Ballina Aktualitet VLEN U BASHKUA NË PARTI TË QENDRËS SË DJATHTË/Ofron një kulturë më...

VLEN U BASHKUA NË PARTI TË QENDRËS SË DJATHTË/Ofron një kulturë më të qetë, më serioze dhe më institucionale, të përgjegjshme ndaj qytetarit

Pas nesh është një kapitull i gjatë dhe i vështirë, me institucione të ngarkuara me skandale, me zyra ku luhej futboll dhe me raste politike të montuara, ku drejtësia përdorej si armë për përllogaritje dhe heshtje të kundërshtarit. Një kapitull i tillë kërkonte fund, çdo fund i tillë kërkon guxim dhe prandaj erdhi ky bashkim, tha bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.

Koalicioni VLEN sonte, në një Kongres në Shkup, në prani të 850 delegatëve, u bashkua në një subjekt të vetëm politik.

Bashkëkryetari i partisë VLEN dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në fjalimin e tij tha se ka momente në histori kur politika pushon së qeni garë dhe shndërrohet në domosdoshmëri.

Sipas tij, këto janë momente kur koha kërkon jo vetëm ndryshime, por edhe unitet.

Ai theksoi se janë mbledhur së bashku forca të ndryshme, me histori dhe përvoja të ndryshme, të cilat shpesh kanë shkuar në drejtime të kundërta.

– Megjithatë, në atë moment, edhe pse dallimet nuk u zhdukën, ato forca u bashkuan rreth një qëllimi më të madh: t’i jepet fund epokës së gjatë të stagnimit dhe të hapet një kapitull i ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ky nuk ishte një bashkim i lehtë, por ishte një bashkim i domosdoshëm. Sepse pas nesh ishte një kapitull i gjatë dhe i vështirë, me institucione të ngarkuara me skandale, me zyra ku luhej futboll dhe me raste politike të montuara, ku drejtësia përdorej si armë për përllogaritje dhe heshtje të kundërshtarit. Një kapitull i tillë kërkonte fund. Dhe çdo fund i tillë kërkon guxim. Prandaj erdhi ky bashkim – tha Mexhiti.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në fjalimin e tij theksoi se bashkimi i këtij subjekti përcjell një mesazh të qartë për unitet dhe orientim euroatlantik.

Duke kujtuar protestat e para 10 viteve në Shkup, Sali tha se sot, në Ditën e Evropës, ky bashkim e dëshmon drejtimin e VLEN-it.

– Mund të kemi alternativa për gjithçka, por integrimi evropian është orientim pa alternativa. Ky është një udhëtim që ndërtohet me institucione kredibile dhe me përgjegjësi të përditshme ndaj qytetarëve – tha Sali.

Ai theksoi se VLEN po ndërtohet si strukturë serioze politike, me organizim në terren, forume rinore dhe të grave, si dhe me përfshirjen e profesionistëve, me qëllim që të jetë afër qytetarëve kudo. Sali vendosi theks të veçantë te të rinjtë dhe gratë, duke nënvizuar nevojën për krijimin e mundësive që ata ta ndërtojnë të ardhmen e vendit, si dhe rëndësinë e forcimit të komunave përmes decentralizimit.

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se VLEN nuk është vetëm bashkim partish, por një kulturë tjetër e krijimit të politikave.

– VLEN duhet të bëhet një tjetër kulturë politike shqiptare. Më e qetë, më serioze, më institucionale dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarit. Nuk na duhet politikë që jeton nga grindjet. Shqiptarëve u duhet politikë që ndërton, planifikon dhe mendon përtej mandatit. Prandaj është e rëndësishme të themi edhe çfarë përfaqësojmë. Ne jemi parti e qendrës së djathtë. Dhe këtë nuk e themi si diçka që tingëllon bukur në letër. E themi sepse besojmë në disa vlera shumë të qarta – tha ai.

Sipas tij, vlerat e VLEN-it janë ndershmëria dhe puna.

– Besojmë në familjen si vendi i parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë ndaj të tjerëve. Besojmë në punën e ndershme, në njeriun që zgjohet herët për të mbajtur familjen e tij, në sipërmarrësin që merr rreziqe, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, kulturën, fenë dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur së bashku edhe në kohë kur kishim pak mundësi, por shumë dinjitet. Por besojmë edhe në shtetin modern. Në institucione që funksionojnë. Në administratë profesionale. Në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, e jo nënë për njërin e njerkë për tjetrin – tha Kasami.

Në kongres mori pjesë edhe kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte mysafir në Kongres, në fjalimin e tij tha se ky Kongres ka një simbolikë të veçantë pikërisht sepse mbahet më 9 maj, në Ditën e Evropës.

– Kjo është një kujtesë se Evropa moderne është ndërtuar mbi rrënojat e fashizmit, supremacisë dhe luftërave. BE-ja lindi si projekt i paqes përmes antifashizmit dhe i prosperitetit përmes demokracisë. Kjo ka rëndësi të veçantë për Ballkanin – tha ai.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Luçiano Boçi, e përshkroi bashkimin e këtij koalicioni në parti si moment me rëndësi të veçantë politike për shqiptarët në rajon.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dërgoi mesazh mbështetjeje për Kongresin e parë të partisë politike VLEN, duke theksuar rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Në pjesën punuese të kongresit do të miratohen 5 rezoluta, ndër të cilat një rezolutë për gratë, me të cilën kërkohet përfaqësim prej 40 për qind i grave në proceset e vendimmarrjes në subjektin e ri politik, një rezolutë për të rinjtë dhe një rezolutë për decentralizimin./Plusinfo/TetovaNews