Dy persona humbën jetën, ndërsa disa shërbime emergjente u angazhuan në pjesë të ndryshme të Gjermanisë pas stuhive dhe reshjeve të dendura që goditën vendin gjatë fundjavës.
Aksidenti më i rëndë ndodhi në afërsi të qytetit Bruchsal, në veri të Karlsruhes, ku dy persona vdiqën në një përplasje të shkaktuar nga aquaplaningu në rrugën federale B35.
Sipas policisë, një 65-vjeçar humbi kontrollin mbi automjetin e tij për shkak të shtresës së ujit në asfalt gjatë stuhisë dhe kaloi në korsinë e kundërt. Atje u përplas me një automjet tjetër, ku ndodheshin një burrë 55-vjeçar dhe një grua 54-vjeçare. Të dy humbën jetën në vendngjarje.
Shoferi 65-vjeçar pësoi lëndime të rënda dhe u transportua me helikopter në spital. Rruga B35 u mbyll për disa orë.
Aquaplaningu ndodh kur mbi asfalt krijohet një shtresë uji që pengon kontaktin e gomave me rrugën, duke bërë që automjeti të humbasë kontrollin, drejtimin dhe aftësinë për të frenuar.
Ndërkohë, moti i keq shkaktoi incidente edhe në rajone të tjera të Gjermanisë. Në veri të vendit, një rrufe goditi një kishë në Osnabrück gjatë një ceremonie pagëzimi, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve, por pa raportime për viktima.
Megjithatë, në pjesën më të madhe të Baden-Württembergit, stuhitë e paralajmëruara kaluan pa dëme të mëdha materiale. Policia në Freiburg deklaroi se nuk pati incidente serioze, ndërsa edhe në rajonet e Tübingenit dhe Stuttgartit nuk u regjistruan ndërhyrje të mëdha të policisë për shkak të motit.
Shërbimi Gjerman i Motit (DWD) hoqi vonë në mbrëmje të gjitha paralajmërimet për stuhi të rënda, megjithëse paralajmëroi se në disa zona mund të vazhdojnë reshjet intensive dhe erërat e forta./TetovaNews















