë para studentëve dhe gjithë opinionit është ajo që në takimin me liderët tanë, studentët tanë si kërkesë të vetme kishin provimin e jurisprudencës. Dhe ne nga ai takim u thamë se po, ne do ta zgjidhim, edhe ne po japim zgjidhje.

Tani, pse devijon protesta, shihet se këtu ka ndërhyrje, ka interferime të subjekteve politike nga brenda dhe nga jashtë vendit. Është absurd i madh, pasi që ne themi se do ta zgjidhim çështjen e provimit të jurisprudencës, ndërsa ata vazhdojnë me protesta.

Nuk e di ku është sensi dhe logjika që ne të dalim në protestë, kur ne jemi në institucione, përfaqësojmë shqiptarët në institucione dhe themi se do të japim apo do të gjejmë zgjidhje institucionale nëpërmjet Komitetit. Aty duhet t’i kthehet debati dhe shumë shpejt do të dalim edhe me zgjidhje konform Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Kushtetutës së vendit.

Nuk themi ne se s’kemi zgjidhje ose nuk do ta zgjidhim. Përkundrazi, themi se për këtë problem garancë është VLEN-i që do ta zgjidhë.

A vlerësoni se BDI-ja ka gisht në këtë protestë?

Absolutisht që po. BDI nuk ka kredibilitet, nuk ka as mbështetje dhe nuk ka as kauzë. Tani çdo kauzë që mund ta… si të them, në vijë të frontit dalin fëmijët e atyre ministrave që tetë ministra kanë pasur për ta zgjidhur këtë çështje brenda dy dekadave, nuk e kanë zgjidhur dhe nuk e kuptoj ku është sensi që ata të dalin të protestojnë për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës.

Absolutisht që ata mundohen ta instrumentalizojnë, të përfitojnë nga kërkesat e studentëve, por ne kemi një zotim: çdo propagandë të atyre, çdo improvizim do ta demaskojmë me fakte dhe me argumente dhe çdo problem që kanë lënë të pazgjidhur, ne brenda mandatit tonë do ta zgjidhim.

Zoti Azizi, afërsisht VLEN-i i humbi dy vjet për formimin e vet në një parti. Do të keni kohë deri në fund të mandatit që t’i zgjidhni problemet?

Tani, unë veç disa nga ato do t’i përmend. Përsëri them: ne nuk ofrojmë zgjidhje gjysmake dhe jo funksionale, siç ata bënë brenda dy dekadave.

Ne thamë që Korridori 8 do të bëhet dhe ata talleshin, bënin zhurmë për asgjë, se nuk do të bëhet.

Ne thamë se rruga Shkup – Bllacë do të bëhet dhe shumë shpejt ka përfunduar tenderimi dhe do të nisin punimet konkrete.

Ne thamë se ata ju kanë mashtruar me vendimin për akreditimin e Medresesë dhe doli e vërteta se e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese dhe ne e akredituam me ligj.

Ne thamë se do të bëjmë ligj për ndalimin e kazinove, lojërave të fatit dhe kredive të shpejta dhe shumë shpejt gjithë këto gjëra po bëhen realitet.

Ne thamë se do të sjellim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ligji shumë shpejt do të vijë edhe në Kuvend.

Po ashtu, për herë të parë ndajmë hisen e buxhetit në pushtetin lokal në mënyrë të barabartë për kokë banori, ku në këtë vit, respektivisht vitin e kaluar, ne bëmë ndarjen e buxhetit, respektivisht 83 milionë euro për komunat shqiptare, gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën.

I bie që VLEN brenda dy viteve ka bërë më shumë vepra konkrete sesa BDI për 20 vjet.

Ky është realiteti.

Tash kush do të bëjë propagandë, kush do të bëjë zhurmë, kush do të bëjë improvizime, është diçka tjetër.

Ata janë në opozitë, nuk i kanë ato hotelet e buta, nuk i kanë ato benefite që kishin nipërit, mbesat, familjarët, gratë, tezet, hallat që merrnin mijëra euro nga buxheti.

Prandaj është gjithë kjo zhurmë, gjithë kjo ulërimë në eter.

Nuk ka asgjë reale dhe qytetarët, shqiptarët, këtë gjë e kuptuan drejt në zgjedhjet lokale.

Ju e dini se ata humbën edhe për shkak të gjithë kësaj propagande për të na baltosur dhe diskredituar.

Në zgjedhjet e kaluara humbën 10 me 2, në zgjedhjet e ardhshme humbja do të jetë edhe shumë më e thellë, në rast se vazhdojnë kështu dhe nuk reformohen.

Si i komentoni akuzat që i bën BDI për shitjen e pronave në Tetovë?

Shih, po këtu është ajo se po humb sensi. Për çdo send, të gjitha të bërat që kanë bërë vetë, ato mundohen t’ia lënë tjetrit. Si thonë, “kopilin në derë të huaj”.

Përafërsisht, ka prona që janë shitur në Tetovë për 150 mijë euro, ndërsa vlera e tyre është 175 milionë euro. Këtë unë e kam thënë edhe nëpër tubime në kohën e BDI-së.

Ata që shitën dhe nuk bënë asgjë, e shkatërruan qytetin, është BDI.

Ju e dini se Tetovën si e morëm ne: me rrugë copë-copë, me gropa, pa ujësjellës, pa kanalizime, pa bulevarde, pa shërbime. Dhe tani Tetova po shndërrohet në metropol.

Është qyteti ku për çdo ditë realizohet punë, ka një projekt, shtrohet një rrugë, ndreqet një ujësjellës, një kanalizim, hapen bulevarde.

Dhe këto të gjitha bëhen me një menaxhim të drejtë, pa keqpërdorim, me vjeljen apo inkasimin e taksave qytetare dhe destinimin e mjeteve aty ku realizohen projektet.

Ata që vodhën nuk nxorën asgjë për mejdan, ndërsa sot Tetova është qyteti që është shembull për gjithë Maqedoninë se si punohet, ndërtohet dhe zhvillohet.

Në rast se dikujt i pengon zhvillimi i Tetovës dhe përsëri përdor propagandën për ta baltosur kampionin e punëve që bën në krye të Tetovës, Bilall Kasamin, nuk do t’ia arrijë.

Sepse qytetarët e vlerësuan, e votuan dhe fitoi me 5.500 vota diferencë.

Në zgjedhjet e ardhshme do të jetë edhe shumë më e thellë fitorja jonë, pasi po bëhen edhe projekte kapitale në mandatin e dytë.

Zotëri Azizi, çfarë mendoni për studentët të cilët e ndërruan agjendën, nga kërkesa për provimin e jurisprudencës në kërkesën për gjuhën shqipe?

Studentët duhet ta ndajnë mendjen. Në rast se kanë kërkesa në suaza të kërkesave të studentëve, ne jemi aty për t’i zgjidhur të gjitha kërkesat një nga një.

Në rast se kanë kërkesa politike, ose duhet t’i bashkangjiten një subjekti politik siç është BDI, që mundohet t’i instrumentalizojë, ose të themelojnë një subjekt politik dhe të bëjnë kërkesa politike, të dalin, t’i prezantojnë, t’i promovojnë.

Por ajo që na u tha neve në takimin e parë, u thamë se do të kryhet.

Tani, çfarë fshihet mbrapa këtij devijimi nga kërkesa për provimin e jurisprudencës në kërkesa për gjuhën shqipe, që është një nocion shumë i gjerë, nuk e di se çfarë dhe ku do të përfundojnë ato në fund.

Megjithatë, ne jemi këtu për t’u përgjigjur në çdo sfidë, në çdo kërkesë reale të studentëve dhe jo improvizimeve të atyre që rrijnë në prapaskenë.

Ju faleminderit! Faleminderit! Faleminderit!/TetovaNews