Protokolli “Monarch”
Radio britanike njofton gabimisht vdekjen e mbretit Charles III
Thuhet se ka qenë një gabim kompjuterik: një radio britanike ka kërkuar falje pasi publikoi gabimisht lajmin për vdekjen e mbretit Charles III. Tani gazetarët shqetësohen për transmetimin e mesazhit të Krishtlindjeve.
Radioja britanike Radio Caroline kërkoi falje të mërkurën, pasi një ditë më parë kishte njoftuar gabimisht vdekjen e mbretit Charles III.
“Protokolli ‘Monarch’ – të cilin të gjitha radiot britanike e mbajnë gati, me shpresën se nuk do të kenë kurrë nevojë ta përdorin – u aktivizua aksidentalisht të martën pasdite dhe shpalli gabimisht vdekjen e Madhërisë së Tij, Mbretit”, shkroi drejtori i Radio Caroline, Peter Moore, në Facebook.
Moore tha se shkak ishte “një gabim kompjuterik që ndodhi në studion kryesore”. Emisioni nuk ishte i disponueshëm në mediatekën e faqes së radios, e cila ndodhet në Essex, në juglindje të Anglisë.
Pasi radioja, e themeluar në vitin 1964, e kuptoi gabimin, fillimisht kërkoi falje drejtpërdrejt në transmetim dhe më pas edhe në platformat online, duke i kërkuar ndjesë mbretit dhe dëgjuesve për “shqetësimet e shkaktuara”.
Moore theksoi se Radio Caroline kishte pasur “kënaqësinë të transmetonte mesazhin e Krishtlindjeve të Madhërisë së Saj Mbretëreshës dhe, më pas, edhe atë të Mbretit, dhe shpresojmë ta bëjmë këtë edhe për shumë vite të tjera”.
Djali dhe pasardhësi i mbretëreshës Elizabeth II, e cila ndërroi jetë në vitin 2022, ndodhej në një vizitë në Irlandën e Veriut në momentin kur Radio Caroline njoftoi gabimisht vdekjen e tij.
Mbreti 77-vjeçar vazhdon të trajtohet për një sëmundje kanceroze. Në dhjetor 2025, ai kishte folur për përparime në trajtimin e tij./TetovaNews















