Ballina Bota Putin është i gatshëm për negociata me vendet evropiane, por ato duhet...

Putin është i gatshëm për negociata me vendet evropiane, por ato duhet ta bëjnë hapin e parë

Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të negociojë me “të gjithë”, përfshirë edhe evropianët, njoftoi sot Kremlini, pasi “Financial Times” raportoi se udhëheqja e Bashkimit Evropian po përgatitet për bisedime të mundshme.

“Financial Times” raportoi dje se kthesa e Bashkimit Evropian është nxitur nga pakënaqësia me negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se beson se ekziston “potencial” për negociata të BE-së me Putinin dhe se aleanca ka mbështetjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Putin është i gatshëm të negociojë me të gjithë. Ai e ka përsëritur këtë disa herë. Ne do të jemi të gatshëm të ecim përpara në dialog aq sa evropianët janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Megjithatë, siç e ka theksuar tashmë Putini, ne nuk do t’i iniciojmë këto kontakte, pas qëndrimeve që kanë mbajtur evropianët”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve, kur u pyet për artikullin e “Financial Times”.

Rusia konsideron se qeveritë evropiane duhet ta bëjnë hapin e parë, pasi, sipas Moskës, ato i kanë ndërprerë kontaktet me Rusinë në vitin 2022, pas fillimit të luftës në Ukrainë.

“Pala ruse nuk ishte iniciatore e ndërprerjes së plotë të marrëdhënieve tona me BE-në. Kjo u iniciua nga Brukseli dhe nga disa kryeqytete evropiane”, tha Peskov.